Njoftime

Projekti i ri kërkimor-shkencor i Institutit të Arkeologjisë, Sistemi frotifikues antiko-mesjetar i Durrësit, bashkëdrejtuar nga Eduard Shehi dhe Brikena Shkodra

9 Korrik, 2022 Njoftime
Sapo ka nisur projekti i ri kërkimor-shkencor i Institutit të Arkeologjisë, Sistemi frotifikues antiko-mesjetar i Durrësit, bashkëdrejtuar nga Eduard Shehi dhe Brikena Shkodra. Është një projekt ndërdepartamental, bashkëpunim i Departamentit të Antikitetit dhe Departamentit të Antikitetit të Vonë dhe Mesjetës, i cili ka në fokusin e tij studimin diakronik të sistemit fortifikues të Durrësit.
Njohja e deritanishme e sistemit të fortifikimit të Durrësit konsiderohet në nivele ende të pjesshme, më së shumti për shkak të kompleksitetit të kësaj problematike por edhe të rrethanave historike dhe mundësive të limituara të ndërhyrjeve në terren. Natyra e izoluar e të dhënave dhe pamundësia e kërkimeve arkeologjike intensive dhe në shkallë të gjerë lënë ende të pavërtetuara një seri pyetjesh. Struktura fortifikuese e periudhës antike, trandicionalisht sugjeruar se zgjatonte nën muret bizantine, sapo ka filluar të konfigurohet në një shtrirje tërësisht të ndryshme, identifikimi i së cilës ka nevojë për një qasje tërësisht të re (Fig. 1: Shtrirja e sugjeruar e fortifikimit antik).
Fortifikimi i antikitetit të vonë, organizuar në dy linja mbrojtëse, prezanton të dhëna të limituara në drejtim të njohjes së dy fazave respektive strukturore (Fig. 2: Shtrirja e dy linjave të fortifikimit bizantin).
Objektivi i fushatës së parë të kërkimit në terren lidhet me njohjen e shtrirjes së qytetit të madh bizantin, shtrirja e së cilës në drejtimin lindor është tërësisht e panjohur. Përmes kësaj ndërhyrje mendojmë së do të mundemi që të saktësojmë pozicionin e qartë të shtrirjes së linjës lindore, të identifikojmë kronologjinë e ndërtimit të saj si dhe detajet arkitentonike të strukturës. Ndërsa për qytetin mesjetar dimë se ka përdorur fortifikimin e qytetit të hershëm Bizantin (Fig. 3: Shtrirja e qytetit mesjetar), ndërkohë që ka një mungesë të theksuar njohurish mbi fazat e ndryshme ndërtimore si edhe rolin e tyre në aspektin konstruktiv.

Ekspedita arkeologjike në Çukën e Ajtoit

7 Korrik, 2022 Njoftime
Gjatë periudhës qershor-korrik 2022 po mbahet ekspedita e përbashkët shqiptaro-italiane në Çukën e Ajtoit, bashkëpunim midis Institutit të Arkeologjisë dhe Universitetit Sapienza (Romë), drejtuar nga Julian Bogdani dhe Albana Meta. Kjo fushatë ka si synim përpilimin e një harte të detajuar të rrënojave arkeologjike në sipërfaqen e kodrës, skedimin, fotografimin dhe përshkrimin e strukturave të evidentuara gjatë fushatës së vitit të shkuar.
Kërkimet janë përqendruar rreth zonës së ashtuquajtur “Pallat” ku krahas pastrimit nga vegjetacioni, po kryhen disa sondazhe arkeologjike stratigrafike në zona që nuk janë gërmuar më parë gjatë punimeve që janë ndërmarrë gjatë shekullit të shkuar, me qëllim datimin e strukturave të kësaj ndërtese.
Dokumentimi i gjetjeve sipërfaqësore të qeramikës është një tjetër aktivitet i këtij viti, ende në fazat e para, por që po jep rezultat duke hedhur dritë të rëndësishme për fazat me të lashta të këtij siti (periudha e bronzit dhe hekurit) deri më sot pak të njohura.

Prezantohet sot projekti i podkasteve “Storie Nostrum në Shqipëri”

4 Korrik, 2022 Njoftime
U prezantua sot projekti i podkasteve “Storie Nostrum në Shqipëri”. Është një seri rrëfimesh për njerëzit e zakonshëm të lashtësisë nga territoret e siteve arkeologjike si Apolonia, Amantia, Lezha, Shkodra deri edhe Kosova. Historitë janë shkruar nga shkrimtari Gazmend Kapllani i pranishëm në këtë prezantim. Belisa Muka (drejtore e Institutit të Arkeologjisë) që e ka ndjekur projektin nga afër tha se ky propozim që përfshin jo vetëm shkrimtarin, po edhe zërin e aktorit dhe media të tjera të artit dhe teknologjisë së komunikimit, do të ndryshojë qasjen mes publikut dhe shkencës për trashëgiminë arkeologjike dhe historike.
Aktori Vasjan Lami lexoi dy podkaste, njëri për rapsodin nga Apolonia dhe tjetri për patrullarin nga Amantia. Siç mund të nënkuptohet, janë personazhe sa të krijuar prej fantazisë, aq edhe të vendosur në një mjedis konkret të një qytet-shteti si Apolonia, por mentaliteti i banorëve të lashtë është parë edhe me sytë e qytetërimit të sotshëm.
Në episodin e Apolonisë kemi historinë e një rapsodi “më i vjetër se vetë koha” që e fut dëgjuesin në një reflektim për qytetin, pushtetin, grekët dhe ilirët dhe aftësitë e tyre për vetëqeverisje. Para syve tanë rindërtohet si në 3D hapësira urbane me agoranë, nimfeun me flakën e përjetshme, tempujt dhe nekropolin, kullotat dhe fushat me grurë, me jetën e gjallë të një qyteti që pasurohej nga bitumi, virtutet e këtij qyteti përballë të huajve dhe skllavërisë.
Kapllani tregoi se si i është përqasur ai historisë së largët, për kërkimin që ka bërë në literaturën e shumanshme mbi këtë periudhë duke dashur t’i afrohet një lloj “arkeologjie të emocioneve”, se si dashuronin, mashtronin, si i kishin marrëdhëniet me pushtetin njerëzit e asaj bote, si ishte e struktuar shoqëria, si perceptoheshin kufijtë. “Kam dashur të jetë një fiksion bindës, po edhe argëtues”, tha ai. Duke e mbyllur bashkëbisedimin me të pranishmit shkrimtari deklaroi se një nga problemet e mëdha të botës së shkencës dhe të kulturës në Shqipëri është se “prodhimi intelektual shumë pak arrin te publiku dhe historinë tonë e trajtojmë si një univers shumë të mbyllur”.
Në fund Vincent Mespoulet, koordinator i projektit “Storie Nostrum” bëri një prezantim të punës së deritanishme dhe si do të vazhdojë. Ai prezantoi hedhjen e këtyre historive në tri gjuhëve në youtube channel, po ato i gjen edhe në platformat spotify dhe amazon.
Për të gjithë të interesuarit, në Muzeun Arkeologjik do të vendosen QR codes të dy historive të shkruara nga Gazmend Kapllani, në frëngjisht, shqip dhe anglisht, me efektet zanore përkatëse. Nga dita e nesërme mund të vizitoni Muzeun dhe t’i dëgjoni podkastet.

Doli në qarkullim “Dardanët” i prof. dr. Luan Përzhitës

2 Korrik, 2022 Njoftime

Doli në qarkullim “Dardanët” i prof. dr. Luan Përzhitës, një studim për fisin ilir të dardanëve nga Prehistoria deri në Mesjetë, bazuar në të dhënat arkeologjike dhe ato historike.
Kontributet e shkruara për dardanët janë pasqyruar në shtypin shkencor në Shqipëri, Kosovë, Francë, Gjermani, Itali, por ky studim reflekton dhe interpreton sidomos atë informacion që vjen nga zbulimet e reja arkeologjike, nga kërkimet e kryera vitet e fundit në Kosovë – zemrën e trojeve të dardanëve e përbënte pikërisht Kosova e sotme – dhe në territore që në antikitet ishin pjesë e territoreve dardane. Në saje të gjithë këtij materiali janë sqaruar shumë elemente kulturore dhe etnike.
Për herë të parë lexuesi do të njihet me qendra urbane të shekujve IV-II para Krishtit, me të dhënat të reja për qytetin Damostion.
Me interes është kontributi i ri që pasuron panoramën e kësaj periudhe dhe ndihmon për sqarimin kronologjik dhe kulturor për qendra si Çifllaku dhe Dresniku dhe për gjetje të mbishkrimeve latine për shekujt I-II dhe III-IV.
Në analizën për shekujt IV-VII i është kushtuar vëmendje rrugës që dardanët ndoqën drejt krishtërimit, për qendra kishtare si Justiniana Prima, Justiniana Secunda, Naissus, Scupi etj.
Për Mesjetën e hershme është me interes materiali i periudhës së hershme shqiptare i zbuluar në nekropolet Banjë të Malishevës, Graboc, Fushë-Kosovë etj.
Studimi hap një shteg të ri për njohjen e historisë antike të këtij rajoni të rëndësishëm ilir.
Autori u shpreh mirënjohje kolegëve të Muzeut të Kosovës dhe të Institutit të Arkeologjisë për mbështetjen që i kanë ofruar gjatë hulumtimeve në Kosovë për një periudhë 15-vjeçare; kolegut Kejmal Luci, i cili e njohu autorin me pasurinë arkeologjike të dardanëve; kolegut Haxhi Mehmeti, me të cilin autori ka realizuar shumë projekte kërkimi në Fushë-Kosovë; kolegëve të rinj A.Hajdari, M.Berisha, P.Allaj dhe i kushton një homazh kolegut Fatmir Peja.
Botimi është i pajisur me një seri fotografish të gjetjeve arkeologjike, një pjesë e të cilave botohen për herë të parë.

Storie Nostrum në Shqipëri

29 Qershor, 2022 Njoftime
Instituti i Arkeologjisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, ka kënaqësinë t’ju ftojë më 4 korrik, ora 11.00, në mjediset e Hotel “Mondial” në “Storie Nostrum në Shqipëri”.
Projekti “Storie Nostrum” është nga më të veçantët e realizuar deri më sot, sepse ia sjell publikut antikitetin me imagjinatën e një gjuhë të re, një seri podkastesh që tregojnë jetën e zakonshme të banorëve në brigjet e Mesdheut 2500 vjet më parë. Janë prodhuar rreth dhjetë podkaste në territorin aktual të Shqipërisë me ekipet arkeologjike që realizojnë kërkimet e tyre në terren. Ky projekt nxjerr në pah trashëgiminë arkeologjike, jo vetëm mesdhetare, por edhe trashëgiminë e territorit tonë, nëpërmjet eksplorimit të rajoneve pak të njohura të Mesdheut të lashtë.
Për këtë janë bërë bashkë arkeologë, shkrimtarë, artistë sonorë, muzikologë. Ato i drejtohen një audience shumë të gjerë, të aksesueshme me një smartphone të thjeshtë si dhe një terminal audio në një muze ose në një vend arkeologjik, duke e nxitur audiencën të përfshihet dhe të jetë pjesëmarrëse.
Në takimin e 4 korrikut do t’i dëgjojmë podkastet live, të lexuara nga aktori Vasjan Lami. Ndërsa në Muzeun Arkeologjik do të vendosen QR codes të dy historive të shkruara nga Gazmend Kapllani, në frëngjisht, shqip dhe anglisht, me efektet zanore përkatëse.
Duke nisur nga dt. 5 korrik, kush do ketë dëshirë mund të vizitojë Muzeun dhe të dëgjojë podkastet.
Marrin pjesë:
Gazmend Kapllani, shkrimtar, drejtor i Katedrës së Studimeve Albanologjike në Universitetin DePaul, Chicago (ShBA)
Elisabeth Barsacq, Ambasadore e Francës në Shqipëri
Luan Përzhita, Rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike
Belisa Muka, Drejtor i Institutit të Arkeologjisë
Marie-Pierre Dausse, Universiteti Paris 8, Francë
Vincent Mespoulet, Koordinator i projektit Storie Nostrum
Vasjan Lami, Aktor
 

Projekti shqiptaro-francez “Topografia e Epidamne-Dyrrachion, Durrës”

28 Qershor, 2022 Njoftime

Projekti shqiptaro-francez “Topografia e Epidamne-Dyrrachion, Durrës”, bashkëdrejtuar nga Prof. As. Dr. Eduard Shehi (Instituti i Arkeologjisë) dhe Prof. Catherine Abadie-Reynal (Universiteti Lyon 2), është në përfundim të gërmimeve arkeologjike në Forumin Bizantin dhe pranë kishës katolike të Shën Luçisë. Tek gërmimet në Forumin Bizantin janë arritur nivele të periudhës perandorake romake.

U arrit të gërmohet një banesë e shek. 2 e.s., e cila ishte shkatërruar tërësisht nga një zjarr i fuqishëm. Si pasojë e zjarrit banorët janë larguar me shpejtësi, duke mundur të marrin vetëm objektet më të rëndësishme. Për rrjedhojë, shtresa e djegies së banesës përmban shumë objekte të jetës së përditshme. Këtë vit u arrit të gjenden objekte të ndryshme, mes të cilave bie në sy një figurinë bronzi e një personazhi femëror në lëvizje. Duke qenë se objekti ka nevojë të pastrohet e konservohet nga specialistët për momentin nuk mund të identifikohet me saktësi. Mund të themi se kemi të bëjmë me figurën e një perëndeshe (Artemis? Lar/Lares?), pjesë e faltores së banesës së shek. 2 e.s. Po në këtë nivel në vitin 2019 u zbulua një skulpturëz mermeri e një fëmije.

Gërmimet arkeologjike shqiptaro-franceze në Durrës

24 Qershor, 2022 Njoftime
Gërmimet arkeologjike shqiptaro-franceze në Durrës që po realizohen në Forumin Bizantin dhe pranë kishës katolike të Shën Luçias, po nxjerrin të dhëna me interes.
Udhëheqësi i këtyre kërkimeve, arkeologu Eduard Shehi njofton se pranë kishës së Shën Luçias po dalin në dritë mure të antikitetit të vonë me disa faza ndërtimore. Ndërsa në Forumin Bizantin janë evidentuar disa nivele shkatërrimesh me djegie masive të fundit të shek. III dhe fillimi i shek. IV.
Siç e tregojnë edhe fotot, në Forumin Bizantin, arkeologët kanë hasur nivele banimi dhe ripërdorimi të territorit përgjatë antikitetit të vonë dhe Mesjetës së hershme.
Qëllimi i kësaj fushate gërmimsh mbi topografinë e Epidamne-Dyrrahionit, mbetet zbulimi i fazave më të hershme të përdorimit të territorit në këto dy pika të rëndësishme të qytetit.

Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Elisabeth Barsacq dhe kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako vizituan gërmimet arkeologjike në Forumin Bizantin dhe në territorin pranë kishës katolike Shën Luçia

18 Qershor, 2022 Njoftime

Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Elisabeth Barsacq dhe kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako vizituan dje gërmimet arkeologjike në Forumin Bizantin dhe në territorin pranë kishës katolike Shën Luçia.

Te kjo e fundit janë zbuluar shtresa komplekse përdorimi të territorit përgjatë shek.16-19 si dhe muri i një banese që duket se është shembur rreth viteve 1850.

Sapo ka filluar të shfaqet një mur i periudhës perandorake romake, që tregon një aktivitet të dendur ndërtimor në zonë përgjatë antikitetit dhe ripërdorim të këtyre strukturave përgjatë shekujve të antikitetit të vonë dhe mesjetës.


Këto gërmime arkeologjike në kuadër të fushatës së vitit 2022, realizohen në saje të projektit të bashkëpunimit shqiptaro-francez “Topografia e Epidamne-Dyrrahionit, Durrës”, bashkëdrejtuar nga Prof. as. dr. Eduard Shehi (Instituti i Arkeologjisë) dhe Prof. Catherine Abadie-Reynal (Lyon 2).

Filloi punimet projekti i Institutit të Arkeologjisë (ASA) në bazilikën paleokristiane të Elbasanit

17 Qershor, 2022 Njoftime

Këtë javë filloi punimet projekti i Institutit të Arkeologjisë (ASA) në bazilikën paleokristiane të Elbasanit (Scampis). Objekt i punës do të jetë kryerja e sondazheve të ndryshme në monument me qëllim sqarimin e funksionimit të kishës sipas fazave të ndërtimit dhe natyrën e ambienteve të ndryshme ndihmëse të saj. Synohet të përftohet informacion edhe për përdorimin funerar të saj.
Një pjesë e sondazheve do të jenë edhe në funksion të ndërhyrjeve konservuese që do të ndërmerren në të.


Përveç gërmimeve që janë në proces, u realizua edhe një skanim 3D i monumentit objekt i punës dhe kështjellës në bashkëpunim me pedagogë dhe studentë të Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës.

Topografia e Epidamne-Dyrrahionit

16 Qershor, 2022 Njoftime
Bashkëpunimi shqiptaro-francez “Topografia e Epidamne-Dyrrahionit, Durrës”, bashkëdrejtuar nga Prof. as. dr. Eduard Shehi (për Institutin e Arkeologjië) dhe Prof.Catherine Abadie-Reynal (për Lyon 2) po realizon gërmimet arkeologjike në kuadër të fushatës së vitit 2022.
Për këtë vit gërmimet po realizohen në Forumin Bizantin dhe pranë kishës katolike Shën Luçia.
Në Forumin Bizantin po gërmohen dy kuadrate, me qëllim njohjen e zhvillimit të territorit përgjatë periudhës antike, para ndërtimit të Forumit Bizantin, si dhe pas braktisjes së tij. Rezultatet për momentin janë me shumë interes. Janë zbuluar disa nivele banimi të periudhës mesjetare, kur Forumi kishte dalë jashtë përdorimit. Janë zbuluar gjurmë të ndërhyrjeve rifunksionalizuese në vetë Forumin, përgjatë kohës që ishte në përdorim, si dhe janë shfaqur gjurmët e strukturave më të hershme që kanë paraprirë ndërtimin e tij.
Në territorin pranë kishës katolike Shën Luçia po gërmohet një tjetër kuadrat. Janë zbuluar shtresa komplekse përdorimi të territorit përgjatë shek.16-19 si dhe muri i një banese që duket se është shembur rreth viteve 1850. Sapo ka filluar të shfaqet një mur i periudhës perandorake romake, që tregon një aktivitet të dendur ndërtimor në zonë përgjatë antikitetit dhe ripërdorim të këtyre strukturave përgjatë shekujve të antikitetit të vonë dhe mesjetës.
Gërmimet vazhdojnë me qëllim zbulimin e fazave më të hershme të përdorimit të territorit në këto dy pika të rëndësishme të qytetit.
Duhet të shtojmë gjithashtu se falënderojme Kishën Katolike që pranoi dhe mundësoi gërmimin në territorin e saj, duke qenë një mbështetëse e fortë e kërkimeve arkeologjike në Durrës.
 
2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL