Revista Candavia (ISSN: 2073-4115) është periodik shkencor i Institutit të Arkeologjisë, që i ka fillesat e botimit në vitin 2004, duke numëruar nëntë volume. Në revistë pasqyrohen kërkimet arkeologjike në terren nga prehistoria, antikiteti dhe antikiteti i vonë e mesjeta, të kryera çdo vit në territorin shqiptar.
Fillimisht revista ka shërbyer si organ për kërkimet e departamentit të antikitetit të vonë dhe mesjetës. Më vonë tematika e revistës është zgjeruar dhe me kërkime nga periudha të tjera historike, por e fokusuar kryesisht në botimin e raporteve të gërmimeve arkeologjike të përvitshme të Institutit të Arkeologjisë dhe më gjerë.
Nga viti 2020 revista Candavia i kushtohet tërësisht botimit të raporteve arkeologjike të vitit kalendarik përkatës, të kryera në territorin shqiptar. Në revistën Candavia botohen artikuj të mirëfilltë autentik shkencor që paraqesin rezultatet e kërkimeve më të reja në terren në fushën e arkeologjisë shqiptare, duke e bërë atë unike në llojin e saj.