Ky koleksion është një pjesë shumë e rëndësishme e trashëgimisë sonë kulturore, e cila është e brishtë dhe e parinovueshme, ndaj, ruajtja, digjitalizimi dhe studimi shkencor i tij është një nga prioritetet e Institutit të Arkeologjisë së Akademisë së Studimeve Albanologjike.
Ky koleksion arkeologjik, rezultat i një pune shumëvjeçare të arkeologëve shqiptarë, është më i pasuri në zhanrin e tij në vendin tonë. Koleksion i një rëndësie të veçantë, që përfshin objekte unikale, të cilat vijnë nga të tëra vendbanimet arkeologjike në Shqipëri, të cilat datohen në një hark kohor nga prehistoria deri në mesjetë.
Koleksioni arkeologjik i Institutit të Arkeologjisë numëron rreth 44.000 objekte, nga të cilat: 18.000 në ruajtje në fondet dhe muzeun e Tiranës, 16.000 në fondet e Durrësit, 3.000 në fondet e Apolonisë, 4.400 në fondet e Korçës dhe 681 në fondet e Sarandës, të cilit i shtohen çdo vit objekte të tjera nga zbulimet sistematike arkeologjike.