DEPARTAMENTET E
INSTITUTIT TË ARKEOLOGJISË

DEPARTAMENTI I PREHISTORISË

Kërkimet prehistorike gjatë 15 viteve të fundit kanë shënuar rezultate të reja që përfshijnë të gjitha periudhat e prehistorisë. Zgjerimi i tematikës përbën tiparin kryesor të kërkimit për projektet që lidhen me epokat e gurit (paleolit, mezolit e neolit), por shtrihet gjithashtu edhe në projektet për epokat e metaleve (bronz e hekur).

Në pikëpamje të formave të eksplorimit të aplikuara në terren, vend të rëndësishëm kanë zënë kërkimet sipërfaqësore (sërvei) si dhe gërmimet. Kërkimet sërvei u bënë nga format më të përshtatshme për njohjen e gjetjeve paleolitike e mezolitike në territore të gjera. Vrojtimet rajonale dhe lokale për përdorimin e territoreve në prehistori nga kërkimet sipërfaqësore në Shqipërinë Perëndimore dhe Juglindore kanë shtuar shumë vendgjetjet, të cilat kanë pasuruar mjaft hartën arkeologjike, veçanërisht për prehistorinë e thellë. Zbulimi i një numri të madh vendgjetjesh të epokës së gurit ka bërë të mundur grumbullimin e mjaft koleksioneve litike, të cilat ndihmojnë në studimin e ndryshimeve që shfaqen në përgatitjen e veglave të punës gjatë periudhave të kësaj epoke dhe evolucionin e qenieve njerëzore drejt njeriut modern.

Shqipëria nga të dhënat e grumbulluara tregon për një përdorim të gjerë të territoreve të saj në periudhat e paleolitit dhe mezolitit. Kërkimet për epokën e bronzit dhe hekurit lidhen më shumë me gërmime në vendbanime dhe varreza tumulare.

Në ndryshim nga kërkimet e mëparshme, vëmendja është përqendruar në zgjerimin e të dhënave, duke aplikuar dhe duke u mbështetur në shkencat ndihmëse si gjeoarkeologjia, arkeozoologjia, arkeobotanika, palinologjia, paleontologjia, analizat laboratorike etj.

Kërkimet në Vashtëmi, Kallamas, Bisht Pallë për neolitin dhe në Sovjan, Kamenicë, Lofkënd e Apoloni për periudhat e bronzit dhe hekurit, që prezantohen në këtë album, kanë sjellë të reja jo vetëm në aspektin kronologjik, por edhe për studimin e jetës së përditshme ekonomike dhe sociale të këtyre shoqërive. Periudha pesëmbëdhjetëvjeçare e kërkimeve në fushë të prehistorisë ka kontribuar si për zbulimin e siteve të reja në zona më pak të eksploruara dhe studiuara, ashtu edhe për aplikimin e mjeteve dhe metodave moderne të kërkimit të cilat kanë thelluar më tej njohjen.

Evidentimi i shumë pikave që vlerësohen si vendburime të strallit në Shqipërinë Perëndimore e Jugperëndimore që janë shfrytëzuar për nxjerrjen e lëndës së parë për përgatitjen e veglave, po flet në favor të hipotezës se vendburimet e strallit të territorit të Shqipërisë janë përdorur për punimin e veglave edhe nga territoret e tjera, nisur nga ngjashmëria e gjetjeve litike në disa site të Ballkanit me ato të Shqipërisë.

Pasuria e lëndës së parë për veglat e punës, kushtet natyrore të përshtatshme klima më e butë, krahasuar me pjesën tjetër qendrore e veriore të Ballkanit, pasuria e burimeve ujore, shumëllojshmëria e florës dhe faunës dhe pozicioni gjeografik që zë Shqipëria në territorin e Europës Juglindore (nga ku mendohet se u përhap nga Afrika njeriu modern), po rrit interesin brenda dhe jashtë Shqipërisë për kërkime e studime në këtë fushë.

Si rezultat, kanë filluar nga aktiviteti projektet e bashkëpunimit të Institutit të Arkeologjisë në Tiranë me Institutin e Prehistorisë në Universitetin e Këlnit në Gjermani, me Universitetet e Southamphton të Anglisë dhe të Ferrarës në Itali për paleolitin dhe mezolitin.

Kërkimet për periudhën e fundit të epokës së gurit, neolitit, kanë për objekt studimin e procesit të neolitizimit të territoreve të Shqipërisë. Nisur nga vendosja gjeografike e saj, në mes të territoreve nga kanë kaluar grupet e banorëve që njihnin bujqësinë (grupi neolitik nga juglindja me qeramikë monokrome e të pikturuar si dhe grupi neolitik me qeramikë impreso adriatikase), të cilët neolitizuan Evropën Juglindore në fillim e, më pas, gjithë Evropën, kërkimet për fillimet e neolitit në Shqipëri kanë për qëllim të kontribuojnë jo vetëm për rolin e dy komponentëve kulturorë neolitikë në procesin e neolitizimit në tërësi, por edhe për kryerjen e datimeve absolute dhe renditjen kronologjike të Neolitit të Hershëm në Shqipëri.

Për realizimin e këtyre synimeve, procesi i kërkimit është mbështetur në gërmimin e vendbanimeve kryesore të neolitit të hershëm, duke aplikuar mjetet e metodat më të fundit. Kërkimet për NH në Vashtëmi, në bashkëpunim me Universitetin e Cincinatit në SHBA, kanë dhënë datime të reja më të hershme që dëshmojnë për neolitizimin e territoreve të Shqipërisë  Juglindore në një kohë me ato të Thesalisë në Greqi, gjë që ka diktuar ndryshime në renditjen kronologjike të vendbanimeve NH në Shqipëri.

Me rëndësi janë edhe të dhënat gjeoambientale, të florës e faunës për të rindërtuar një tablo të ngjashme me jetën ekonomike e sociale të banorëve të hershëm neolitikë.

Sovjani ka dhënë serinë më të gjatë të datimeve absolute që zgjat për 6.000 vjet nga fillimi i neolitit deri në periudhën e parë të hekurit, kohë kur vendbanimi u mbulua nga ujërat e liqenit të Maliqit dhe u braktis. Për fillimin e neolitit janë kapur gjurmë në shtresën 13, e cila nuk dha qeramikë, por disa copa dyshemeje datuar 7000 vjet para Krishtit. Pra, vendbanimi i parë lakustër ka qenë ngritur që në mijëvjeçarin e VII.

Po kështu, Sovjani ka dhënë datime më të hershme edhe për bronzin e hershëm nga sa njihej më parë. Të dhëna me interes për kronologjinë absolute të arkeologjisë shqiptare, nga datimet me radiokarbon, kanë dhënë gërmimet në tumat e Apolonisë dhe në Lofkënd, ku kampionet e analizuara deri tani shtrihen në një hapësirë kohore nga epoka e bronzit të hershëm në epokën e hekurit të hershëm, të cilat vazhdojnë edhe në periudhat e mëvonshme.

Këto rezultate, bashkë me kërkimet e ardhshme,  do të krijojnë një tablo më të plotë për kronologjinë absolute të prehistorisë së Shqipërisë. Në përgjithësi, të dhënat e deri sotme diktojnë vendosjen më herët në kohë të të gjitha periudhave prehistorike.

Me interes të veçantë për kërkimet e studimet prehistorike kanë qenë botimet monografike të pesë viteve të fundit nga autorët F. Prendi, M. Korkuti, S. Aliu, A. Bunguri, M. G. Amore, P. Lera, I. Gjipali, A. Koka dhe M. Bela pa lënë mënjanë edhe kontributet më të reja në këtë fushë.

Departamenti i Prehistorisë edhe në vitet e ardhshme, ndonëse me numër të kufizuar specialistësh, është i orientuar t’i vazhdojë kërkimet e filluara për epokat e gurit, duke bashkëpunuar me specialistë të mirënjohur të Europës dhe SHBA-së, por, njëkohësisht, vëmendje do të tregohet edhe për kërkimet për epokën e bronzit dhe hekurit.

DEPARTAMENTI I ANTIKITETIT

Departamenti i Antikitetit, me projektet e tij të shumta, jo vetëm me karakter gjurmues në terren e studimor në laborator, por edhe në fushën e arkeologjisë nënujore, është sot departamenti më aktiv në tërë veprimtarinë e Institutit të Arkeologjisë. Veprimtaria e tij studimore, e shpërndarë në mbi 15 projekte me tematika të ndryshme, përfshin një hark të gjerë kohor, që nis me themelimin e ngulimeve të para koloniale në brigjet lindore të Adriatikut – Apoloni dhe Epidamn-Dyrrhachion – rreth shek. VII p.e.sonë, e deri në fillimin e shek. IV e. sonë, që përkon me fillimin e periudhës së antikitetit të vonë.

Në dy dekadat e fundit të veprimtarisë së Departamentit të Antikitetit, arritjet e punës së tij janë shumë rëndësishme përsa u takon risive që sjellin lidhur me proceset e rëndësishme të periudhës studimore që mbulon, të cilat kanë të bëjnë me origjinën e krijimit dhe transformimet e qendrave të banuara, si në aspekte të urbanistikës, ashtu edhe të jetës social-kulturore të tyre.

Vlejnë të përmenden bashkëpunimet me institucione kërkimore-shkencore të huaja të ndërmara prej vitesh në disa qendra të rëndësishme antike në Shqipëri, gjatë vijës bregdetare dhe pranë saj. Kështu, në Apoloni është bashkëpunuar me Universitetin «Pierre Mendes-France» Grenoble 2 dhe aktualisht me atë Lyon 2 Lumiére, me mbështetjen e përbashkët të të dy shkollave arkeologjike franceze të Athinës dhe Romës, po kështu edhe me Institutin Arkeogjik Gjerman të Romës; në qytetin e Epidamn-Dyrrhachionit antik është bashkëpunuar me Universitetin e Parmës; në Lissos bashkëpunimi kryhet me Institutin Gjerman të Berlinit; në Phoinike dhe rrethinat e saj me Universitetin e Bolonjës; në Hadrianopol me Universitetin e Maceratës; në Orikos me  Universitetin e Gjenevës; në Butrint bashkëpunohet prej vitesh me Fondacionin “Butrinti” në Forumin Romak.

Aspekte të rëndësishme të veprimtarisë kërkimore-shkencore të Departamentit të Antikitetit, i cili reflekton strategjinë e Institutit të Arkeologjisë për të tashmen dhe të ardhmen, janë edhe projektet, që kanë si objekt të punës së tyre kërkimin në qendra të rëndësishme ilire në brendësi të territorit, të cilat kanë luajtur rol në formimin e shtetit ilir, si: bashkëpunimi me Universitetin e Këlnit në Dimal dhe, së fundmi, kërkimet në qytetin e Shkodrës, në bashkëpunim me Universitetin e Varshavës. Paralelisht me këto projekte të reja, që hedhin dritë mbi zhvillimin e qendrave ilire të prapatokës, por jo vetëm, një tjetër veprimtari e Departamentit të Antikitetit është edhe gjurmimi i aksit kryesor dhe i degës jugore të Via Egnatia, që qartëson problematikën lidhur me «urbanizimin» e zonave nëpër të cilat kalonte kjo rrugë e rëndësishme, pra me evidentimin e traseve, urave, stacioneve dhe qendrave të banuara.

Krahas kërkimeve në terren, i rëndësishëm është edhe studimi i kulturës materiale. Një projekt i rëndësishëm i Departamentit të Antikitetit në këtë drejtim është ai që kryhet me Univesitetin Charles-De-Gaulle – Lille 3 dhe Shkollën franceze të Athinës. Nëpërmjet studimit sistematik të tërësisë së gjetjeve, që vijnë nga një depozitë votive e zbuluar në Kodrën e Dautës në Epidamn-Dyrrhachionin antik, ky projekt jo vetëm i ka dhënë qytetit greko-romak Artemisionin e tij, por edhe ka hedhur dritë mbi aspekte të rëndësishme të praktikave votive, të jetës ekonomike si dhe të shtrirjes së qytetit greko-romak në antikitet.

Një drejtim të rëndësishëm të veprimtarisë së Departamentit të Antikitetit përbën problematika që trajtohet nga projektet e arkeologjisë nënujore në bashkëpunim me Fondacionin Detar RPM në Key West, Florida, ShBA dhe Universitetin e Figgias, veprimtari kjo shumë pak e rrahur deri më tani nga shkenca arkeologjike shqiptare. Veçanërisht, gjatë 10-vjeçarit të fundit, këto projekte kanë karakter gjithnjë e më sistematik, duke kontribuar në krijimin e hartës arkeologjike nënujore të bregdetit shqiptar dhe të ujrave të brendshme, si: liqenet, lagunat, lujmenjtë etj, me qëllimin final të hartimit të Hartës së trashëgimisë kulturore nënujore të Shqipërisë.

Dy dekadat e fundit të një pune intensive në terren dhe laborator shënohen edhe nga një mori veprimtarish dhe botimesh shkencore – artikuj apo punime të mirëfillta monografike – brenda dhe jashtë vendit, të cilat përbëjnë në thelb edhe arritjen kryesore të punës së Departamentit të Antikitetit gjatë kësaj periudhe. Përmendim këtu Kongresin e 25-të Ndërkombëtar të Qeramikës Rei Cretariae Romanae Fautores: The Pottery of Via Egnatia. Cultural exchanges between east and west, që u zhvillua në Durrës në 2006. Përsa i përket botimeve, vlejnë të përmenden: Korpusi i mbishkrimeve të Butrintit dhe Korpusi i mbishkrimeve të tjera nga territori i Shqipërisë (P. Cabanes dhe F. Drini), Atlasi i Apolonisë (nën kujdesin e V. Dimo, F. Quantin, Ph. Lenhardt), Korpusi i mbishkrimeve latine të Shqipërisë (S. Anamali, H. Ceka, E. Deniaux), seria Phoinike I-V (nën kujdesin e S. De Maria, Sh. Gjongecaj), Dyrhachium I (nën kujdesin e S. Santoro, A. Hoti), Hadrianopolis II (R. Perna, Dh. Condi), Amfora transporti të shek. III-I p.e. sonë (B. Lahi) etj; kontributet e rregullta të anëtarëve të departamentit në simpoziumet e Ilirisë së Jugut dhe Epirit III (1996), IV (2002) dhe V (2008), krahas shumë artikujve në revista të mirënjohura vendase dhe të huaja.

Në këtë album, projektet e Departamentit të Antikitetit, krahas tematikave të përgjithshme që trajtojnë, japin shkurtimisht edhe rezultatet e punës së tyre.

DEPARTAMENTI I ANTIKITETIT TË VONË DHE I MESJETËS (SHEK. IV-VI E. SONË)

Kërkimet dhe studimet arkeologjike kanë pasur në fokusin e tyre, si një ndër fushat themelore, periudhën e antikitetit të vonë dhe të mesjetës. Zgjerimi i kërkimeve dhe studimeve për qytetet e periudhës së shekujve IV-VI në Shqipëri, thellimi i studimeve në qendrat paleokristiane dhe mesjetare, përgatitja e kërkimeve dhe studimeve për qytetin mesjetar shqiptar, do të përbënin disa nga orientimet kryesore të aktivitetit shkencor të kësaj periudhe.

Në fillimet e mijëvjecarit të ri hulumtimet u përqendruan në zbulimin e qendrave të reja, qyteteve dhe qytezave, objekteve të kultit, nekropoleve etj., të cilat kanë krijuar një tablo pothuajse të re të sfondit historik të kësaj periudhe.

Shqipëria numëron  20 qytete të periudhës së Antikitetit të Vonë, që gjenden të shpërndara nga veriu në jug. Kërkimet e viteve të fundit mbi këtë tematikë, jo vetem kanë afirmuar arritjet e kërkimeve shkencore te meparshme por ato po ndihmojnë në sqarimin e çeshtjeve të origjinës, transformimit, urbanizimit dhe administrimit të qytetit, në shekujt IV-VI, në Ilyricum. Kjo ka krijuar një panoramë të re mbi vlerat historike që përmbajnë keto qytete në shekujt IV-VI dhe vendin e tyre në ngjarjet historike të kohës. Njëkohesisht përbën një hap me rëndësi për njohjen e urbanizimit, jetës ekonomiko-sociale dhe statusit administrativ të tyre. Kërkimi shkencor do të thellohet kryesisht në aspektet mbi transformimin e qytetit, të cilat zënë fill nga periudha e fundit e Perandorisë Romake, shekulli IV mbas Krishtit, e deri në të kapëcyell të shekullit VI, deri në fazën e fundit të tij drejt qytetit arbëror.

Po ashtu, kërkimet u shtrinë në monumentet e kultit të krishterë, duke synuar thellimin e studimit të monumenteve kryesore, rrënojat e të cilëve gjendeshin kryesisht jashtë qendrave urbane të periudhës së antikitetit të vonë dhe asaj mesjetare. Ndër to u përzgjodhën qendra të rëndësishme pelegrinazhi, si: monumenti i 40 shenjtorëve dhe kisha në kepin e Linit, bazilika paleokristiane në Elbasan dhe Lezhë; manastire, si: Shën Mëri, Ballsh; Shën Mëri, Apoloni; Shën Koll, Mesopotam; kishat mesjetare Shën Jani, Shijan; kisha e Peshkëpisë, Nivicë-Bubar.

Një drejtim tjetër, me shumë rëndësi lidhet me thellimin e kërkimeve të mëparshme në Lezhë dhe Koman. Objektivi kryesor është përcaktimi i mekanizmave të  transformimit të shoqërisë së Ballkanit Perëndimor, nga fundi i Antikitetit në Mesjetë, duke synuar njohjen e organizimit të vendbanimeve mesjetare si dhe dinamikën dhe historinë e popullsisë.

Sqarimi i problematikës, që fortifikimet e kësaj periudhe kanë paraqitur gjatë historisë së kërkimit arkeologjik të kryer, solli si domosdoshmëri rritjen e intensitetit të gërmimeve në fortifikimet, si: në Grazhdan (Dibër), Elbasan, Durrës etj. Rezultatet e arritura janë me të vërtetë inkurajuese duke sqaruar zhvillimin historik të tyre. Kjo ka bërë që të zhvillohen gërmime arkeologjike intensive, shoqëruar nga studime multidisplinore.

Dinamika dhe shtrirja e hulumtimeve arkeologjike në periudhën e vonë antike dhe mesjetare u rrit dukshëm, falë dhe bashkëpunimeve me universitet e njohura europiane. Qendra të rëndësishme, si: Butrinti, Bylisi, Lezha, Durrësi, Komani etj., po gërmohen dhe studiohen nga ekipe të përbashkëta, respektivisht nga Britania e Madhe, Franca, Italia, Gjermania etj.

Në Butrint, gjatë këtyre viteve, janë bërë kërkime dhe studime në një sërë monumentesh të periudhës paleobizantine, si: në Baptister, Trikonkë, Bazilikën e Madhe, muret rrethuese. Po ashtu, nuk janë lënë jashtë vëmendjes hulumtimet në zonë përreth Butrintit si: në Vrinë, në kompleksin e vilave romake dhe manastirin paleokristian të Diaporit etj., duke zgjeruar kështu jo vetëm njohjen e një territori sa më të gjerë të kësaj qendre, por dhe thellimit studimor të tyre. Një qendër tjetër shumë e rëndësishme e kësaj periudhe është qyteti bizantin i Bylisit. Gërmimet arkeologjike shqiptaro-franceze u përqendruan në zbulimin e plotë të katedrales, në zgjerimin e punimeve në kompleksin e madh peshkopal, si dhe në monumente të tjera të kësaj periudhe. Gërmimet e kryera e bëjnë Bylisin një nga qendrat më të rëndësishme në territorin e Shqipërisë, për sa i përket pasurisë së monumenteve paleokristiane.

Një drejtim tjetër i aktivitetit kërkimor gjatë viteve 2000-2006 ka qenë përpilimi i Hartës arkeologjike të Kosovës. Po ashtu, janë realizuar studime me rëndësi mbi gjendjen e fortifikimeve të shek IV-VI në rrugët strategjike që lidhnin bregdetin Adriatik me Ballkanin Qendror; kërkime arkeologjike në territorin ku u ngjiz dhe u krijua formacioni i parë shtetëror i “Principatës së Arbrit” etj. 

Gjatë kësaj periudhe kërkimet dhe studimet mesjetare janë pasqyruar në disa botime monografike me tematikë nga hulumtimet e reja nga autorët L. Përzhita, G. Hoxha, K. Lako, R. Hodges, W. Bowden etj.

Në perspektivën e tyre, hulumtimet dhe studimet e periudhës së vonë Antike dhe Mesjetare do të ruajnë tradicionalisht ecurinë e tyre 65-vjeçare. Gjithsesi, një interes më të madh do të kenë studimet për shekujt XII-XIV dhe XV-XVII.

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL