Nga viti 1997, Instituti Arkeologjisë ka bashkëpunuar sistematikisht me Universitetin e Tiranës, Fakultetin Histori-Filologji, dega histori.
Mundësitë e krijuara vitet e fundit për studentët e kësaj dege për të përzgjedhur specialitete të ndryshme, një prej të cilave është edhe arkeologjia, ka mundësuar mësim-dhënien e specialistëve të Institutit të Arkeologjisë në fushën e prehistorisë, të antikitetit ilir, të antikitetit të vonë dhe mesjetës. Kjo shoqërohet me kurset për dhënien e njohurive praktike (për metodat e mjetet e gërmimit) gjatë ekspeditave arkeologjike, ku studentët e këtij profili marrin pjesë.
Leksione me cikël më të shkurtër për arkeologjinë bëhen nga specialistët tanë edhe në universitetet e Shkodrës, Elbasanit dhe Gjirokastrës për degën e historisë. Një pjesë e specialistëve të institutit janë përfshirë në provime, dhe komisione për kualifikimin.
Të gjitha praktikat e studentëve në fushën e arkeologjisë janë mbuluar po nga instituti me fondet e arkeologjisë. Për këtë janë hapur shkolla verore në Butrint e Finiq dhe janë dërguar grupe studentësh nga instituti ynë jashtë vendit për formim në këtë fushë.
Në kuadrin e bashkëpunimit bilateral midis Shqipërisë dhe vendeve fqinje (Greqi e Itali), instituti ka marrë pjesë, nga viti 2000, në projekte që bashkojnë specialistë të disa institucioneve shqiptare, si: Universiteti i Tiranës, Universiteti Politeknik, etj.