Topografia e Epidamne-Dyrrahionit

16 Qershor, 2022 Njoftime
Bashkëpunimi shqiptaro-francez “Topografia e Epidamne-Dyrrahionit, Durrës”, bashkëdrejtuar nga Prof. as. dr. Eduard Shehi (për Institutin e Arkeologjië) dhe Prof.Catherine Abadie-Reynal (për Lyon 2) po realizon gërmimet arkeologjike në kuadër të fushatës së vitit 2022.
Për këtë vit gërmimet po realizohen në Forumin Bizantin dhe pranë kishës katolike Shën Luçia.
Në Forumin Bizantin po gërmohen dy kuadrate, me qëllim njohjen e zhvillimit të territorit përgjatë periudhës antike, para ndërtimit të Forumit Bizantin, si dhe pas braktisjes së tij. Rezultatet për momentin janë me shumë interes. Janë zbuluar disa nivele banimi të periudhës mesjetare, kur Forumi kishte dalë jashtë përdorimit. Janë zbuluar gjurmë të ndërhyrjeve rifunksionalizuese në vetë Forumin, përgjatë kohës që ishte në përdorim, si dhe janë shfaqur gjurmët e strukturave më të hershme që kanë paraprirë ndërtimin e tij.
Në territorin pranë kishës katolike Shën Luçia po gërmohet një tjetër kuadrat. Janë zbuluar shtresa komplekse përdorimi të territorit përgjatë shek.16-19 si dhe muri i një banese që duket se është shembur rreth viteve 1850. Sapo ka filluar të shfaqet një mur i periudhës perandorake romake, që tregon një aktivitet të dendur ndërtimor në zonë përgjatë antikitetit dhe ripërdorim të këtyre strukturave përgjatë shekujve të antikitetit të vonë dhe mesjetës.
Gërmimet vazhdojnë me qëllim zbulimin e fazave më të hershme të përdorimit të territorit në këto dy pika të rëndësishme të qytetit.
Duhet të shtojmë gjithashtu se falënderojme Kishën Katolike që pranoi dhe mundësoi gërmimin në territorin e saj, duke qenë një mbështetëse e fortë e kërkimeve arkeologjike në Durrës.
 
2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL