NË DITËN NDËRKOMBËTARE TË MUZEVE

19 Maj, 2023 Njoftime
Në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve u organizua në Muzeun e Arkeologjisë konferenca shkencore “Muzetë, qëndrueshmëria dhe mirëqenia”, nismë e Këshillit Ndërkombëtar të Muzeve – ICOM Shqipëria dhe e Institutit të Arkeologjisë (ASA). Organizatorët arritën të bëjnë bashkë kërkues shkencorë, profesionistë e specialistë të muzeve dhe individë aktivë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore muzeale.
Temat që u trajtuan në konferencë kanë të bëjnë me kuadrin ligjor për muzetë në Shqipëri, rolin e muzeve në shoqërinë moderne, kultivimin e trashëgimisë në zemër të komunitetit, rreziqet, trafikimin, masat parandaluese dhe ndërgjegjësuese mbi mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, e deri te “muzeu i gruas” si një alternativë në shoqërinë bashkëkohore. Përballë një audience kryesisht me studentë të Fakultetit të Historisë e Filologjisë, ligjëruan arkeologë, antropologë e koleksionistë: Edlira Andoni, Sabina Veseli, Belisa Muka, Melsi Labi, Ermela Broci, Dorian Koçi, Aurora Kamberi, Dorina Xheraj-Subashi dhe Elsa Ballauri.
Një vend i veçantë iu kushtua promovimit në gjuhën shqipe të dokumentit “Lista e kuqe e objekteve kulturore të Evropës Juglindore në rrezik”. Ky dokument u prezantua fillimisht nga ICOM në gjuhën angleze dhe të gjitha komitetet kombëtare të ICOM në Ballkan, ashtu si dhe Shqipëria, të cilat janë duke e përkthyer këtë dokument në gjuhët e tyre. Shqipëria është vendi i tretë në Ballkan që po e promovon dokumentin në gjuhën e saj amtare, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore. Këto manuale praktike paraqesin kategoritë e objekteve kulturore që potencialisht mund t’i nënshtrohen vjedhjes dhe trafikimit. Janë hartuar nga muzetë dhe ekspertët e trashëgimisë kulturore të ICOM që të ndihmojnë institucionet e trashëgimisë kulturore, organizatat, ligjzbatuesit, veçanërisht punonjësit e policisë e të doganave, të identifikojnë objektet që janë në rrezik për vjedhje dhe të parandalojnë shitjen dhe trafikimin e paligjshëm të tyre. Objektet e përzgjedhura në “Listën e Kuqe” nuk janë objekte të vjedhura, por të inventarizuara brenda koleksioneve të institucioneve muzeale dhe shërbejnë për të ilustruar kategoritë e trashëgimisë kulturore më të prekshme nga trafiku i paligjshëm. Gjithësej janë hedhur në qarkullim nga ICOM, 20 “Lista të Kuqe” që përfaqësojnë trashëgiminë materiale në rrezik nga 20 shtete nëpër gjithë botën.
Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve (ICOM) krijoi në vitin 1977 Ditën Ndërkombëtare të Muzeve. Ky këshill është një organizatë ndërkombëtare joqeveritare e përbërë nga mbi 45 493 profesionistë dhe specialistë që operojnë në fushën e muzeve dhe që përfaqësojnë 123 vende dhe territore. Objektivi i Ditës Ndërkombëtare të Muzeut (IMD) është të rrisë ndërgjegjësimin e publikut për rolin e muzeve në shkëmbimin kulturor dhe për të promovuar rëndësinë e tyre në zhvillimin e shoqërisë dhe zhvillimin e mirëkuptimit të ndërsjellë. Në mbarë botën, gjithnjë e më shumë muze marrin pjesë në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve. Vitin e kaluar, më shumë se 37,000 muze në 158 vende dhe territore në botë organizuan veprimtari dhe aktivitete të ndryshme me rastin e DNM.
Këtë vit ICOM dëshironte që, me këtë temë, të vinte në pah rolin jetik që luajnë muzetë në promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe mirëqenies. Muzetë si institucione të besuara dhe hallka të rëndësishme në strukturën tonë të përbashkët shoqërore, janë të vendosur për të nxitur vazhdimisht ndryshime pozitive.
Përveç aktiviteteve dhe angazhimeve në sferën kulturore dhe shoqërore, muzetë po përballen dhe me sfida të rëndësishme globale, si ndryshimet e klimës dhe ngrohja globale, biodiversiteti, pabarazia sociale deri te izolimi social dhe përmirësimi i shëndetit mendor. Muzetë mund të ndihmojnë në edukimin e publikut për këto çështje dhe të inkurajojnë veprimet drejt ndryshimeve pozitive.
Të gjithë muzetë kanë një rol për të luajtur në formësimin dhe krijimin e të ardhmes së qëndrueshme. Këtë potencial, ata mund ta arrijnë nëpërmjet programeve edukative, aktiviteteve kulturore, tavolinave të rrumbullakëta, konferencave, ekspozitave, komunikimin me komunitetin dhe kërkimin e thelluar.
 
 
2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL