Me rastin e 80-vjetorit të lindjes, Instituti i Arkeologjisë, pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, organizon më 4 maj 2023, ora 18.00, Muzeu Arkeologjik (ASA), një takim për të kremtuar, në prani të familjarëve, kolegëve, bashkëpunëtorëve dhe studentëve, kontributin e rëndësishëm të prof. Drinit në fushën e epigrafisë greke e latine dhe në njohjen e historisë së Ilirisë së Jugut dhe Epirit në antikitet.
Në nderim të aktivitetit të prof. Faik Drini, Akademia e Studimeve Albanologjike i akordon Çmimin e Albanologjisë (pas vdekjes) me motivacionin “për kontributin e shquar në studimet në fushën e epigrafisë greke dhe latine, në njohjen e historisë së lashtë të Ilirisë së Jugut dhe Epirit në Antikitet dhe në përçimin e kësaj dije për formimin e studentëve dhe të studiuesve të rinj”.
Profesor Drini u lind më 4 prill 1943, në Berat, ku kreu studimet e mesme, e më pas studimet e larta pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, gjatë viteve 1963-1967, me specialitet Histori dhe gjuhë klasike.
Menjëherë pas përfundimit të studimeve nisi punë si pedagog në të njëjtin fakultet, angazhim të cilin e mbajti deri në fund të jetës.
Në vitet 1972-1974, ndoqi studimet e thelluara pasuniversitare në Paris-Francë, në Collège de France, École des Hautes Études (IVe Section, Histoire et Philologie), ku u specializua në degët Epigrafi dhe antikitet dhe Epigrafi dhe gjeografi historike e botës helenistike.
Në vitin 1975, u caktua të punojë pranë Qendrës së Kërkimeve Arkeologjike, më vonë Instituti i Arkeologjisë dhe përgjegjës i Departamenti i Antikitetit, të cilin e drejtoi me profesionalizëm për shumë vite. Ai ka qenë anëtar i Këshillit Shkencor të Institutit, Sekretar shkencor i Institutit, anëtar i Redaksisë së revistës Iliria, drejtor për palën shqiptare i projektit shqiptaro-francez për gërmime arkeologjike të përbashkëta në Apolloni, bashkëdrejtues i projektit në Butrint për gërmimin e kullës me mbishkrime etj.
Është autor i shumë botimeve shkencore brenda dhe jashtë vendit, ndër më të rëndësishmit përmendim katër vëllimet e “Corpus des inscriptions grecques d’Illyrie méridionale et d’Epire” (në bashkëpunim me profesor Pierre Cabanes), pa harruar dhjetra artikuj të botuar në revistat e specializuara, pas ligjëratave të mbajtura në universitete dhe institucione shkencore të huaja në Francë, Greqi, Itali, Gjermani, Austri, Egjipt, Shtetet e Bashkuara etj, për probleme të epigrafisë dhe të historisë së Shqipërisë për periudhën e antikitetit.
Profesor Drini u nda nga jeta në vitin 2019, në moshën 76-vjeçare.