Njoftime

DEKLARATË PËR SHTYP

2 Qershor, 2023 Njoftime
Këshilli shkencor i Institutit të Arkeologjisë – Akademia e Studimeve Albanologjike, pasi konstaton me keqardhje disa sulme në media ndaj punës së Institucionit dhe kërkuesve të tij, i mbledhur më dt. 31 maj 2023, shprehet unanimisht se:
Kërkimi arkeologjik në Shqipëri i ka paraprirë krijimit të institucioneve nga ana e shtetit shqiptar dhe nuk i përket asnjë individi të së shkuarës, të së tashmes apo të së ardhmes, dhe si i tillë do të vazhdojë të ekzistojë, pavarësisht situatave politike që krijohen.
Kërkimet e Institutit të Arkeologjisë që mbulojnë pothuajse tërë territorin shqiptar dhe të gjitha periudhat historike, vetëm apo në bashkëpunim me universitete dhe qendra kërkimore të huaja, sipas modeleve dhe parimeve ndërkombëtare në arkeologji dhe larg subjektivizmave në shkencë, kanë sjellë rezultate të jashtëzakonshme të cilat e kanë bërë të njohur arkeologjinë shqiptare në rang ndërkombëtar, duke na bërë krenarë!
Ky Institut ka pasur dhe ka si parim pune lirinë akademike të secilit studiues. Duke gëzuar lirinë e fituar në kërkim shkencor, studiuesit e IA-së prej dekadash tashmë nuk e bazojnë aktivitietin e tyre mbi teza të paracaktuara dhe të imponuara, por mbi problematika të cilat studiohen dhe argumentohen.
Ky Institut ka mbështetur lirinë e kërkimit shkencor në rezultatet e gërmimeve që vijnë nga terreni, duke iu shmangur populizmave politikë për efekte lokale apo interesa të momentit. Niveli i punës sonë ka qenë dhe mbetet profesionalizimi, i matshëm nëpërmjet konferencave dhe botimeve ndërkombëtare, platformat e vërteta të përballjes shkencore.
Niveli shkencor i antarëve të këtij institucioni është i dukshëm nga doktoraturat që janë mbrojtur në universitete ndërkombëtare, apo nga studime post-doktorale që fitohen mbi bazën e programeve konkurruese dhe meritokracisë dhe që vlerësohen nga kontributi i drejtpërdrejtë dhe jo nga subjektivizmat. Ky seriozitet ka bërë që arkeologët shqiptarë të ftohen e mirëpriten në evenimente profesionale në të gjitha shtetet perëndimore.
Çdo qëndrim nacionalist apo folklorik për konsum lokal, nuk bën gjë tjetër veçse e dëmton çështjen kombëtare dhe na bën qesharakë në sytë e profesionistëve të vërtetë kombëtarë e ndërkombëtarë. Janë pikërisht mendimet e këtyre profesionistëve që kanë rëndësi, për të imponuar qëndrimin kombëtar të arkeologjisë shqiptare dhe jo interesat e momentit.
Çdo sulm i kryer kundër këtij institucioni, me qëllim përfitimin personal nga individë me njërën këmbë në zanat ose jo, e me tjetrën në politikë, nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje për faktorizim individual. Institucionet shkencore maten vetëm me sasinë dhe cilësinë e kërkimeve dhe botimeve që realizojnë. Të mos harrojmë se kërkimi arkeologjik modern, ai i shekullit XXI është multi-disiplinar dhe punë në grup. Qasja e shekullit XIX nuk është dhe nuk do të jetë filozifia e punës sonë. Instituti i Arkeologjisë është aktualisht ndër të paktat institucione kërkimore shkencore shqiptare që bashkëpunon me shkollat më të mira kërkimore europiane, duke u respektuar ndërkombëtarisht për cilësinë e punës dhe rezultatet që ka arritur.
Kërkimet tona kanë në qendër të vëmendjes zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve ku ndodhen, nëpërmjet përfitimit ekonomik, social e kulturor nga trashëgimia arkeologjike. Falë këtyre kërkimeve, në hartën e turizmit kulturor të vendit janë shtuar një sërë vendbanimesh, çka na nderon dhe motivon për të vijuar punën tonë me pasion dhe përgjegjshmëri.
Një vokacion i rëndësishëm ka qenë dhe mbetet kontributi ynë i drejtpërdrejtë në formimin e arkeologëve të rinj. Instituti i Arkeologjisë falë Shkollës së Doktoraturës dhe bashkëpunimit me universitetet perëndimore në kuadër të projektit Erasmus + ka përgatitur arkeologë dhe studiues të rinj me nivel bashkëkohor. Kjo armatë studiuesish drejtojnë projekte të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri, Kosovë dhe Malin e Zi, duke luajtur një rol të rëndësishëm në trashëgiminë kulturore të vendeve të tyre.
Për çdo shqetësim apo aspekt që nuk lidhet me probleme të kërkimit shkencor, shteti i së drejtës ka institucionet përkatese ku secili qytetar është i lirë të drejtohet.
 
Tiranë, më 31 maj 2023

NË DITËN NDËRKOMBËTARE TË MUZEVE

19 Maj, 2023 Njoftime
Në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve u organizua në Muzeun e Arkeologjisë konferenca shkencore “Muzetë, qëndrueshmëria dhe mirëqenia”, nismë e Këshillit Ndërkombëtar të Muzeve – ICOM Shqipëria dhe e Institutit të Arkeologjisë (ASA). Organizatorët arritën të bëjnë bashkë kërkues shkencorë, profesionistë e specialistë të muzeve dhe individë aktivë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore muzeale.
Temat që u trajtuan në konferencë kanë të bëjnë me kuadrin ligjor për muzetë në Shqipëri, rolin e muzeve në shoqërinë moderne, kultivimin e trashëgimisë në zemër të komunitetit, rreziqet, trafikimin, masat parandaluese dhe ndërgjegjësuese mbi mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, e deri te “muzeu i gruas” si një alternativë në shoqërinë bashkëkohore. Përballë një audience kryesisht me studentë të Fakultetit të Historisë e Filologjisë, ligjëruan arkeologë, antropologë e koleksionistë: Edlira Andoni, Sabina Veseli, Belisa Muka, Melsi Labi, Ermela Broci, Dorian Koçi, Aurora Kamberi, Dorina Xheraj-Subashi dhe Elsa Ballauri.
Një vend i veçantë iu kushtua promovimit në gjuhën shqipe të dokumentit “Lista e kuqe e objekteve kulturore të Evropës Juglindore në rrezik”. Ky dokument u prezantua fillimisht nga ICOM në gjuhën angleze dhe të gjitha komitetet kombëtare të ICOM në Ballkan, ashtu si dhe Shqipëria, të cilat janë duke e përkthyer këtë dokument në gjuhët e tyre. Shqipëria është vendi i tretë në Ballkan që po e promovon dokumentin në gjuhën e saj amtare, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore. Këto manuale praktike paraqesin kategoritë e objekteve kulturore që potencialisht mund t’i nënshtrohen vjedhjes dhe trafikimit. Janë hartuar nga muzetë dhe ekspertët e trashëgimisë kulturore të ICOM që të ndihmojnë institucionet e trashëgimisë kulturore, organizatat, ligjzbatuesit, veçanërisht punonjësit e policisë e të doganave, të identifikojnë objektet që janë në rrezik për vjedhje dhe të parandalojnë shitjen dhe trafikimin e paligjshëm të tyre. Objektet e përzgjedhura në “Listën e Kuqe” nuk janë objekte të vjedhura, por të inventarizuara brenda koleksioneve të institucioneve muzeale dhe shërbejnë për të ilustruar kategoritë e trashëgimisë kulturore më të prekshme nga trafiku i paligjshëm. Gjithësej janë hedhur në qarkullim nga ICOM, 20 “Lista të Kuqe” që përfaqësojnë trashëgiminë materiale në rrezik nga 20 shtete nëpër gjithë botën.
Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve (ICOM) krijoi në vitin 1977 Ditën Ndërkombëtare të Muzeve. Ky këshill është një organizatë ndërkombëtare joqeveritare e përbërë nga mbi 45 493 profesionistë dhe specialistë që operojnë në fushën e muzeve dhe që përfaqësojnë 123 vende dhe territore. Objektivi i Ditës Ndërkombëtare të Muzeut (IMD) është të rrisë ndërgjegjësimin e publikut për rolin e muzeve në shkëmbimin kulturor dhe për të promovuar rëndësinë e tyre në zhvillimin e shoqërisë dhe zhvillimin e mirëkuptimit të ndërsjellë. Në mbarë botën, gjithnjë e më shumë muze marrin pjesë në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve. Vitin e kaluar, më shumë se 37,000 muze në 158 vende dhe territore në botë organizuan veprimtari dhe aktivitete të ndryshme me rastin e DNM.
Këtë vit ICOM dëshironte që, me këtë temë, të vinte në pah rolin jetik që luajnë muzetë në promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe mirëqenies. Muzetë si institucione të besuara dhe hallka të rëndësishme në strukturën tonë të përbashkët shoqërore, janë të vendosur për të nxitur vazhdimisht ndryshime pozitive.
Përveç aktiviteteve dhe angazhimeve në sferën kulturore dhe shoqërore, muzetë po përballen dhe me sfida të rëndësishme globale, si ndryshimet e klimës dhe ngrohja globale, biodiversiteti, pabarazia sociale deri te izolimi social dhe përmirësimi i shëndetit mendor. Muzetë mund të ndihmojnë në edukimin e publikut për këto çështje dhe të inkurajojnë veprimet drejt ndryshimeve pozitive.
Të gjithë muzetë kanë një rol për të luajtur në formësimin dhe krijimin e të ardhmes së qëndrueshme. Këtë potencial, ata mund ta arrijnë nëpërmjet programeve edukative, aktiviteteve kulturore, tavolinave të rrumbullakëta, konferencave, ekspozitave, komunikimin me komunitetin dhe kërkimin e thelluar.
 
 

Konferenca shkencore “Muzetë, qëndrueshmëria dhe mirëqenia”

17 Maj, 2023 Njoftime

Në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, organizohet konferenca shkencore “Muzetë, qëndrueshmëria dhe mirëqenia”. Kjo është një nismë e Këshillit Ndërkombëtar të Muzeve – Shqipëri (ICOM) dhe e Institutit të Arkeologjisë (ASA). Organizatorët kanë bërë bashkë kërkues shkencorë, specialistë të muzeve, politikëbërës dhe individë aktivë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore muzeale. Disa prej temave që do të trajtohen në konferencë kanë të bëjnë me kuadrin ligjor për muzetë në Shqipëri, rolin e muzeve në shoqërinë moderne, kultivimin e trashëgimisë në zemër të komunitetit, rreziqet, trafikimin, masat parandaluese dhe ndërgjegjësuese mbi mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, e deri te “muzeu i gruas” si një alternativë në shoqërinë bashkëkohore.
Bashkëngjitur gjeni programin e konferencës, temat dhe pjesëmarrësit.
Ju mirëpresim nesër, 18 maj, ora 10.00, në mjediset e Muzeut Arkeologjik (Akademia e Studimeve Albanologjike), Tiranë.

Bashkëngjitur gjeni programin e konferencës.

U zhvillua konferenca ndërkombëtare me titull “First Kings of Europe: LEADERSHIP AND INEQUALITY IN PREHISTORIC SOUTHEAST EUROPE” (Mbretërit e parë të Evropës: Udhëheqje dhe pabarazi në Evropën Juglindore Prehistorike)

2 Maj, 2023 Njoftime
Në datat 26-28 prill 2023, në Muzeun Kombëtar të Hungarisë në Budapest, u zhvillua konferenca ndërkombëtare me titull “First Kings of Europe: LEADERSHIP AND INEQUALITY IN PREHISTORIC SOUTHEAST EUROPE” (Mbretërit e parë të Evropës: Udhëheqje dhe pabarazi në Evropën Juglindore Prehistorike). Konferenca u organizua nga Instituti Kombëtar i Arkeologjisë – Muzeu Historik Kombëtar i Hungarisë, si një ngjarje anësore e ekspozitës First Kings of Europe në Amerikën e Veriut (2022-2025). Ligjërata të shumta shkencore, nga kërkues dhe institucione të ndryshme botërore, trajtuan shfaqjen e formave të ndryshme të pabarazisë sociale në Evropën Juglindore gjatë prehistorisë së vonë. Midis personaliteteve të ndryshëm pjesëmarrës dhe folës kryesor ishin edhe Prof. Eszter Bánffy (Instituti Gjerman i Arkeologjisë), presidente e Europian Association of Archaeology dhe Prof. Kristian Kristiansen (Universiteti i Gotenburg, Global Institute, Copenhagen).
Dr. Rovena Kurti (Departamenti i Prehistorisë, Instituti i Arkeologjisë/ASA), ishte pjesëmarrëse në panelin e diskutimit rreth seancës me temë “Elitat dhe luftëtarët e periudhave të metaleve” (Bronzit dhe Hekurit) ku u diskutuan çështje të ndryshme si: Si i identifikojmë elitat ushtarake? Çfarë gjurmësh arkeologjike ata kanë lënë pas në zona të ndryshme të Evropës JL? Si ndryshon përqendrimi dhe strukturimi i pushtetit nga periudha e Bronzit në atë të Hekurit? Është një ndryshim gradual apo një thyerje?, etj.
Një sërë aktivitetesh të tjera shkencore priten të zhvillohen në të ardhmen në kuadër të ekspozitës “First Kings of Europe”.

In memoriam Faik Drini

30 Prill, 2023 Njoftime
Me rastin e 80-vjetorit të lindjes, Instituti i Arkeologjisë, pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, organizon më 4 maj 2023, ora 18.00, Muzeu Arkeologjik (ASA), një takim për të kremtuar, në prani të familjarëve, kolegëve, bashkëpunëtorëve dhe studentëve, kontributin e rëndësishëm të prof. Drinit në fushën e epigrafisë greke e latine dhe në njohjen e historisë së Ilirisë së Jugut dhe Epirit në antikitet.
Në nderim të aktivitetit të prof. Faik Drini, Akademia e Studimeve Albanologjike i akordon Çmimin e Albanologjisë (pas vdekjes) me motivacionin “për kontributin e shquar në studimet në fushën e epigrafisë greke dhe latine, në njohjen e historisë së lashtë të Ilirisë së Jugut dhe Epirit në Antikitet dhe në përçimin e kësaj dije për formimin e studentëve dhe të studiuesve të rinj”.
Profesor Drini u lind më 4 prill 1943, në Berat, ku kreu studimet e mesme, e më pas studimet e larta pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, gjatë viteve 1963-1967, me specialitet Histori dhe gjuhë klasike.
Menjëherë pas përfundimit të studimeve nisi punë si pedagog në të njëjtin fakultet, angazhim të cilin e mbajti deri në fund të jetës.
Në vitet 1972-1974, ndoqi studimet e thelluara pasuniversitare në Paris-Francë, në Collège de France, École des Hautes Études (IVe Section, Histoire et Philologie), ku u specializua në degët Epigrafi dhe antikitet dhe Epigrafi dhe gjeografi historike e botës helenistike.
Në vitin 1975, u caktua të punojë pranë Qendrës së Kërkimeve Arkeologjike, më vonë Instituti i Arkeologjisë dhe përgjegjës i Departamenti i Antikitetit, të cilin e drejtoi me profesionalizëm për shumë vite. Ai ka qenë anëtar i Këshillit Shkencor të Institutit, Sekretar shkencor i Institutit, anëtar i Redaksisë së revistës Iliria, drejtor për palën shqiptare i projektit shqiptaro-francez për gërmime arkeologjike të përbashkëta në Apolloni, bashkëdrejtues i projektit në Butrint për gërmimin e kullës me mbishkrime etj.
Është autor i shumë botimeve shkencore brenda dhe jashtë vendit, ndër më të rëndësishmit përmendim katër vëllimet e “Corpus des inscriptions grecques d’Illyrie méridionale et d’Epire” (në bashkëpunim me profesor Pierre Cabanes), pa harruar dhjetra artikuj të botuar në revistat e specializuara, pas ligjëratave të mbajtura në universitete dhe institucione shkencore të huaja në Francë, Greqi, Itali, Gjermani, Austri, Egjipt, Shtetet e Bashkuara etj, për probleme të epigrafisë dhe të historisë së Shqipërisë për periudhën e antikitetit.
Profesor Drini u nda nga jeta në vitin 2019, në moshën 76-vjeçare.

Simpoziumi i 7-të i Studimeve Gjermano-Shqiptare me tematikë “The Albanian Language Area and its Surroundings during Antiquity to the High Middle Ages”

24 Prill, 2023 Njoftime

Në datat 21 dhe 22 prill 2023, Departamenti i Albanologjisë nën drejtimin e Prof. dr. Bardhyl Demiraj, në Universitetin Ludwig-Maximilian të Mynihut, Gjermani, organizoi Simpoziumin e 7-të të Studimeve Gjermano-Shqiptare me tematikë “The Albanian Language Area and its Surroundings during Antiquity to the High Middle Ages”, një ngjarje shkencore që mblodhi studiues të shumtë shqiptarë dhe të huaj për të paraqitur kërkimet e fundit nga fusha të ndryshme të shkencave albanologjike si gjuhësia, arkeologjia, historia, gjenetika dhe antropologjia historike.

Në këtë konferencë, studiuesja e Institutit të Arkeologjisë, Dr. Nevila Molla mbajti një ligjëratë shkencore me titull “Before the dawn of the “Dark Ages”. Butrint’s fortifications in the late antique period”. Një paraqitje e kërkimeve të saj më të reja mbi Butrintin e antikitetit të vonë, ligjërata kishte veçanërisht në fokus analizën arkeologjike të sistemit fortifikues të kësaj qendre si i fundit invenstim madhor i karakterit publik në qytet në gjysmën e parë të shek. VI. Tiparet specifike të këtij sistemi, veçanërisht përdorimi i murit protekizme, reflektojnë karakterin strategjik të Butrintit, si pjesë e një rrejti qendrash të fortifikuara në Ballkanin jugor me rëndësi të veçantë në strategjinë e zgjerimit të territoreve të Perandorisë Bizantine drejt perëndimit.

Mbretërit e parë të Evropës: 700 objekte të rralla nga Ballkani, ekspozohen në SHBA

31 Mars, 2023 Njoftime
U hap mbrëmë në Field Museum of Natural History në Çikago ekspozita “FIRST KINGS OF EUROPE”. Është një rast i rrallë bërja bashkë e një ansambli me rreth 700 objekte – ndër të tjera bizhuteri dhe armë – që nuk janë shfaqur kurrë më parë së bashku. Organizatorët e kanë menduar si një udhëtim për të zbuluar mjetet parahistorike, armët dhe objektet e ritualeve të përdorura në Ballkanin e 5000 vjetëve më parë, shpata, sëpata, kurora të çmuara që i kthyen luftëtarët në mbretër dhe ndryshuan përgjithmonë strukturën e shoqërisë. Vizitorët do të gjejnë aty objektet më të vjetra prej ari të bëra nga njeriu, të njohura si thesari i Varnës, të krijuara mbi 6000 vjet më parë; kryevepra të armaturës nga epoka e bronzit; kurora e artë vezulluese e një princi thrakas; një kurorë me gjethe ari dhe figurën e Nikesë, perëndeshës së fitores. Organizatorët kanë realizuar video, audio dhe pamje multimediale të krijuara për ta zhytur vizitorin në ritualet ceremoniale të atyre kohëve.
26 muze dhe 11 vende në të gjithë Evropën Juglindore kanë kontribuar për këtë ekspozitë midis tyre Kosova dhe Shqipëria me objektet e saj të trashëgimisë prehistorike, pjesë e fondeve të rralla të Institutit të Arkeologjisë – Akademia e Studimeve Albanologjike. Në ceremoninë e mbrëmshme zyrtare morën pjesë disa nga arkeologët që kanë punuar rreth 3 vjet për këtë përfaqësim të Shqipërisë Rovena Kurti, Rudenc Ruka dhe Belisa Muka.
Hapja për publikun e gjerë fillon sonte.

Viti arkeologjik 2022

17 Mars, 2023 Njoftime
Kërkimi në terren qëndron në themel të punës së Institutit të Arkeologjisë – ASA, përveç punës studimore dhe mësimdhënies.
Viti arkeologjik 2022 ishte një vit i ngjeshur që shënoi qëndrueshmërinë e ekspeditave pas sfidave që krijoi pandemia.
Konferenca e sotme solli një sintezë të fushatave arkeologjike të shtrira në zonat më të rëndësishme të vendit.
Në fushën e Prehistorisë u analizuan:
Rindërtimi i dinamikave paleo-mjedisore të Pleistocenit të Vonë me rastin e rripit bregdetar, Triport-Portonov nga R. Ruka dhe F. Badino; Lin 3 nga A. Anastasi, A. Hafner, I. Gjipali, M. Hinz, M. Brunner; vendbanimi i Neolitit të Hershëm në Pogradec nga E. Andoni dhe U. Tota; kontekstualizimi i Neolitit në fushën e Korçës nga E. Andoni, J. Anvari dhe P. Willet; dinamika e vendbanimit gjatë periudhës së Hekurit në Pellgun e Korçës, sezoni i parë i gërmimeve në “kalanë” e Barçit nën drejtimin e R. Kurtit dhe A. Gardeseinit; gërmimet arkeologjike në Maligrad nga A. Bunguri, S. Oikonomidhis, P. Lera, A. Tsonos dhe A. Papayiannis; harta arkeologjike nënujore e bregdetit shqiptar, 2021-2022 nga A. Anastasi.
Pas diskutimeve, seanca u dytë u ndal në kërkimet në fushën e Antikitetit:
Tempulli i Shtyllasit – arkitektura dhe rivlerësime arkeologjike nga B.Lahi; Kaonia bregdetare: rezultatet e kërkimeve shqiptaro-italiane në Foinike dhe Butrint nga B. Muka, G. Lepore, E. Giorgi; kërkime arkeologjike në zonën Vagalat/Dobra, fusha e Livadhjasë dhe lugina e mesme e Pavllës nga B. Muka, M. Melfi, O. Gilkes, A. Buzo; kërkime arkeologjike në Çukën e Ajtoit (Konispol/Sarandë) nga A. Meta, J. Bogdani; kërkimet arkeologjike në luginën e Drinosit nga S. Veseli dhe R. Perna; projekti FLEAP (Peizazhe të fortifikuara në Shqipërinë Lindore): fushata e vitit 2022 në Qarkun e Kolonjës nga A. Skënderaj dhe L. Caliò; Bylis 2022: rezultatet e gërmimit në monumentet e agorasë, shek. III p.e.s – II e.s. dhe ndërhyrjet paraprake të restaurimit në cisternën e stadiumit nga O. Ceka, L. Përzhita, N. Ceka dhe S. Muçaj; varret shkëmbore të Matit: Identifikimi dhe shpërndarja e tyre nga J. Buzo dhe A. Kurti.
Për fushën e Antikitetit të Vonë dhe Mesjetës u prezantuan rezultatet: kalatë e Ali Pashë Tepelenës: përditësim i kërkimeve nga L. Përzhita; Dyrrachium në antikitetin e vonë: rezultate të fushatës 2022 nga B. Shkodra-Rrugia; bazilika paleokristiane jashtë mureve në Scampis nga E. Hobdari; Topografia Urbane e Butrintit në Antikitetin e Vonë dhe Mesjetë: fushata e vitit 2022 nga N. Molla dhe R. Hodges; kërkimet arkeologjike të projektit shqiptaro-italian në Amfiteatrin e Durrësit nga E. Metalla dhe S. Antonelli; kërkimet arkeologjike në Drisht dhe Sappë nga P. Pushimaj.
Këto rezultate do të botohen në revistën “Candavia” e Institutit të Arkeologjisë.

Konferenca shkencore “Viti arkeologjik 2022”

14 Mars, 2023 Njoftime
Data: 17 mars 2022
Ora: 09.30
Vendi: Muzeu Arkeologjik, Akademia e Studimeve Albanologjike
Instituti i Arkeologjisë (ASA) organizon konferencën shkencore “Viti arkeologjik 2022”. Ky prezantim i përvitshëm shërben për njohjen me rezultatet e kërkimeve në terren që kërkuesit arkeologë kanë kryer gjatë vitit të shkuar nëpër Shqipëri (Vlorë, Pogradec, Korçë, Sarandë, Durrës, Shkodër etj.) Do të jetë një ditë maratonë informimi, analizimi dhe diskutimi. Bashkëngjitur gjeni agjendën me temat dhe folësit.

U mbajt në Beograd në Muzeun Kombëtar konferenca finale për projektin Adriatiko-Jonian “Transfer 1071”

29 Janar, 2023 Njoftime
Më 24 janar u mbajt në Beograd në Muzeun Kombëtar konferenca finale për projektin Adriatiko-Jonian “Transfer 1071”. Akademia e Studimeve Albanologjike (ASA) dhe Instituti i Arkeologjisë (IA), në cilësinë e partnerit të projektit, u përfaqësuan nga Dr. Melsi Labi, kërkues shkencor pranë ASA-s, dhe koordinator në këtë projekt.
Në “Transfer 1071 – Modele të Integruara të Menaxhimit të Parqeve Arkeologjike”, i bashkëfinancuar nga programi transnacional evropian ADRION (Interreg V-B Programi Adriatik-Jonian), janë përfshirë 12 organizata partnere nga Italia, Shqipëria, Sllovenia, Kroacia, Greqia dhe Serbia, nën drejtimin e Universitetit të Maceratas (Itali). Konferenca e Beogradit paraqiti rezultatet, përvojat dhe mjetet strategjike që janë krijuar gjatë zbatimit të projektit. Qëllimi ka qenë të zhvillohet një Model i Përbashkët Qeverisjeje për Parqet Arkeologjike për të përmirësuar ruajtjen dhe vlerësimin e trashëgimisë arkeologjike brenda zonës së Adrionit. Si raste studimore për zbatimin dhe testimin e modelit janë marrë parqet: Urbs Salvia (Itali), Antigonea (Shqipëri), Ptuj (Slloveni), Dodona (Greqi), Omišalj dhe Shibenik (Kroaci).
Dr. Melsi Labi prezantoi punën që ka bërë Instituti i Arkeologjisë (ASA), kolegët kontribues në këtë projekt, Prof. dr. Luan Perzhita, Prof. asoc. dr Belisa Muka, Dr. Sabina Veseli e Ma. Vasenka Paço, për ngritjen dhe përpunimin shkencor të një modeli menaxhimi të qëndrueshëm dhe bashkëkohor të parqeve arkeologjike dhe muzeve të hapur në Shqipëri. Gjatë kësaj kohe Instituti i Arkeologjisë ka shkëmbyer përvoja me një sërë institucionesh evropiane të kërkimit shkencor.
Dr. Labi zhvilloi një sërë takimesh me qëllim vazhdimësinë e pjesëmarrjes së Akademisë së Studimeve Albanologjike në projektet IPA në të ardhmen.
Ky projekt i financuar nga BE në vlerën 1.6 ml. euro dhe finalizimi i tij me sukses është fryt i një pune gati 3-vjeçare.
Në konferencën e Beogradit u prezantuan raste studimore për një menaxhim të qëndrueshëm të parqeve arkeologjike në kushtet e sotme ekonomike dhe për përdorimin e metodave të reja teknologjike në këtë drejtim.
Morën pjesë edhe autoritete të nivelit evropian midis tyre, Antonio Agrosi, përfaqësues i sekretarit të përgjithshëm të projektit evropian IPA në BE.
2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL