Projekti shqiptaro-francez “Topografia e Epidamne-Dyrrachion, Durrës”

28 Qershor, 2022 Njoftime

Projekti shqiptaro-francez “Topografia e Epidamne-Dyrrachion, Durrës”, bashkëdrejtuar nga Prof. As. Dr. Eduard Shehi (Instituti i Arkeologjisë) dhe Prof. Catherine Abadie-Reynal (Universiteti Lyon 2), është në përfundim të gërmimeve arkeologjike në Forumin Bizantin dhe pranë kishës katolike të Shën Luçisë. Tek gërmimet në Forumin Bizantin janë arritur nivele të periudhës perandorake romake.

U arrit të gërmohet një banesë e shek. 2 e.s., e cila ishte shkatërruar tërësisht nga një zjarr i fuqishëm. Si pasojë e zjarrit banorët janë larguar me shpejtësi, duke mundur të marrin vetëm objektet më të rëndësishme. Për rrjedhojë, shtresa e djegies së banesës përmban shumë objekte të jetës së përditshme. Këtë vit u arrit të gjenden objekte të ndryshme, mes të cilave bie në sy një figurinë bronzi e një personazhi femëror në lëvizje. Duke qenë se objekti ka nevojë të pastrohet e konservohet nga specialistët për momentin nuk mund të identifikohet me saktësi. Mund të themi se kemi të bëjmë me figurën e një perëndeshe (Artemis? Lar/Lares?), pjesë e faltores së banesës së shek. 2 e.s. Po në këtë nivel në vitin 2019 u zbulua një skulpturëz mermeri e një fëmije.

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL