Projekti i ri kërkimor-shkencor i Institutit të Arkeologjisë, Sistemi frotifikues antiko-mesjetar i Durrësit, bashkëdrejtuar nga Eduard Shehi dhe Brikena Shkodra

9 Korrik, 2022 Njoftime
Sapo ka nisur projekti i ri kërkimor-shkencor i Institutit të Arkeologjisë, Sistemi frotifikues antiko-mesjetar i Durrësit, bashkëdrejtuar nga Eduard Shehi dhe Brikena Shkodra. Është një projekt ndërdepartamental, bashkëpunim i Departamentit të Antikitetit dhe Departamentit të Antikitetit të Vonë dhe Mesjetës, i cili ka në fokusin e tij studimin diakronik të sistemit fortifikues të Durrësit.
Njohja e deritanishme e sistemit të fortifikimit të Durrësit konsiderohet në nivele ende të pjesshme, më së shumti për shkak të kompleksitetit të kësaj problematike por edhe të rrethanave historike dhe mundësive të limituara të ndërhyrjeve në terren. Natyra e izoluar e të dhënave dhe pamundësia e kërkimeve arkeologjike intensive dhe në shkallë të gjerë lënë ende të pavërtetuara një seri pyetjesh. Struktura fortifikuese e periudhës antike, trandicionalisht sugjeruar se zgjatonte nën muret bizantine, sapo ka filluar të konfigurohet në një shtrirje tërësisht të ndryshme, identifikimi i së cilës ka nevojë për një qasje tërësisht të re (Fig. 1: Shtrirja e sugjeruar e fortifikimit antik).
Fortifikimi i antikitetit të vonë, organizuar në dy linja mbrojtëse, prezanton të dhëna të limituara në drejtim të njohjes së dy fazave respektive strukturore (Fig. 2: Shtrirja e dy linjave të fortifikimit bizantin).
Objektivi i fushatës së parë të kërkimit në terren lidhet me njohjen e shtrirjes së qytetit të madh bizantin, shtrirja e së cilës në drejtimin lindor është tërësisht e panjohur. Përmes kësaj ndërhyrje mendojmë së do të mundemi që të saktësojmë pozicionin e qartë të shtrirjes së linjës lindore, të identifikojmë kronologjinë e ndërtimit të saj si dhe detajet arkitentonike të strukturës. Ndërsa për qytetin mesjetar dimë se ka përdorur fortifikimin e qytetit të hershëm Bizantin (Fig. 3: Shtrirja e qytetit mesjetar), ndërkohë që ka një mungesë të theksuar njohurish mbi fazat e ndryshme ndërtimore si edhe rolin e tyre në aspektin konstruktiv.
2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL