Njoftime

Një Isis nga Foinike

16 Janar, 2023 Njoftime
Në ekspeditën arkeologjike shqiptaro-italiane në Finiq të vitit 2021, u gjet një skulpturë e shekullit Il e.s, e cila personifikon perëndinë egjiptiane Isis. Duke qenë e para skulpturë e përmasave të mëdha, e gjetur në Shqipëri në vitet e fundit, është e rëndësishme të studiohet dhe të kontekstualizohet në raport me Foiniken e lashtë, ashtu dhe me territorin, pasi kulti i Isisit, si perëndi egjiptiane është i përhapur gjerësisht në perandorinë romake.
Për këtë arsye, të mërkurën, më 18 janar, ora 16:00 mbahet një webinari “Isis në botën greke”. Seminari organizohet nga bashkëdrejtuesit e kërkimeve disavjeçare tashmë në Foinike, Belisa Muka dhe Giuseppe Lepore. Dafni Maikidou nga Universiteti i Selanikut do të bëjë një paraqitje të të dhënave rreth pranisë së Isisit në botën greke. Programin e gjeni bashkëngjitur, po ashtu edhe adresën për t’u bërë pjesëmarrës virtualisht në këtë seminar me shumë interes.

Studimi i pikturave murale të periudhës romake të zbuluara në Durrës

16 Janar, 2023 Njoftime

Në vitin 2022 filloi një projekt studimor në bashkëpunim mes Institutit Arkeologjik të Shqipërisë i përfaqësuar nga Prof. As. Dr. Eduard Shehi dhe Institutit Arkeologjik të Universitetit të Këlnit (Gjermani) përfaqësuar nga Prof. Dr. Renate Thomas, me ndihmën financiare të Fondacionit Fritz Thyssen, për studimin e pikturave murale të periudhës romake të zbuluara në Durrës. Bëhet fjalë për një sasi jo të pakët fragmentesh të pikturave murale të një cilësie shumë të lartë. Së pari me ndihmën financiare të fondacionit Thyssen u punua për të sistemuar fragmentet e sfreskut në mbi 100 arka druri specifike për këtë qëllim, ku mund të ruhen të sigurta. Janë në proces sistemimi edhe 30 arka të tjera me fragmente afreskesh.

Fragmentet janë gjetur përgjatë gërmimeve të shpëtimit në pesë zona të ndryshme të Durrësit, përgjatë viteve 2001-2005. Filluam së pari përpunimin e afreskeve nga një gërmim i vitit 2005, në vendgjetjen e mozaikut me meander. Nga më shumë se 3000 fragmente mund të dallohen deri më tani të paktën katër sisteme dekorimi të ndryshme. Kemi një sistem me kombinim të ngjyrave të kuqe dhe të zezë; një sistem i dytë me kombinim të ngjyrës së kuqe; një tjetër me kombinim të ngjyrës së verdhë (fig. 1) dhe sfond të bardhë me kurora frutash, shandanë, zogj dhe elementë florealë; dhe së fundmi një sistem i krijuar me zbukurime në një qemer të pikturuar me një skemë ornamentale me gjysmërrathë. Më mbresëlënëse është dekorimi me panele kuq e zi ku pikturohen Kupidë fluturues (fig. 2), dhe hapësira më të vogla në ngjyrë të zezë me kurora të ndërthurura. Ky model dekorimi mund të datohet në çerekun e fundit të shek. I e.s. Ndërsa dekorimet e tjera janë të mëvonshme, ndoshta të datuara në gjysmën e parë të shek. II e.s. Do të nevojiten kërkime të mëtejshme për të arritur në një klasifikim dhe datim më të saktë.

Studiuesit janë duke punuar për të realizuar një rikrijim kompjuterik në photoshop për secilën faqe muri prej të cilave ruhen ende fragmentet e afreskeve.
Disa nga fragmentet kanë dy shtresa të pikturuara, dhe ajo që është më e mahnitshme dhe deri më tani e veçantë në gjetjet e ngjashme nga hapësira e qytetërimit romak është se shtresa e hershme e pikturës ka lënë gjurmë të motiveve të pikturuara në pjesën e pasme të shtresës më të vonë të pikturës (fig. 3 a, b).

Një numër i vogël fragmentesh përmbajnë një skemë floreale ku është përdorur ngjyra e rrallë dhe e kushtueshme e kuqe shndritshme (Lat. cinnabaris) në një sfond të zi (fig. 4).

 

Prof. asoc. dr. Brikena Shkodra-Rrugia është lektore e ftuar në këtë numër të HAEMUS International Research Network

14 Nëntor, 2022 Njoftime

Prof. asoc. dr. Brikena Shkodra-Rrugia është lektore e ftuar në këtë numër të HAEMUS International Research Network, me temë “Archeology and the History of the Balkans in the late Antiquity (3-rd-8th century AD)”. Specialistja e Institutit të Arkeologjisë – ASA, prezanton online, më 2 dhjetor, ora 17:00, ligjëratën “Aspekte të transformimit të Dyrrachiumit në Mesjetën e Hershme”. Ajo bën një analizë të perceptimit tradicional që ka ekzistuar për Dyrrachiumin e Mesjetës së hershme, si një qytet me monumente të braktisura dhe ku varret urbane ishin përhapur si e vetmja gjurmë e veprimtarisë njerëzore. 

Ky perceptim do ta zhvendoste fokusin nga jeta urbane dhe shoqërore gjatë shek.VII dhe VIII.
Arkeologjia stratigrafike e aplikuar së fundi, fokusuar edhe në gërmimin më të saktë të fazave të ndryshme kronologjike, ka ofruar elementet e para strukturore të qytetit të Mesjetës së hershme dhe artefaktet e lidhura me të. Kjo ofron bazën fillestare të të dhënave për të filluar qasjen e një perceptimit të ri për imazhin e Dyrrachiumit në udhëkryqin e kalimit nga Antikiteti i vonë në Mesjetën e hershme. Fokusi i këtij prezantimi është pikërisht investigimi i disa prej tipareve karakteristike të kësaj faze.

Tryeza e rrumbullakët ndërkombëtare “Epirus in the Roman World and the New Research on the Acropolis of Butrint by the Albanian Institute of Archaeology and the University of Bologna”

6 Nëntor, 2022 Njoftime

Gjatë datave 10 dhe 11 Nëntor 2022, Instituti i Arkeologjisë, Akademia e Studimeve Albanologjike dhe Departamenti Storia Culture Civiltà, Universiteti i Bolonjës organizojnë, në mjediset e këtij universiteti, tryezën e rrumbullakët ndërkombëtare “Epirus in the Roman World and the New Research on the Acropolis of Butrint by the Albanian Institute of Archaeology and the University of Bologna”.
Trajtesat do të përqendrohen në dy tematika kryesore: kërkimet shkencore të projektit arkeologjik shqiptar dhe italian në Butrint – Projekti i Butrintit – dhe të dhënat më të reja nga Akropoli i Butrintit, që karakterizohet nga një kontekst arkeologjik shumështresor dhe një histori komplekse të kërkimeve arkeologjike, çka shtron domosdoshmërinë e bashkërendimit midis protagonistëve të djeshëm dhe të sotëm; me dinamikat e zhvillimeve politike, ekonomike dhe sociale që rrjedhin nga përballja e Epirit të lashtë me botën romake pas Luftës së tretë Maqedonase, siç dëshmohet edhe nga rezultatet e hulumtimeve në kuadër të disa projekteve shkencore ndërkombëtare që ndërmerren aktualisht në Shqipëri.

Kjo veprimtari bën bashkë studiues nga Shqipëria, Italia, Britania e Madhe, Greqia dhe Finlanda.
Punimet e kësaj tryeze mund të ndiqen online, duke u regjistruar (emër, institucion dhe e-mail) në adresën federica.carbotti@studio.unibo.it

Kërkime arkeologjike në kuadër të projektit “Kontekstualizimi i Neolitit në fushën e Korçës”

1 Nëntor, 2022 Njoftime

Gjatë muajit tetor, Instituti i Arkeologjisë në bashkëpunim me Universitetin e Këlnit (Gjermani) dhe Universitetin e Nju Jorkut në Buffalo (SHBA), ndërmorën kërkime arkeologjike në kuadër të projektit “Kontekstualizimi i Neolitit në fushën e Korçës”, nën drejtimin e Dr. Edlira Andoni, Dr. Jana Anvari dhe Dr. Patrick Willet.


Nëpërmjet vëzhgimeve sipërfaqësore dhe studimit gjeofizik, ky projekt synon të përcaktojë madhësinë dhe strukturat e vendbanimeve neolitike në fushën e Korçës, si dhe raportin që kanë këto vendbanime me peizazhin.


Vëzhgimi sipërfaqësor (survej) i hapësirës së vendbanimeve neolitike i parapriu studimit gjeofizik me qëllim përcaktimin e vendndodhjeve të vendbanimeve neolitike. Nëpërmjet studimit gjeomagnetik synojmë të përcaktojmë veçoritë kryesore arkitekturore të vendbanimeve nën sipërfaqe, shtrirjen e tyre, evidentimin e kanaleve rrethuese, gropat e mëdha dhe banesat e djegura, pa kryer gërmime arkeologjike. Pas përpunimit të të dhënave të studimit gjeofizik, rezultatet do të prezantohen në konferencën vjetore të Institutit të Arkeologjisë.

Materiali arkeologjik i grumbulluar dhe përpunimi i tij paraprak kanë ofruar informacion jo vetëm për praninë e vendbanimeve neolitike, por edhe të periudhave të tjera prehistorike dhe historike.


Pjesë e rëndësishme e ekipit ishin studentë të Departamentit të Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore të Universitetit të Tiranës dhe studentë të Departamentit të Arkeologjisë të Universitetit të Këlnit.

Nis sot “Arkeovizion”, Festivali Europian i Filmit Arkeologjik

24 Tetor, 2022 Njoftime
Nis sot e vazhdon deri më 29 tetor “Arkeovizion”, Festivali Europian i Filmit Arkeologjik. Tema e këtij viti e quajtur “Kthim në të ardhmen” fokusohet në trashëgiminë arkeologjike. Festivali prezanton 8 filma (me titra shqip) nga Shqipëria, Bullgaria, Franca, Gjermania, Greqia dhe Italia. Dita e parë çelet me podkastet nga Apollonia, ora 18.00 në Muzeun e Arkeologjisë (Akademia e Studimeve Albanologjike). Më pas shfaqet filmi “Muzeu arkeologjik i Napolit, mbartësi i qytetërimit” (regjia Laura Pintus, 2021, 52 min).
Shqipëria përfaqësohet me dy dokumentarë “Një udhëtim në kohë në gjurmët e karvanëve të jugut të Shqipërisë” dhe “Duke kundruar Bizantin nga Shqipëria”.
Përpara çdo projeksioni do të ketë një prezantim 10 minutësh mbi një temë nga arkeologë shqiptarë dhe të huaj. 
“Arkeovizion” nisi si nismë e Institutit Italian të Kulturës dhe Ambasadës Franceze, në partneritet me Institutin e Arkeologjisë (Akademia e Studimeve Albanologjike). Ka gjetur mbështetjen e EUNIC (EU National Institutes for Culture) dhe ka për qëllim t’iu qaset ngjarjeve kulturore që lidhen me vendet dhe historinë, të shpjegojë punën e misioneve arkeologjike; të përmirësojë qasjen virtuale në këtë trashëgimi si për shqiptarët ashtu edhe për të huajt si dhe të trajtojë aspekte edukative dhe ekonomike (novacioni dixhital, turizmi).
Festivali mbahet në dy hapësira, Muzeu Arkeologjik dhe Salla UNESCO e Muzeut Historik Kombëtar.
Bashkëngjitur gjeni programin ditë pas dite.
 
 

Archeovision në ASA

18 Tetor, 2022 Njoftime

Më 24 deri më 29 tetor 2022 mbahet pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike Archeovision, edicioni i dytë i Festivalit Europian të Filmit Arkeologjik.
Tema e këtij viti e quajtur “Kthim në të ardhmen” fokusohet në trashëgiminë arkeologjike. Festivali prezanton 8 filma (me titra shqip) nga 6 vende të ndryshme: Shqipëria, Bullgaria, Franca, Gjermania, Greqia dhe Italia. Regjisorët dhe kamera e tyre do të na çojnë në vendet më të famshme ose ende të panjohura të Europës, do të tregojnë bukurinë e zbulimeve dhe historitë e tyre të fshehura e misterioze. Por këta filma tregojnë gjithashtu rëndësinë e madhe të ruajtjes së kulturave dhe trashëgimisë për të përforcuar ngjashmëritë dhe dallimet.
“Archeovision” çelet me podkastet e Apollonisë, ditën e hënë, më 24 tetor, ora 18.00 në Muzeun e Arkeologjisë (Akademia e Studimeve Albanologjike). Më pas shfaqjet filmi “Muzeu arkologjik i Napolit, reliket e qytetërimit” paraqitur nga Instituti Italian i Kulturës.
Festivali mbështetet nga EUNIC (EU National Institutes for Culture) dhe ka për qëllim t’iu qaset ngjarjeve kulturore që lidhen me vendet dhe historinë, të shpjegojë punën e misioneve arkeologjike; të përmirësojë qasjen virtuale në këtë trashëgimi si për shqiptarët ashtu edhe për të huajt si dhe të trajtojë aspekte arsimore dhe ekonomike (novacioni dixhital, turizmi).

Butrint 2022, IA-BF

9 Tetor, 2022 Njoftime

Gjatë dy javëve të para të tetorit, Instituti i Arkeologjisë në bashkëpunim me Fondacionin Butrinti dhe me mbështetjen e Institutit Packard, po ndërmerr kërkime arkeologjike në kuadër të projektit “Topografia Urbane e Butrintit në Antikitetin e Vonë dhe Mesjetë”. 

Nën drejtimin e Dr. Nevila Molla (IA) dhe Prof. Richard Hodges (BF), në këtë fazë të tij, projekti ka në fokus hulumtimin e topografisë urbane në zonën perëndimore të qytetit të poshtëm, ku po kryhet gërmimi arkeologjik i një prej kullave të murit fortifikues të Antikitetit të Vonë dhe pastrimi sipërfaqësor i një ndërtese me karakter funerar të paidentifikuar më parë në bregun jug-perëndimor të gadishullit. 

Arkeologë dhe konservues shqiptarë të Akademisë së Studimeve Albanologjike, studentë të Departamentit të Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore të Universitetit të Tiranës dhe një numër ekspertësh akademikë nga universitete të ndryshme europiane, si Universiteti i Anglisë Lindore (Mbretëri e Bashkuar), Universiteti i Leiden (Hollandë), Universiteti Co’ Foscari i Venecias dhe La Sapienza (Itali) janë angazhuar në këtë projekt për studimin dhe konservimin e materialit të pasur arkeologjik dhe arkeobotanik të përftuar nga kërkimet e deritanishme.

Materiali arkeologjik i larmishëm, që përbëhet nga monedha të shek.X, si dhe enë dhe objekte prej qeramike, metali, e qelqi, po zgjeron njohuritë deri tani të pakta mbi periudhën e mesjetës së hershme dhe të mesme (shek. VII-XII) dhe flet për vazhdimin e marrëdhënieve tregtare të qytetit me Italinë e Jugut dhe rajonet e Egjeut në këto periudha. 

Kërkimet e deritanishme kanë evidentuar gjithashtu të dhëna të rëndësishme të paidentifikuara më parë në lidhje me vendodhjen e portës kryesore që mundësonte hyrjen nga toka në qytetin e poshtëm, konfigurimin e sistemit fortifikues të zbuluar pjesërisht në këtë zonë, si dhe raportet e këtij sistemi me zonën e mundshme portuale të qytetit gjatë Antikitetit të Vonë dhe Mesjetës.

Rezultatet e kërkimeve në Forumin Rrethor të Durrësit

25 Shtator, 2022 Njoftime
Sezoni i kërkimeve arkeologjike të vitit 2022, si pjesë e projektit Dyrrachium në Antikitetin e vonë, kishte në focus vazhdimin e gërmimeve në sektorin 6/Forumi Rrethor, me synim plotësimin dhe saktësimin e të dhënave të deritanishme rreth fazave të ndryshme ndërtimore që lidhen me këtë monument. Projekti DAV i Institutit të Arkeologjisë/Akademia e Studimeve Albanologjike, drejtohet nga prof. assoc. dr. Brikena Shkodra me mbështetjen e studiuesve nga ky institucion, si edhe përfshirjen e profesionistëve të jashtëm arkitektë e studentë nga Departamenti i Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore në Universitetin e Tiranës dhe Universitetin e Prishtinës.
Pozicionuar në dy prej strukturave përbërëse të monumentit, ambientin perimetral D (sondazhi 3) dhe kolonadën rrethore (sondazhi 4), gërmimi parashihte respektivisht zgjerimin e kërkimit në ambientin D për plotësimin e të dhënave rreth fazës ndërtimore që i paraprinin ndërtimit si edhe hapjen e një sondazhi të ri në pjesën e kolonadës për verifikimin e pranisë ose jo të së njëjtës fazë ndërtimi edhe në këtë pjesë të monumentit (Fig. 1).
Gjurmët e zbuluara strukturore të një kompleksi ndërtimor, i cili paraprin ndërtimin e Forumit Rrethor, janë dëshmi e një faze të rëndësishme rindërtimi të strukturave ekzistuese rezidenciale romake, gjatë shekulli IV-V, duke e bërë më kompleks nivelin e deritanishëm të njohurive mbi përshtatjet urbane të kësaj periudhe. Pjesë e këtij informacioni të ri ishte edhe zbulimi i gjurmëve të një aktiviteti artizanal, furrë për prodhimin e enëve prej qelqi, i lidhur me njërin nga funksionet e këtij kompleksi ndërtimor të periudhës romake të vonë (shekulli IV-V) (Fig. 2).
Sekuenca pasuese stratigrafike, e lidhur me projektin e ndërtimit të Forumit Rrethor, prodhoi të dhëna të reja për saktësimin e njohurive dhe plotësimin e dokumentacionit për fazat e lidhura me ndërtimin dhe transformimin e monumentit. Konfirmohet më tej se ky monument përfaqëson një fazë të rëndësishme transformimi të planit urban të qytetit të shekulli VI, tashmë orientuar nga verilindja, si edhe monumentalizimin e tij, nga një hapësirë me funksione domestiko/artizanale në qendrën publike të qytetit antik të vonë (Fig. 3).

Laboratori i Arkeometrisë në ASA: Një lajm shumë i mirë për trashëgiminë kulturore

9 Korrik, 2022 Njoftime
Pas një periudhe parapërgatitore, projekti REACH ka mbërritur në fazën e parë të realizimit të një prej objektivave kryesore, që është krijimi i Laboratorit të Arkeometrisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, me fokus konservimin dhe restaurimin e objekteve arkeologjike dhe etnografike.
Përfaqësues nga Universiteti i Urbinos dhe Bolonjës si dhe përfaqësues nga Insituti i Arkeologjisë dhe Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit (IAKSA) në datat 5-6 korrik, 2022 u morën me instalimin, kalibrimin, testimin dhe organizimin e aparaturave, instrumenteve aq themelor për krijimin e Laboratorit të Arkeometrisë.
Është një hap shumë i rëndësishëm drejt krijimit të një laboratori profesional, për konservim dhe restaurim të objekteve arkeologjike dhe etnografike dhe pas një ndërprerjeje disavjeçare puna do të rifillojë përsëri. Po punohet intensivisht për përmirësimin e kushteve, blerjen e instrumenteve të tjera të nevojshme, si dhe solucioneve kimike duke dhënë mundësinë e krijimit të një ambjenti sa më bashkëkohor dhe sa më funksional.
Projekti REACH është një projekt Erasmus+ për ndërtimin e kapaciteteve në fushën e Arsimit të Lartë. Ai synon të mbështesë zhvillimin e aftësive kërkimore multidisiplinare dhe njohurive teknike në fushën e ruajtjes dhe restaurimit të Trashëgimisë Kulturore në Shqipëri.
 
2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL