Njoftime

Konferenca shkencore “Qasje mbi historinë e Shqipërisë të viteve 1945-1990”

13 Qershor, 2022 Njoftime

Me datë 9 qershor, Instituti i Historisë mbajti konferencën shkencore “Qasje mbi historinë e Shqipërisë të viteve 1945-1990”, organizuar në bashkëpunim me Fondacionin “Konrad Adenauer”. Konferenca synoi të trajtojë tezat, metodologjinë, problematikat dhe sfidat që lidhen me trajtimin historik të periudhës 1945-1990.

Gjithashtu ajo ka si qëllim të krijojë një mjedis profesional debati midis ekspertëve të fushës së studimeve historike, të sjellë risi dhe këndvështrime të reja në vlerësimin historik mbi të kaluarën, si dhe të kontribuojë në trajtimin më të thelluar shkencor të kësaj problematike, si dhe sfidave të ardhshme. Referimet në konferencë do të jenë pjesë e një botimi të posaçëm realizuar nga Instituti i Historisë dhe KAS.

Konferenca “Qasje mbi historinë e Shqipërisë të viteve 1945-1990”

1 Qershor, 2022 Njoftime
Instituti i Historisë në bashkëpunim me Fondacionin “Konrad Adenauer” organizojnë konferencën “Qasje mbi historinë e Shqipërisë të viteve 1945-1990”, më 09 qershor 2022, Salla Antigonea, Hotel Rogner, Tiranë, ora 09:30-12:30.
 
 
Ju mirëpresim!

Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit për shkëmbim dokumentar në funksion të kërkimit shkencor në fushën e studimeve albanologjike 

22 Prill, 2022 Njoftime

Agjencia Telegrafike Shqiptare dhe Instituti i Historisë nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi për shkëmbimin dokumentar në funksion të kërkimit shkencor në fushën e studimeve albanologjike, me fokus studimet historike të Shqipërisë dhe të hapësirës shqiptare.

Marrëveshja u nënshkrua nga drejtoresha e përgjithshme e ATSH-së, Valbona Zhupa dhe drejtori i Institutit të Historisë, prof. dr. Afrim Krasniqi. Drejtoresha e ATSH-së, Valbona Zhupa tha se “marrëveshja mundëson promovimin e ATSH-së dhe bashkëpunimin në aktivitete e botime dokumentare, si dhe në rritjen e aksesit të dokumenteve arkivore në studime monografike”. “Kjo marrëveshje ka si objekt bashkëpunimin midis dy institucioneve në fushën e shkëmbimeve të informacionit dhe të dokumentacionit, si dhe të aktiviteteve të përbashkëta në vijim të botimeve që burojnë nga këto dokumente”, theksoi Zhupa. Ndërsa drejtori i Institutit të Historisë, prof. dr. Afrim Krasniqi, u shpreh se “kjo marrëveshje krijon bashkëpunim në nivele institucionale dhe të kërkimit, lehtëson aksesin në dokumentacionin dhe në aktivitete të përbashkëta, në rastin e organizimeve studimore apo botimeve dokumentare që lidhen me dokumentacionin historik të shtetit shqiptar”. “Për Institutin e Historisë, marrëveshja mundëson akses të gjerë kërkimor në dokumentacionin arkivor të ATSH, për trajtim profesional dhe shkencor të zhvillimeve historike dhe albanologjike, si një interes institucional dhe kombëtar”, tha prof. dr. Krasniqi. Zhupa dhe Krasniqi e vunë theksin edhe tek organizimi i aktiviteteve të përbashkëta me interes institucional dhe me fokus historik.

Agjencia Telegrafike Shqiptare dhe Instituti i Historisë do të shkëmbejnë tekstet studimore të botuara si dhe do të përfshijnë stafet dhe kërkuesit në aktivitete ose në botime dokumentare të përbashkëta.

THIRRJE PËR PJESËMARRJE NË KONFERENCËN SHKENCORE  “QASJE MBI HISTORINË E SHQIPËRISË TË VITEVE 1945-1990”

19 Prill, 2022 Njoftime

Instituti i Historisë në ASA, me mbështetjen e Fondacionit “Konrad Adenauer”, organizon konferencën shkencore “Qasje mbi historinë e Shqipërisë të viteve 1945-1990”. Konferenca zhvillohet ditën e enjte, 9 qershor 2022 në sallën Antigonea 2, Hotel Rogner, Tiranë. Në thirrjen publike të Institutit theksohet se konferenca synon të trajtojë tezat, metodologjinë, problematikat dhe sfidat që lidhen me trajtimin historik të periudhës 1945-1990. Gjatë viteve të tranzicionit janë botuar një numër i madh librash, studimesh, vëllime dokumentare etj, si dhe janë zhvilluar konferenca, tryeza dhe debate publike, të cilat së bashku përbëjnë një bazë të pasur referimi për një vlerësim më profesional lidhur me Shqipërinë e periudhës totalitare. Konferenca synon të krijojë një mjedis profesional debati midis ekspertëve të fushës së studimeve historike, të sjellë risi dhe këndvështrime të reja në vlerësimin historik mbi të kaluarën, si dhe të kontribuojë në trajtimin më të thelluar shkencor të kësaj problematike, si dhe sfidave të ardhshme.

Konferenca është një ditore. Krahas pjesën formale, konferenca do të vijojë me prezantimin e punimeve referuese nga studiuesit. Pas konferencës referimet do të editohen dhe botohen nga Instituti i Historisë. Janë të ftuar kryesisht studiues të historisë nga institucionet kërkimore në fushën historike në Tiranë dhe institucionet universitare, si dhe ekspertë të fushës nga vende të tjera, shqiptarë apo të huaj që kanë Shqipërinë në fokus të punës së tyre kërkime.

Më poshtë gjeni thirrjen drejtuar kërkuesve shkencorë të interesuar, me detajet e organizimit, afatet dhe mënyrën e adresimit të tyre.

Thirrja për konferencën. 

Për më shumë kontaktoni në adresën: ih@asa.edu.al.

Doli nga shtypi “Profile qytetesh dhe lokalitetesh mesjetare të Arbërisë Veriore – Studime për Mesjetën” me autor Prof. Asoc. Dr. Edmond Malaj

8 Prill, 2022 Njoftime

Doli nga shtypi “Profile qytetesh dhe lokalitetesh mesjetare të Arbërisë Veriore – Studime për Mesjetën” me autor Prof. Asoc. Dr. Edmond Malaj. Materiali i këtij vëllimi hedh dritë kryesisht mbi historinë e disa qyteve dhe lokaliteteve në Arbërinë veriore, me fokus kryesisht krahinën e Shkodrës. Prej vitit 2009, historiani Malaj, është kërkues shkencor për historinë mesjetare në Institutin e Historisë, të Akademisë së Studimeve Albanologjie (ASA), Tiranë.

Ai ka studiuar në Fakultetin e Teologjisë katolike të Universitetit “Karl-Franzens-Universität” në Graz dhe ka mbrojtur titullin “Doktor i Filozofisë” në filologjinë gjermane (Gjermanistikë). Krahas kësaj ai ka kontribuar si pedagog në Shkollën doktorale pranë ASA-së, në Institutin e shkencave teorike dhe të aplikuara të përkthimit të Universitetit “Karl-Franzes” Grac, Austri etj. Është autor i “Hulumtime mbi historinë e Krishterimin në Shkodër e rrethina gjatë Mesjetës”, i shumë artikujve shkencorë të botuar në revista brenda dhe jashtë vendit dhe ka në proces studimi e përkthimi disa vepra. Për më tepër, ndiqni videon prezantuese të autorit.

Pasqyra e lëndës dhe parathënia e librit.

Dalin nga shtypi dy monografitë e dr. Albana Memës, “Institucionet përfaqësuese në Shqipëri 1920-1924” dhe “Institucionet ekzekutive në Shqipëri 1920-1924”

7 Prill, 2022 Njoftime

Instituti i Historisë sapo ka publikuar dy monografi të Dr. Albana Mema, “Institucionet përfaqësuese në Shqipëri 1920-1924” dhe “Institucionet ekzekutive në Shqipëri 1920-1924”. Botimet janë pjesë e një procesi të gjatë kërkimor lidhur me institucionet kryesore shtetërore dhe politike të periudhës së jetësimit të shtetit shqiptar pas Kongresit të Lushnjës. Siç theksohet edhe në hyrje, janë analizuar institucionet themelore në ecurinë dhe konsolidimin e demokracisë në vend, si: Parlamenti, Kryetari i Shtetit (Këshilli i Lartë), qeveria dhe institucioni i zgjedhjeve.

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe aktorëve politikë në vend, duke studiuar të gjitha organizatat politike dhe jopolitike që vepruan në këtë periudhë. Edhe institucioni i opozitës është analizuar gjithashtu, në raport me qëndrimet e mbajtura në procesin e vështirë të konsolidimit të shtetit shqiptar. Duhet theksuar se analiza është bërë duke marrë parasysh elementët konstitucionalë dhe ligjshmërinë e formimit dhe funksionimit të tyre. Formimi i institucioneve është trajtuar në kuadrin historik të kohës, në lidhje të ngushtë me të gjitha zhvillimet politike, ekonomike, fetare, shoqërore, arsimore etj, si dhe janë mbështetur në prurje të reja arkivore shqiptare e të huaja.

Bashkëngjitur do të gjeni parathëniet dhe pasqyrat e lëndës për të dy vëllimet.

Institucionet përfaqësuese në Shqipëri 1920-1924

Institucionet ekzekutive në Shqipëri 1920-1924

 

 

Gjenocidi serb kundër shqiptarëve gjatë shek. XIX-XX

4 Prill, 2022 Njoftime
Më 7-8 prill 2022, ora 09:30, mbahet në Prishtinë konferenca shkencore “Gjenocidi serb kundër shqiptarëve gjatë shek. XIX-XX”. Konferenca organizohet nga Instituti i Historisë “Ali Hadri”, Instituti i Historisë-Tiranë dhe Instituti Albanologjik – Prishtinë.
Është një konferencë shumë e rëndësishme që trajton gjerësisht dy shekuj gjenocid ndaj shqiptarëve, projektin serb për pushtimin e tokave shqiptare, bazën ideologjike të politikës gjenocidale të shtetit serb.
Historianë të Shqipërisë dhe Kosovës hedhin dritë që nga fillesat e këtij gjenocidi me të dhëna burimore osmane mbi dëbimin e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit, me konvertimin e shqiptarëve të Kosovës nga besimi fetar mysliman dhe katolik në besimin ortodoks (1878-1913), eliminimi i elitës fetare shqiptare nga pushteti serb (1878-1999), dhe si lexohet kjo dhunë etnike në kontekstin global të shek. XX.
Studiuesit trajtojnë krimet e forcave serbe në Kosovë ndërmjet dy luftërave botërore (1918-1941), qëndrimin e shtetit shqiptar kundër gjenocidit serb (1945-1999), e deri tek krimet e forcave serbe në vitet 1998-1999 në komunën e Skënderajt, Drenasit, Deçanit, Rahovecit, Ferizajt, Kaçanikut, Shtimes, Mitrovicës etj.
Programin e plotë e gjeni më poshtë.
 

Konferenca shkencore “Krijimi i shtetit të pavarur shqiptar dhe roli i Austro-Hungarisë”

31 Mars, 2022 Njoftime

U zhvillua më 31 mars 2022, nga Instituti i Historisë dhe Ambasada Austriake në Tiranë konferenca shkencore “Krijimi i shtetit të pavarur shqiptar dhe roli i Austro-Hungarisë”. Fjala përshëndetëse u mbajt nga z. Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit të Historisë,

 dhe z. Christian Steiner, Ambasador i Austrisë në Tiranë.

Ligjëruesit sollën të dhëna me mjaft interes dhe interpretime të reja nga këndvështrimi i ditëve të sotme, për rolin qendror që Austro-Hungaria ka pasur në mbrojtjen e interesave shqiptare, një qëndrim në antitezë me atë që Shqipëria otomane kishte qenë. Si është pritur dhe komentuar ky ndikim në shtypin e kohës; kontributi i studiuesve austriakë në fushën e historisë dhe gjuhës shqipe dhe efekti emancipues i elitave si vazhdim i një lidhjeje 300-vjeçare që shqiptarët patën me perandorinë habsburgase; pasqyrimi i këtij roli në tekstet shkollore të periudhës së monarkisë dhe komunizmit, për të ardhur tek imazhi i Austro-Hungarisë në tekstet shkollore të historisë së këtyre tridhjetë viteve të fundit.

Mbi këto tema ligjëruan studiuesit Beqir Meta, David Schriffl, Ledia Dushku, Edmond Malaj, Edon Qesari dhe Fatmiroshe Xhemalaj, të cilat do të përmblidhen në një botim të posaçëm.

Konferenca u përqendrua vetëm në këtë segment të historisë, edhe në kuadër të aktiviteteve që do të vijojnë gjatë gjithë vitit për 110-vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar.

Njoftim

24 Mars, 2022 Njoftime

Më 31 mars 2022, ora 10:00, në mjediset e Hotel “Rogner”, Salla “Antigonea”, Instituti i Historisë (ASA) dhe Ambasada e Austrisë në Tiranë, organizojnë Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Krijimi i shtetit të pavarur shqiptar dhe roli i Austro-Hungarisë”.
Instituti i Historisë ka kënaqësinë t’ju ftojë për të qenë të pranishëm në këtë aktivitet shkencor, programin e të cilit e gjeni bashkëngjitur.

 

Doli nga shtypi vëllimi IV “Historia e shqiptarëve gjatë shek. XX”

16 Mars, 2022 Njoftime

Doli nga shtypi vëllimi IV “Historia e shqiptarëve gjatë shek. XX”, botim i Akademisë së Studimeve Albanologjike, si vazhdim i projektit disavjeçar të Institutit të Historisë.
Ky vëllim trajton periudhën e Luftës së Dytë Botërore (1939-1944) duke u thelluar në studimin e shumë çështjeve historike që nuk kanë qenë trajtuar si duhet më parë dhe duke bërë kritikën shkencore të një sërë pikëpamjesh për këtë kohë bazuar në metoda të reja shkencore.
Gjatë punës kërkimore u studiua gjerësisht literatura historiografike shqiptare dhe e huaj, duke e vënë theksin në botimet më të reja, si dhe u krye një hulumtim i gjerë në disa arkiva të huaja si Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë, Arkivat Kombëtare të Britanisë së Madhe, Arkivi i Ministrisë së Jashtme të Francës dhe Arkivi i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë. Koleksione të veçanta janë marrë edhe në Arkivat Kombëtare të SHBA, në Arkivin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Italiane; në Arkivat e Maqedonisë, Serbisë, Sllovenisë, Bullgarisë, Malit të Zi, Kosovës. Nga arkivat e Shqipërisë janë shfrytëzuar fondet arkivore nga Arkivi i Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare.

Për realizimin e këtij botimi u angazhuan studiues nga të gjitha trevat shqiptare. Studiuesit e rinj, kanë dhënë një ndihmesë të veçantë.
Prof. dr. Muharrem Dezhgiu e drejtoi këtë projekt, ndërsa ish-drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Ardian Marashi, e mbështeti realizimin e tij.
Autorët e këtij vëllimi janë: prof. dr. Muharrem Dezhgiu, prof. dr. Muhamet Shatri, akademik prof. dr. Beqir Meta, prof. dr. Izber Hoti, dr. Hasan Bello, dr. Qerim Lita, prof. dr. Halim Purellku, akademik prof. dr. Marenglen Verli, prof. dr. Laura Smaqi.
Një kontribut të veçantë kanë dhënë prof. asoc. dr. Sonila Boçi, për redaktimin e vëllimit, prof. dr. Ana Lalaj me sugjerimet e saj, prof. dr. Marenglen Verli, për redaktimin e tekstit si edhe për përzgjedhjen e ilustrimeve, prof. dr. Afrim Krasniqi, me sugjerimet e tij pas leximit të tekstit në dorëshkrim.
Botimi është i pajisur me fotografi dhe harta që janë marrë nga fototeka e Arkivit të Institutit të Historisë, nga Arkivi Qendror Shtetëror i Shqipërisë, nga botime të tjera brenda e jashtë vendit.

Bashkëngjitur do të gjeni parathënien dhe pasqyrën e lëndës.

Historia e shqiptarëve gjatë shek. XX, vëllimi IV

 

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL