U zhvillua më 31 mars 2022, nga Instituti i Historisë dhe Ambasada Austriake në Tiranë konferenca shkencore “Krijimi i shtetit të pavarur shqiptar dhe roli i Austro-Hungarisë”. Fjala përshëndetëse u mbajt nga z. Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit të Historisë,
dhe z. Christian Steiner, Ambasador i Austrisë në Tiranë.
Ligjëruesit sollën të dhëna me mjaft interes dhe interpretime të reja nga këndvështrimi i ditëve të sotme, për rolin qendror që Austro-Hungaria ka pasur në mbrojtjen e interesave shqiptare, një qëndrim në antitezë me atë që Shqipëria otomane kishte qenë. Si është pritur dhe komentuar ky ndikim në shtypin e kohës; kontributi i studiuesve austriakë në fushën e historisë dhe gjuhës shqipe dhe efekti emancipues i elitave si vazhdim i një lidhjeje 300-vjeçare që shqiptarët patën me perandorinë habsburgase; pasqyrimi i këtij roli në tekstet shkollore të periudhës së monarkisë dhe komunizmit, për të ardhur tek imazhi i Austro-Hungarisë në tekstet shkollore të historisë së këtyre tridhjetë viteve të fundit.
Mbi këto tema ligjëruan studiuesit Beqir Meta, David Schriffl, Ledia Dushku, Edmond Malaj, Edon Qesari dhe Fatmiroshe Xhemalaj, të cilat do të përmblidhen në një botim të posaçëm.
Konferenca u përqendrua vetëm në këtë segment të historisë, edhe në kuadër të aktiviteteve që do të vijojnë gjatë gjithë vitit për 110-vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar.