Instituti i Historisë zhvilloi sot debatin mbi “Shteti dhe komunitetet fetare“, dokumente historike, V.1, 1948-1950, përgatitur nga studiuesit Meta, Krasniqi dhe Bello. Projekti për botimin e vëllimeve dokumentare për vitet 1945-1990 është mbështetur nga fondacioni gjerman “Konrad Adenauer” dhe është programuar në kalendarin Ditët e Memories.
Libri i ri paraqet dokumentet më të rëndësishme që lidhen me raportet shtet – komunitete fetare në një prej periudhave më të vështira, pas miratimit të ligjit 743/1949 dhe përpjekjeve të regjimit për të vënë nën kontroll komunitetet. Dokumentet publikohen për herë të parë dhe janë online falas për çdo të interesuar (http://asa.edu.al/site/libraria/…). Libri përshkruan debatet mbi statutet e komuniteteve fetare, presionin politik për ndryshimin e drejtuesve dhe imponimin e vijës politike, ndërhyrjen e Sigurimit në aktivitetet fetare, platformën e regjimit për ti shndërruar ato në segmente administrative nën kontroll politik, por edhe të dhëna të detajuara nga drejtuesit e komuniteteve fetare në çdo qytet dhe në të gjitha nivelet. Publikimi i tyre kontribuon në pasurimin e burimeve historike dhe ndihmon në punën e studiuesve të shkencave historike dhe përgjithësisht të shkencave shoqërore, gazetarëve, studentëve, qytetarët e interesuar dhe grupet e ndryshme të interesit.
Gjatë diskutimit të sotëm përshëndetën takimin drejtuesi i KAS në Shqipëri Tobias Ruettershoff, drejtuesi i IH Afrim Krasniqi, akademik Beqir Meta, përfaqësuesi i komunitetit mysliman Dorian Demetja, përfaqësues të ish të përndjekurve politikë dhe të institucioneve partnere me IH, etj. Gjatë 2023 do të publikohet vëllimi II për periudhën 1951-1955.