Doli nga shtypi botimi i përkthyer dhe i përgatitur nga Prof. Edmond Malaj, “Skënderbeu” i Julius Pisko. Siç theksohet në hyrje, “vepra mban vitin e botimit 1894 dhe titulli i saj është i thjeshtë “Skënderbeu. Një studim historik” (Skanderbeg. Eine historische Studie). Sipas Fan Nolit, Pisko është i pari nga historianët gjermanofonë që shkroi një biografi të detajuar për Skënderbeun. Ky pohim i Nolit është shumë i saktë, nëse e krahasojmë me disa monografi të tjera studimore për Skënderbeun që u botuan sidomos në gjysmën e parë të shek. XIX, në veçanti në kuadër të filohelenizmit gjerman, që u bë shumë aktiv sidomos gjatë periudhës 1821-1829, përkatësisht vitet e kryengritjeve të popullit grek për pavarësi e çlirim nga zgjedha osmane. Në studimin e tij mbi Skënderbeun, Pisko iu referua qoftë studimeve dhe veprave që ishin shkruar deri në atë kohë, qoftë burimeve arkivore, që ai kishte pasur në dispozicion.
Vepra ka 162 faqe dhe përbëhet nga 18 kapituj që janë të numëruar me shkronja romake dhe pa tituj. Në fund të veprës, autori ka vendosur dy shtojca të cilat përbëhen nga disa dokumente të rëndësishme, ndonjë letër e Skënderbeut dhe pjesë nga studime të ndryshme që kanë një rëndësi të veçantë për historinë e Skënderbeut. Këto fragmente e materiale dokumentare janë në gjuhën latine dhe italiane mesjetare.
Studimi i Piskos për historinë e Skënderbeut është një nga monografitë më të rëndësishme të historiografisë gjermane, pas asaj të Schmitt-it. Ajo qëndron shumë më lart se monografitë e tjera mbi Skënderbeun, të cilat u botuan sidomos gjatë shek. XIX.