Konsujt austro-hungarezë kanë dhënë një kontribut të çmuar në fushën e albanologjisë. Këtu mund të përmendim si shembull, Johan Georg von Hahn që mbahet si themeluesi i albanologjisë, apo konsullin Theodor Ippen, që dha kontributin e tij sidomos në arkeologji dhe në historinë mesjetare. Një tjetër konsull austriak që dha kontribut në albanologji ishte edhe Julius Pisko.
Në fillim, ia vlen të japim disa informacione për Julius Piskon. Në fakt, Pisko nuk ishte vetëm diplomat por edhe albanolog, i cili ka dhënë kontributin e tij në dy fusha, në fushën e historisë dhe në atë të gjuhësisë. Të gjesh të dhëna biografike të tjera mbi jetën e Piskos është e vështirë. Veprimtaria diplomatike e tij në shërbim të Perandorisë Austro-Hungareze është më mirë e dokumentuar. Ai u lind në Vjenë, më 3 shkurt 1863. Pisko ka qenë zëvendëskonsull i Konsullatës së Përgjithshme Austro-Hungareze në Janinë dhe më vonë edhe konsull në Shkup. Ai ka qenë diplomat karriere dhe ka ushtruar veprimtari në shumë vende të botës. Atë e gjejmë edhe si konsull në Shangai, ndërsa në vitet 1903-1904 si konsull i Monarkisë Austro-Hungareze në Amerikën Jugore (Argjentinë dhe Brazil). Emri i tij del shpesh edhe nëpër raportet që ai përgatit sidomos për Ministrinë e Tregtisë së Perandorisë Austro-Hungareze, por edhe nëpër raportet shumë sekrete që dërgon në lidhje me Kultus-Protektoratin austriak për katolikët në trojet shqiptare gjatë periudhës së fundit të pushtimit osman. Më tepër në lidhje me jetën e tij, përkatësisht me vitet e formimit shkollor dhe të studimit, nuk mundëm të mësojmë. Ai vdiq në Vjenë, më 13 mars 1926.
Përsa i përket hulumtimeve në fushën e albanologjisë, përveç studimit mbi “Historinë e Skënderbeut” ai ka hartuar edhe një libër mbi gramatikën shqipe të dialektit verior, me titull “Doracak i shpejtë i gjuhës shqipe veriore” (Kurzgefasstes Handbuch der Nordalbanesischen Sprache 1896). Pra, Pisko ka qenë një studiues që mesa duket e ka njohur mirë gjuhën shqipe, ka jetuar në një mjedis shqiptar, në Janinë dhe në Shkup, por edhe në veri, në Shkodër e Prizren dhe është marrë me studimin e historisë së kombit shqiptar duke u përqendruar në historinë e Skënderbeut. Si rrjedhim, ai rezulton si një nga albanologët austriakë që ka pasur njohuri të konsiderueshme mbi historinë, gjuhën dhe kulturën e kombit shqiptar.