Prezantohet botimi i ri: “Kisha Ortodokse e Shqipërisë nën komunizëm (1945-1967): Sipas kohës dhe situatës” me autor Artan R. Hoxha

24 Maj, 2023 Njoftime
“Kisha Ortodokse e Shqipërisë nën komunizëm (1945-1967): Sipas kohës dhe situatës”, Artan R. Hoxha, Akademia e Studimeve Albanologjike – Instituti i Historisë, Tiranë, 2022, 340 f.
Doli nga shtypi botimi “Kisha Ortodokse e Shqipërisë nën komunizëm (1945-1967): Sipas kohës dhe situatës” me autor Dr. Artan R. Hoxha (Instituti i Historisë – ASA). Studimi është rezultat i një pune gati 10-vjeçare e mbështetur në dokumentet arkivore të Arkivit të Shtetit, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Kishës Ortodokse. Libri ndahet në 7 kapituj, midis një hyrjeje dhe një epilogu: Nacionalizmi dhe Kisha Ortodokse në një vend me shumicë myslimane; Në kërkim të mbështetjes; Goditjet e regjimit dhe reagimet e Klerit Ortodoks; Rroftë pushteti popullor!; KOASh-i në shërbim të shtetit; Bjerrja e trupit të kishës; “Kjo nuk është bërë as në kohën e Turqisë!”: Rruga drejt 1967–ës. Po botojmë një fragment nga hyrja e studimit.
Si mundi regjimi komunist të ndante grigjën nga kisha?
Nga Dr. Artan R.Hoxha
Si mundi regjimi komunist shqiptar, i cili bashkë me atë rumun është cilësuar si më i ashpri i
Europës Lindore poststaliniste, të krijonte një skizmë kaq të madhe midis grigjës dhe kishës? Çfarë ndodhi me kishën ortodokse në Shqipërinë komuniste? Si arriti regjimi i drejtuar nga Enver Hoxha ta gërryente mbështetjen shoqërore të kishës ortodokse, e cila pavarësisht tallazeve të historisë kishte qenë për shekuj, e madje mijëvjeçarë, strumbullari i jetës shoqërore dhe intelektuale të bashkësisë së krishterë të ritit lindor në trevat shqiptare? A përdori regjimi komunist vetëm dhunën kundër kishës ortodokse për të përmbushur synimet e veta? A simbolizon fundi i dhimbshëm i jetës institucionale të kishës ortodokse, në kulmin e Revolucionit Kulturor të nisur nga Enver Hoxha në vitin 1967, gjithë ekzistencën e saj
përgjatë njëzet e dy vjetëve të regjimit komunist? A e kishte udhëheqja komuniste një politikë kundrejt bashkësive fetare apo vizioni ateist u kristalizua me kalimin e viteve? Në çfarë mënyre politikat fetare të regjimi komunist u zbatuan më specifikisht kundrejt Kishës
Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë?
Qëllimi i këtij punimi ka qenë të hedhë dritë se çfarë donte të thoshte për njerëzit e kishës të jetonin nën komunizëm. Përgjigjet e këtyre pyetjeve hedhin dritë sa mbi kishën ortodokse dhe historinë e saj gjatë viteve 1945–1967, po aq mbi mënyrën se si e ushtroi pushtetin regjimi komunist shqiptar dhe politikën e tij fetare.
Eksplorimi i marrëdhënieve midis regjimit komunist shqiptar dhe kishës ortodokse ofron një platformë për të kuptuar se si regjimi i tipit sovjetik të Tiranës i vendoste marrëdhëniet e tij me institucionet e kultit dhe arriti t’i nënshtronte ato deri në atë pikë saqë në vitin 1967 arriti pa shumë vështirësi ta shpallte Shqipërinë vendin e vetëm ateist në botë. Në këtë mënyrë, ky studim do të analizojë edhe strategjitë që ndoqi regjimi komunist për të paralizuar aftësinë e bashkësisë fetare kryesore të krishterë në Shqipëri, që mundësoi eliminimin pa problem të saj. Përpos të tjerash, ortodoksia në Shqipërinë me shumicë myslimane nuk ka qenë besimi dominues. Kështu që qëmtimi i historisë së Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë gjatë periudhës komuniste krijon mundësinë e qëmtimit të marrëdhënieve midis një shteti komunist dhe një bashkësie fetare që përfaqësonte një grup identitar që nuk përbënte shumicën e popullsisë.
Në këtë punim do të sqaroj se marrëdhëniet midis regjimit komunist shqiptar dhe kishës ortodokse nuk ishin statike, por në lëvizje dhe në ndryshim të vijueshëm. Gjithashtu, si KOASh-i ashtu edhe regjimi komunist nuk ishin entitete monolite, por organizata
komplekse, veprimtaria e të cilave nuk mund të përkufizohet apo shpjegohet me formula thjeshtëzuese. Marrëdhënia midis tyre preku shumë nivele, përfshiu shumë njerëz, ishte polifonike si në majë ashtu edhe në bazë të secilës prej këtyre organizatave. Qëllimi im është, së pari, t’i bëjë këta zëra të dëgjohen dhe së dyti, të kapërcej skemën dualiste shtypje vs. qëndresë, e cila nuk arrin të shpjegojë si duhet realitetin e jetës në sistemet e tipit sovjetik.
Historiania Paulina Bren argumenton me të drejtë se regjimet komuniste nuk ishin struktura që vetëm shtypnin; ato edhe kujdeseshin për shtetasit e tyre. Këta të fundit, nuk ishin në rezistencë të pandërprerë kundër qeverive të tyre dhe qëndrimet e njerëzve të thjeshtë udhëhiqeshin jo edhe aq nga qëllime politike, sesa nga përpjekja për të përmirësuar kushtet materiale të jetës së tyre.
Klerikët ortodoksë shqiptarë nuk ndryshonin nga njerëzit e tjerë dhe nga homologët e tyre që jetuan në suazat e demokracive popullore të Europës Lindore. Njëlloj sikundër argumenton Lucian Leustean për klerikët ortodoksë në Rumani, edhe në Shqipëri ata bashkëpunuan, i
rezistuan, e shfrytëzuan, si dhe u goditën nga regjimi. Ky punim ka pikërisht për qëllim të nxjerrë në pah kompleksitetin e politikave fetare të regjimit komunist shqiptar si dhe të historisë së kishës ortodokse gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë. Për të arritur këtë
synim, unë nuk do të merrem vetëm me diskursin e regjimit apo edhe me atë të autoriteteve të kishës, por do të përqendrohem veçanërisht te praktikat e ushtrimit të pushtetit dhe reagimeve të ndryshme që ai nxiti. Duke i krahasuar ato me deklaratat zyrtare, në këtë punim do të
dalin mospërputhjet e mëdha mes asaj që thuhej dhe bëhej, mes fjalëve dhe veprave.
Zbërthimi i peizazhit historik kompleks të marrëdhënieve ndërmjet regjimit komunist dhe kishës ortodokse gjatë periudhës komuniste kërkon shmangien e esencializimeve që ndërtojnë
narrativat lineare, të cilat mbështeten mbi mekanizmin thjeshtëzues shkak-pasojë. Për këtë arsye, më shumë se sa pse, ky punim kërkon t’i përgjigjet pyetjes si. Pra, në vend që ta konceptojë politikën e regjimit komunist ndaj KOASh-it si një varg hapash të paramenduar që japin pasoja të përcaktuara qartë, ky punim parashtron një panoramë të ndërlikuar historike. Në këtë studim shfaqen një polifoni zërash dhe një numër i madh aktorësh që operonin brenda strukturave klerikale, shtetërore dhe partiake, ndërveprimi i të cilëve krijonte dinamika aspak të paracaktuara nga ndonjë vizion i qartë që udhëhiqte politikën e regjimit komunist kundrejt kishës ortodokse.
Analiza në këtë studim lëviz në katër shkallë të ndryshme gjeografike: nga shkalla makro e mjedisit ndërkombëtar të Luftës së Ftohtë, e cila ndikoi jo pak në qasjen që regjimi komunist pati ndaj KOASh-it; te shkalla kombëtare, që jep mundësinë për të kontekstualizuar politikën fetare të regjimit komunist dhe lidhjen e saj me projektin e komb-ndërtimit. Nga shkalla e tretë, që është ajo krahinore, e cila bën të mundur gjurmimin e ndërveprimeve të funksionarëve të regjimit dhe hierarkisë kishtare ortodokse në nivel rrethesh dhe rajonesh; dhe së fundmi, ky studim gjurmon edhe dinamika të ngushta lokale, për të parë se si politikat dhe nismat e udhëheqjes komuniste dhe asaj rajonale reflektoheshin në shkallë mikro. Përdorimi i këtyre katër niveleve lejon rrokjen e dinamikave komplekse të historisë së marrëdhënieve ndërmjet KOASh-it dhe autoriteteve komuniste.
2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL