REVISTA “STUDIME HISTORIKE”
ISSN: 0563-5799
ISSN: 0563-5799
Revista “Studime historike” është një organ shkencor që boton prurjet më të reja në fushën e studimeve për historinë kombëtare shqiptare. Punonjësit shkencorë të Institutit, si dhe bashkëpunëtorë të jashtëm, publikojnë në faqet e revistës studime dhe artikuj që përbëjnë arritjet më të reja të historiografisë shqiptare për ngjarjet dhe figurat historike.
Të gjithë artikujt janë studime autentike shkencore që përmbushin parametrat më të lartë të punës shkencore dhe recensionohen nga redaksia e përbërë nga specialistët më të mirë të të gjitha fushave të historisë, si dhe nga studiues të huaj që merren me probleme të historiografisë shqiptare.
Gjithashtu në revistë gjejnë pasqyrim, nëpërmjet rubrikave përkatëse, burime të rëndësishme dokumentare si dhe veprimtari shkencore, të zhvilluara brenda dhe jashtë vendit me objekt studimi historinë e shqiptarëve në trevat e tyre dhe në diasporë. Referatet janë kontributet më të rëndësishme, ku shprehen qëndrime analitike dhe sintetike për problemet e historisë sonë.
Në rubrikën recensione botohen shkrime rreth botimeve më të reja nga fusha e historisë, brenda dhe jashtë vendit, ku evidentohen arritjet e studiuesve, si dhe mbahen qëndrime kritike rreth tezave apo pikëpamjeve historike, që ndeshen në këto botime. Kjo shërben për kontributet e reja shkencore rreth problemeve historiografike.
Në revistë jepen informacione mbi pjesëmarrjen e studiuesve shqiptarë në veprimtari shkencore të zhvilluara brenda dhe jashtë vendit, duke pasqyruar edhe kontributin e historiografisë sonë në problemet historiografike të përgjithshme.
Së fundi, revista “Studime historike” del me dy numra në vit, me një vëllim prej rreth 250 faqesh, me tirazh 400 copë. Vëmë në dukje se për të gjithë artikujt ka përmbledhje në gjuhën angleze.