Me datë 9 qershor, Instituti i Historisë mbajti konferencën shkencore “Qasje mbi historinë e Shqipërisë të viteve 1945-1990”, organizuar në bashkëpunim me Fondacionin “Konrad Adenauer”. Konferenca synoi të trajtojë tezat, metodologjinë, problematikat dhe sfidat që lidhen me trajtimin historik të periudhës 1945-1990.
Gjithashtu ajo ka si qëllim të krijojë një mjedis profesional debati midis ekspertëve të fushës së studimeve historike, të sjellë risi dhe këndvështrime të reja në vlerësimin historik mbi të kaluarën, si dhe të kontribuojë në trajtimin më të thelluar shkencor të kësaj problematike, si dhe sfidave të ardhshme. Referimet në konferencë do të jenë pjesë e një botimi të posaçëm realizuar nga Instituti i Historisë dhe KAS.