Njoftime

Historia e shqiptarëve gjatë shek. XX (Vëllimi i I)

23 Mars, 2018 Njoftime

Këto ditë doli nga shtypi “Historia e shqiptarëve gjatë shek. XX”, vëllimi i parë. Ky vëllim i kushtohet periudhës së viteve 1912-1920 me një kapitull hyrës mbi rrënjët historike të çështjes shqiptare përgjatë fundit të shek. XVIII deri në fillimin e shek. XX. Në këtë botim janë bërë përpjekje serioze për të thelluar më tej studimin e shumë çështjeve historike që nuk kanë qenë trajtuar sa e si duhet më parë; për të bërë kritikën shkencore të një sërë pikëpamjesh, të cilat nuk mbështeteshin sa duhet në burime historike ose nuk ishin argumentuar plotësisht nga pikëpamja shkencore; janë aplikuar metoda të reja shkencore; janë sjellë teza e konkluzione të reja dhe është plotësuar teksti me referenca shkencore.

 Gjatë punës kërkimore është studiuar gjerësisht literatura historiografike shqiptare dhe e huaj, duke e vënë theksin në botimet më të reja, si dhe u krye një hulumtim i gjerë në disa arkiva të huaja, ku u morën rreth një milion faqe dokumente. Në këtë kuadër janë marrë, kryesisht në formë digjitale, gati të gjitha koleksionet e disa arkivave evropiane të cilat trajtonin çështjen shqiptare gjatë shek. XX, si Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë, Arkivat Kombëtare të Britanisë së Madhe, Arkivi i Ministrisë së Jashtme të Francës dhe Arkivi i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë. Koleksione të veçanta janë marrë edhe në Arkivat Kombëtare të SHBA, në Arkivat e Turqisë, Maqedonisë, Bullgarisë, Malit të Zi, Kosovës. Gjithashtu një vëmendje e posaçme u është kushtuar edhe hulumtimeve në arkivat e Shqipërisë, me theks të veçantë, në arkivat dhe fondet arkivore që janë hapur vitet e fundit.

 Për realizimin e këtij projekti u angazhuan rreth 40 studiues nga të gjitha trevat shqiptare, të cilëve iu shprehim mirënjohjen për kontributin e çmuar që kanë dhënë. Botimi është i pajisur me referenca të shumta burimore. Ky botim është një përpjekje për të çuar përpara shkrimin e historisë sonë kombëtare përmes një vepre gjithëpërfshirëse sintetike, duke u bazuar në arritjet më të qenësishme shkencore.

Shkolla Doktorale Pranverore “Space, Place and Dwelling”

20 Mars, 2018 Njoftime, QSA
Në datën 19 mars filloi punën Shkolla Doktorale Pranverore “Space, Place and Dwelling”, një bashkëpunim në mes Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, (IAKSA-ASA), The Center for Near and Middle Eastern Studies (CNMS)-Philipps-University Marbug-Germany, The Institut d’etudes de l’Islam et des Societes du Monde Musulman (IISMM)-CNRS, Paris-France, The Institute of Languages and Cultural of Mediterranea (ILC, CCHS-CSIC) Madrid-Spain, The Netherlands Interuniversity School for Islamic Studies (NISIS), The Leidein University- Netherland, & Muzeu Historik Kombëtar.
Në fokus të shkollës janë marrëdhëniet e shumëfishta midis religjionit dhe shoqërisë.
Kjo shkollë fton studiues, studentë dhe publik të interesuar të marrin pjesë në leksionet dhe punëtoritë e saj, të cilat janë të hapura për publikun.
Marrin pjesë studiues të njohur në universitetet evropiane si: Nathalie Clayer, Oskar Verklaik, Dick Douwes, Suraiya Faroqhi etj, të cilët mbajnë leksione të hapura në lidhje më këto tematika.
Aktivitetet zhvillohen në sallën UNESCO të Muzeut Historik Kombëtar mes datave 19-23 mars 2018.
Për më tepër shih programin bashkangjitur.

Konferenca ndërkombëtare me temë: “Marrëdhëniet strategjike mes vendeve ballkanike, vlerat e përbashkëta dhe globalizmi”

19 Mars, 2018 Njoftime, QSA

Më datë  17 mars 2018, dr. Eduart Caka studiues pranë Institutit të Historisë, mori pjesë në konferencën ndërkombëtare me temë: “Marrëdhëniet strategjike mes vendeve ballkanike, vlerat e përbashkëta dhe globalizmi” të organizuar nga SHLUJ Marin Barleti.

Dr. Eduart Caka mbajti kumtesën me titull: “Feja dhe nacionalizmi si faktorë përcaktues (de) stabiliteti në Ballkan”.

Konferenca ndërkombëtare “Naim Frashëri’s Thoughts”

16 Mars, 2018 Njoftime

Në Tarbiat Moderes University në Teheran u zhvillua konferenca ndërkombëtare “Naim Frashëri’s Thoughts”, kushtuar krijimtarisë dhe personalitetit të poetit shqiptar. Përveç studiuesve vendas, në konferencë morën pjesë akademikë dhe studiues nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, akad. Floresha Dado, akad. Etem Likaj, akad. Shaban Sinani, dr. Arian Leka (studiues pranë Akademisë së studimeve Albanologjike), akad. Ali Aliu, prof. dr. Hamit Xhaferi, prof. assist. Abdulla Rexhepi. Konferenca solli kontributet studiuesve shqiptarë dhe iranianë, përmbledhur në 25 kumtesa, shtatë prej të cilave u përkisnin studiuesve shqiptarë. Gjatë punimeve të konferencës u përuruan disa vepra të Naim Frashërit, mes të cilave Tehajjulat, Gramatika e persishtes si edhe një botim me të dhëna mbi jetën, krijimtarinë dhe veprën e Naim Frashërit.
Studiuesi Arian Leka u paraqit në këtë konferencë me ligjëratën “Hyjnia dhe hyjnorja te Fletore e Bektshinjet dhe në krijimet e tjera me natyrë poetike, religjioze e didaktike të Naim Frashërit” (Divinity and the divine on Bektashi Notebook and on other Naim Frashëri’s works of poetical, religious and didactic nature).
Dr. Arian Leka bashkëdrejtoi gjithashtu edhe seancën e parë të panelit “Persian language and Literature”, në të cilin studiues shqiptarë dhe iranianë paraqitën 6 ligjërata lidhur me elemente të krijimtarisë, frymëzimet persiane, ndikimet e Romantizmit dhe rolin prej arkitekti të Naim Frashërit në krijimin e identitetit shqiptar. 


Duke marrë shkas nga “Fletorja e bektashinjet”, kumtesa u përqendrua te pesë prej dhjetë koncepteve themelore, që Naim Frashërit shpall në krye të veprës: konceptet Besë (Besim); Perëndi; Njeri; Gjithësi; Vdekje /Pavdekësi. Hulumtimi i origjinës së këtyre koncepteve ndjek rrjedhat letrare, që zënë fill me Fletorje e Bektashinjet, për t’u ndërthurur me pjesën tjetër të krijimtarisë poetike apo didaktike të Naim Frashërit, të tilla si Lulet e Verësë apo Vjersha për mësonjëtoret e para, etj. Ligjërata shqyrtoi edhe personalitetin e Naim Frashërit si një bashkim kulturash dhe trashëgimish kulturore, duke sjellë burime bibliografike prej studiuesve të sotëm dhe autorët e një tradite më të hershme, të tillë si Gjysh Ali Gjirokastra, Selaydin Toto, Faik Konica, Norbert Jokl-i e Musine Kokalari, duke prekur narrativën religjioze dhe qasjet e Naim Frashërit ndaj filozofisë së e njohjes dhe perceptimit të Perëndisë prej njeriut. Veprimtaritë u pasqyruan gjerësisht nga mediat qendrore vendase në gjuhët persisht dhe anglisht, si dhe nga emisionet shqip të radios dhe televizionit iranian.

Konferenca shkencore ndërkombëtare “Jasharajt dhe lufta çlirimtare”

8 Mars, 2018 Njoftime, QSA

Me rastin e 20 vjetorit të epopesë së UÇK, më 6 mars 2018, Instituti i Historisë, Prishtinë, Instituti i Historisë, Tiranë dhe ITSHKSH, Shkup organizuan në Prishtinë, konferencën shkencore ndërkombëtare: “Jasharajt dhe lufta çlirimtare”. Në këtë konferencë, ku morën pjesë dhe referuan një ekip studiuesish të ASA-së, ishin gjithashtu pjesëmarrës studiues të njohur nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Italia, Gjermania dhe vende të tjera. Grupi studiuesve nga ASA mori pjesë në konferencë dhe në një sërë aktivitetesh të tjera që u organizuan me këtë rast.

Gjatë punimeve të konferencës referuan me punimet e tyre Prof. Dr. Marenglen Verli, rektor i ASA-së, me temën: “Jasharajt, produkt i një vatre patriotike”,

drejtori i Institutit të Historisë, Prof. Dr. Beqir Meta me temën: “Lufta e Kosovës në kancelaritë perëndimore dhe vendin që zë familja Jashari në këtë luftë”,

Prof. Dr. Hamit Kaba me temën: “Politika amerikane dhe ligjshmëria e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë”,

si dhe Prof. Asoc. Afrim Krasniqi me temë: “Evoluimi i qëndrimeve të partive politike në Shqipëri ndaj rezistencës në Kosovë dhe ndikimi në to i ngjarjeve të vitit 1998”.

Prof. Dr. Beqir Meta mbajti fjalën e mbylljes së konferencës. Prof. Dr. Marenglen Verli foli në emër të historianëve Akademinë Përkujtimore që u organizua pasditen e 6 marsit në sallën e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë me pjesëmarrjen e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, autoriteteve të vendit, trupit diplomatik, veteranëve të UÇK-së etj.

Konferenca me temë: “Misionet arkeologjike franko-shqiptare: mes kërkimit shkencor dhe rivlerësimit turistik dhe kulturor të trashëgimisë”

4 Mars, 2018 Njoftime, QSA

Instituti i Arkeologjisë në bashkëpunim me Ambasadën Franceze dhe Muzeun Historik Kombëtar organizuan me rastin e Pranverës Frankofone në Shqipëri, konferencën me temë: “Misionet arkeologjike franko-shqiptare: mes kërkimit shkencor dhe rivlerësimit turistik dhe kulturor të trashëgimisë”.
Fjalën e hapjes e mbajti prof. dr. Luan Përzhita, drejtor i Institutit të Arkeologjisë, i cili ndër të tjera theksoi se: “Marrëdhëniet bashkëpunuese franko-shqiptare në fushën e arkeologjisë janë të hershme dhe se figura që ka luajtur rolin kryesor në themelimin e këtij bashkëpunimi, që shtrihet gjatë në kohë, është Leon Rey. Leon Rey, figurë emblematike në fushën e kërkimeve arkeologjike në Shqipëri. Kërkimet e para arkeologu dhe studiuesi francez i realizoi në Durrës, e më pas në Apoloni”.


Ambasadorja e Francës, znj. Christina Vasak, Ambasadore e Francës, bëri një panoramë të përgjithshme të misioneve aktuale arkeologjike franceze në Shqipëri. Gjatë fjalës së saj ajo theksoi se: “Me rënien e regjimit komunist në Shqipëri, në vitet 1993 – 1994, misionet e përbashkëta shqiptaro – franceze përfshijnë shumë qendra të rëndësishme dhe shtrihen në shumë periudha dhe fusha kërkimore. Së bashku me shkollën dhe institucionet shqiptare të arkeologjisë, shkolla franceze mbështeti kërkimin arkeologjik dhe propagandimin e trashëgimisë kulturore në Shqipëri”.


Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, në fjalën e tij përshëndetëse tha se: “Është një kënaqësi e veçantë për Muzeun Historik Kombëtar si intitucioni më i madh i kujtesës kolektive të shqiptarëve të bëj të mundur që vazhdimisht të jetë pjesë e bashkëpunimeve të tilla të frytshme me Institutin e Arkeologjisë, me Ambasadën Franceze apo dhe me të gjithë faktorët e tjerë që kontribojnë në Trashëgiminë Kulturore shqiptare. Muzeu Historik Kombëtar merr pjesë në këtë aktivitet me një ekspozitë, me një rinxjerrje të objekteve tona, që janë nxjerrë nga gërmimet që kanë bërë arkeologët shqiptarë dhe francezë dhe që sot janë të ekspozuara në Pavijonin e Arkeologjisë. Kontributi dhe bashkëpunimi francez përforcojnë dhe avancojnë dijet për të kaluarën e territorit shqiptar për një shtrirje të gjerë kohore nga Prehistoria deri në Mesjetë, si dhe promovojnë kërkimin në shumë drejtime të tjera, qoftë nëpërmjet trajnimit të studiuesve të rinj, nëpërmjet promovimit dhe mbështetjes së punës në terren, duke ofruar burime njerëzore të kualifikuara, si dhe duke përhapur rezultatet e kërkimeve për një publik më të gjerë”, përfundoi Dr. Dorian Koçi.

Gjatë seancës së parë me temë “Apolonia e Ilirisë” referuan kumtesat e tyre: Stéphane Verger, Profesor në Ecole Pratique des Hautes Etudes, Drejtor i Laboratorit “Arkeologjia dhe Filologjia e Lindjes dhe Perëndimit”

dhe prof. asoc. Belisa Muka, Instituti i Arkeologjisë, Tiranë. Gjatë seancës me temë “Sovjan dhe Kallamas, pellgu i Korçës” referuan: Cécile Oberweiler, Kërkuese shkencore e asociuar Protohistoria e Egjeut dhe prof. Petrika Lera, Instituti i Arkeologjisë, Tiranë.

Në seancën me temë “Lugina e poshtme e Drinit (Lezha, Komani, Sarda)” referuan Etleva Nallbani, Arkeologe për Mesjetën

dhe dr. Elvana Metalla, Instituti i Arkeologjisë, Tiranë.

Në seancën me temë “Dyrrachium (Durrës)” referuan Catherine Abadie Reynal, Profesore për arkeologjinë greke dhe Prof. Asoc. Eduard Shehi,

Instituti i Arkeologjisë Tiranë. Ndërsa, Jean-Michel Follin, Profesor, Ecole Supérieure de Géomètres et Topographes (ESGT-CNAM), Le Mans bëri një prezantim mbi të dhënat zyrtare të GIS të misionit të Durrësit.
Në fund gjithë të pranishmit vizituan ekspozitën e organizuar nga Muzeu Historik Kombëtar.

Kolokiumi me temë: “Kahje teorike e koncepte të reja në shkencat e ligjërimit që ndihmojnë edhe në mësimdhënien e gjuhës dhe letërsisë”

4 Mars, 2018 Njoftime

Ditën e premte, më 2 mars 2018, pranë Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Studimeve Albanologjike në Tiranë u zhvillua seanca e parë e ciklit të ligjëratave që do të mbahen nga studiues shqiptarë dhe profesorë të ftuar nga universitete të ndryshme të Europës e më gjerë në kuadër të programit « Mendimi gjuhësor e letrar  shqiptar dhe prurjet e shkencës europiane në këto fusha në epokën e tanishme ».

Ky cikël ligjëratash nisi me parashtresën e prof.dr. Tomorr Plangaricës « Kahje teorike e koncepte të reja në shkencat e ligjërimit që ndihmojnë edhe në mësimdhënien e gjuhës dhe letërsisë ».

Ligjërata e tij u orientua drejt këtyre problemeve kryesore :

-zhvillimi i dijeve në shkencat e ligjërimit është garanci e parë e shqyrtimit më të suksesshëm të dukurive gjuhësore që shfaqen në procesin e përdorimit të gjuhës dhe produkteve të përftuara prej tyre, mes të cilëve edhe diskursit letrar ;

-dijet e transpozuara/didaktizuara për mësimdhënien e gjuhës dhe letërsisë në cikle të ndryshme shkollimi mund të bashkëkohëzohen nëse ndjekin me përparësi dijet e përftuara, konceptet dhe metodologjitë e përftuara ndërkohë edhe në hapësirën e gjerë e të larme të shkencave të ligjërimit ;

-ridimensionimi i shqyrtimeve ndërdisiplinore të produkteve të ndryshme diskursive, mes të cilave edhe diskursit letrar, është praktikë e suksesshme e përvijuar tashmë në kontekstin e këtyre studimeve në Europë e më gjerë, përvojë që mund të shërbejë edhe në shqyrtimet tona në këto lëminj.

Argumentet u mbështetën në dijet e përftuara në të ashtuquajturën ‘gjuhësi e jashtme’, në prurjet e kahjeve teorike të studimit a disiplinave të tilla si teoria e operacioneve thëniesore, gjuhësia e tekstit dhe analiza e tekstit, analiza e diskursit, pragmatika, semantika leksikore, por edhe e frazës dhe e tekstit, semiotika, estetika receptive, pragmatika letrare etj. Në vemendje të pjesëmarrësve u sollën kotributet e autorëve më në zë të gjysmës së dytë të shekullit XX, themelues  a përfaqësues të disiplinave a kahjeve përkatëse të shqyrtimit, si E. Benveniste, R. Jakobson, M. M. Bakhtin, J. Austin, J.Searli, E. Coseriu, W. Labov, M.A.K. Halliday, R. Hasan, H. Meschonnic, R. Barthes, M. Riffaterre, H. F. Plett, M. Titzman, H. Weinrich, F. Gardés-Madray, R. Lafont, F. Rastier, Ch. Touratier, B. Pottier, A. Culioli, Ch. Cusimono-së, etj ; si dhe të autorëv të tjerë të tanishëm, si J.M. Adam, D. Mengueneau, A. Paveau, etj.

Njohja e thelluar e këtyre fushave dhe e veprës së autorëve më në zë u trajtua si një mundësi më shumë por edhe e domosdoshme për trajtimin e dukurive të shqipes dhe shqyrtimin e interpretimin e diskursit letrar. Dhe pas përvijimt të mendimit shkencor të bashkëkohëzuar me këto dije, krijohet një bazë e mjaftueshme edhe për suksesin e dijeve të transpozuara/didaktizuara që do të përdoren më tej në mësimdhënien e gjuhës dhe letërsisë.

Vend të rëndësishëm në parashtresë zunë edhe shembujt e sjellë si modele të zbatimit të këtyre dijeve e koncepteve nga shkencat e ligjërimit në shqyrtimin e interpretimin e tekstit letrar  në shqip, veçanërisht atij poetik.

Profesor Plangarica u vuri në dispozicion pjesëmarrësve një literaturë të gjerë të botuar prej tij ose në proces botimi që trajton problemet e ngritura, duke lënë të hapur mundësinë e diskutimeve të tjera për çështje më të veçanta.

Simpoziumi shkencor me temë: “Gjergj Kastrioti-Skenderbeu”

2 Mars, 2018 Njoftime, QSA

Në kuadër të vitit të Skënderbeut, prof. dr. Pëllumb Xhufi mori pjesë në simpoziumin shkencor me temë: “Gjergj Kastrioti-Skenderbeu” të organizuar nga Komuniteti Shqiptar i Michigan-it, Ambasada e Shqipërisë në Washington e konsullata shqiptare në Michigan. Prof. dr. Pëllumb Xhufi paraqiti kumtesën me temë: “Skënderbeu, kalorës i krishterimit apo fatos i lirisë?”.

Në thelb, kjo kumtesë trajtoi raportin mes qenies së krishterë dhe qenies politike të Heroit. Mbi bazën e burimeve arkivore rezulton qartë se aksioni i Skënderbeut u frymëzua mbi të gjitha nga projekti i tij politik, që ishte ai i krijimit të një shteti shqiptar të pavarur. Në funksion të këtij projekti, që edhe princër të tjerë shqiptarë para tij, si p.sh. Balshajt, ishin përpjekur ta realizonin, Skënderbeu shfrytëzoi faktorin fetar për të çimentuar aleancën e tij me koalicionin antiosman të fuqive të krishtera të udhëhequra nga Papati.

Konferenca me temë “Misionet arkeologjike franko-shqiptare: mes kërkimit shkencor dhe rivlerësimit turistik dhe kulturor të trashëgimisë”

27 Shkurt, 2018 Njoftime, QSA
Instituti i Arkeologjisë në bashkëpunim me Ambasadën Franceze dhe Muzeun Historik Kombëtar organizojnë me rastin e Pranverës Frankofone në Shqipëri, konferencën me temë: “Misionet arkeologjike franko-shqiptare: mes kërkimit shkencor dhe rivlerësimit turistik dhe kulturor të trashëgimisë”. Konferenca do të zhvillohet më datë 2 mars 2018, duke filluar nga ora 10:00, në sallën “Unesco” të Muzeut Historik Kombëtar.
Jeni të mirëpritur!

Seminari i rradhës “Përthyerje Antropologjike”

26 Shkurt, 2018 Njoftime, QSA
U mbajt takimi i radhës së seminarit permanent “Përthyerje Antropologjike”, organizuar nga Departamenti i Etnologjisë (IAKSA) në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare në mjediset e Bibliotekes Kombëtare.
Këtë herë pjesëmarrës ishte dr. Arjan Leka, i cili referoi punimin me titull: “Përjashtimi i florës, faunës dhe fenomeneve meteorologjike nga kopshti poetik i realizmit socialist”.
Ndër të tjera, ai vuri theksin se në përgjithësi autorët shqiptarë të realizmit socialist vunë në shërbim të metodës krijuese, jo vetëm Kohën, por edhe Hapësirën e Re poetike, thënë ndryshe, peizazhin dhe entitetet e tij – florën dhe faunën poetike. Hapësira e Re poetike/heterotopike nuk mund të ishte natyrë thjesht e pastër, jashtë dobisë dhe qëllimeve dhe për këtë u desh reformimi i mjeteve shprehëse dhe stilistikës, që nuk mund të ishte e njëjtë me atë të paraardhësve letrarë.
Për të gjithë ata që nuk patën mundësi të ishin të pranishëm në takimin e rradhës të Përthyerje Antropologjike, mund ta shikojnë fjalën e mbajtur nga Dr. Arian Leka këtu:

Kolokiumi me temë: “Kahje teorike e koncepte të reja në shkencat e ligjërimit që ndihmojnë edhe në mësimdhënien e gjuhës dhe letërsisë”

26 Shkurt, 2018 Njoftime, QSA

Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë organizojnë në datë 2 mars 2018, ora 11:00, në mjediset e Bibliotekës së Arkeologjisë kolokiumin me temë: “Kahje teorike e koncepte të reja në shkencat e ligjërimit që ndihmojnë edhe në mësimdhënien e gjuhës dhe letërsisë”. Ky kolokium do të mbahet nga prof. dr. Tomorr Plangarica.
Jeni të ftuar të merrni pjesë.

Konferenca shkencore “140 vjetori i dëbimit të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit 1877-1878″

23 Shkurt, 2018 Njoftime, QSA

Akad. prof. dr. Marenglen Verli mori pjesë sot, në Konferencën shkencore “140 vjetori i dëbimit të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit 1877-1878″.


Në këtë konferencë akad. prof. dr. Marenglen Verli paraqiti kumtesën me temë: “Situata demografike në trevat shqiptare veriore në vitin 1877 dhe spastrimi etnik i Sanxhakut të Nishit”.

Seminari i rradhës “Përthyerje antropologjike”

20 Shkurt, 2018 Njoftime, QSA
Departamenti i Etnologjisë (IAKSA) në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare njofton për takimin e rradhës të seminarit “Përthyerje antropologjike”, datë 23 shkurt 2018, ora 17:00, në mjediset e Bibliotekes Kombëtare.
Titulli: Përjashtimi i florës, faunës dhe fenomeneve meteorologjike nga Kopshti poetik i Realizmit Socialist
 
Abstrakt
 
Autorët shqiptarë të realizmit socialist vunë në shërbim të metodës krijuese, jo vetëm Kohën, por edhe Hapësirën e Re poetike, thënë ndryshe, peizazhin dhe entitetet e tij – florën dhe faunën poetike. Hapësira e Re poetike/heterotopike nuk mund të ishte natyrë thjesht e pastër, jashtë dobisë dhe qëllimeve dhe për këtë u desh reformimi i mjeteve shprehëse dhe stilistikës, që nuk mund të ishte e njëjtë me atë të paraardhësve letrarë. Një vështrim i tillë do të transformonte tërësisht peizazhin poetik, duke mbitheksuar përmes tij, rëndësinë e simboleve mbi jetën e përditshme dhe komunikimim përmes gjuhës së simboleve. Mes të tjerave, fauna dhe flora u përzgjodhën të luanin rolin e tyre në rikrijimin e identitetit të ri kulturor. Ky seleksionim jo natyror bëri që flora dhe fauna lirike, ekzotike dhe idilike të ndëshkoheshin si sentimentale, romantike dhe jorevolucionare. Vendin e tyre në poezi e zunë flora ceremoniale dhe dekorative, lulëkuqet, trëndelina, pemët me gjelbërim të përjetshëm, si dafinat dhe ullinjtë apo drurë me cilësi të dukshme simbolike, si lisi dhe rrapi, të cilave bashkë me emërtesat e përgjithshme e të pacilësuara, si “lule”, “kurorë”, “buqetë”, iu dha një funksion etik, duke i çertifikuar ato si pjesë e gjelbërimit të miratuar zyrtar, shfaqur dhe mbivlerësuar dukshëm në poezinë shqiptare mes viteve 1950-1960. Ajo pjesë e florës që ruante kujtesën kulturore të së kaluarës, si krizantema për shembull, u demonizuan apo dolën nga qarkullimi, si të demode. Peizazhi në poezitë e natyrës apo të dashurisë u pushtua nga lulet që përcillnin imazhet triumfuese të lavdishme dhe që përfaqësonin kulturën optimiste të fitores, ekzaltimit dhe suksesit. E gjitha kjo vuri në dukje nevojën e krijimit të një çelësi simbolik në klasifikim, brenda konceptit të kulturës politike. Lulet, kafshët, përfshi edhe fenomenet afmosferikë të motit, të shfaqura në poezinë dhe poemën e asaj periudhe u përfshinë në repertorin politik dhe u bënë pjesë e projektit që krijoi mitin e qytet-shtetit-industrial dhe njëkohësisht kopështit të lulëzuar socialist.
Ju mirëpresim!

Konferenca shkencore: “Kosova 10 vjet shtet – Mësimet dhe pritjet”

16 Shkurt, 2018 Njoftime, QSA

Drejtues dhe studiues të Akademisë së Studimeve Albanologjike morën pjesë në konferencën shkencore: “Kosova 10 vjet shtet – Mësimet dhe pritjet”, të organizuar nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”. Një konferencë, e cila shënoi fillimin e festimeve zyrtare për 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, me pjesëmarrjen e studiuesve nga Tirana, Prishtina, Tetova, Korça, etj, si dhe të zyrtarëve të lartë politikë e qeveritarë, përfshirë zv/kryeministrin e qeverisë së Kosovës, z. Fatmir Limaj. Në emër të ASA-së, konferencën e përshëndeti Rektori i ASA-së, Akademik Marenglen Verli, i cili theksoi mesazhin e rëndësisë së studimeve akademike dhe të rolit të elitave në shtetformim dhe bilancin 10 vjeçar, si dhe iu bashkua apelit adresuar brezave të rinj që ta duan e ta respektojnë më shumë shtetin, kombin e simbolet e tyre.

Gjatë punimeve të konferencës referuan me punimet e tyre Akad. Prof. Dr. Marenglen Verli me temën: “Zgjidhja e çështjes së Kosovës dhe stabiliteti në rajonin e Ballkanit”,

Prof. Dr. Beqir Meta me temën: “Pavarësia e Kosovës si domethënie e ndryshimit të marrëdhënieve ndërkombëtare në Ballkan dhe e pozitës së shqiptarëve në këto raporte”,

si dhe Prof. Asoc. Afrim Krasniqi me temë: “Tipare të raporteve Shqipëri-Kosovë para dhe pas Pavarësisë”.

Prezantohet botimi “Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe”

12 Shkurt, 2018 Njoftime, QSA
Me datë 9 shkurt, në sallën “Akademikët” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, prof. dr. Anila Omari dhe prof. dr. Valter Memishaj bënë prezantimin e botimit më të fundit të akad. Kolec Topalli, “Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe”.
Ky botim është nominuar për Çmimin shkencor kombëtar vjetor “Eqrem Çabej”, që jepet për studimin më të mirë në fushën e shkencave shoqërore-albanologjike.

Konferenca shkencore: “Monarkia Austro-Hungareze dhe Shqipëria 1916-1918”

8 Shkurt, 2018 Njoftime, QSA

Më 27 janar 2018 drejtori i Institutit të Arkeologjisë, prof. dr. Luan Përzhita, mori pjesë në konferencën shkencore me temë: “Monarkia Austro-Hungareze dhe Shqipëria 1916-1918” të organizuar nga Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Ambasadën Austriake.


Kumtesa e paraqitur nga prof. dr. Luan Përzhita titullohej “Kontributi Austro-Hungarez për arkeologjinë shqiptare”. Nëpërmjet kësaj kumtese u analizua kontributi i Austro-Hungarisë gjatë luftës së Parë Botërore në fushën e arkeologjisë shqiptare. Një vend me rëndësi paraqesin studimet e Carl Patsch, me veprën Sanxhaku i Beratit (1904), i cili ka gjurmuar dhe regjistruar monumentet dhe vendbanimet antike nga Muzeqeja, Berati deri në Vlorë. Studiues të tjerë janë Theodor Ippen dhe baroni Franz Nopça, kontributi i të cilëve u përqendrua kryesisht në Shqipërinë e Veriut si dhe Camilo Praschniker dhe Arnold Schober, të cilët gjurmuan dhe regjistruan vendbanime dhe monumente nga Mali i Zi në Shqipëri. Ato ndërmorën dy ekspedita dhe rezultatet i botuan në Archaeologische Forschungen in Albanien und Montenegro (1919) dhe Muzakhia und Malakastra, 1922. Krahas tyre spikasin dukshëm edhe dy emra studiuesish me nacionalitet hungarez, Franc Baron von Nopsca nȅ vitet 1907, 1912, 1932 dhe arkeologu Árpád Buday.

Konferenca shkencore me temë: “Monarkia Austro-Hungareze dhe Shqipëria 1916-1918”

8 Shkurt, 2018 Njoftime, QSA

Më 27 janar 2018, prof. dr. Anila Omari, mori pjesë në konferencën shkencore me temë: “Monarkia Austro-Hungareze dhe Shqipëria 1916-1918”, të organizuar nga Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Ambasadën Austriake. Në këtë konferencë prof. dr. Anila Omari referoi kumtesën me temë: “Çështja e gjuhës së përbashkët shqipe dhe ndikimi i diplomacisë austro-hungareze në të”.


Në fushën e interesit të Austro-Hungarisë për formimin e kombit shqiptar në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX, një nga aspektet më të rëndësishme ishte çështja e një gjuhe të përbashkët shqipe për gjithë shqiptarët, si mjeti kryesor për bashkimin kombëtar në rrethanat e nevojës politike të Austro-Hungarisë për nxitjen e ndjenjës kombëtare te shqiptarët.

 

Ky program politik i Monarkisë austro-hungareze kishte për qëllim të krijonte një Shqipëri të bashkuar si kundërpeshë ndaj Serbisë dhe frenim të pansllavizmit që përkrahej nga Rusia. Nga dokumentacioni shumë i pasur burimor arkivor del i qartë roli nxitës i Monarkisë së dyfishtë nëpërmjet diplomatëve të saj për një gjuhë të përbashkët shqipe dhe një alfabet të njësuar të shkrimit të saj. Ndër emrat më të spikatur, që ushtruan ndikim veçanërisht në çështjen e gjuhës shqipe, ishin Theodor Ippeni dhe August Krali, njohës të mirë të gjuhës, zakoneve dhe karakterit të shqiptarëve, që arritën të sheshojnë mosmarrëveshjet dhe të ulin palët në bisedime për arritje kompromisi. Vija konstante që përshkon qëndrimin austro-hungarez edhe për sa i përket gjuhës shqipe dhe alfabetit të saj është synimi për të bashkuar shqiptarët, përfshirja e të gjithë faktorëve relevantë për çështjen kombëtare pa dallime fetare a krahinore, vështrimi kombëtarist i çdo përpjekjeje për zgjidhjen e problemeve të ndryshme.

I njëjti qëndrim vihet re edhe në përpjekjet për një gjuhë të njësuar letrare shqipe, tashmë në rrethanat e ndryshme të pushtimit austro-hungarez të Shqipërisë në vitet 1916-1918. Në Komisinë Letrare të krijuar me nismën e August Kralit dhe me vullnetin e patriotëve shqiptarë në 1916 u konfirmua vendimi i Kongresit të Elbasanit për dialektin e këtij qyteti si bazë e gjuhës e përbashkët letrare e të gjithë shqiptarëve. Ky ishte i pari dekret për shqipen si gjuhë zyrtare dhe drejtshkrimin e saj. Nga dokumentet e botuara del në pah edhe në këtë çështje roli vendimtar i përfaqësuesit austro-hungarez për bashkimin e shqiptarëve.

Konferenca shkencore me temë: “Monarkia Austro-Hungareze dhe Shqipëria 1916-1918”

8 Shkurt, 2018 Njoftime, QSA

Më 26 janar 2018, akad. prof. dr. Beqir Meta dhe prof. asoc. dr. Ledia Dushku, morën pjesë në konferencën shkencore me temë: “Monarkia Austro-Hungareze dhe Shqipëria 1916-1918”, të organizuar nga Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Ambasadën Austriake. Në këtë konferencë akad. prof. dr. Beqir Meta referoi kumtesën me temë: “Qëndrimi i Austro – Hungarisë ndaj nacionalizmit shqiptar gjatë Luftës së Madhe: – Një vështrim krahasues”,

ndërsa prof. asoc. dr. Ledia Dushku referoi kumtesën me temë: “Perceptimi dhe realiteti: Shqiptarët dhe autoritetet austro – hungareze përgjatë vitit 1916”.

Konferenca “Le radici europee di Albania di Giorgio Castriota Scanderbeg” / “Rrënjët europiane të Shqipërsisë së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut”

8 Shkurt, 2018 Njoftime, QSA

Më 26 janar 2018 prof. dr. Aurel Plasari mori pjesë në Konferencën “Le radici europee di Albania di Giorgio Castriota Scanderbeg” / “Rrënjët europiane të Shqipërsisë së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut” / me relacionin “L’Albania di Skanderbeg nel ‘De Europa’ di Pio II” / “Shqipëria e Skënderbeut në ‘De Europa’ të Piut II”.

Konferenca u organizua në Romë, në sallën “Zuccari” të pallatit Giustiniani të Senatit të Republikës Italiane, nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë dhe Urdhrit Sovran të Maltës, si dhe me Patronazhin e Senatit të Republikës Italiane. Ajo u ndoq më së shumti nga anëtarë të trupit diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë në Romë, si edhe nga studiues të interesuar, gazetarë etj.

Seminari permanent “Përthyerje Antropologjike”

29 Janar, 2018 Njoftime, QSA
Më datë 26.01.2018, Departamenti i Etnologjisë në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, në kuadër të seminarit të përhershëm permanent “Përthyerje Antropologjike” organizoi takimin e radhës në ambientet e Bibliotekës Kombëtare.
Në programin e tij, ky seminar përfshiu një temë specifike “Vetja dhe tjetri”, ku mori pjesë albanologia prof. dr. Ke Jing, e cila mbajti ligjëratën “Katër “Të tjerët” në veprën e Ismail Kadaresë një studim mbi identitetin kombëtar shqiptar”.
Ligjërata e prof. dr. Ke Jing, u mbajt për të pranishmit në gjuhën shqipe, një shqipe e pastër e autores, e cila ndër të tjera ftonte të pranishmit të bëheshin pjesë e debatit teorik në lidhje me veprat e këtij autori.
Me këtë takim, seminari permanent “Përthyerje antropologjike”, hapi siparin e takimeve të përmuajshme për vitin 2018 duke arritur edhe suksesin e radhës.
Më poshtë mund të ndiqni të plotë fjalën e prof. dr. Ke Jing.

Seminari permanent “Përthyerje antropologjike”

25 Janar, 2018 Njoftime, QSA

Departamenti i Etnologjisë (IAKSA) në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare njofton për takimin e parë të seminarit “Përthyerje antropologjike”, datë 26 janar 2018, ora 17:00, në mjediset e Bibliotekes Kombëtare.
E ftuar, prof. dr. Ke Jing, e cila do të referojë mbi studimin: “Katër të Tjerët në veprën e Ismail Kadaresë: një studim mbi identitetin kombëtar shqiptar”.
Prof. Dr. Ke Jing është studiuese albanologe dhe ballkanologe. Në 2013, mbrojti disertacionin në universitetin e Louisville në SHBA, me studimin “The Four Others in I. Kadare’s Works: a study of the Albanian National Identity”. Ka drejtuar për disa vite katedrën e gjuhës shqipe në universitetin e Studimeve të Huaja në Beijing (BFUS). Aktualisht, prof. dr. Ke Jing drejton shkollën doktorale në studimet albanologjike pranë këtij universiteti.
Fjala e Prof. Dr. Ke Jing do të mbahet në shqip. Hyrja e lirë.

Konferenca Shkencore “Viti Arkeologjik 2017”

19 Janar, 2018 Njoftime, QSA

Instituti i Arkeologjisë, pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, organizon me datë 22 janar 2018, Konferencën Shkencore “Viti Arkeologjik 2017” ku do të prezantohen 17 kumtesa nga raportet e gërmimeve të zhvilluara në të gjithë territorin e Shqipërisë gjatë vitit 2017. Konferenca do të zhvillohet pranë Muzeut Historik Kombëtar, salla “Konstandin Shpataraku”, duke filluar nga ora 09:00. Për programin klikoni ketu.
Jeni të mirëpritur!

Gjergj Kastrioti-Skenderbeu Hero Kombëtar i shqiptarëve

17 Janar, 2018 Njoftime, QSA

Gjergj Kastrioti-Skënderbeu (1405-17 janar 1468) personifikon një epokë të tërë të historisë kombëtare të shqiptarëve, që mori emrin e tij: luftën më se njëshekullore të tyre kundër vërshimit osman (fundi i shek. XIV – fillimi i shek. XVI) për mbrojtjen e tokës, të pasurisë e të lirisë. Nën udhëheqjen e tij lufta e shqiptarëve u ngrit në një shkallë të lartë e të organizuar, shënoi një kthesë vendimtare në zhvillimin politik të vendit dhe në forcimin e vetëdijes kombëtare të tyre.


Figura e tij paraqet një nga ato raste, jo të shpeshta në histori, kur shtresat e ndryshme shoqërore të një kombi takohen me një personalitet të shquar, në të cilën gjejnë shprehjen e vet aspiratat e vetitë e tyre më të mira dhe që për këtë arsye bëhet simbol i bashkimit kombëtar dhe i luftës së tyre të përbashkët.
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ishte përfaqësuesi më konsekuent dhe më i shquar i elitës drejtuese shqiptare, që udhëhoqi me vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë. Ai e kuptoi, më qartë se kushdo tjetër, detyrën që shtronte çasti historik: nevojën e bashkimit politik si kusht kryesor për të realizuar mbrojtjen e interesave të të gjitha shtresave shoqërore, të pasura e të varfra, të kërcënuara tashmë prej pushtuesve osmanë në çështjet jetike.
Njohja e thellë e jetës, e botëkuptimit, e traditës dhe e luftës së shqiptarëve kundër pushtimit të huaj si dhe e organizimit të shtetit e të ushtrisë osmane, i dhanë mundësi Skënderbeut të ndërtonte me efektivitet të lartë gjithë veprimtarinë e tij si burrë shteti dhe udhëheqës ushtarak i shquar. Ai arriti në përfundimin se, përballë një pushtuesi të fuqishëm, siç ishte Perandoria Osmane, shqiptarët nuk mund të arrinin në fitore, pa kapërcyer copëtimin politik të vendit në një varg zotërimesh, pa një bazë organizative të qëndrueshme, pa bashkërendimin e mjeteve dhe të burimeve njerëzore, ekonomike, ushtarake e materiale, pa bashkërendimin e të gjitha veprimeve që zhvilloheshin në rrafsh të brendshëm e të këtyre me veprimet e ndërmarra në rrafsh ndërkombëtar. Një nga hapat e parë në këtë drejtim qe themelimi, me nismën e nën drejtimin e tij, i Besëlidhjes Shqiptare të Lezhës, që përbënte të parin bashkim të gjerë politik të shqiptarëve.
Duke njohur zhvillimin e ngjarjeve e perspektivën e tyre, Skënderbeu e kuptoi me kohë se nuk mund të mbrohej vendi, të çliroheshin viset e pushtuara dhe të zhdukej përfundimisht rreziku i pushtimit osman, duke qëndruar mbi bazën e Besëlidhjes Shqiptare si aleancë politike vullnetare, karakteristikë që ajo e kishte pasur në fazën e saj fillestare. Prandaj në gjirin e koalicionit të fisnikëve shqiptarë u krye dora-dorës një zhvendosje në raportin e forcave (që karakterizon etapën e dytë të veprimtarisë së Skënderbeut si burrë shteti), dhe që çoi në fund të viteve 50 në krijimin e një pushteti të vetëm shtetëror për të gjitha viset e lira shqiptare. Ai u bë themeluesi i shtetit të pavarur shqiptar.
Kujdes të veçantë Skënderbeu i kushtoi ruajtjes së burimeve të brendshme ekonomike, mbi të cilat u mbështet lufta. Duke fuqizuar mbrojtjen në brezin kufitar, në lindje e në jug të viseve të lira, ai u dha mundësi nënshtetasve të tij të zhvillonin një veprimtari ekonomike e tregtare deri diku normale. Prandaj, ashtu si më parë, edhe në këto vite vazhduan të eksportoheshin nga portet e Adriatikut drithëra e prodhime të tjera.
Krahas mbrojtjes së vendit, Skënderbeu u kushtoi vëmendje viseve të pushtuara. U mbajtën kështu të gjalla dhe u forcuan më tej lidhjet me banorët e këtyre viseve, gjë që ndikoi në forcimin e bashkimit shpirtëror të shqiptarëve dhe në konsolidimin e mëtejshëm të kombit shqiptar, duke i dhënë mundësi të mbijetojë e të zhvillohet më pas në kuadrin e Perandorisë Osmane.
Procesin e bashkimit të shqiptarëve e favorizoi shumë edhe toleranca e lartë fetare e Skënderbeut. Si i krishterë i rritur në ambientin mysliman, ai qëndroi mbi dallimet fetare. Ai bashkëpunoi ngushtë dhe pa asnjë paragjykim me klerin e riteve të ndryshme dhe dërgoi si ambasadorë të tij në vendet e huaja priftërinj katolikë dhe ortodoksë. Respektimi i besimeve e riteve fetare ndikoi pozitivisht në procesin e bashkimit të shqiptarëve.
Bashkimi shpirtëror i të gjithë popullit shqiptar dhe forcimi i vetëdijes kombëtare të tij, shënonin fitoren më të madhe të epopesë së lavdishme të shek. XV dhe të tërë veprës së Skënderbeut.
Aftësitë e Skënderbeut si burrë shteti spikatën edhe në marrëdhëniet me vendet e tjera. Ai e vlerësoi drejt rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar, si kusht i nevojshëm për të përballuar agresionin osman. Duke patur të qartë se rrezikut osman mund t’i bëhej ballë me sukses vetëm me forca të bashkuara, Skënderbeu iu drejtua pareshtur shteteve evropiane dhe kërkoi pjesëmarrjen e tyre në luftën kundër armikut të përbashkët, si dhe përkrahje materiale për luftën e popullit shqiptar.
Personaliteti i Skënderbeut si burrë shteti është i pandarë nga veprimtaria e tij si udhëheqës ushtarak i talentuar. Në kushtet e pabarazisë, Skënderbeu përpunoi strategjinë dhe taktikën e tij ushtarake, në bazë të së cilës qëndronte mendimi se fitorja nuk mund të varej nga numri i ushtarëve. Këtë parim, të ndjekur prej tij, e shprehin me vërtetësi edhe fjalët që Barleci ka vënë në gojë të Skënderbeut, se “kush nuk është në gjendje ta mundë armikun me një ushtri prej 8 deri 12 mijë vetash, nuk do të mund ta bënte këtë edhe me një ushtri shumë më të madhe”.
Në kushtet e epërsisë së theksuar të ushtrive osmane në luftëtarë e në armatime, Skënderbeu për t’i mposhtur ato i mbante në alarm të përhershëm, i shqetësonte me sulme të vogla e të papritura. U priste rrugët e furnizimit dhe, pasi i kishte futur në kurth, i godiste me sulme të fuqishme e të befasishme dhe i shkatërronte përfundimisht. Skënderbeu zbatoi një strategji të mbrojtjes aktive sipas parimit “mbrohu duke sulmuar”. Në betejat e ndryshme ai ndërthuri mjeshtërisht operacione të mëdha taktike-strategjike me tërheqje e sulme, me pusi e befasi të luftës guerile.
Personaliteti i Skënderbeut si burrë shteti, strateg e mjeshtër i artit ushtarak dallonte me mbretërit e me princët evropianë të kohës. Ndryshe nga veprimtaria ushtarake e tyre, që bazohej mbi trupat mercenare të armatosura rëndë, Skënderbeu u mbështet mbi një ushtri të armatosur lehtë, me lëvizshmëri të madhe e aftësi të lartë goditëse, të formuar kryesisht nga vullnetarë që kishin gatishmëri luftarake dhe shpirt vetëmohimi. Edhe ai vetë luftonte i pangarkuar me armatime të rënda e me krah të shpërvjelur si një ushtar i zakonshëm. Në betejë ai ishte, në të njëjtën kohë, komandant i talentuar dhe ushtar i guximshëm, që me shembullin e tij bëhej burim frymëzimi për luftëtarët shqiptarë. Edhe në jetën e përditshme Skënderbeu ishte i thjeshtë dhe kohën e kalonte kryesisht me bashkëluftëtarët e tij, duke bërë jetë ushtari.
Skënderbeu gëzonte dashurinë nga bashkëkombësit e vet, jo vetëm sa qe gjallë, por edhe pas vdekjes. Figura e tij mbeti e gjallë në ndërgjegjen e popullit shqiptar si kujtim i asaj lufte që habiti botën me fitoret e saj legjendare dhe u bë krenaria për një të kaluar, të cilën donin ta përsërisnin. Këngët që shqiptarët i thurën Skënderbeut, të cilat i këndonin me krenari edhe përpara pushtuesve, gojëdhënat e lidhura me vendet ku veproi e luftoi ai dhe me vise të tjera të banuara prej tyre, i dhanë atij tiparet e një luftëtari me forca vigane, të pajisur me trimëri të pashoqe, i cili i kalonte caqet e realitetit dhe merrte cilësitë e një figure që mishëronte aspiratat e një populli të tërë për liri e pavarësi.
Kujtimi i Skënderbeut jetoi jo vetëm në zemrën e popullit që e lindi. Ai pati një shtrirje që kalonte kufijtë e Gadishullit të Ballkanit, kishte një rëndësi evropiane. Skënderbeu i detyroi të gjitha kohërat të flisnin për të.
Figura e Skënderbeut ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e ushtarakëve, të burrave të shtetit e në përgjithësi të opinionit publik evropian, të cilët kanë kërkuar të nxirrnin mësime nga përvoja luftarake e shqiptarëve, sidomos kur vendet e tyre luftonin kundër pushtuesve të huaj. Këtu e ka burimin ajo literaturë e shumëllojtë dhe shumëgjuhëshe, që i është kushtuar figurës së këtij Heroi, në të katër anët e botës. Kur vërshimi osman qëndronte si një shpatë mbi Evropën Qendrore, kur në Gadishullin e Ballkanit shpërthyen lëvizjet për çlirimin kombëtar etj., historianët, shkrimtarët e poetët e përdornin figurën e Heroit shqiptar si flamur frymëzues për mobilizimin e popujve të tyre në luftë për liri. Dëshmi e përhershme e vlerësimit dhe e respektit të thellë që kanë popujt e tjerë për Skënderbeun, krahas botimeve të shumta për të, janë sheshet dhe rrugët e Romës, të Parisit, të Brukselit, të Gjenevës dhe të qyteteve të tjera të vendeve të ndryshme, ku janë vendosur monumente e buste të tij ose që mbajnë emrin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”.

Emisioni “Auditor Arsimi”

16 Janar, 2018 Njoftime, QSA

Më datë 13 janar 2018, në emisionin “Auditor Arsimi” të gazetares Edlira Birko, ishin të ftuar Akademik Marenglen Verli (Rektor i ASA-së), Akademik Beqir Meta (Drejtor i Institutit të Historisë), Prof. Dr. Valter Memisha (Drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë), Prof. Dr. Luan Përzhita (Drejtor i Institutit të Arkeologjisë). Një emision special kushtuar albanologjisë dhe problemeve të saj.

Rektori dhe studiues të ASA-së në emisionin “Debati në Channel One”

12 Janar, 2018 Njoftime, QSA

Me datë 11 janar 2017, në emisionin “Debati në Channel One” të gazetarit ROLAND QAFOKU, ishin te ftuar:
Akademik Marenglen Verli, Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, studiues pranë Institutit të Historisë, Prof. As. Dr. Edmond Malaj, studiues i Institutit të Historisë, Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, Ben Andoni, gazetar, studiues, Alma Mile, gazetare e gazetës “Panorama”, të cilët diskutuan rreth temës:
“KUSH ISHTE SKËNDERBEU”. Një emision special kushtuar Heroit tonë Kombëtar, në 550 vjetorin e vdekjes dhe vitit mbarëkombëtar të tij. Emisionin e plotë mund ta ndiqni në linkun më poshtë.

Emisioni “Debati në Channel One” 

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Z. Talat Xhaferi viziton Akademinë e Studimeve Albanologjike

20 Dhjetor, 2017 Njoftime, QSA

Në 20 dhjetor 2017 në Akademinë e Studimeve Albanologjike bëri një vizitë dhe zhvilloi një takim Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë Z. Talat Xhaferi.

Zoti Xhaferi dhe deputetët që e shoqëronin, pasi u njoh me disa ambjente pune dhe Muzeun e Arkeologjisë të ASA-së zhvilloi një bisedë me rektorin akad. prof. dr. Marenglen Verli dhe drejtorët e instituteve të ASA-së.

Në bisedë rektori paraqiti punën e institucionit, realizimet e vitit 2017, të prezantuara gjatë Ditëve të Albanologjisë, që u mbyllën më 19 dhjetor, si edhe planet dhe projektet që parashikohen të realizohen gjatë vitit 2018. Me ketë rast u vu theksi në bashkëpunimin e ASA-së me institucionet shkencore dhe arsimore në Maqedoni, vecanërisht me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore, Kulturore të Shqiptarëve, si dhe akordet gjatë vitit 2018 për organizimin e disa konferencave, si ajo kushtuar 550-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, konferenca kushtuar 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit etj.

U diskutua gjithashtu dhe për shumë veprimtari të tjera dhe për ngritjen e nivelit të lidhjeve të ndërsjellta, që i shërbejnë qoftë rritjes së institucioneve shkencore respektive, adhtu edhe afrimit të shqiptarëve, në Maqedoni, të njohjes së historisë dhe kulturës së tyre, qoftë të evidentimit të raporteve pozitive me fqinjët e tyre maqedonas në momente të ndryshme të historisë.

Seminari XII Përthyerje antropologjike

20 Dhjetor, 2017 Njoftime, QSA

Seminari XII Përthyerje antropologjike, u zhvillua në datë 19 dhjetor 2017 në ambientet e Bibliotekës Kombëtare. Ky seminar permanent organizohet nga Departamenti i Etnologjisë në IAKSA në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare. Tema e këtij seminari ishte “In memoria: Baron Franz Nopsca”.

Gjatë këtij takimi u shfaq dokumentari “Doda: jeta dhe aventurat e Baronit Franz Nopsca” me regji të Visar Vishkës, i cili u ndoq me interes nga antropologë, studiues, etnografë, studentë,  si dhe specialistë të fushës së albano-ballkanologjisë në Bibliotekën Kombëtare.

Pjesëmarrësit patën mundësinë të shohin nga afër edhe ditarët dhe dorëshkrimet e albanologut të famshëm hungarez, të cilët u ekspozuan nga fondi i dorëshkrimeve të Bibliotekës Kombëtare.

Ekspozita “Lindja”

20 Dhjetor, 2017 Njoftime, QSA

Në kuadër të veprimtarive të Ditëve të Albanologjisë, edicioni VIII, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, më 19 dhjetor 2017, paraqiti ndër të tjera edhe ekspozitën “Lindja”, me kuratore dr. Ermela Broci dhe konsulente shkencore prof. Afërdita Onuzi. Kjo ekspozitë kishte synim paraqitjen e Lindjes nëpërmjet objekteve etnografike.

Dekani i IAKSA-së, prof. as. dr. Nebi Bardhoshi, pasi përshëndeti të pranishmit, bëri një përmbledhje mbi rëndësinë e realizimit të ekspozitave të tilla, pasi në këtë mënyrë bëhet edhe hapja e materialit arkivor, duke u dhënë mundësi studiuesve dhe të apasionuarve të objekteve etnografike të njihen me kulturën tonë materiale.

Rektori i ASA-s, akademik. Marenglen Verli, falënderoi organizatorët e kësaj ekspozite dhe i inkurajoi që të realizojnë të tjera ekspozita, pasi fondet arkivore të IAKSA-së janë mjaft të pasura.

Më pas e mori fjalën kuratorja e ekspozitës dr. Ermela Broci, e cila bëri një prezantim të ekspozitës.

Që nga kohët më të hershme, lindja e një njeriu është shoqëruar me shumë ceremoni dhe ngjarje të rëndësishme për të siguruar një jetë të lumtur dhe të shëndetshme për foshnjën. Një vëmendje e veçantë i kushtohet veçanërisht ditëve dhe javëve të para pas lindjes, kur fëmija dhe nëna mbrojnë veten nga fuqitë e padëshiruara që mund të jenë të dëmshme. Ky shqetësim lidhet veçanërisht me periudhën prej 40 ditësh pas lindjes.

Në mjedisin popullor, Lindja si një ceremoni u shoqërua nga ngjarje familjare, si dhe nga shumë zakone interesante që u shpërndanë nëpër familje. Pas kësaj, ata u bënë pjesë e koleksioneve të shumta të fondit etnografik. Këto kryesisht kanë të bëjnë me rrobat e foshnjës, shparg, napalunga, kokore, shtroje dhe mbuloje djepi shpesh me zbukurime shumë të përpunuara, të cilat u bënë pjesë e kësaj ekspozite. Përveç këtyre u ekspozuan edhe tekstile të tjera që lidhen me lindjen e një fëmije. Këto janë kryesisht tekstilet e qëndisura që përdoreshin në qytete si Prizreni, Shkodra dhe Korça për të mbuluar foshnjën. Përveç tekstileve, lindja e një fëmije është dokumentuar edhe në pasuritë e tjera. Veçanërisht ata që i përkasin argjendarisë (amuleta). Këto janë kryesisht të përdorura për syrin e keq.

Në këtë ekspozitë, vend të veçantë zunë djepat e foshnjave, të cilat dallonin qytet-fshat nga teknikat e punimit.

Ekspozita Ciklet e jetës është një cikël ekspozitash që mendohet të zhvillohet në një periudhë disavjeçare me tematika si: martesa, vdekja etj.

Ekspozita qëndroi e hapur gjatë gjithë ditës dhe u ndoq me mjaft interes nga vizitorët.

Konferenca shkencore ndërkombëtare me temë: “Pasiguritë e Etnologjisë shqiptare”

20 Dhjetor, 2017 Njoftime, QSA

Në kuadër të veprimtarive të Ditëve të Albanologjisë, edicioni VIII, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, më 18 dhjetor 2017, organizoi konferencën V shkencore ndërkombëtare me temë: “Pasiguritë e Etnologjisë shqiptare”, organizuar nga Departamenti i Etnologjisë.

Përgjegjësi i Departamentit të Etnologjisë dr. Olsi Lelaj, prezantoi panelin,  përshëndeti të pranishmit dhe ia kaloi fjalën dekanit të IAKSA-së prof. as. dr. Nebi Bardhoshi.

Dekani i IAKSA-së, prof. as. dr. Nebi Bardhoshi, pasi përshëndeti të pranishmit, uroi Departamentin e Etnologjisë për organizimin e konferencës dhe foli për sfidat që hapen para studiuesve në këtë 70-vjetor të krijimit të Sektorit të Etnografisë.

Në këtë seancë ishte i ftuar prof. Paolo Chiozzi, profesor në universitetin e Firences në Itali, i cili u paraqit para pjesëmarrësve me leksionin përshëndetës Pasiguria si parim epistemologjik në antropologjinë e modernitetit.

Konferenca u organizua në pesë panele kryesore  me referuesit përkatës:

Paneli I: Shfaqje të pasigurisë- identiteti, me drejtuese dr. Armanda Hysa dhe me referues: dr. Lumnije Kadriu, Instituti Albanologjik i Prishtinës; dr. Ermela Broci, IAKSA; dr. Linda Gusia, Universiteti i Prishtinës; dr. Ervin Kaçiu, Albanian University

Paneli II: Natyra, kultura dhe pasiguria, me drejtues Blerina Hankollari dhe me referues:

  1. Shemsi Krasniqi, Universiteti i Prishtinës; dr. Aleksandër Trajçe, Universiteti i Roehamptonit

Paneli III: Dija etnologjike, edukimi dhe pasiguria, me drejtuese dr. Lumnije Kadriu dhe me referues: dr. Armanda Hysa, IAKSA; Zanita Halimi, Universiteti i Prishtinës; dr. Alfred Halilaj, Universiteti i Durrësit

Paneli IV: (Pa) Siguritë e metodës, me drejtues dr. Olsi Lelaj dhe me referues: dr. Arsim Canolli, Universiteti i Prishtinës; dr. Tahir Latifi, Universiteti i Prishtinës

Paneli V: E tashmja dhe e ardhmja e etnologjisë në Kosovë dhe Shqipëri me drejtues dr. Arsim Canolli dhe me referues: dr. Bashkim Lajçi, Instituti Albanologjik i Prishtinës; prof.as.dr. Nebi Bardhoshi, IAKSA; Blerina Hankollari, IAKSA; dr. Olsi Lelaj, IAKSA.

Kjo konferencë u ndoq nga studiuesit me shumë interes, pasi temat rroknin një tërësi problemesh me të cilat përballet etnologjia shqiptare sot.

Konferenca u mbyll me fjalën e dekanit të IAKSA-së, prof. as. dr. Nebi Bardhoshi, i cili theksoi rëndësinë e zhvillimit të saj dhe falënderoi pjesëmarrësit për kumtesat e tyre.

 

 

Konferenca shkencore me temë: “Organizata Xhemijeti dhe rezistenca e saj kundër kolonizimit”

20 Dhjetor, 2017 Njoftime, QSA

Në konferencën shkencore me temë: “Organizata Xhemijeti dhe rezistenca e saj kundër kolonizimit”, organizuar më datë 17 dhjetor 2017 nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup dhe Shtëpia Botuese “Logos-A” – Shkup morën pjesë Akad. Prof. Dr. Marenglen Verli (Rektor i ASA-së) dhe Akad. Prof. Dr. Beqir Meta (Drejtotor i Institutit të Historisë). Akad. Prof. Dr. Marenglen Verli prezantoi kumtesën me temë “Profili i Ferhat Dragës në dokumentacionin shqiptar dhe serb”,  kurse në fund Akad. Prof. Dr. Beqir Meta mbajti fjalën e mbylljes së konferencës.

Në përfundim të konferencës, rektori i ASA-së, drejtori i Institutit të Historisë, së bashku me drejtorin e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve ranë dakort për veprimtaritë e përbashkëta që do të realizohen gjatë vitit 2018.

Presidenti Ilir Meta viziton Akademinë e Studimeve Albanologjike

19 Dhjetor, 2017 Njoftime, QSA

Në kuadër të përmbylljes së veprimtarive të Edicionit VIII “Ditët e Albanologjisë”, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vizitoi sot Akademinë e Studimeve Albanologjike, ku u prit nga Rektori Akad. Prof. Dr. Marenglen Verli dhe studiues të Akademisë.

Pasi vizitoi disa nga ambientet e ASA-së, në bashkëbisedimin me drejtuesit dhe anëtarët e Akademisë, Presidenti Meta u njoh nga afër me veprimtarinë e katër instituteve e përkatësisht të Institutit të Arkeologjisë, Institutit  të Historisë, Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë dhe të Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit. Gjatë kësaj bisede të shkurtër u përmendën projektet e realizuara gjatë vitit 2017, rreth 50 tituj të botuar, konferencat e shumta shkencore brenda dhe jashtë vendit, , fillimi i punës për rivitalizimin e Muzeut Arkeologjik, puna për pasurimin e Bibliotekës Albanologjike, puna për digjitalizimin e saj dhe arkivave, si dhe për intensifikimin e bashkëpunimit me studiues të huaj e veçanërisht me studiuesit e Kosovës, Maqedonisë etj, për realizimin e projekteve të përbashkëta me ta dhe planifikimi i punëve të përbashkëta për vitin 2018, ndër të cilat realizimin e një konference ndërkombëtare me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut dhe botimin e një kolane prej 15 vëllimesh, monografike dhe dokumentare që lidhen me Heroin tonë Kombëtar dhe zhvillimet politike, ushtarake, ekonomike, sociale, etnike etj, të shekullit të XV. Gjithashtu u diskutua  për rëndësinë e botimit të një enciklopedie shqiptare shumë vëllimshme, të ngritjes së një Muzeu Etnografik, të ripasurimit të Arkivave me dokumente perëndimore etj, për nevojën e një mbështetje më të fuqishme për studiuesit e shkencave albanologjike si dhe probleme të tjera specifike që lidhen me to.

Më pas fjalën e mori Presidenti Meta i cili ndër të tjera theksoi: “Jam shumë krenar që ndodhem sot këtu për të bërë homazh veprave dhe studimeve të palodhura të paraardhësve tuaj, shqiptarë dhe të huaj, të cilët hodhën themelet e shkencës së Albanologjisë, duke e bërë atë të njohur edhe në arenën botërore. Kjo është një shkencë që kërkon jo vetëm përgjegjësi dhe përgatitje profesionale, por mbi të gjitha dashuri për atdheun dhe kombin tonë. Albanologjia ka rol thelbësor e të jashtëzakonshëm në lindjen, formimin e konsolidimin e shtetit dhe kombit shqiptar”.

Presidenti i Republikës vuri në dukje rëndësinë e jashtëzakonshme që ka përparimi i mëtejshëm i albanologjisë dhe studimeve e botimeve që lidhen me të për evidentimin e historisë dhe tipareve të veçanta të kombit shqiptar, si një komb evropian me rrënjë të lashta dhe kontribute të vyera.

“Viti që vjen është një vit i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët, pasi i kushtohet 550-Vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar. Evidentimi i figurës përbashkuese të Gjergj Kastriot Skëndërbeut nëpërmjet veprimtarive brenda dhe jashtë Shqipërisë duhet të vendosë në krye Akademinë e Studimeve Albanologjike, për të evidentuar itinerarin evropian, diplomatik, historik, gjeografik dhe kontributin e tij unik e të pazëvendësueshëm”, – theksoi Presidenti Meta.

NJË 80-VJETOR I AKADEMIZMIT ALBANOLOGJIK NË SHQIPËRI

19 Dhjetor, 2017 Njoftime, QSA

Në përmbyllje të Ditëve të Albanologjisë, të organizuara nga Akademia e Studimeve Albanologjike (ASA), prof. dr. Aurel Plasari i ASA mbajti sot në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, salla “Aleks Buda”, ligjëratën “Një 80-vjetor i akademizmit albanologjik në Shqipëri”.

Në ligjëratën e tij ligjëruesi përkujtoi themelimin, 80 vjet më parë, të Akademisë Albanologjike Saveriane, ngjarje historike e lënë, pothuajse, në t’errët. Çështjet kryesore që ai trajtoi kishin të bënin me bazën kulturore mbi të cilën kjo Akademi u ngrit, me organizimin e saj, me arritjet e saj dhe, më në fund, edhe me shkrirjen e saj në vitin 1939. Ligjëruesi theksoi faktin që, sikurse vetë aktet themeluese të Akademisë Albanologjike Saveriane e dëshmojnë, ajo ishte produkt i strukture organizative të shoqërisë civile të kohës, i shoqatës “L.E.K.A”, njëherësh intelektuale dhe atdhetare. Figura të shquara të albanologjisë së kohës, si Ndre Mjeda dhe dishepujt e tij Valentini dhe Zamputi, por edhe Kolë Kamsi, Ilo-Mitkë Qafëzezi, Lumo Skendo, Lukë Karafili (Bardhyli) etj. zunë në ligjëratën e tij vend të veçantë. Interes paraqitën për auditorin aktet dokumentarë të kësaj Akademie: Statuti i saj, bilanci i punëve të saj akademike, si dhe regjistrimi i pasurive të saj: muzeu me koleksionet arkeologjike, artistike dhe numizmatike; biblioteka albanologjike; arkivi me koleksionet dorëshkrimore, fotografike etj., të shtetëzuara, ndoshta pjesërisht edhe të shpërdoruara, mbas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Ligjërata u ndoq nga akademikë, kërkues të Akademisë së Studimeve Albanologjike, punonjës të shkencës e të kulturës, politikanë, si dhe gazetarë të kulturës në media.

Konferenca shkencore “Drita e arkivave, dritë mbi arkivat”

18 Dhjetor, 2017 Njoftime

Më dt. 15 dhjetor 2017, prof. as. dr. Evalda Paci mori pjesë në konferencën shkencore “Drita e arkivave, dritë mbi arkivat”, organizuar nga revista Shêjzat, në bashkëpunim me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës. Në këtë konferencë prof. as. dr. Evalda Paci u paraqit me kumtesën me temë “Trashëgimia arkivore françeskane, një vlerë e paçmuar në arsenalin e dijes shqiptare”.

Tryeza e rrumbullakët “Variacioni sintaksor në të folmet e shqipes: tipare dhe treva”

15 Dhjetor, 2017 Njoftime, QSA

Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë organizoi tryezën e rrumbullakët “Variacioni sintaksor në të folmet e shqipes: tipare dhe treva”. Kjo tryezë shkencore u mbajt si një hap vijues mbas konferencës së vitit të kaluar “Variacioni sintaksor në të folmet dhe dialektet e shqipes” në rrugën drejt përgatitjes për projektin e një Atlasi të Sintaksës Dialektore të Shqipes. Tryeza i zhvilloi punimet në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave më 13 dhjetor 2017, nga ora 10 deri në ora 16. Kjo tryezë ishte konceptuar në formën e kumtesave dhe diskutimeve të përgatitura për tiparet, trevat dhe metodat e hulumtimit për hartimin e një Atlasi të Sintaksës Dialektore të Shqipes.

Tryeza u hap me kumtesën “Metodat e hulumtimit për rastin e shqipes” nga Enkelejda Kapia, Akademia e Studimeve Albanologjike. Autorja u përqendrua në çështje të metodologjisë shkencore për mbledhjen e të dhënave gjuhësore dhe hartimin e një Atlasi të Sintaksës Dialektore të Shqipes. Autorja propozoi edhe disa metoda të reja që mund të përdoreshin për këtë qëllim, duke shprehur mendimin se në varësi të tiparit sintaksor të hetuar, do të përzgjidhej edhe metoda e hulumtimit.

Marjo van Koppen, Universiteti i Utrehtit, mbajti referatin “Methodological considerations in the Syntax Dialect Project in Netherlands”. Në referatin e saj profesoresha trajtoi punën kërkimore që u krye për hartimin e një Atlasi të Sintaksës Dialektore në Holandë. Autorja foli në mënyrë konkrete për metodat e reja të zbatuara, literaturën shkencore dhe hapat që u ndoqën nga fillimi deri në përfundimin me sukses të këtij projekti. Ndihmues ishte diskutimi i saj në lidhje me përparësitë dhe vështirësitë që dalin gjatë zbatimit të secilës prej metodave. Ajo u shpreh e gatshme të jepte ndihmën e saj për hartimin e një atlasi të tillë edhe për gjuhën shqipe. Së fundi, në rolin e zëvendësdrejtueses së projektit Edisyn për sintaksën e dialekteve evropiane, profesoresha shprehu dëshirën dhe ftesën që gjuha shqipe të përfaqësohej në rrjetin e sintaksës së dialekteve evropiane.

Maria S. Morozova, Alexander Yu. Rusakov, Andrey S. Sobolev, Universiteti i Shën Peterburgut, mbajtën kumtesën “Reccomendations regarding the future ‘Atlas of Albanian Dialect Syntax'”. Autorët folën për rrjetin e pikave përfaqësuese të Atlasit të Sintaksës Dialektore të Shqipes dhe kishin përgatitur disa rekomandime për pikat referuese, për metodologjinë, për natyrën dhe numrin e informantëve që nevojiteshin për një punë të tillë, si dhe sugjeruan një sërë tiparesh sintaksore që mund të hulumtoheshin për qëllimet e Atlasit. Ata u shprehën të gatshëm që institucioni i tyre në Rusi të bashkëpunonte për këtë projekt me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Akademinë e Studimeve Albanologjike.

Elvira Glaser, Universiteti i Zyrihut, do të vijonte me kumtesën “Përvoja e Atlasit sintaksor të të folmeve të gjermanishte të Zvicrës”, por nuk u arrit të realizohej lidhja me Skype. Profesoresha do ta mbajë fjalën e saj në një seminar të afërt në janar 2018 që do të organizojë Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Akademisë së Studimeve Albanologjike.

Punimet e tryezës vazhduan me kumtesën “Mendime për tiparet sintaksore” nga Seit Mansaku. Profesori vlerësoi rëndësinë e një Atlasi të Sintaksës Dialektore të Shqipes si një vepër me peshë. Ai bëri disa sugjerime për pikat e Atlasit dhe diskutoi konkretisht për tiparet sintaksore dialektore që mund të përfshihen në të, duke ofruar edhe disa mendime shkencore ndihmuese në këtë drejtim.

Mehmet Çeliku mbajti kumtesën “Mendime rreth krijimit të një korpusi të materialit sintaksor dialektor të shqipes: tipare të përbashkëta dhe variacione”. Profesori trajtoi çështje të dallimit dhe përndarjes së tipareve sintaksore. Ai bëri sugjerime konkrete duke iu referuar përvojës së vet shumëvjeçare si dialektolog. Më tej ai foli për kriteret shkencore që lypet të zbatohen në përzgjedhjen e informantëve, metodologjinë e punës, pikat e referimit të Atlasit, fazat konkrete dhe baza materiale dhe njerëzore që nevojiten për realizimin e një projekti të tillë. Profesori e vlerësoi projektin si një vepër madhore me vlerë historike për ruajtjen gjuhës si pasuri kombëtare, dhe si e tillë, ajo duhet të kishte të gjithë mbështetjen e nevojshme të institucioneve përkatëse dhe të qeverisë shqiptare.

Anila Çepani & Adelina Çerpja, Universiteti i Tiranës & Akademia e Studimeve Albanologjike, mbajtën kumtesën “E folmja e diasporës së moçme shqiptare në Greqi: tipare sintaksore dhe treva”. Autoret folën për rëndësinë dhe mundësitë e përfaqësimit të arbërishtes së diasporës shqiptare në Greqi. Vëmendje iu kushtua nxjerrjes në pah të disa tipareve sintaksore të veçanta të kësaj të folmeje.

Kumtesa “Mendime për tiparet sintaksore” e profesor Remzi Përnaskës u lexua nga Tomor Plangarica, Akademia e Studimeve Albanologjike. Profesor Përnaska ofroi mendime me vlerë për rëndësinë e përzgjedhjes së kujdesshme të informantëve, duke vijuar me analizën dhe sugjerimet për disa tipare sintaksore me tipar dialektor që nevojitet të hulumtohen për nevojat e Atlasit.

Asllan Hamiti, Ajten Hajdari, Ismet Osmani, Berton Sulejmani & Izmit Durmishi, Universiteti i Shkupit & Universiteti i Tetovës, mbajtën kumtesën “Mendime për trevat dialektore shqipfolëse në Maqedoni”. Autorët e vlerësuan rëndësinë e Atlasit Dialektor të Sintaksës së Shqipes si një hap i rëndësishëm në gjeografinë gjuhësore të shqipes dhe rolin e madh të tij në ruajtjen e pasurisë së gjuhës shqipe. Në vijim, nëpërmjet një studimi të plotë dhe të detajuar, ata dhanë pikëpamjet e tyre rreth pikave dialektore që duhet të përfaqësojnë shqipen e folur në Maqedoni në Atlas. Në fund, studiuesit ofruan bashkëpunimin e institucionit të tyre.

Mimoza Karagjozi, Universiteti i Tiranës, mbajti kumtesën “Disa tipare sintaksore të së folmes së Gjirokastrës dhe mendime mbi vendin e së folmes së Gjirokastrës në trevat e toskërishtes jugore”. Autorja, pasi bëri një analizë të disa tipareve sintaksore dialektore të të folmes së Gjirokastrës, shprehu mendimin se kjo e folme ka më shumë ngjashmëri me çamërishten sesa me labërishten. Ajo sugjeroi një mënyrë më të saktë të përfaqësimit të kësaj të folmeje në Atlas.

Tomor Plangarica, Akademia e Studimeve Albanologjike, mbajti kumtesën “Mbi disa tipare morfo-sintaksore të pranishme edhe në të folmen e Elbasanit dhe disa aspekte të metodologjisë në vjelje e shqyrtim”. Autori e vuri theksin në qasjen ndërdisiplinore ndaj një projekti në lidhje me variacionin sintaksor në të folmet e shqipes, duke e parë Atlasin e Sintaksës Dialektore të Shqipes në një qasje më të gjerë, si pjesë e një projekti më të madh, i cili synon mbledhjen e pasurisë gjuhësore të shqipes, me qëllim që të shërbejë për studime në fusha të ndryshme të shkencës, dhe jo ngushtësisht për Atlasin. Profesori ofroi një sërë mendimesh me vlerë për rëndësinë dhe domosdoshmërinë e një qasjeje të tillë. Në vijim, ai foli për disa aspekte të metodologjisë në vjelje e shqyrtim.

Gjovalin Shkurtaj mbajti kumtesën “Mendime për trevat e gegërishtes veriperëndimore”. Si dialektolog me përvojë të gjatë në këtë fushë kërkimore dhe bashkautor i Atlasit Dialektologjik të Shqipes (2007, 2008), akademiku dhe profesori Shkurtaj ofroi përvojën e tij dhe dha mendime e orientime me vlerë në lidhje me informantët, metodologjinë, disa tipare sintaksore të të folmeve të malësorëve të Mbishkodrës si dhe për trevat e gegërishtes perëndimore që duhen të pasqyrohen në Atlasin e Sintaksës Dialektore të Shqipes.

Rami Memushaj diskutoi rreth metodologjisë kërkimore më të përshtatshme për përgatitjen e Atlasit të Sintaksës Dialektore të Shqipes dhe trevat e tij, veçanërisht në zonën e Labërisë. Si profesor me përvojë të gjatë në studimet fonetiko-gramatikore të shqipes dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Institutit të Gjuhësisë, ai ofroi ndihmën dhe bashkëpunimin e tij për këtë projekt.

“Puna për hartimin e një Atlasi të Sintaksës Dialektore të Shqipes: arritje dhe probleme” ishte në fokus të diskutimit të Anila Kananaj, Akademia e Studimeve Albanologjike. Autorja bëri një parashtrim të punës së bërë në vitin 2017 nga punonjësit shkencorë të Institutit të Gjuhësisë për identifikimin, përgjithësimin dhe kategorizimin e tipareve sintaksore dialektore në trevat e Shqipërisë. Kjo punë u finalizua me një listë prej afërsisht 60 tiparesh sintaksore, të ilustruara me shembuj konkretë të përdorimit të tyre në trevat përkatëse, e cila iu dërgua paraprakisht studiuesve dhe pjesëmarrësve të interesuar nga organizatoret e tryezës, prof. dr. Anila Omari, prof. as. dr. Enkelejda Kapia & prof. as. dr. Adelina Çerpja. Në vijim, Kananaj diskutoi rreth disa problemeve me karakter teorik dhe disa vështirësi specifike për shqipen, që janë ndeshur në punën kërkimore në fushë të sintaksës dhe ka gjasë të ndeshen gjatë realizimit të Atlasit.

Merita Bruci, Akademia e Studimeve Albanologjike, diskutoi rreth rëndësisë së një projekti për mbledhjen e pasurisë dialektore të shqipes, duke shprehur dëshirën që projektit t’i jepej një frymëmarrje më e gjerë dhe qasje ndërdisiplinore. Studiuesja ndau përvojën e saj në lidhje për kërkimet dialektore për shqipen e arbëreshëve të Italisë dhe vuri në dukje disa mundësi dhe rrugë konkrete të vijimit të punës për realizimin e një Atlasi të Sintaksës Dialektore të Shqipes.

Artan Xhaferaj, Universiteti i Vlorës, kishte përgatitur një diskutim në lidhje me tiparet e Atlasit të Sintaksës Dialektore të shqipes. Autori foli konkretisht për disa tipare sintaksore që kishte vënë re në të folmen e Vlorës, të cilat mund të merreshin parasysh për Atlasin.

Rafaela Marteta, Akademia e Studimeve Albanologjike, ofroi diskutime dhe reflektime me vlerë për përgatitjen e Atlasit të Sintaksës Dialektore të Shqipes, duke vënë në pah përdorimin e metodave bashkëkohore që ofrojnë qasjen e duhur teorike dhe praktike për një punë të tillë.

Tryeza shkencore zgjoi interes të gjerë, çka u tregua në pjesëmarrjen dhe diskutimet e gjalla që e shoqëruan aktivitetin.

Punimet e tryezës i mbylli drejtori i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, prof. dr. Valter Memisha, i cili vlerësoi edhe një herë rëndësinë e aktivitetit dhe përgëzoi të pranishmit për kontributin e tyre me kumtesa ose dhe diskutime.

KONFERENCA SHKENCORE “LETËRSIA SHQIPE MES QËLLIMORES DHE ESTETIKES”

15 Dhjetor, 2017 Njoftime

Departamenti i Studimeve letrare, pranë Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, me dt. 13 Dhjetor 2017, zhvilloi në sallën e Librit Akademik, pranë Akademisë së Shkencave, Konferencën shkencore “Letërsia shqipe mes qëllimores dhe estetikes”.

Drejtuan Konferencën prof. dr. Laura Smaqi, prof. as. dr. Spiro Gjoni.

Evalda Paci mbajti kumtesën “Letërsia e vjetër shqipe si objekt vëzhgimesh ndërdisiplinore: vlera e veçanti shkrimtarie ndër autorë dhe vepra”. Klara Kodra mbajti kumtesën “Noli, poeti i problematikës politike dhe mjeshtër i formës”. Më pas, Laura Smaqi mbajti kumtesën “Mes misionarit dhe stilistit (Ndoc Nikaj dhe Ernest Koliqi )”. Lili Sula dhe Jorina Kryeziu u paraqitën me kumtesën “Kadare në arealin anglofon”. Spiro Gjoni mbajti kumtesën “Qëllimore, estetike apo artistike?!”, ndërsa Shaban Sinani kumtesën “Letra apo letërsi: Rreth një letërkëmbimi intim të D. Agollit në vitet ’60”. Virion Graçi u paraqit me kumtesën “Shkrimi artistik dhe diskursi teorizues në romanin bashkëkohor shqiptar”. Kumtesa e fundit “Poezia shqiptare nga viti 1945 drejt viteve ’70, midis detyrës dhe përgjegjësisë për ndryshime estetike” u mbajt nga Arian Leka.

Konferenca Letërsia shqipe mes qëllimores dhe estetikes, synoi të verë në dukje dy aspekte të procesit letrar shqiptar, të cilat janë zhvilluar herë veçmas, herë paralelisht dhe shpesh në të njëjtën kohë dhe brenda krijimtarisë së të njëjtit autor. Krijimtaria e shkruar me synime të dukshme kombëtare, patriotike, ideologjike, ku aspekti estetik konsiderohet dytësor, u trajtua në punimet e kësaj konference bashkë me vepra të cilat dëshmojnë realizime të vyera në aspektet e përpunimit të gjuhës poetike, ku çdo qëllim i nënshtrohet “rregullave” të botës artistike.

Prezantimi i botimeve të bëra gjatë vitit 2017

15 Dhjetor, 2017 Njoftime

Në kuadrin e veprimtarive të përvitshme të Ditëve të Albanologjisë, në edicionin e 8-të të tyre, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, më 12 dhjetor 2017, bëri promovimin e botimeve të tij të realizuara gjatë vitit 2017.

Fjalën e hapjes e mbajti prof. dr. Valter Memisha, drejtor i Instituti të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, i cili, ndër të tjera, falënderoi autorët e librave që u paraqitën (16 tituj), pjesëmarrësit në këtë veprimtari, drejtorinë e Akademisë së Studimeve Albanologjike për mbështetjen e dhënë, si dhe stafin e Institutit.

Revista “Studime filologjike”, 1-2, 2016, u paraqit nga prof. dr. Anila Omari, sekretare shkencore e kësaj reviste. Prof. Anila Omari bëri një paraqitje të numrit të fundit të revistës “Studime filologjike”, duke u ndalur shkurtimisht në përmbajtjen dhe vlerat shkencore të secilit prej artikujve e recensioneve të përfshirë në këtë numër. Si edhe herë të tjera, peshën kryesore të revistës e mbajnë punonjësit shkencorë të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë, si edhe ish-punonjësit shkencorë tashmë në pension, por mjaft aktivë në punën shkencore. Revista si gjithmonë ka qenë e hapur edhe për bashkëpunëtorë të jashtëm dhe në këtë numër janë botuar edhe kontribute të disa kërkuesve shkencorë jashtë Institutit. Revista “Studime filologjike” vijon të mbetet një tribunë shkencore prestigjioze për studimet gjuhësore e letrare në fushë të shqipes.

Më pas e mori fjalën prof. dr. Valter Memisha, i cili paraqiti dy veprat e akad. prof. dr. Jani Thomai, përkatësisht: Leksikologji – Fjala dhe leksiku, vëllimi I dhe Frazeologjia gjuhësore, vëllimi II, të cilat janë 2 nga 5 vëllimet që IGJL-ja ka miratuar për botim nga veprimtaria shkencore botuese, kumtuese apo referuese të akademikut në një periudhë mbi 50-vjeçare. Botimi mëton të sjellë në dorën e lexuesit shkencor libra pune për studiuesit e më gjerë.

Prof. dr. Rami Memushaj paraqiti librin Studime gramatikore (përmbledhje artikujsh), e prof. dr. Ludmila Buxheli. Përmbledhja “Studime gramatikore” përmban 34 shkrime – artikuj studimorë, vlerësime të ndihmesave të një vargu gjuhëtarësh e recensione – të botuara organe shkencore dhe në përmbledhje. Ndër artikujt, një pjesë u kushtohen çështjeve të fjalëformimit dhe të vendit të tij në gramatikë; pjesa tjetër u kushtohen çështjeve të sintaksës së shqipes, të para nga këndvështrimi i gramatikës gjenerative. Veç këtyre, janë edhe një numër artikujsh për ndihmesa të gjuhëtarëve tanë.

Kurse nga prof. dr. Seit Mansaku u paraqit vepra Leksiku i veprës së Pjetër Bogdanit, hartuar e prof. dr. Anila Omari. Prof. Seit Mansaku theksoi se kemi të bëjmë me një vepër serioze, të hartuar me kritere të mirëfillta shkencore, që është pa dyshim një kontribut i mëtejshëm i autores në fushën e studimeve gjuhësore e filologjike për shqipen, rezultat i njohjes së mirë të teorive dhe praktikave të vjetra dhe të reja të realizimit të studimeve filologjike me metoda e teknika moderne. Punimi përmban kontribute dhe dobi për historinë e gjuhës, për leksikografinë historike, për etimologjinë dhe tekstologjinë. Niveli shkencor i veprës dëshmon se është punuar me pason, me njohje të mirë të lëndës që bëhet objekt studimi dhe i bazave teorike mbi të cilat është realizuar. Botimi i leksikut të plotë të një autori të teksteve të vjetra shqipe si Pjetër Bogdani, me një vepër të gjerë e me tematikë të larmishme si Çeta e profetënve (1685), është pa dyshim një ndërmarrje e vështirë dhe e rëndësishme si për të njohur, kuptuar dhe vlerësuar siç e meriton veprën dhe autorin e saj, ashtu edhe për të hedhur një hap të madh përpara për përgatitjen e një fjalori të autorëve të vjetër dhe më gjerë për hartimin e një fjalori historik të gjuhës shqipe.

 

Më pas, prof. as. dr. Spiro Gjoni paraqiti librin Kaleidoskop (përmbledhje artikujsh), të prof. dr. Laura Smaqi. Profesor Gjoni u shpreh se në këtë përmbledhje janë përzgjedhur artikuj dhe kumtesa në formë të zgjeruar, të shkruar vitet e fundit, të cilët bëjnë objekt rishqyrtime të traditës studimore mbi autorë ose periudha; vështrime të karakterit historik mbi rolin e ndërsjellë të tekstit (krijimtarisë letrare) dhe kontekstit; krijimtarinë e botuar nëpër periodikë; vepra, autorë dhe periudha që prej fundit të shek. XIX deri në krijimet bashkëkohore. Një nga qasjet e studimeve lidhet me sintetizimin e dukurive pamore, vizuale, me artin e fjalës. Kjo prirje për t’i “sinkretizuar” të dyja këto rrafshe, i ka dhënë dhe titullin përmbledhjes. Kaleidoskopi, si instrument optik, por edhe si topos letrar, shfaqet jo vetëm si mundësi e pafund e kombinimit të një numri të kufizuar elementesh, por dhe si vendi ku një tërësi e pafund imazhesh (interpretimesh) janë të mundura përmes një mundësie po aq të madhe këndvështrimesh (lëvizjesh qoftë dhe minimale të aparatit).

Libri i radhës që u paraqit nga akad. prof. dr. Jani Thomai, ishte Fjalor i Ujemujës, hartuar nga prof. dr. Hajri Shehu. Ai theksoi se Autori i “Fjalorit” është një leksikolog e leksikograf i njohur, me përvojë të pasur si bashkautor në hartimin e fjalorëve kombëtarë, me formim të plotë edhe në teorinë leksikografike dhe me seriozitetin shkencor të nevojshëm për një gjuhëtar të mirëfilltë. Akademiku Thomai theksoi se “Fjalori” është hartuar sipas kritereve leksikografike bashkëkohore në të gjitha elementet e tij. Ky fjalor do të pasurojë bibliografinë leksikografike shqiptare dhe me vlerat shkencore e praktike që ka, do të renditet në radhët e para të fjalorëve të këtij tipi.

Më pas prof. dr. Valter Memisha paraqiti Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe, hartuar nga akad. prof. dr. Kolec Topalli. Vepra është fjalori i parë etimologjik i hartuar nga një albanolog shqiptar. Ai është gjithashtu dhe një fjalor morfologjik (fjalëformues) për  një numër të konsiderueshëm fjalësh.

Libri i radhës që u paraqit nga prof. dr. Enkeleida Kapia ishte Studime për fjalën shqipe, 3 (përmbledhje artikujsh), e prof. dr. Valter Memisha. Prof. E. Kapia theksoi se ky vëllim është në vazhdim të botimeve të autorit të përmbledhjeve me artikuj e studime. Vëllimi sjell ndihmesat shkencore të tre vjetëve të fundit. Përmbledhja Studime për fjalën shqipe, 3, pasuron jo vetëm komponentin botues të studiuesit Valter Memisha, por sjell ndihmesë shkencore në botimet gjuhësore shqiptare. Vëllimi përfshin artikuj dhe studime që lidhen me shqipen standarde, me fjalorë të ndryshëm, me ndihmesën e personaliteteve të shquara në studimet gjuhësore shqiptare etj.

Më pas ishte Pandi Koçi që paraqiti Faik Ballanca: Paradigmat e një krijimi, monografi e hartuar nga prof. as. dr. Spiro Gjoni. Kjo monografi  ve në qendër një prozator mjaft origjinal, i cili ra në sy e u vlerësua që në kohën kur shkroi, por që për një varg arsyesh, një pjesë e të cilave lidhen dhe me aktin e tij të ndarjes nga jeta, nuk pati vëmendjen e merituar në studimet shkencore të kohës. Përgjithësisht është shkruar mbi të në organe letrare, jo në studimore. Për këtë arsye realizimi i një monografie që trajton në tërësi gjithë krijimtarinë e Ballancës, jep ndihmesë për të mbushur boshllëkun e pajustifikuar në studimet tona mbi këtë autor.

Prof. as. dr. Adelina Çerpja paraqiti përmbledhjen me artikuj Studime mbi tekstet e vjetra shqipe të prof. as. dr. Evalda Paci. Në këtë përmbledhje janë të pasqyruara një sërë sprovash dhe trajtesash të lidhura me një tematikë të caktuar dhe unike, siç është perspektiva e studimit të shkrimeve të vjetra shqipe, të para në këndvështrimin e vëzhgimit tekstologjik, por dhe të reflektimit në një traditë gjurmimesh që rreh nga historia e letërsisë së shkruar shqipe dhe ajo e shkrimit shqip. Realizimi i këtij botimi nga kolegia Evalda Paci vjen pas përpunimit të disa linjave që kryesisht lidhen me çështje të studimit të veprave të letërsisë së vjetër shqipe dhe të konsiderimit të një perspektive kryesisht tekstologjike të hulumtimit të tyre.

Libri i radhës që u paraqit nga prof. as. dr. Evalda Paci ishte Hasan Zyko Kamberi. Botim tekstual, përgatitur nga prof. as. dr. Genciana Abazi-Egro. Botimi tekstual e kritik, në fjalë,  është përpiluar në optikën e një pune të mirëfilltë filologjike, të shtjelluar e të ndjekur nga autorja Genciana Abazi-Egro në të gjithë hapat e domosdoshëm që kërkon një ecuri e tillë. Vjen ky botim në vazhdën e punimeve dhe gjurmimeve të mëparshme të autores, një studiuese që i është kushtuar për vite me radhë një fushe specifike në kontekstin e historisë së letërsisë sonë, letërsisë së bejtexhinjve. Ky botim plotëson një mozaik punimesh me karakter filologjik e kritik që janë realizuar vitet e fundit si në fushë të studimit të letërsisë së vjetër shqipe, ashtu dhenë atë të bejtexhinjve.

Më pas, prof. dr. Agon Duro paraqiti librin Formimi i terminologjive teknike shqipe mbi bazën e leksikut të përgjithshëm, të dr. Gani Pllana. Vepra monografike e paraqitur ka vlera të mirëfillta praktike, por edhe teorike, meqë përmes saj mëtohet të pasurohet teoria me të dhëna të reja, kurse ana praktike lidhet me zbatimin e parimeve dhe metodave terminologjike në punën terminologjike, sidomos në praktikën e hartimit të fjalorëve terminologjikë. Monografia u shërben studentëve universitarë dhe pasuniversitarë, studiuesve që merren me probleme të terminologjisë dhe të gjithë të interesuarve për problemet e terminologjisë.

Libri i radhës që u paraqit nga prof. dr. Anila Omari ishte Sistemi foljor i shqipes në veprën e Pjetër Bogdanit, e prof. as. dr. Hava Qyqalla (vepër e botuar pas vdekjes). Monografia përbën një kontribut në studimin e gjuhës shqipe të shekullit XVII, në një rrafsh të rëndësishëm të strukturës së saj gramatikore, siç është sistemi foljor. Autorja ka dhënë një pasqyrë të saktë të sistemit foljor në tekstin e Bogdanit, duke përshkruar dhe analizuar format foljore dhe funksionet e tyre siç dalin në përdorimin gjuhësor të veprës “Cuneus Prophetarum”.

Më pas prof. dr. Laura Smaqi paraqiti përmbledhjen Studime letrare në proces: teza, projekte, ide dhe rezultate, II (Akte të Konferencës “Studime letrare”). Ajo theksoi se në këtë përmbledhje janë botuar 20 artikuj, në të cilat është i ndjeshëm thellimi dhe zgjerimi i kumtesave të mbajtura në konferencë. Të gjitha periudhat e rëndësishme përfaqësohen në botim përmes studimeve mbi autorë apo çështje. Letërsia e vjetër shqipe, ajo e Rilindjes kombëtare, letërsia e periudhës mes 2 Luftërave Botërore, Letërsia e gjysmës së dytë të shek. XX, dhe ajo më bashkëkohore. Çështjet e trajtuara nuk lidhen thjesht dhe vetëm me interpretimin e krijimtarive letrare, por dhe me aspekte metodologjike. Autorë si Bogdani, N. Frashëri, N. Nikaj, Gjergj Fishta, Lumo Skëndo Kin Dushi, J. Xoxa, A. Pashku, grupe autorësh që lëvruan poezinë dhe poemën e viteve ’80, Rreshpja, poetë arbëreshë të Italisë të periudhës bashkëkohore janë në qendër të studimeve.

Përmbledhja Kërkime gjuhësore, V (Akte të Konferencës “Kërkime gjuhësore”, V) u paraqit nga prof. dr. Valter Memisha. Kjo përmbledhje është botim i akteve të konferencës së vitit 2016. Lënda është e ndarë në 4 pjesë: Leksikologji, semantikë; Gramatikë, histori gjuhe; Gjuhësi e zbatuar/A; Gjuhësi e zbatuar/B, gjithsej 47 artikuj.  Lënda e përfshirë është ripunuar, plotësuar e sistemuar në mënyrë tërësore.

Libri i fundit që u paraqit në këtë veprimtari ishte Fjalor i vogël serbisht-shqip, shqip-serbisht, projekti OSCE (High Commissioner on National Minorities), i autorëve Milan Ajdžanović, Adelina Çerpja, Anila Kananaj, Gordana Śtrbac, me redaktore shkencore, prof. dr. Anila Omari. Paraqitja u bë nga prof. as. dr. Anila Kananaj.

Veprimtaria e organizuar Instituti i Arkeologjisë

14 Dhjetor, 2017 Njoftime

Në kuadrin e veprimtarive të përvitshme të Ditëve të Albanologjisë, në edicionin e 8-të të tyre, Instituti i Arkeologjisë, pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, më 11 dhjetor 2017, organizoi Konferencën Shkencore “Kontributi i Institutit Arkeologjik në mbrojtjen e qytetërimit antiko-mesjetar në  Shqipëri nëpërmjet zonifikimeve të reja arkeologjike”.

Qëllimi i kësaj Konference ishte që nëpërmjet kërkimit shkencor në terren të arrihet përveç zbulimit dhe studimit të monumenteve dhe integrimi i tyre në mbrojtjen e nëpërmjet zonifikimit arkeologjik. Fjalën e hapjes e mbajti prof. dr. Luan Përzhita, drejtori Institutit të Arkeologjisë, me kumtesën“Projektet kërkimore-shkencore në terren, roli i tyre në strategjinë e mbrojtjes së siteve arkeologjike”.

Prof. Asoc. Edi Shehu dhe Prof. Asoc. Brikena Shkodra  me kumtesën “Zonifikimi i ri arkeologjik i Durrësit”, një kontribut i bashkëpunimit shqiptaro-francez.  Prof. Asoc. Belisa Muka  me kumtesën “Projekti kërkimor shqiptaro-gjerman i Dimalit dhe zonifikimi arkeologjik i qytetit antik”. Dr. Elio Hobdari dhe Msc. Jamarbër Buzo  me kumtesën “Amantia, zonifikimi i ri arkeologjik një domosdoshmëri e kohës”. Msc. Adrian Anastasi me kumtesën “Kërkimet nënujore në liqenin e Ohrit dhe Prespës dhe domosdoshmëria e zonifikimit të siteve të zbuluara”. Prof. Dr. Luan Përzhita  me kumtesën “Kalaja e Pecës (Kukës), rëndësia e zonifikimit arkeologjik”. Kjo konferencë ishte një kontribut i drejtpërdrejtë i kërkimit shkencor në fushën e arkeologjisë që kontribuon në ruajtjen e siteve arkeologjike të Shqipërisë.

Botimet e reja që u prezantuan Ditët e Albanologjisë ishin:

Aktet e Konferencës Shkencore Ndërkombëtare Proceedings of the International Conference, New archeological discoveries in the Albanian regions” në dy vëllime në një volum prej 810 faqesh, botuar në anglisht. Në këtë botim kanë prezantuar punimet e tyre mbi 60 studiues të fushës së arkeologjisë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Franca, Italia, Gjermania, Polonia etj, duke arritur që të kemi një tablo të qartë mbi kontributet e fundit të kërkimeve arkeologjike në të gjitha trevat Shqiptare nga Prehistoria, Antikiteti dhe Mesjeta.

Po ashtu, u prezantua dhe numri i ri Revistës Iliria nr. XL 2016, ku kanë prezantuar punimet e tyre 13 studiues shqiptar dhe të huaj. Tematika e përzgjedhur është e larmishme duke filluar nga periudhat e hershme siç është Mezoliti, Periudha e Bronzit dhe e Hekurit. Gjithashtu janë paraqitur disa punime me temë nga plastika dekorative, skulptura, lojërat në antikitet, duke vazhduar me kontribute mbi organizimin urban të qytetit në Antikitetin e Vonë, Mesjetën në Kosovë si dhe disa studime për periudhën e shek. XIV.

Konferenca me titull: “Pasiguritë e etnologjisë shqiptare”

13 Dhjetor, 2017 Njoftime

Në datat 18-19 dhjetor 2017, Departamenti i Etnologjisë në kuadrin e ditëve të Albanologjisë, dhe me rastin e 70-vjetorit të themelimit të Sektorit të Etnografisë, organizon konferencën me titull: “Pasiguritë e etnologjisë shqiptare”, ku do të marrin pjesë studiues të njohur nga Shqipëria, Kosova, Italia etj. Po kështu, ky departament organizon ekspozitën etnografike “Lindja” me kuratore dr. Ermela Broci, në kujdesjen shkencore të prof. dr. Afërdita Onuzi  dhe me ndihmën e arkivisteve znj. Vilma Nallbani dhe znj. Migena Dukagjini. Gjithashtu, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare, organizohet seminari permanent i radhës “Përthyerje Antropologjike”.Bashkëngjitur gjeni  ftesën për këto veprimtari.
Jeni të ftuar të merrni pjesë.

Prezantimi i botimeve te bëra gjatë vitit 2017

13 Dhjetor, 2017 Njoftime

Në kuadër të veprimtarive të Ditëve të Albanologjisë, edicioni VIII, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, më 12 dhjetor 2017, bëri prezantimin e botimeve të tij të realizuara gjatë vitit 2017. Kjo veprimtari u zhvillua në sallën “Aleks Buda” në Akademinë e Shkencave.

Fjalën e hapjes e mbajti zv/dekani i IAKSA-së, dr. Olsi Lelaj, i cili bëri një prezantim të shkurtër mbi punën e kryer nga punonjësit e IAKSA-së për vitin 2017, duke e vënë theksin në botimet shkencore të botuara dhe të përgatitura për botim, në qasjet shkencore dhe risitë e sjella.

Në vazhdim të aktivitetit, u bënë prezantimet e botimeve të institutit.

Prof. dr. Miaser Dibra, bëri prezantimin e librit “Këngë dasme. Antologji 1”. Ajo vuri në dukje se antologjia  “Këngë dasme 1” është realizuar gjatë disa viteve dhe ka pasur si qëllim botimin e pasurive të trashëgimisë kulturore të popullit shqiptar me këngë të ceremonialit më të bukur të jetës njerëzore, dasmës. Libri ka një specifikë të veçantë. Ai nuk përsërit lëndën antologjike të botuar më herët në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, tek Arbëreshët e Italisë, as ato njësi që janë pjesë e botimeve të dashamirësve të krijimtarisë popullore. Njëherësh nuk tenton të jetë gjithëpërfshirës, në kuptimin e shterimit të të gjitha burimeve që mund të ekzistojnë me këngë dasme ndër shqiptarë apo të marrë përsipër të përfaqësojë të gjitha trevat tona. Ai ka një destinacion deri tani të pashfrytëzuar, botimin e materialeve me këtë tematikë që ruhen në arkivat shkencore të Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit.

Prof. dr. Josif  Papagjoni prezantoi librin “Imazhi, qenësia, historia. Filmi artistik shqiptar”. Ai bëri një përshkrim të “udhëtimit” të tij në gjurmimin e filmit artistik shqiptar, duke sjellë në fokus kinematografinë shqiptare që në krijimin e saj. Ky libër voluminoz, spikat në përshkrimin e filmave më të njohur të realizuar nga regjisorët shqiptarë. Po ashtu, libri përfshin edhe një biografi  të regjisorëve më të njohur.

Prof. dr. Agron Xhagolli bëri prezantimin e librit të tij “Rrugëtim studimesh folklorike”. Ai vuri në dukje se ky libër është një përmbledhje artikujsh dhe kumtesash të realizuara nga autori ndër vite. Gjithsej janë 15 artikuj, të cilët shoqërohen edhe me një parathënie nga autori. Janë artikuj gjithëpërfshirës, që nga mitet, ritet dhe besimet e shqiptarëve dhe deri tek figura të njohura historike si, Skënderbeu.

Dr. Mikaela Minga prezantoi revistën shkencore të IAKSA-së “Kultura popullore”. Ajo foli për risitë që sjellin punonjësit shkencorë të IAKSA-së në artikujt e tyre. Ata rrokin tema gjithëpërfshirëse që nga gjakmarrja, qumështi dhe gjaku, rite të ndryshme të dasmës, vizualja në etnografinë shqiptare, entropia e muzikës në Shqipëri, e deri tek debatet substantiviste apo filozofike të autorëve të huaj. Gjithashtu, pjesë e revistës janë edhe kumtesa në konferenca dhe shkrime për personalitete të kulturës shqiptare.

Prof. dr. Stefan Çapaliku, prezantoi revistën tjetër shkencore të IAKSA-së “Studime për artin”. Një revistë voluminoze e cila përfshin artikuj nga disa fusha të artit si: teatër dhe kinematografi, artet pamore, muzika etj. Nuk mungojnë as rubrikat për teoritë estetike dhe kritikë. Në të gjitha këto rubrika, autorët e artikujve kanë paraqitur punë serioze dhe të lavdërueshme, duke sjellë në vëmendje problematika të ndryshme në të cilat gjendet arti sot.  

Prezantimi i botimeve të reja të Institutit të Historisë

11 Dhjetor, 2017 Njoftime

Në kuadrin e veprimtarive të përvitshme të Ditëve të Albanologjisë, në edicionin e 8-të të tyre, Instituti i Historisë, pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, më 11 dhjetor 2017, bëri promovimin e botimeve të tij të realizuara gjatë vitit 2017.
Fjalën e hapjes e mbajti Akademik prof. dr. Marenglen Verli, rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike, i cili ndër të tjera, pasi falenderoi pjesëmarrësit, theksoi rëndësinë e aktivitetit të përvitshëm të Ditëve të Albanologjisë dhe prezantoi objektivat e për vitin që vjen, i cili është cilësuar si viti mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.


Prezantimin e punës vjetore e bëri Akademik prof. dr. Beqir Meta, drejtor i Institutit të Historisë. Meta paraqiti punën voluminoze e origjinale të Institutit që ai drejton, duke vënë theksin në risitë që janë sjellë, me arkiva të pakonsultuara më parë, qasjet e reja metodologjike të studiuesve, duke sjellë në këtë mënyrë një këndvështrim ndryshe në historishkruarje.


Në vazhdim u bënë prezantimet e botimeve shkencore të Institutit për vitin 2017.
Revista “Studime Historike”, nr. 1-2 /2017, u paraqit nga dr. Sali Kadria, i cili ndër të tjera vuri në dukje vijimin e traditës së vyer të krijuar ndër vite, në lidhje me cilësinë shkencore, risitë dhe kontributet në fushën e historisë së shqiptarëve. Kjo dëshmon jo vetëm përkushtimin në përgjithësi të studiuesve por, njëkohësisht edhe seriozitetin e tyre shkencor. Në vështrim të përgjithshëm, peshën kryesore në artikujt e publikuar vazhdojnë ta mbajnë kërkuesit shkencorë të Institutit të Historisë.


Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX (1912-1920), vëllimi i I, u paraqit nga Akademik Beqir Meta. Në fjalën e tij, historiani Meta, vuri në dukje se botimi që sapo ka shkuar në shtyp, është vetëm një përpjekje për të çuar përpara shkrimin e historisë kombëtare përmes një vepre gjithëpërfshirëse sintetike, duke u bazuar në arritjet më të qenësishme shkencore. Ai është pajisur me referenca burimore të cilat kanë një intensitet të ndryshëm në përputhje me faktet ose burimet e reja që janë sjellë. Është synuar që historia të trajtohet në mënyrë proporcionale nga pikëpamja e vëllimit ose imtësitë e ngjarjeve dhe fakteve, por në çështjet e debatueshme ose në ato të cilat kanë prurje të reja shkencore, informacioni i dhënë ka qenë më i detajuar se në pjesët e tjera.
Akademik Mareglen Verli paraqiti botimin e tij të fundit “101 – Profile biografike nga Kosova për Kosovën”. Sikurse shpreh edhe vetë titulli, në këtë botim profilizohen përmes të dhënave arkivore, bibliografike, kujtimeve e fotografive, dhjetëra emra të njohur, pak të njohur ose të panjohur, shumë nga të cilët personalitete të fushave të ndryshme e luftëtarë të shquar nga Kosova. Ndër risitë e botimit, Akdemiku Verli përmendi bibliografitë e emrave pak të njohur dhe ndriçimin e tyre me realizëm e larg klisheve bardh e zi.
Dr. Eduart Caka paraqiti botimin e tij: Regjistri i Sanxhakut të Arvanidit i vitit 1931, i cili është regjistri kadastral më i hershëm osman i këtij lloji të zbuluar deri në ditët e sotme. Zonat e përfshira në këtë regjistër bënin pjesë në njësinë administrative të quajtur sanxhaku Arvanid  me qendër Gjirokastrën por që zinte një hapësirë gjeografike nga Kruja për të zbritur në jug deri në Thesproti. Ai jep të dhëna të rëndësishme mbi ekonominë, demografinë, toponiminë dhe shumë elementë të tjerë të kësaj hapësire gjatë shek. XV.


Ass prof. dr. Edmond Malaj, prezantoi përkthimin e bërë prej tij të botimit “Nga Shkodra gjer në Vlorë nëpër Shqipërinë Mesjetare, të autorit Konstantin Jireçek.
Malaj theksoi se në tre pjesët e para të punimit paraqitet një gjeografi e detajuar historike e krahinave përreth Shkodrës, Durrësit dhe Vlorës dhe një panoramë e vetë këtyre qyteteve në Mesjetë. Në këto pjesë përmenden lokalitete të vjetra ekzistuese e të zhdukura dhe emra kishash dhe monumentesh të tjera të vjetra. Pjesa e katërt është një hyrje e përgjithshme në historinë e Shqipërisë deri në fillim të shek. XX, duke u përqendruar më tepër në Mesjetë.


Një tjetër botim i rëndësishëm i këtij viti është edhe Bibliografia e revistës “Studime Historike” (1964-2014), i cili u paraqit nga autorja Majlinda Rapaj.
Autorja e botimit theksoi se kjo bibliografi u përgatit në kuadër të 50-vjetorit të daljes së numrit të saj të parë, duke përfshirë të gjithë informacionin studimor nga viti 1964 deri në vitin 2014. Përmbajtja e saj është organizuar sipas rubrikave të revistës, ndërsa përshkrimi është bërë sipas standardeve të përshkrimit bibliografik për revistat kërkimore shkencore.

Njoftim

9 Dhjetor, 2017 Njoftime

Ndërroi jetë në moshën 85-vjeçare akademik Kristaq Prifti, historian i njohur, specialist i periudhës së Rilindjes Kombëtare, orientalist, me veprimtari drejtuese në institucionet akademike-universitare.


Homazhet e nderimit dhe përcjellja e fundit e akademik Kristaq Priftit do të bëhen nga shtëpia e Tij, ditën e nesërme datë 10 dhjetor 2017, ora 11.00.

Adresa: Bul. Zhan D’Ark, Pallati 1, Shk 2, Apt 20, tek Brryli.

Konferenca ndërkombëtare “South-East Europe and the Great War, History, Memory, Legacy”

8 Dhjetor, 2017 Njoftime

Në datat 7 dhe 8 dhjetor 2017 drejtori i Institutit të Historisë të Akademisë së Studimeve Albanologjike, Akad. Beqir Meta, mori pjesë në konferencën ndërkombëtare “South-East Europe and the Great War, History, Memory, Legacy”.

Konferenca bashkorganizohej nga Instituti i Studimeve Ballkanike dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve e Serbisë. Relacioni i paraqitur nga akad. Beqir Meta titullohej “The Albanian’s Political Identity during the First World War”.

Ditët e Albanologjisë 2017

7 Dhjetor, 2017 Njoftime

Kemi kënaqësinë t’ju ftojmë në veprimtarinë tonë të përvitshme të Ditëve të Albanologjisë. Kjo veprimtari pasqyruese e punës sonë vjetore do të zhvillohet në datat 11, 13, 18 dhe 19 dhjetor 2017 në sallën “Aleks Buda”, pranë Akademisë së Shkencave dhe në ambientet e IAKSA-së, duke filluar që nga ora 10.00. Me datën 11 dhjetor do të organizohet promovimi i botimeve të Institutit të Historisë dhe botimeve të Institutit të Arkeologjisë. Me datë 12 dhjetor vijojnë me promovimet e botimeve të tyre Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë dhe ai i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit.

Përveç këtyre datave mund të na nderoni me pjesëmarrjen tuaj në konferencën e organizuar nga Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë “Letërsia shqipe mes qëllimores dhe estetikës”, me 13 dhjetor 2017, ora 09.00, Salla Ovale, si dhe “Variacioni sintaksor në të folmet e shqipes: tipare dhe treva” në sallën “Aleks Buda”, pranë Akademisë së Shkencave, me datë 15 dhjetor 2016, ora 9.00.
Gjithashtu, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit organizon konferencën “Pasiguritë e Etnologjisë Shqiptare”, në sallën  “Aleks Buda”, pranë Akademisë së Shkencave, me 18 dhjetor 2017, ora 09.00.

Programi i Ditëve të Albanologjisë 2017

Ju mirëpresim!

Konferenca e organizuar nga Akademia e të Rinjve

5 Dhjetor, 2017 Njoftime

Më 4 dhjetor 2017, Dr. Ardian Muhaj studiues pranë Institutit të Historisë, mori pjesë në Konferencën e organizuar nga Akademia e të Rinjve pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Dr. Ardian Muhaj prezantoi kumtesën me temë: “Inercia metodologjike në historiografinë shqiptare të shekullit XXI. Shkaqe dhe pasoja”, ku theksonte se historiografia shqiptare e dy dekadave të para të shek. XXI duhet kuptuar në kuadrin e përgjithshëm të shoqërisë në tërësi, e cila përballet me problemet e një tranzicioni të zgjatur, që, në fakt, mund të shihet më qartë nëse e konceptojmë më fort si një inerci nga një periudhë e mëhershme, sesa si lëvizje e mirorientuar drejt një caku të përcaktuar qartë.

Në këtë aspekt, historiografia shqiptare, ashtu si edhe tërësia e shoqërisë, ndodhet në një farë mase e ngujuar ende në shek. XX, apo në atë që do të mund të konsiderohet si shekulli i gjatë i njëzetë shqiptar. Metodat dhe qasjet nuk kanë ndryshuar në përputhje me zhvillimet ballkanike dhe europiane, madje tkurrja e burimeve ekonomike dhe njerëzore në komunitetin e historianëve ka sjellë një konservatorizëm të dukshëm në tërësinë metodologjike, që njëkohësisht i përshtatet trendit të përgjithshëm të inercisë shoqërore, por edhe kontribuon në këtë zgjatje të shekullit të njëzetë historik edhe në shekullin e njëzetenjëtë kronologjik. Shkaqet e një inercie apo zgjatje të periudhës historike dhe historiografike përtej periudhës kronologjike janë të shumta. Reformimi metodologjik i historiografisë shqiptare natyrisht nuk mund të pritet që të ketë një dinamikë dukshëm më të përshpejtuar sesa transformimi i përgjithshëm i shoqërisë. Megjithatë, historianët dhe historiografia janë një nga komunitetet, përkatësisht fushat, që lipset të jenë në ballë të reformimit dhe transformimit të përgjithshëm shoqëror drejt një caku të projektuar në të ardhmen dhe të daljes nga pesha e inercisë së shekullit XX.

Konferenca shkencore me temë: “Rrugëtimi i shtetit të pavarur shqiptar nga krijimi drejt integrimit evropian”

4 Dhjetor, 2017 Njoftime

Më datë 27 nëntor 2017, Instituti i Historisë, pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike në Tiranë, në kuadër të Ditëve të Albanologjisë dhe të 105 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, organizoi konferencën shkencore me temë: “Rrugëtimi i shtetit të pavarur shqiptar nga krijimi drejt integrimit evropian”. Krahas studiuesve të Institutit të Historisë, në konferencë morën pjesë edhe studiues nga Kosova, Universiteti i Tiranës, Universiteti Europian i Tiranës dhe Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.

Fjalën e hapjes e mbajti Akademik Marenglen Verli, rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike, i cili ndër të tjera evidentoi rëndësinë e konferencës në kuadrin e Ditëve të Albanologjisë. Në vazhdim studiuesit pjesëmarrës paraqitën arritjet e tyre më të fundit, me objekt  historinë e shtetit të pavarur shqiptar, sfidat, përballjet dhe arritjet e tij nga krijimi e deri sot, në rrugën drejt integrimit evropian.

Pas diskutimeve, fjalën e mbylljes e mbajti Akademik Beqir Meta, drejtor i Institutit të Historisë.

Ndër të tjera, ai nënvizoi arritjet konferencës, duke vënë theksin tek risitë si në faktologji ashtu edhe në interpretim e analizë; qasjet e reja metodologjike të përdorura nga studiuesit, të cilat së bashku sjellin një këndvështrim të ri në shkruarjen e historisë së shqiptarëve pas Shpalljes së Pavarësisë.

 

Ditët e Albanologjisë 2017

4 Dhjetor, 2017 Njoftime

Kemi kënaqësinë t’ju ftojmë në veprimtarinë tonë të përvitshme të Ditëve të Albanologjisë. Kjo veprimtari pasqyruese e punës sonë vjetore do të zhvillohet në datat 11, 13, 18 dhe 19 dhjetor 2017 në sallën “Aleks Buda”, pranë Akademisë së Shkencave dhe në ambientet e IAKSA-së, duke filluar që nga ora 10.00. Me datën 11 dhjetor do të organizohet promovimi i botimeve të Institutit të Historisë dhe botimeve të Institutit të Arkeologjisë. Me datë 12 dhjetor vijojnë me promovimet e botimeve të tyre Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë dhe ai i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit.

Përveç këtyre datave mund të na nderoni me pjesëmarrjen tuaj në konferencën e organizuar nga Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë “Letërsia shqipe mes qëllimores dhe estetikës”, me 13 dhjetor 2017, ora 09.00, Salla Ovale, si dhe “Variacioni sintaksor në të folmet e shqipes: tipare dhe treva” në sallën “Aleks Buda”, pranë Akademisë së Shkencave, me datë 15 dhjetor 2016, ora 9.00.
Gjithashtu, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit organizon konferencën “Pasiguritë e Etnologjisë Shqiptare”, në sallën  “Aleks Buda”, pranë Akademisë së Shkencave, me 18
dhjetor 2017, ora 09.00.  Ju mirëpresim!

Prezantimi i “Kalendarit Kombiar”

1 Dhjetor, 2017 Njoftime
Më datë 23 nëntor 2017, akademik. prof. dr Marenglen Verli i ftuar nga fondacioni “ALSAR”, në kuadër të 105-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, moderoi veprimtarinë e organizuar për prezantimin para studiuesve dhe lexuesve shqiptarë, të një nga veprave më madhore të Rilindjes sonë Kombëtare, “Kalendarin Kombiar”, të realizuar ndër vite nga një grup intelektualësh të shquar të kësaj periudhe si Kristo Luarasi, Kosta Jani Trebicka, Shahin Kolonja, Mit’hat Frashëri dhe shumë bashkëpunëtorë të tjerë të jashtëm.
Në ceremoninë e promovimit të organizuar merrnin pjesë Deputete të parlamentit të Shqipërisë,zëvendës ambasadori i Turqisë në Tiranë, Z. Cem Sinan Baş, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë, zëvendës kryetari i Bashkisë së Tiranës, Abaz Hado, kryetari i Fondacionit ALSAR, Z. Mehdi Gurra, përfaqësues të institucioneve të pushtetit lokal studiues e historianë, etj.
Veprimtaria promovuese u organizua në nivelin e një konference të mirëfilltë shkencore, me kumtesa dhe trajtesa nga studiues të fushave të ndryshme, kryesisht historike dhe filologjike.

Konferenca shkencore kushtuar 109-të vjetorit të mbajtjes së Kongresit të Manastirit

1 Dhjetor, 2017 Njoftime

Në datat 19 dhe 21 nëntor 2017 u zhvilluan dy konferenca shkencore kushtuar 109-të vjetorit të mbajtjes së Kongresit të Manastirit për njehsimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Në këto konferenca morën pjesë me kumtesa studiuesit e ASA-së, akademik prof. dr. Marenglen Verli,

akademik prof. dr. Beqir Meta,

prof. dr. Valter Memisha

dhe dr. Sali Kadria. Në njërën nga konferencat ishte i pranishëm edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë Z. Ilir Meta, i cili gjatë fjalimit përshëndetës vlerësoi bashkëpunimin e studiuesve nga të gjitha trevat shqiptare si dhe uroi që këto bashkëpunime në të ardhmen të ishin më intensive dhe më të frytshme.

Konferenca shkencore me temë: “Rrugëtimi i shtetit të pavarur shqiptar nga krijimi drejt integrimit europian”.

21 Nëntor, 2017 Njoftime
Instituti i Historisë pranë ASA-së organizon konferencën shkencore me temë: “Rrugëtimi i shtetit të pavarur shqiptar nga krijimi drejt integrimit europian”. Konferenca do të zhvillohet me datë 27 nëntor 2017, ora 09:00, në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Jeni të mirëpritur!

Studiues të Akademisë së Studimeve Albanologjike në konferencën shkencore ndërkombëtare “Qytetërimi i Voskopojës dhe Shekulli i Iluminizmit në Ballkan”

21 Nëntor, 2017 Njoftime

Në datat 13 dhe 14 nëntor 2017 në konferencën shkencore ndërkombëtare të organizuar nga   Akademia e Shkencave e Shqipërisë “Qytetërimi i Voskopojës dhe Shekulli i Iluminizmit në Ballkan” morën pjesë me kumtesat e tyre edhe studiues nga Akademia e Studimeve Albanologjike: prof. dr. Aurel Plasari me kumtesën “Dijetarë voskopojarë në fillimet e enciklopedizmit ballkanik” / “Scholars of Moscopolis in the beginning of the Balkan encyplopedism”;

prof. dr. Pëllumb Xhufi me kumtesën “Voskopoja si fenomen ekonomik” / “Moscopolis as economical phenomenon”;

prof. dr. Anila Omari me kumtesën “Tradita letrare e Elbasanit si pasojë e iluminizmit gjuhësor me rrezatim nga Voskopoja” / “Elbasani’s literary tradition as a result of the linguistic enlightenment reflected from Moscopolis”;

prof. asoc. dr. Evalda Paci me kumtesën “Ilo Mitkë Qafëzezi: kontribute me vlerë në fushë të gjurmimeve mbi historinë e shkrimit shqip” / “Ilo Mitkë Qafëzezi, valuable contributions to tracing the history of the Albanian written language”.

Pjesë e programit të ditës së dytë, të organizuar në Voskopojë më 14 nëntor, ishte edhe paraqitja nga ana e prof. dr. Aurel Plasarit e një përmbledhjeje me burime të zgjedhura mbi Voskopojën, në proces botimi.

Komiteti organizues i konferencës përbëhej nga: akademike prof. dr. F. Dado, prof. dr. P. Xhufi, prof. asoc. K. Giakoumis, prof. dr. A. Plasari, prof. dr. Sh. Sinani.

Panairi i Librit “Tirana 2017″

14 Nëntor, 2017 Njoftime

Siç është traditë tashmë, Akademia e Studimeve Albanologjike do të jetë e pranishme me larminë e botimeve të saj edhe në Panairin e 20 të Librit në Tiranë (në datat 15 – 19 Nëntor 2017). Listës së gjatë të titujve të monografive dhe botimeve të tyre shkencore nga fushat e albanologjisë, do t’i shtohen prurjet më të reja, të vitit të fundit. Të gjitha këto botime vijnë në Panair për të pasuruar më tej fondin albanologjik në bibliotekën personale të secilit lexues!

Ju ftojmë të vizitoni stendën tonë!

Stenda e Akademise se Studimeve Albanologjike ne Panairin e Librit 2017.

 

Njoftim

10 Nëntor, 2017 Njoftime

Muzeu Arkeologjik do të qëndrojë përkohësisht i mbyllur nga data 11/11/2017-19/11/2017 për shkak të ndërhyrjeve në mirëmbajtje.

Ju kërkojmë ndjesë për shqetësimin!

Studime mbi Mesdheun: një vështrim prej antropologjisë sociale

8 Nëntor, 2017 Njoftime

Departamenti i Etnologjisë, IAKSA &  Biblioteka Kombëtare organizojnë:

Seminarin permanent “Përthyerje Antropologjike”

Tema: Studime mbi Mesdheun: një vështrim prej antropologjisë sociale

Folës: Dionigi Albera

Dt: 16 Nëntor 2017

ora: 17.00-20.00

Vendi: Biblioteka Kombëtare

ABSTRAKT

Takimi i radhës i seminarit “Përthyerje antropologjike” fton Dionigi Alberën, antropolog dhe drejtues kërkimor në Qendrën Kombëtare të Kërkimit Shkencor në Francë si dhe drejtues i Institutit të Etnologjisë Mesdhetare, Europiane dhe Krahasuese, strukturë e Shtëpisë Mesdhetare të Shkencave Humane në Aix-en-Provence. Fushat e tij kërkimore përfshijnë lëvizshmërinë hapësinore dhe fluiditetin social, format e organizimit shtëpiak, përvijimet teorike të antropologjisë së shoqërive komplekse, etj.

Në këtë takim, Dionigi Albera do të prezantojë botimin më të fundit në drejtimin e tij, Fjalorin e Mesdheut, botim i Actes Sud. Fjalori i Mesdheut propozon të paraqesë punimet më të fundit mbi dijet, territoret, kujtimet, figurat emblematike dhe praktikat e një zone me një kompleksitet të lartë dhe pasuri të jashtëzakonshme. Duke ndërlidhur disiplinat e shkencave humane dhe sociale, ai pasqyron inventarin e njohurive të deritanishme dhe vë theksin mbi shumëllojshmërinë e perceptimeve dhe konteksteve, sikurse mbi lëvizjet dhe fushat e reflektimeve shkencore në formësim. Ky fjalor ngre pyetje mbi Mesdheun në kuadrin hapësinor dhe kulturor, duke e eksploruar në të gjitha aspektet e tij, që prej prejardhjeve të përbashkëta deri në frakturat e përsëritura. Struktura alfabetike e këtij fjalori, lejon përbashkimin e fushave të shumta disiplinore, si një shumëllojshmëri shkallësh kohore dhe hapësinore, ndjeshmërish, pikëvështrimesh dhe gjuhësh. Pa synim enciklopedik dhe pa pretendim shterues, ky botim priret të bëhet një mjet pune dhe një mbështetje për reflektim. Ai i drejtohet si studentëve, kërkuesve, po ashtu edhe aktorëve kulturorë, ekonomikë dhe politikë, apo edhe gjithë lexuesve të ndjeshëm ndaj proceseve bërëse të zonës mesdhetare. Sipërmarrja ambicioze e Fjalorit të Mesdheut ngrihet mbi tërësinë e punimeve kërkimore të rrjetit të ekselencës evropiane RAMSES**, i cili bën bashkë tridhjetë qendra kërkimore dhe universitete. I përpunuar në dy gjuhë, frëngjisht dhe arabisht, kjo sipërmarrje u përfundua falë kontributit të komiteteve editoriale ndërkombëtare dhe ndërdisiplinore.

 

Shtyhet afati për aplikimet në konferencën: Pasiguritë e etnologjisë shqiptare

2 Nëntor, 2017 Njoftime

Departamenti i Etnologjisë njofton të gjithë të interesuarit se aplikimet për pjesëmarrje në konferencën: Pasiguritë e etnologjisë shqiptare (kushtuar 70-vjetorit të themelimit të Sektorit të Etnografisë), janë shtyrë deri në datën 10. 11. 2017. Kjo konferencë i zhvillon punimet në datat 18-19 dhjetor 2017.
Konferenca Pasiguritë e Etnologjisë Shqiptare, ka në fokus të adresojë pikërisht shqetësimet që ka sot dija etnologjike shqiptare. Qendërzimet e pyetjeve mbi pasigurinë shtrihen në boshte kohore: e kaluara, e tashmja, e ardhmja.
E kaluara e pasigurt
Në këtë aks, ftohen studiues të kontribuojnë me tema që kanë në fokus analizën kritiko-reflektive të dijes etnologjike shqiptare, të prodhuar në kontekste diktatoriale (Shqipëri) dhe koloniale (Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi). Si po e përballim teorikisht, metodologjikisht dhe etikisht të kaluarën dhe tezat e saj?
E tashmja e pasigurt
Ky aks ka në fokus të mbledhë studiues që ekspozojnë shqetësimet dhe pikëpyetjet e tyre teorike dhe metodologjike në lidhje me hullitë e reja dhe tradicionale në fushën e etnologjisë shqiptare. Çështjet që mund të ngrihen lidhen me:
-Probleme metodologjike, si për shembull ato të antropologjisë në shtëpi;
-Probleme epistemike dhe teorike, si për shembull, raportet mes mendimit etnologjik dhe dijes albanologjike;
-Teorikja, etnografikja dhe ndërdisiplinorja;
-Probleme etike, raportet mes dijes etnologjike dhe publikes, etj.
E ardhmja e pasigurt
Ky aks kërkon të adresojë gjendjen e dijes etnologjike dhe shkencave sociale në tërësi, në tehun e reformave shtetërore në lidhje me shkencën dhe edukimin. Si i tillë, ai fton studiues prej disiplinave të ndryshme të japin perspektivën e tyre mbi të ardhmen e dijeve humane dhe sociale, në Shqipëri dhe më gjerë.
Çështje që mund të ngrihen lidhen me:
-Strategji kërkimore;
-Dijet etnologjike, albanologjike e humane, shoqëria, shteti dhe tregu;
-Kurrikulat dhe dija etnologjike;
-Dijet etnologjike e humane dhe politikat shtetërore, etj.
Shënim: Abstraktet duhet të jenë deri në 200 fjalë. Ato duhet të shoqërohen edhe me një bio të shkurtër (rreth një paragraf) të autorit dhe të dërgohen në adresat e e-mailit departamentietnologjise@gmail.com; olsilelaj@gmail.com

Konferenca nuk aplikon tarifa regjistrimi. Jeni të mirëpritur!

Simpoziumi “From Poverty to Prosperity”

30 Tetor, 2017 Njoftime

Nё datёn 10 tetor 2017, dr. Gjon  Boriçi mori pjesë në simpoziumin e organizuar nga Ambasada e Finlandёs nё Athinё, me rastin e 100 vjetorit tё shtet-formimit tё Finlandёs me titull “From Poverty to Prosperity” me historianё nga Ballkani. Ky simpozium u organizua me iniciativën e ish ministrit tё jashtёm tё Finlandёs dhe aktualisht deputet nё parlamentin finlandez Dr. Erkki Tuomioja, president i fondacionit “Historians without borders/Historianёt pa kufi”.

Aktiviteti akademik i sinologëve të rinj

30 Tetor, 2017 Njoftime, QSA

Nё datat 10-30 shtator 2017 u zhvillua nё Pekin aktiviteti akademik i sinologёve tё rinj. Në këtë aktivitet mori pjesë dr. Gjon Boriçi. Ishin zgjedhur pёr tё marrё pjesё nё kёtё aktivitet nga Ministria e Kulturёs dhe Akademia e Shkencave Shoqёrore e Republikёs Popullore tё Kinёs, 27 studiues nga 26 vende tё botёs. Studiuesit pjesёmarёs ishin ekspertё tё çёshtjeve tё Kinёs nё shkencat shoqёrore (arkeologji, histori, marrёdhёnie ndёrkombёtare, linguistikё, sinologji, etnografi). Ҫdo studiues paraqiti punimin e tij i cili kishte lidhje me Kinёn. Të gjithë këto artikuj shkencor do tё botohen nga shtёpia botuese e Akademisё sё Shkencave Shoqёrore tё Kinёs.

Thirrje për aplikim për pjesëmarrje në konferencë

24 Tetor, 2017 Njoftime

Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, Departamenti i Etnologjisë organizon në datat 18, 19 dhjetor 2017 konferencën V shkencore me temë: Pasiguritë e Etnologjisë Shqiptare (Kushtuar 70-vjetorit të themelimit të Sektorit të Etnografisë).

Abstrakt

Në vitin 1947, në kuadrin e Institutit të Shkencave, u themelua një bërthamë e vogël kërkimore që do të njihej si sektori i etnografisë. Rrok Zojzi dhe Andromaqi Gjergji ishin studiuesit e parë që u punësuan si etnografë profesionistë. Prej asaj kohe, etnografia shqiptare ka bërë rrugëtimin e saj, përgjatë të cilit ka artikuluar teza shkencore, përpunuar e implementuar projekte studimore, ka mbledhur dhe ruajtur aspekte thelbësore të kulturës materiale dhe jomateriale të shoqërisë shqiptare. Në këtë trajektore, ajo ka krijuar paralelisht dhe vazhdimisht objektin e saj studimor, një objekt ky kurrsesi jashtë direktivave ideologjike dhe raporteve komplekse mes dijes dhe pushtetit. Viti 1947 nuk është themelimi i studimeve etnografike mbi shqiptarët, por është viti i lindjes së institucionit të studimeve etnografike në Shqipëri. Si i tillë, etnologjia shqiptare do të formonte një identitet të dallueshëm si dije albanologjike brenda kontekstit të një prej diktaturave më të egra të jetësuara nga praktika e ideologjisë komuniste. Me rënien e komunizmit, etnologjisë shqiptare, ashtu si dhe pjesës tjetër të shoqërisë, iu desh të përballej me “veten”, lirinë dhe pasigurinë. Kjo e fundit ka një karakter të dyfishtë. Në njërën anë, pasiguria ka natyrë “paradigmatike” që lidhet me komunikimin e mendimit etnologjik shqiptar me atë ndërkombëtar, me prurje dhe hulli të reja kërkimore. Nëse “pasiguria paradigmatike” mund të konsiderohet si një kusht normal i mendimit shkencor reflektivo-kritik që gjallon në kushte “lirie”, “pasiguria” tjetër që e ka shoqëruar dhe vijon ta shoqërojë mendimin etnologjik shqiptar është prodhuar nga ideologjia e reformave që ashpërsisht po kërkojnë të prodhojnë dije duke e reduktuar atë në funksion të tregut, sa real, po aq dhe imagjinar. E shoqëruar me ngushtime të vazhdueshme të fondeve kërkimore prej një shteti që ia propozon veten shoqërisë si të vogël, por në anën tjetër që e maksimizon praninë e tij nëpërmjet reformash, dija etnologjike shqiptare duket të jetë kapur sot në një prej paradokseve të modernitetit. Kjo dije gjendet sot në një situatë liminale, e prodhuar prej përballjes së diskursit të lirës (akademik) dhe diskursit disiplinues (të shteti dhe tregut).

Konferenca Pasiguritë e Etnologjisë Shqiptare, organizuar prej Departamentit të Etnologjisë, në kuadër të “Ditët e Albanologjisë”, ka në fokus të adresojë pikërisht shqetësimet që ka sot dija etnologjike shqiptare. Qendërzimet e pyetjeve mbi pasigurinë shtrihen në boshte kohore : e kaluara, e tashmja, e ardhmja.

E kaluara e pasigurt

Në këtë aks, ftohen studiues të kontribuojnë me tema që kanë në fokus analizën kritiko-reflektive të dijes etnologjike shqiptare, të prodhuar në kontekste diktatoriale (Shqipëri) dhe koloniale (Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi). Si po e përballim teorikisht, metodologjikisht dhe etikisht të kaluarën dhe tezat e saj?

E tashmja e pasigurt

Ky aks ka në fokus të mbledhë studiues që ekspozojnë shqetësimet dhe pikëpyetjet e tyre teorike dhe metodologjike në lidhje me hullitë e reja dhe tradicionale në fushën e etnologjisë shqiptare. Çështjet që mund të ngrihen lidhen me:

-Probleme metodologjike, si për shembull ato të antropologjisë në shtëpi;

-Probleme epistemike dhe teorike, si për shembull, raportet mes mendimit etnologjik dhe dijes albanologjike;

-Teorikja, etnografikja dhe ndërdisiplinorja;

-Probleme etike, raportet mes dijes etnologjike dhe publikes, etj.

 

E ardhmja e pasigurt

Ky aks kërkon të adresojë gjendjen e dijes etnologjike dhe shkencave sociale në tërësi, në tehun e reformave shtetërore në lidhje me shkencën dhe edukimin. Si i tillë, ai fton studiues prej disiplinave të ndryshme të japin perspektivën e tyre mbi të ardhmen e dijeve humane dhe sociale, në Shqipëri dhe më gjerë.

Çështje që mund të ngrihen lidhen me:

-Strategji kërkimore;

-Dijet etnologjike, albanologjike e humane, shoqëria, shteti dhe tregu;

-Kurrikulat dhe dija etnologjike;

-Dijet etnologjike e humane dhe politikat shtetërore, etj.

Shënim: Abstraktet duhet të jenë deri në 200 fjalë. Ato duhet të shoqërohen edhe me një bio të shkurtër (rreth një paragraf) të autorit dhe të dërgohen në adresat e e-mailit departamentietnologjise@gmail.com; olsilelaj@gmail.com

Afati i fundit i aplikimit: 10. 11. 2017

Afati i përgjigjes mbi pranimin apo jo të abstraktit: 15. 11. 2017. Kjo konferencë nuk aplikon tarifa regjistrimi.

Konferenca “Patrimonio culturale storico degli albanesi dell’ epoca di Scanderbeg” / “Trashëgimí kulturore historike e arbërve të epokës së Skënderbeut”

23 Tetor, 2017 Njoftime, Projekte dhe bashkepunime

Më 9 tetor 2017 drejtori i Qendrës së Enciklopedisë Shqiptare të Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Aurel Plasari, mori pjesë në Romë në konferencën “Patrimonio culturale storico degli albanesi dell’ epoca di Scanderbeg” / “Trashëgimí kulturore historike e arbërve të epokës së Skënderbeut”, të zhvilluar në sallën “Zuccari”, pallati Giustiniani, të Senatit të Republikës Italiane.

Konferenca bashkorganizohej nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë dhe SOM (Sovereign Military Order of Malta) dhe u kryesua nga kardinali Gianfranco Ravasi, president i Këshillit Papnor të Kulturës, Vatikan. Relacioni i paraqitur nga prof. dr. Aurel Plasari titullohej ““Scanderbegum secum”: la memoria storica del secolo di Scanderbeg tramandata in Italia dagli stessi albanesi” / “Me Skënderbeun me vete: kujtimi historik i shekullit të Skënderbeut i bartuar në Itali nga vetë arbërit”.

 

Promovohet numri i dytë për vitin 2017, i revistës së mirënjohur shkencore franceze, “Ethnologie française”

23 Maj, 2017 Njoftime

Në datën 26 maj 2017, në orën 17:00, në sallën AUDITORIUM të Bibliotekës Kombëtare, do të promovohet numri i dytë për vitin 2017, i revistës së mirënjohur shkencore franceze, “Ethnologie française”, kushtuar etnologjisë bashkëkohore shqiptare. I pranishëm do të jetë, Gilles de Rapper, etnolog francez, redaktor si dhe kontribues në këtë numër.

Vlerësime të punononjësve të QSA-së për vitin 2016

3 Shkurt, 2017 Administrim, Aktivitete, Njoftime

Akad. Prof. dr. Marenglen Verli, drejtor i Qendrës së Studimeve Albanologjike, më 30 shtator 2016 u dekorua nga Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi me Medaljen Presidenciale të Meritave me motivacionin “Për kontributin e dhënë në fushën e kulturës”.

    

  

Prof. Dr. Aurel Plasari, drejtori i Qendrës së Enciklopedisë Shqiptare, në mbyllje të vitit 2016 u nderua nga Akademia KULT me çmimin “Libri Studimor i Vitit”. Çmimi iu akordua për librin “Shqipëria dhe shqiptarët në Europën e Piut II”.

    

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij, z. Bujar Nishani, më 28 dhjetor 2016 dekoroi historianen Prof. dr. Ana Lalaj me titullin “Kalorësi i Urdhrit të Skënderbeut” me motivacionin “… Për kontributin e shquar dhënë si historiane e përkushtuar në nxjerrjen në pah e bërjen të njohur të fakteve e ngjarjeve historike të kombit tonë…” sipas dekretit Nr. 9910, datë 27.12.2016.

    

Dekorimet dhe çmimet e marra nga studiuesit e Qendrës së Studimeve Albanologjike duhen konsideruar jo vetëm si vlerësim dhe nder, por edhe si përgjegjësi individuale e institucionale për angazhime e arritje të mëtejshme në zhvillimin e shkencave albanologjike.

Konferencë shkencore

20 Janar, 2017 Njoftime

Instituti i Arkeologjisë, pjesë e QSA-së, në datat 30-31 janar 2017 organizon konferencën ndërkombëtare me titull “Risi Arkeologjike në Trevat Shqiptare” në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave, Tiranë.

Kjo konferencë do të zhvillohet në sallën “Aleks Buda”, pranë Akademisë së Shkencave. Me datë 30 janar konferenca fillon në orën 9:30, ndërsa më datë 31 janar në orën 9:00. Për ftesën dhe programin klikoni këtu

 

Ditët e Albanologjisë

9 Dhjetor, 2016 Njoftime
Qendra e Studimeve Albanologjike organizon edicionin e VII të veprimtarive “Ditët e Albanologjisë”. Këto veprimtari pasqyruese të punës sonë vjetore do të zhvillohen kryesisht në datat 12 dhe 13 dhjetor 2016 në sallën “Aleks Buda” dhe atë të Bibliotekës, pranë Akademisë së Shkencave, duke filluar që nga ora 10.00.
Me datën 12 dhjetor do të organizohet promovimi i botimeve të Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit dhe ai i botimeve të Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë. Me datë 13 dhjetor vijojnë me promovimet e botimeve të tyre Instituti i Arkeologjisë dhe ai i Historisë.

Konferenca “Variacioni sintaksor në dialektet dhe të folmet e shqipes”

26 Shkurt, 2016 Njoftime

Instituti i Gjuhësisë do të organizojë konferencën “Variacioni sintaksor në dialektet dhe të folmet e shqipes” në muajin dhjetor 2016. Sot për sot, në albanistikë, nuk kemi ende një përpjekje sistematike për kryerjen e studimeve kushtuar tipareve dalluese sintaksore të të folmeve të shqipes në të gjitha trevat shqipfolëse.

“Workshop”

15 Tetor, 2015 Njoftime

Fuqizoni karrierën tuaj studimore nëpërmjet “EURAXESS on tour 2015”

“Autobusi EURAXESS – Researchers in Motion” do të mbërrijë:

16 Tetor 2015 – Tiranë

Universiteti Politeknik i Tiranës

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”

Sheshi “Nënë Tereza”, Nr. 4, Tiranë

Studentët dhe kërkuesit shkencorë janë të ftuar të na vizitojnë pranë Autobusit nga ora 10.00 deri në orën 16.00, për të zbuluar mundësitë për punësim dhe financim në karrierën e tyre kërkimore shkencore.

Konferenca e VI Ndërkombëtare “Iliria e Jugut dhe Epiri në Antikitet”

15 Maj, 2015 Njoftime

Instituti i Arkeologjisë, pranë QSA dhe Qendra Shkencore Hisoma, pranë Universitetit Lyon 2, France organizojnë Konferencën e VI Ndërkombëtare “Iliria e Jugut dhe Epiri në Antikitet”. Lutemi, shikoni ftesën dhe programin bashkëngjitur.

Këtë vit kjo konferencë organizohet në Tiranë, më 20-23 maj. Edicioni i parë i saj është organizuar në vitin 1984 në Clermont-Ferrand, ndërsa i fundit u zhvillua në Grenoble, në tetor të vitit 2008. Në çdo gjashtë vjet kjo konferencë mundëson mbledhjen e gjithë komunitetit shkencor që punon në Ballkan nga periudha pre- dhe protohistorike deri në periudhën mesjetare bizantine. Kjo është e vetmja konferencë në këtë fushë dhe ajo bën të mundur të mblidhen së bashku kërkuesit shkencorë të fushës së arkeologjisë.

Mundësi bashkëpunimi

15 Janar, 2015 Njoftime, Projekte dhe bashkepunime

Fondacioni Alexander von Humboldt me ambasadat në Berlin diskutoi mbi mundësitë e bashkëpunimit në fushën e kërkimit shkencor me Gjermaninë nëpërmjet programeve që ofron fondacioni.

Ky fondacion me traditë në fushën e bashkëpunimit akademik ndërmjet shkencëtarëve dhe studiuesve nga e gjithë bota me Gjermaninë ofron çdo vit rreth 2000 bursa. Bursat për punë kërkimore shkencore u mundësojnë post-doktorantëve të kualifikimit të lartë bashkëpunim me kolegë gjermanë. Kriteri qendror për akordimin e bursës mujore është niveli shkencor i studiuesit të huaj. Aplikimet mund të bëhen në çdo kohë. Gjuha gjermane nuk është kusht, nëse projekti kërkimor shkencor mund të realizohet në anglisht.

Për detaje të mëtejshme të interesuarit mund të klikojnë në adresën: http://www.humboldt-foundation.de

Thirrje pë pjesëmarrje në Konferencën shkencore

18 Nëntor, 2014 Njoftime
Konferenca shkencore ‘“Etnografia e Shoqërisë Komplekse”: Shtigje drejtë Antropologjisë së Modernitetit’ kërkon të krijojë mundësinë e të mbledhurit së bashku të studiuesve dhe studentëve në lëmin e antropologjisë social-kulturore, për të diskutuar rreth sfidave të ndryshme teorike dhe metodologjike që ofron studimi etnografik në shoqërinë komplekse. Pavarësisht përdorimit të termave si shoqëri komplekse apo moderne, sërish ngelet shumë hapësirë për diskutim rreth domethënies dhe valencës së tyre si koncepte analitike. 

Ftesë për pjesmarrje në veprimtari shkencore

18 Nëntor, 2014 Njoftime

Departamenti i Folklorit do të oganizojë në një nga datat në javën e tretë të muajit dhjetor Simpoziumin Shkencor me temën bosht: “FOLKLORI DHE ARTET”.  

Ftohen të marrin pjesë të gjithë punonjësit shkencorë të Departamentit dhe studentët e Shkollës Doktorale të Etnologjisë dhe Folklorit, temat e te cilëve janë nga fusha e Folklorit.

Konferencë Shkencore

17 Nëntor, 2014 Njoftime
Ditën e enjte, me 20 nëntor, ora 10.00, Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë organizojnë Konferencën Shkencore me temë “SHQIPTARET NE RRJEDHAT E LUFTES SE DYTE BOTERORE”
Aktiviteti do të zhillohet pranë Muzeut Historik Kombëtar në sallën “UNESCO”. 

Ftesë

10 Nëntor, 2014 Njoftime
Ditën e premte, me 21 nëntor, ora 11.00, Qendra e Studimeve Albanologjike dhe shtëpia botuese “Onufri” ju ftojnë në paraqitjen e librit “Shqipëria, përshkrime historike, etnografike, kulturore dhe fetare” me autor Marcin CZERMINSKI.
Me pjesmarrjen e studiuesve: Edmond Malaj, Nebi Bardhoshi, Dom Nikë Ukgjini, Mark Palnikaj.
Aktiviteti do të zhillohet pranë Ministrisë së Kulturës nga ora 11.00 – 13.00 në sallën “Tefta Tashko Koco”.

Lajmërim

10 Nëntor, 2014 Njoftime

Në kuadrin e shkollës doktorale “Shkenca Etnologjike dhe Folklor” ditën e premte, datë 14 nëntor, ora 15.00, në Bibliotekën e Arkeologjisë pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike studiuesi Niko STYLOS do të mbajë ligjëratën me temë: “Të dhëna etnologjike përmes përrallave popullore”.

Në fokusin e kësaj ligjërate janë pesë përralla të sjella nga J. G. von Hahn (1854), sipas transkriptimit të Apostol Panajotillit, të shqyrtuara nga Niko Stylos mbi parimin hahnian “sa më thellë hyjmë në temën e përrallave popullore, aq më tepër mund të njohim vlerën e tyre etnologjike”.

Pjesëmarrja e kufizuar vetëm për studentët dhe kërkuesit e Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, si dhe për kërkuesit e Institutit të Gjuhësisë dhe Letërisisë. Për më shumë klikoni këtu. 

Thirrje për pjesmarrje në konferencë

17 Tetor, 2014 Njoftime

Viti 2014 shënon 50-vjetorin e revistës “Studime filologjike”, organ shkencor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike. Me këtë rast, më 23 dhjetor 2014, Instituti organizon Konferencën “50 vjet Studime filologjike”.

Konferenca ka si qëllim që të paraqesë dhe të sintetizojë rolin e dorës së parë të kësaj reviste në studimet shqiptare. Revista për 50 vjet rresht është bërë organ i shpalosjes së mendimit shkencor shqiptar në fushën e studimeve gjuhësore e të studimeve letrare, i pasqyrimit të kontributeve shkencore, i shkëmbimit të përvojave dhe të debatit shkencor. Revista “Studime filologjike” ka peshën e vet të pazëvendësueshme në profilizimin dhe konsolidimin e shkencës shqiptare. Në këta 50 vjet të jetës së saj revista fitoi prestigjin si organ i specializuar në studimet gjuhësore e letrare në mbarë hapësirën shqipfolëse.

Përurimi i Fondeve Arkeologjike

30 Korrik, 2014 Njoftime
Më datë 25.07.2014 u bë inaugurimi i ambienteve të Fondeve Arkeologjike të Institutit të Arkeologjisë, pranë QSA, rinovuar me mbështetjen e Fondit të Ambasadorëve të SHBA për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore. Në inaugurim morën pjesë Ambasadori i SHBA Alexander A. Arvizu së bashku me ministren e Kulturës Mirela Kumbaro dhe atë të Arsimit Lindita Nikolla (kliko këtu për foto dhe video nga aktiviteti).
Në vitin 2012 Fondi i dha një grant Zyrës së Këshillit Ndërkombëtar të Muzeve në Shqipëri për përmirësimin dhe rivitializimin e kushteve të ruajtjes së koleksionit arkeologjik. Ky koleksion përmban mbi 18.000 objekte, nga të cilat 16.000 ndodhen në ambientet e rikonstruktuara dhe rreth 2000 janë të ekspozuara në Muze. 

Njoftim

16 Maj, 2014 Njoftime

Vazhdojnë aplikimet për Master Shkencor në Qendrën e Studimeve Albanologjike për vitin akademik 2013-2014, në degët: Gjuhësi, Letërsi, Histori, Arkeologji, Etnologji.

Kongres Ndërkombëtar

20 Nëntor, 2013 Njoftime
Qendra e Studimeve Albanologjike njofton se më datë 21 dhe 22 nëntor 2013 mbahet Kongresi Ndërkombëtar i Studimeve Arkeologjike Shqiptare, në mjediset e Pallatit të Kongreseve dhe të Qendrës së Studimeve Albanologjike. Në këtë Kongres të parë të arkeologjisë shqiptare marrin pjesë studiues dhe drejtues projektesh arkeologjike nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi,

Konferencë Shkencore

17 Tetor, 2013 Njoftime

Qendra e Studimeve Albanologjike dhe fondacioni “Konrad Adenauer” organizojnë, më datë 18 dhe 19 tetor 2013, në Hotel Sheraton, konferencën shkencore me titull “Marrëdhënie shkencore shqiptaro-gjermane pas perdes së hekurt”, në nderim të albanolgut Wilfried Fiedler. 

Kjo veprimtari shoqërohet me hapjen e ekspozitës me fotografi nga ekspedita etnografike shqiptaro-gjermane e vitit 1957, përurimi i së cilës bëhet më datë 18 tetor, ora 18.30, në Galerinë FAB të Universitetit të Arteve.  

Ftesë për pjesëmarrje në konferencë

11 Prill, 2013 Njoftime

FTESË PËR PJESËMARRJE NË KONFERENCË

Është viti i dytë që Shkolla doktorale e gjuhësisë, pranë QSA-së, ka institucionalizuar konferencën e përvitshme në fushë e studimeve dhe të kërkimeve shkencore në gjuhësi, që zhvillohet në muajin maj. Edhe këtë vit është planifikuar të mbahet Konferenca ndërkombëtare me të njëjtën problematikë: “Kërkime gjuhësore”.

Grant i Ambasadës Amerikane për Qendrën e Studimeve Albanologjike

19 Janar, 2013 Njoftime

 GRANT I AMBASADES AMERIKANE PER QENDREN E STUDIMEVE ALBANOLOGJIKE

Fondi i Ambasadorit për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore (AFCP), i cili mbështet mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, të prekshme dhe të paprekshme, në mbi 100 vende në zhvillim në të gjithë botën, këtë vit u akordua për Qendrën e Studimeve Albanologjike. 

Eriona Tartari

19 Dhjetor, 2012 Njoftime
Eriona Tartari, Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Departamenti i Studimeve Letrare në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve UMR 8599, CNRS të Universitetit Sorbonne Paris IV, organizojnë në datat 10-11 dhjetor 2012, ora 9:00, pranë Bibliotekës Kombëtare, Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Leximet e Iluminizmit në Europën Lindore”.
 

Njoftim

5 Dhjetor, 2012 Njoftime

Instituti i Historisë organizon në datat 26-27 nëntor, 2012 Konferencën Ndërkombëtare “100 vjet Pavarësi”. Për më shumë informacion rreth konferencës klikoni këtu.

Fjalori Elektronik i Gjuhës Shqipe

23 Nëntor, 2012 Njoftime
Në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë, publikut shqiptar do t’i jepet kënaqësia të zbulojë Fjalorin Elektronik të Gjuhës Shqipe, fryt i bashkëpunimit mes Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe shoqërisë Terminal Albania.
Në konferencën për shtyp, që do të mbahet ditën e shtunë, datë 24 nëntor, ora 17.00, në ambientet e Qendrës së Studimeve Albanologjike, do të bëhen paraqitja dhe certifikimi zyrtar i Fjalorit, në prani të medieve.

100 Vjet Pavarësi

22 Nëntor, 2012 Njoftime
Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, Instituti i Historisë organizon Konferencën Ndërkombëtare “100 Vjet Pavarësi” në datat 26-27 nëntor, 2012 në sallat e Hotel Tirana Internacional-it. Studiues dhe historianë shqipëtarë nga brenda dhe jashtë kufijve politikë, si dhe të huaj, të ardhur nga SHBA-ja, Anglia, Austria, Hungaria, Turqia, Bullgaria, etj. do të hedhin dritë mbi të vërtetat historike të periudhës para dhe pas Pavarësisë së shtetit shqiptar

Fituesit

14 Janar, 2012 Njoftime

KANDIDATET FITUES PER MASTER SHKENCOR PER VITIN AKADEMIK 2011-2012 Mbështetur në vlersimet e kryera nga Komisionet Akademike, Komisioni i Pranimit i QSA, i përbërë nga Prof. Dr. Ardian Marashi, Akademik Beqir Meta, Prof. Dr. Miaser Dibra, Prof. Dr. Shpresa Gjongecaj, Prof. Dr. Shaban Sinani, Prof. Dr. Valter Memisha, Prof. Dr. Ferid Hudhri, vendosi të pranohen në Master Shkencor për vitin akademik 2011-2012, studentët: GJUHESI                                     LETERSI
AGESIL QIRJAZI BLERINA GOCE                                     
AIDA ZOTO BRUNILDA AZO                           
ANISA DINGU DORINA AZO                              
BLEDAR SHEHU ELSA MULAJ                                
DENATA QAZIMI ENTELA KASI                                 
ENKELEDA SKENDERI EMILJANA MUSOLLARI          
GJYSLYME SEITAJ ESMERALDA METANI                  
HELENA LUBONJA MARJANA PUSHIMAJ            
JULEDA SHEME MAJLINDA CELA                          
JULIA SINANI MENTOR HOXHA                     
KLODIANA GJERGA PETRO PAPAKOSTA                      
NIKOLETA PALUCA                                                                                
OLGER BRAME

 
ETNOLOGJI FOLKLOR                   HISTORI
ARTAN KURTI AIDA SHYTI
AURORA SHEHU DORINA ALIMEMA
BASIR COLLAKU EDMIRA KONDAKCIU
EVI BUNGURI ENGJELL LIKMETA
ELIONA LICI JORINA VERLI
ERION SHEME LURIAN MENA
FERIDA ZOGU SUELA RRAPAJ
ILIR SINANAJ VALMIRA NEZAJ
ILIR KASO XHAVIT KASTRATI
LEDIA SULAJ YLJANA YLLI
LORETA BALA ZEF UKAJ
MATILDA ODOBASHI
OLSI TURTULLI
VISAR MUNISHI
 
ARKEOLOGJI
AIDA BOJANI
DRENUSHE MEHMETI
ENIS GJANCI
JUSUF XHIBO
NIKO FERRO
VLADIMIR QIRJAQI

 

Studentët fitues duhet të bëjnë regjistrimin pranë degës së financës dhe Instituteve të QSA deri më 27janar 2012. Përtej kësaj date, kandidatët fitues e humbin të drejtën e regjistrimit.
Tiranë, më 13 janar 2012                                                   DREJTORI
                                                                                  
Ardian MARASHI  

 

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL