Ndërron jetë në moshën 73-vjeçare akademike Edi Shukriu. Lajmin e ka dhënë Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK). “Me dhembje dhe pikëllim të thellë njoftojmë opinionin se më 17 janar 2023 ndërroi jetë akademike Edi Shukriu, një emër i njohur dhe i çmuar në fushën e arkeologjisë, të historisë, të letërsisë, të angazhimeve politike, institucionale dhe kulturore në Kosovë dhe në mbarë hapësirën shqiptare.”
Varrimi do të bëhet më 18 janar 2023, ora 15:00, në varrezat katolike të qytetit të Prizrenit.
Akademike Edi Shukriu u lind në Prizren më 1950. Shkollimin fillor e të mesëm e kreu në vendlindje dhe studimet për arkeologji në Universitetin e Beogradit (1972). Pas doktorimit në Universitetin e Prishtinës (1990) punoi në Muzeun e Kosovës (1974-1979) dhe nga viti 1979 në UP, ku ligjëroi kurse në Degën e Historisë për lëndët Arkeologji, Histori e Lindjes së Lashtë, Histori e Greqisë dhe Romës. Themeloi Grupin e Arkeologëve të Rinj “Shtjefën Gjeçovi” të Universitetit të Prishtinës (1986-1990), organizoi ekspedita arkeologjike dhe ekspozita tematike në Koleksionin Arkeologjik të Fakultetit Filozofik dhe më pas themeloi Degën e Antropologjisë në Fakultetin Filozofik, me drejtimet Antropologji Kulturore dhe Arkeologji, ku ligjëroi kurset semestrale Histori e Qytetërimeve, Histori Antike, Arkeologji e Kohës së Gurit dhe Arkeologji Dardane.
Veprimtarinë shkencore dhe profesionale e përqendroi në hulumtimet arkeologjike dhe të historisë antike, në mbrojtjen e integruar të trashëgimisë kulturore dhe në prezantimin e saj brenda dhe jashtë vendit.
Udhëhoqi hulumtimet arkeologjike në Vërmicë (1974-1975), Gjonaj (1975), tumat e Porodimes, tumën e Cernicës (1987) dhe të Komoranit (1974), Kalanë e Veletinit (1986), Gradishën e Vlashnjës (2002) dhe në Ulpianën antike, si hulumtim i parë me bashkëpunim ndërkombëtar në kuadër të kurseve të Universitetit Veror të UP. Ishte pjesë e ekipit të hulumtimeve në Kalanë e Prizrenit, Glladnicë te Graçanica, Bajë të Pejës, Romajë dhe Gadime të Epërme. Evidentoi vendbanimet e fortifikuara në Strezovc, Marec, Gushicë, Vuçak, Godanc, Korishë, Batushë, Harilaç etj. Ishte një prej themeluesëve të Muzeut Arkeologjik në Prizren (1973). Siguroi pjesëmarrje të studentëve në hulumtime arkeologjike në Kosovë, Shqipëri dhe Austri, si dhe studimet në arkeologji në Francë.
U angazhua në lëvizjen për liri, krijimin e shtetit të Kosovës dhe zhvillimin e proceseve demokratike dhe njëkohësisht edhe për pjesëmarrjen e gruas në nivelet e vendimmarrjes, në jetën publike dhe për jetësimin e barazisë gjinore. U angazhua në Ministrinë e Punëve të Jashtme (1991-1998) dhe ishte deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës (1992-1998), ku veproi si anëtare e Komisionit për Kulturë, Komisonit për Arsim dhe në vazhdimësi në Komisionin për Punë të Jashtme. U caktua Bashkëdrejtuese e Departamentit të Kulturës-UNMIK (2000-2001) dhe ishte deputete e Kuvendit të Kosovës (2002-2004), ku kryesoi Komisionin për Kulturë.
Bashkëthemeloi Forumin e Gruas të LDK-së (1990) dhe ishte kryetare e tij (1995-2000). Organizoi dhe udhëhoqi demostrata të grave kundër regjimit serb.
Ideoi dhe organizoi aksionin e Forumit të Gruas të LDK-së: Çdo ditë – dy orë mësim (tetor 1991-janar 1992) që ishte nismë për organizimin e shkollimit paralel në Kosovë në shtëpi private. Inicioi themelimin e Operës dhe Baletit të Kosovës, krijoi bërthamën e Filarmonisë së Kosovës, mbështeti fuqimisht vazhdimin e punës së Baletit të Kosovës (2000), si dhe inicoi themelimin e Institutit Arkeologjik të Kosovës (2000). Bashkëthemeloi partinë Alternativa Demokratike e Kosovës (2004-2013). Ishte Kryetare e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore (2009-2012), anëtare dhe më pas Nënkryetare e PEN Qendrës së Kosovës (2009-2018) dhe anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (1973).
Ishte Shkencëtare Vizituese në Universitetin e Harvardit (2002) dhe në Universitetin e Vjenës (2001).
Në vitin 2012 u zgjodh anëtare korrespondente e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe në vitin 2020 anëtare e rregullt e saj. Në vitin 2014 u bë anëtare e Akademisë Europiane të Shkencave dhe të Arteve në Salzburg. Për vepër jetësore në fushën e trashëgimisë kulturore u dekorua me çmimin “Dea Dardanciae” të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (2017), Çmimin letrar Beqir Musliu (2019), Çmimin e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për librin poetik “Nënqielli” (1990), Çmimin për librin shkencor të vitit “Dardania Paraurbane” (1996).
Më 06.01.2023 Senati Akademik i ASA-s mori vendimin “Për miratimin e mbështetjes financiare për punonjësit e ASA-s” në zbatim të VKM Nr.898, datë 29.12.2022”.
Jemi të lumtur dhe të nderuar të ndajmë me ju ftesën dhe programin e plotë për “Ditët e albanologjisë”, 21-26 nëntor 2022, edicioni XIII, përgatitur nga Akademia e Studimeve Albanologjike sipas agjendës për secilin institut. Këto ditë bartin një bashkim energjie, veprash dhe projektesh për të cilat është punuar gjatë gjithë vitit. Tirana pret edhe Prishtinën e Shkupin e qendrave albanologjike sipas këtij kalendari.
Informacione të detajuara për ngjarje të caktuara vijnë në ditët e ardhshme.
Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, Prof. dr. Luan Përzhita dhe drejtori i Institutit të Historisë, Prof. dr. Afrim Krasniqi, pritën sot delegacionin e Universitetit “Nënë Tereza” të Shkupit, i përbërë nga pro-rektor për arsimin Prof. dr. Fati Iseni, pro-rektor për shkencën Dr. Bekim Fetaji, pro-rektor për financat Dr. Bunjamini Bela, pro-dekanin e FIT, Prof. ass. Stojan Kitanov dhe përfaqësuesin e agjencisë Erasmus Armend Luta.
Temë e diskutimit ishte bashkëpunimi midis dy institucioneve në fushën e botimeve dhe shpërndarjes të librit shkencor dhe atij albanologjik në mënyrë të veçantë, po edhe shkëmbimi i stafeve akademike dhe studentëve.
Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Luan Përzhita dhe drejtues të Instituteve të ASA-s, pritën sot në një takim pune zëvendësrektorin e Universitetit të Sofjes “St. Kliment Ohridski”, prof. Georgi Valchev dhe dekanen e Fakultetit të Sllavistikës, prof. Gergana Dacheva. Pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy institucioneve në prill të këtij viti, ky takim i sotëm i shërben përshpejtimit të procesit për hapjen e një programi të ri studimesh universitare në nivel master fillimisht dhe doktoraturë më pas, për Ballkonologji (me lëndë që mbulojnë historinë, gjuhësinë, arkeologjinë, antropologjinë, kulturën e artin) me pedagogë të përbashkët nga të dy institucionet, por dhe nga universitete të tjera të Shqipërisë. Një strukturë e tillë do të ishte një institucion pionier për Shqipërinë.
“Për ne ky bashkëpunim ka rëndësi të jashtëzakonshme”, tha rektori Përzhita. “Kultura bullgare ka vendin e vet në arealin shqiptar, përfshirë dëshmitë monumentale që qytetërimi bullgar ka lënë përgjatë historisë. Por kemi edhe një komunitet shqiptar në Bullgari. Për këto dhe për shumë çështje që mbase nuk i gjen edhe në libra, është i nevojshëm bashkëpunimi, shkëmbimi dhe interpretimi, ekspeditat e përbashkëta mes profesorëve të të dy institucioneve tona, duke e çliruar kërkimin shkencor nga trusnia dhe një lloj peshe e politikës dhe mendësive të së shkuarës.”
Zëvendësrektori Valchev tha se për Universitetin e Sofjes, ky është momenti i duhur, sepse përkon me reformën universitare që po kryhet në vend dhe “St. Kliment Ohridski” po gëzon mbështetje financiare për të përmirësuar e ndërkombëtarizuar kërkimin shkencor. “Me këtë takim konfirmojmë gatishmërinë tonë për ngritjen e një grupi të përbashkët pune për studimet ballkanistike”, tha prof. Valchev. “Jetojmë në një hapësirë të përbashkët dhe do të ishte mirë të shohim tërësinë e gjërave në mënyrë të përbashkët.”
Pas takimit, të ftuarit nga Sofja bënë një vizitë në Muzeun Arkeologjik në mjediset e Akademisë së Studimeve Albanologjike.
Kujtojmë se marrëveshja mes Universitetit të Sofjes dhe Akademisë së Studimeve Albanologjike (The Agreement for co-operation betëeen the Academy of Albanian Studies and Sofia University “St. Kliment Ohridski”) parashikon bashkëpunimin në disa fusha: në shkëmbimin e produktit shkencor (të revistave shkencore, të punimeve monografike, të veprave me karakter përgjithësues etj.), publikimeve shkencore, të organizmit të konferencave të përbashkëta, të ligjëratave (lektoriumeve) të herëpashershme, të shkëmbimit të personelit akademiko-mësimdhënës.
Po ashtu, prillin e shkuar, rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Luan Përzhita, nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me Institutin e Studimeve Ballkanike dhe qendrës për Trakologjinë, në Akademinë e Shkencave të Bullgarisë (the Institute of Balkan Studies & Centre for Tracology, Bulgarian Academy of Sciences, Sofia, Bulgaria).
Në kuadrin e veprimtarive të përbashkëta shkencore ndërmjet Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA), Tiranë, Institutit Albanologjik të Prishtinës (IAP) dhe Institutit të Trashëgimisë shpirtërore e kulturore të shqiptarëve (ITShKSh), Shkup, që rrjedhin nga marrëveshja e lidhur midis këtyre institucioneve në vitin 2021, në mjediset e Institutit Albanologjik të Prishtinës, në datat 4 e 5 tetor 2022, u hap Panairi i Parë i Librit Albanologjik, me botime të tri institucioneve, veprimtari që do të jetë e përvitshme dhe me rotacion nga njëra qendër kërkimore shkencore në tjetrën.
Veprimtarinë e hapi drejtori i IAP, prof. dr. Hysen Matoshi. Pastaj përshëndetën rektori i ASA-s, prof. dr. Luan Përzhita, si dhe drejtori i ITSHKSH, prof. dr. Skënder Hasani, të cilët e vlerësuan këtë panair për mundësinë që i jep librit shkencor të shkojë pranë përdoruesit, si dhe nxit bashkëpunimin midis tri institucioneve për projekte e botime të përbashkëta.
Në datën 4 tetor, në kuadrin e botimeve të tri qendrave, ndër të tjera, u paraqitën dhe botimet e vitit 2021 e pjesërisht të vitit 2022 të ASA-s. Zëvendësrektori, prof. dr. Valter Memisha paraqiti përmes fotove e ilustrimeve 47 vepra të botuara në këtë periudhë. Ai vuri në dukje se ato mishërojnë një punë të përkushtuar e serioze të gjithë institucioneve e punonjësve të tyre në përbërje të ASA-s (botime ndërinstitucionale, botime të Institutit të Arkeologjisë, të Institutit të Historisë, të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, të Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe të Studimit të Artit, si dhe botime enciklopedike). Prof. Memisha u ndal në revistat shkencore të ASA-s (Albanian studies) dhe të çdo instituti (Iliria, Candavia, Studime historike, Studime filologjike, Antropologjii dhe Studime për artin), në botimet shkencore me grup studiuesish, në botimet monografike, në botimet e përmbledhjeve me artikuj shkencorë e studimeve vetjake, në botimet e Akteve të veprimtarive shkencore kombëtare e ndërkombëtare, në botimet e dokumenteve, në botimet e traditës të tipologjisë “Kolana” etj.
Prof. Memisha, dha dhe një informacion tepër të shkurtër për botimet e vitit që po mbyllim. Për këtë vit ASA ka miratuar botimin e 40 veprave të reja shkencore.
Në datën 5 tetor 2022, në kuadrin e paraqitjes së veprave të veçanta shkencore, në prani të dhjetëra të pranishmëve, u bë promovimi i veprës monografike “Dardanët”, me autor rektorin e ASA-s e arkeologun e mirënjohur, prof. dr. Luan Përzhita. Vepra sendërton një punë 40-vjeçare dhe rezultatet dhjetëra ekspeditave arkeologjike në terren. Promovimin e çeli drejtori i IAP-it, prof. dr. Hysen Matoshi. Studiuesi Arbën Hajdari, profesor i Arkeologjisë dhe i Historisë antike në Universitetin “Hasan Prishtina” të Prishtinës, theksoi se ky punim është një kontribut i çmuar për njohjen historisë socio-politike, ekonomike dhe kulturore të dardanëve e Dardanisë në shekuj. Studimi është mbështetur në ndërthurjen e burimeve të shkruara antike, atyre epigrafike, si dhe rezultateve të gërmimeve arkeologjike. Vepra është e ndarë në 5 kapituj (Rreth origjinës së Dardanëve, Mbretëria dardane, shekujt IV-I para Krishtit, Dardanët dhe Roma, Nga Kostandini te Justiniani, Dardanët dhe Perandoria Bizantine, shek. VI-IX).
Duke iu referuar pasurisë së informacionit shkencor, gjerësisë dhe saktësisë së analizave prej autorit, i cili i ndodhur edhe përballë pamjaftueshmërisë së materialit historik etj., ka ditur t’i kapërcejë vështirësitë me të dhëna të reja arkeologjike, një pjesë e konsiderueshme të realizuara prej tij, përmes identifikimit dhe analizës së një numri domethënës vendbanimesh e vendvarrimesh etj. “Kësisoj”, konkludon Hajdari, “studiuesit dhe profesionistët e fushës do të kenë në dispozicion një studim në ambientet e tyre për debate shkencore, kurse studentët dhe mësimdhënësit një monografi të rëndësishme për Dardaninë, ku do të mund të gjejnë të sintetizuar me mjaft kujdes të dhëna mbi ecejaket e kësaj hapësire gjeografike, që nga prehistoria e deri në Mesjetë”. Prof. dr. Aurel Plasari e vlerësoi “Dardanët” si një prurje serioze në studimet tona shkencore, duke u ndalur në bibliografinë shteruese, në ardhjen sistemore të informacionit shkencor e në nivelin e ngritur të këtij informacioni, në sqarimin profesional të tipareve e veçorive shumëplanëshe të periudhave historike në të cilat ka kaluar Dardania. Ai theksoi se një vepër shkencore e përudhësojnë te lexuesi, titulli, autori dhe lënda që ngërthen në faqet e saj. Dhe te monografia “Dardanët” këto i gjen, ashtu siç duhet dhe në përputhshmëri për t’u vlerësuar. Kjo mundëson, sipas studiuesit, që vepra të ketë një rreth të gjerë lexuesish, krahas atij të profilizuar e të specializuar.
Prof. V. Memisha, si redaktor i veprës, foli ndër të tjera edhe për gjuhën e saj, për terminologjinë shkencore të konsoliduar, për sintaksën dhe narrativën shkencore, që mundësojnë një lexim informues, por dhe të këndshëm të lëndës. Ilustrimet cilësore, fotografitë, skicat apo diagramet janë një komponent shumë i rëndësishëm në vepër dhe ato tregojnë jo thjesht një punë të domosdoshme në një vepër arkeologjike-historike, por dhe përgjegjësinë shkencore të autorit të saj.
Për veprën diskutuan dhe pjesëmarrës të tjerë, si prof. Enver Rexha drejtori i Institutit të Arkeologjisë, Prishtinë, prof. Isak Sheme, rektor i Universitetit “Iliria”, Prishtinë etj.
Në Akademinë e Studimeve Albanologjike u mbajt sot mbledhja e parë për procesin e akreditimit të institucionit të ASA-s. Grupi i punës që ka në përbërje përfaqësues nga të gjitha institutet e kërkimit shkencor të ASA-s ishte përballë dy përfaqësueseve të ASCAL-it (Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë), Xhiliola Bixheku e Majlinda Demirneli.
Diskutimi është përqëndruar në kriteret që duhen përmbushur në këtë proces, i cili, nga njëra anë, e garanton ASA-n të përcjellë dijen albanologjike në fushat e historisë, arkeologjisë, antropologjisë kulturore e studimit të artit, të gjuhësisë e të letërsisë nëpërmjet shkollave të Masterit e të Doktoraturës, dhe nga ana tjetër, të arrihet ndërkombëtarizimi i cilësisë së kërkimit shkencor.
Me rastin e 110-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë në Akademinë e Studimeve Albanologjike – Tiranë, Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve -Shkup, do të organizojnë Konferencën mbarëkombëtare “Një komb, një gjuhë”. Ajo synon të sjellë studime e këndvështrime të reja, si dhe sinteza të prurjeve të mëparshme, për këtë temë kyçe në Albanologji. Konferenca do t’i zhvillojë punimet në tri seanca, në Shkup më 22 nëntor 2022, në Prishtinë më 23 nëntor 2022 dhe në Tiranë më 24 nëntor 2022.
Në vitin 1912 shpallet Pavarësia e Shqipërisë, për të cilën faktori gjuhësor ka luajtur një rol parësor, përcaktues e të pazëvendësueshëm. Në vitin 1908 bëhet Kongresi i Manastirit, i njohur ndryshe si Kongresi i Bashkimit Kombëtar apo si Kongresi i Alfabetit. Këto përcaktime, që rrjedhin nga mënyra se si u trajtua çështja kombëtare dhe nga vendimet historike që ai mori, janë të pandashme. Një komb modern evropian nuk mund të konceptohej jo vetëm pa një gjuhë të shkruar, por ajo duhej të shkruhej me një alfabet të vetëm. Kongresi i Manastirit i dha fund përdorimit të alfabeteve të shumta, duke pranuar vetëm dy prej tyre, ndërkohë që alfabeti latin i fitoi përparësinë e përdorimit. Dokumenti i parë i shpalljes së Pavarësisë u hartua me këtë alfabet dhe shteti shqiptar i sapokrijuar bëri gjuhë zyrtare shqipen e shkruar me këtë alfabet, i cili u pranua gjithandej ku flitej gjuha shqipe.
Shpallja e Pavarësisë mundësoi proceset për unifikimin dhe homogjenizimin kombëtar. Por vetëm pak muaj nga shpallja e Pavarësisë, kombi shqiptar copëtohet në disa pjesë dhe mbeten jashtë kufijve të Shqipërisë politike, Kosova, Maqedonia Perëndimore, jugu i Malit të Zi, Çamëria etj. Kjo pati pasoja të rënda në të dy proceset: në unifikimin kombëtar dhe në procesin e njësimit të gjuhës zyrtare. Por edhe pse copëzimi mund të çonte në shpërbërjen e kombit tonë, kjo nuk ndodhi. Koha tregoi se populli ynë, që kish njohur në shekuj sfida të ekzistencës, e ruajti njësimin kombëtar. Ndarja ishte ndërshtetërore, por jo kombëtare. Periudha kohore 110-vjeçare nga shpallja e Pavarësisë e deri më sot, me gjithë pengesat shpesh të pakapërcyeshme, tregoi se sfidat e reja u përballuan. Mbetëm një komb me një gjuhë!
Udhëtimi 110-vjeçar përveçon ngjarje që janë gurë kilometrikë dhe përcaktues. Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore e gjeti popullin tonë të paktën në dy shtete të ndryshme, çka frenoi procesin e homogjenizimit të kombit e të njësimit të gjuhës, por nuk i ndaloi ato. Rrethanat historike, në një kohë kur në Shqipërinë politike gjuha zyrtare mbështetej në toskërishten, kurse në trojet në ish-Jugosllavi përdorej gegërishtja (çka u shfrytëzua nga politika e Beogradit për një ndarje që të çonte në krijimin e dy kombeve shqiptare), e bënë të domosdoshme nevojën e një marrëveshjeje për të zgjidhur çështjen e gjuhës letrare të përbashkët për të gjitha pjesët e kombit, brenda e jashtë kufijve politikë të shtetit shqiptar.
Në Republikën e Shqipërisë, por edhe në Kosovë, u zbatuan politika të qarta të planifikimit gjuhësor, duke e bërë parësor krijimin e kësaj gjuhe të njësuar. U hartuan disa ortografi, u bënë sesione e konsulta shkencore, si dhe diskutime të gjera, që përcaktuan hullinë e procesit të krijimit të gjuhës letrare kombëtare të njësuar. Ndër to veçohet Konsulta e Prishtinës, prill 1968, e cila u bë përshpejtuese dhe përcaktuese në udhëtimin e mëtejshëm gjuhësor e kombëtar të shqiptarëve. Kurorëzim i këtij procesi përbashkues është Kongresi i Drejtshkrimit, Tiranë 1972, që bëri kodifikimin e shqipes standarde, duke bërë në të vërtetë bashkimin përfundimtar gjuhësor dhe kombëtar të shqiptarëve. Shqipja letrare e njësuar u pranua dhe filloi të përdorej nga hapësirat mbarëshqiptare.
Shekulli XXI solli pavarësinë e Kosovës, përmirësime të ndjeshme në statusin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut si dhe faktorizimin e ndjeshëm të elementit shqiptar në Malin e Zi. Shqipja standarde, si gjuhë zyrtare e shtetit shqiptar në Shqipëri, si gjuhë zyrtare e shtetit shqiptar në Kosovë dhe si gjuhë zyrtare e shqiptarëve që përbëjnë mbi 20% të popullsisë në Maqedoninë e Veriut, që nga Kongresi i Drejtshkrimit ka njohur pasurim, shtrirje e zgjerim të funksioneve. Ajo ka fituar statusin e duhur kombëtar e ndërkombëtar, por ende gjendet përballë sfidave të brendshme zhvillimore dhe sfidave të globalizimit.
Disa nga temat bosht të konferencës “Një komb, një gjuhë”
Kongresi i Manastirit dhe njësimi i alfabetit
“Komisia letrare” dhe procesi i krijimit të shqipes së njësuar
Sesionet shkencore të vitit 1952 dhe rëndësia e tyre për krijimin e shqipes së njësuar
Ortografitë e shqipes dhe rruga për shqipen e përbashkët
Konsulta e Prishtinës dhe rëndësia e saj
Kongresi i Drejtshkrimit, ngjarje madhore në bashkimin kombëtar
Shtrirja dhe zgjerimi i funksioneve të shqipes standarde sot
Marrëdhëniet shtet, shoqëri dhe gjuhë standarde etj.
Roli i shkencave albanologjike, i shkollës, i letërsisë e i publicistikës në rritjen e prestigjit të shqipes standarde
Komisioni organizues, pasi të shohë tematikën e aplikimeve për pjesëmarrje do të bëjë dhe ndarjen e tyre sipas tri seancave të planifikuara (Shkup, Prishtinë, Tiranë).
Adresa email: angelique2005al@yahoo.com
Ju faleminderit!
Komisioni organizues
Akademia e Studimeve Albanologjike organizoi dje prezantimin e leksikonit “Vendbanimet në hapësirën historike shqiptare të Çamërisë. Tabloja fizike-hapësinore, demografike e funksionale” (Albas, 2021), të autorit prof. dr. Selman Sheme. Është një leksikon unikal që evidenton rrënjët e vendbanimeve shqiptare në krahinën e Çamërisë, evolucionin e tyre në kohë dhe hapësirë, sa i përket shtrirjes territoriale, numrit të banorëve dhe strukturës së tyre etnike, rrjedhave demografike sociale dhe kulturore.
Profesor Sheme ka shfrytëzuar dëshmi të kulturës materiale të vendbanimeve parahistorike, të Antikitetit, të Mesjetës dhe një mori materialesh dokumentare, arkivore dhe studime të autorëve klasikë e modernë shqiptarë e të huaj, të cilat sjellin argumente shkencore lidhur me origjinën iliro-epirote dhe vazhdimësinë arbërore-shqiptare, e në tërësi të përkatësisë etnike-shqiptare të popullsisë në krahinën e Çamërisë.
Autori Selman Sheme ka qenë profesor pranë Departamentit të Gjeografisë në Universitetin e Tiranës. Ka një veprimtari të gjerë pedagogjike dhe shkencore. Është autor dhe bashkautor i 26 monografive dhe teksteve mësimore për shkollat 9-vjeçare dhe të mesme.
Vlejnë të përmenden disa vepra që kanë në fokus krahinën historike shqiptare të Çamërisë “Çamëria: vendi, popullsia dhe jeta ekonomike” (2005), “Çështja çame dhe integrimi europian” (2005), “Monumente natyrore dhe kulturore të Çamërisë” (2012) etj.
Në prezantimin e djeshëm ligjëruan: prof. dr. Luan Përzhita, prof. dr. Sabri Laçi, prof. dr. Fatmira Rama, prof. dr. Bardhosh Gaçe dhe dr. Lorenc Agalliu.
Studiuesit e cilësuan një vepër që do duhet të përfshihet në programet shkollore e universitare, por kompetenca e tij shkencore është e padiskutueshme për t’u përdorur një ditë edhe në mbrojtjen ligjore të çështjes çame kundër genocidit grek dhe spastrimit etnik që krahina dhe popullata e saj provoi në gjysmën e parë të shekullit të kaluar.
Në datën 14 prill 2022 rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Luan Përzhita, dhe zëvendësrektori, prof. dr. Valter Memisha, ishin për një vizitë pune në Sofje, Bullgari. Gjatë vizitës u zhvilluan bisedime dypalëshe ndërinstitucionale, si dhe u nënshkruan dy marrëveshje bashkëpunimi.
1. Në orën 9 e 30 të datës 14 prill 2022, drejtuesit e ASA-s u pritën nga ambasadorja e Republikës së Shqipërisë, shkëlqesia e saj Phd. Dorina Hoxha në mjediset e Ambasadës së vendit tonë në Bullgari. Ndër të tjera në takim u diskutua për zgjerimin e bashkëpunimit të Akademisë së Studimeve Albanologjike me institucione analoge në Bullgari. Ambasadorja shprehu gatishmërinë për mbështetjen e saj të drejtpërdrejtë në këtë drejtim. Vëmendje të veçantë mori në takim dhe organizimi këtë vit i një ekspedite albanologjike në fshatin Mandricë, ku, prej mbi dy shekujsh jeton një bashkësi shqipfolëse. Ambasadorja përsëri shprehu mbështetjen e saj të veçantë për këtë ekspeditë, duke kërkuar hartimin e një projekti të përbashkët për ta realizuar me sukses sipërmarrjen.
2. Në orën 11 të datës 14 prill 2022, në mjediset e rektoratit të Universitetit të Sofjes (Sofia University “St. Kliment Ohridski”) nga zëvendësrektori i këtij universiteti, prof. dr. Georgi Valchev dhe nga rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Luan Përzhita u nënshkrua Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve (The Agreement for cooperation between the Academy of Albanian Studies and Sofia University “St. Kliment Ohridski”). Në nënshkrimin e marrëveshjes ishte e pranishme edhe ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Sofje, shkëlqesia e saj, Dorina Hoxha.
Marrëveshja parashikon bashkëpunimin në disa fusha, si: në shkëmbimin e produktit shkencor (të revistave shkencore, të punimeve monografike, të veprave me karakter përgjithësues etj.), publikimeve shkencore të përbashkëta, të organizmit të konferencave të përbashkëta shkencore, të ligjëratave të herëpashershme, të shkëmbimit të personelit akademiko-mësimdhënës, të hapjes së një programi të ri studimesh universitare në nivel bachelor për Ballkonologji (me lëndë që mbulojnë historinë, gjuhësinë, arkeologjinë, antropologjinë, kulturën e artin) me pedagog të përbashkët nga të dy institucionet, por dhe nga universitete të tjera të Shqipërisë.
Në fjalën përshëndetëse zëvendësrektori i Universitetit të Sofjes, prof. dr. Georgi Valchev, pasi shprehu falënderimet e rastit e vlerësoi arritjen dhe nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje. Ndër të tjera, ai theksoi sa koha është që të lëmë rrugët e shtigjet e ngushta të punës së mbyllur, por të krijojmë autostradat e bashkëpunimit midis institucioneve. Mundësitë dhe kapacitetet janë. Le të synojmë për të realizuar ato për të cilat po nënshkruajmë dhe marrëveshjen.
Kurse rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Luan Përzhita, falënderoi për mikpritjen zëvendësrektorin dhe të pranishmit në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes. Ai, krahas fushave të shprehura në Marrëveshje, i mëshoi krijimit të një rrjeti ndërkombëtar–ballkanik të kërkimit shkencor (Network), në të cilin të kenë akses studiuesit, jo vetëm të dy vendeve tona, por dhe ata të vendeve të tjera ballkanike.
Në fund të ceremonisë, zëvendësrektori i Universitetit të Sofjes, prof. dr. Georgi Valchev, për të pranishmit shtroi një drekë pune.
3. Në orën 13 të datës 14 prill 2022, në mjediset e Institutit të Studimeve Ballkanike dhe qendrës për Trakologjinë, në Akademinë e Shkencave të Bullgarisë (The Institute of Balkan Studies & Centre for Tracology, Bulgarian Academy of Sciences, Sofia, Bulgaria) nga drejtoresha e këtij Instituti, prof. dr. Roumiana Preshlenova dhe nga rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Luan Përzhita, u nënshkrua Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve. Nënshkruesit e vunë theksin te projektet shkencore studimore në fushat me interes të përbashkët, te shkëmbimet e botimeve, te botimet e përbashkëta, tek organizmi i seminareve, konferencave shkencore, tek organizmi i panaireve të botimeve shkencore, te hapja e ekspozitave me materiale që u përkasin kulturave respektive dhe të rrafshit ndërballkanik.
4. Në orën 14 në mjediset e Bibliotekës Kombëtare të Bullgarisë përfaqësuesit e ASA-s patën një takim me një grup punonjësish të kësaj biblioteke, të kryesuar nga drejtoresha prof. as. Krasimira Aleksandrova. Ajo bëri një paraqitje të shkurtër të veprimtarisë së bibliotekës, sidomos për propagandimin e librit shkencor me interes për studimet ndërballkanike, për mundësinë e madhe të shfrytëzimit të fondit shumë të madh libror të bibliotekës (me 8.000.000 ekzemplarë dhe si e tillë një nga më të pasurat e Evropës). Prof. dr. Luan Përzhita, ndër të tjera, e vuri theksin te shkëmbimi i librit shkencor, te hapja së shpejti e një panairi të përbashkët të botimeve shkencore, si dhe te hapësirat e mundshme për kualifikimin për programime kompjuterike pranë Bibliotekës Kombëtare të Bullgarisë të punonjësve të bibliotekës sonë. Takimi u karakterizua nga një frymë mirëkuptimi, duke projektuar nënshkrimin së afërmi të një Marrëveshjeje bashkëpunimi midis dy institucioneve. Në takim ishte e pranishme dhe përfaqësuesja e ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Sofje për kulturën.
5. Pasdite rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Luan Përzhita, zhvilloi një takim pune me drejtorin e Institutit të Arkeologjisë së Sofjes, prof. Hristo Popov, dhe me zëvendësdrejtorin e këtij Instituti, prof. Kalin Dimitrov. Ata shkëmbyen përvojën e tyre në gërmimet e kërkimet arkeologjike, në botimet e publikimet shkencore, si dhe diskutuan për hapësirat e një bashkëpunimi konkret dhe përfshirës këtë fushë. Në takim ishte e pranishme dhe përfaqësuesja e ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Sofje për kulturën.
Më 7 prill 2022 u nënshkrua në Athinë një marrëveshje bashkëpunimi 5-vjeçare mes Shkollës Franceze të Athinës dhe Akademisë së Studimeve Albanologjike.
Marrëveshja garanton shkëmbimin e eksperiencave në kërkimin shkencor, zhvillimin e programeve të përbashkëta edukuese, trajnuese, aktivitete kulturore, botime, akses në koleksionet arkivore për kërkuesit shkencore të të dyja palëve, seminare, konferenca ose shkolla verore e deri në botime të përbashkëta.
Marrëveshja u nënshkrua nga Prof.dr. Luan Përzhita, rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe Véronique Chankowski, drejtore e Shkollës Franceze të Athinës.
Dje, më 21 mars 2022, në Prishtinë, në zbatim të Marrëveshjeve të nënshkruara në dhjetor 2021 ndërmjet tri institucioneve: Akademia e Studimeve Albanologjike (ASA), Tiranë, Instituti Albanologjik i Prishtinës (ILP), dhe Institutit të trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITShKSh, Shkup, për të diskutuar dhe miratuar veprimtaritë shkencore të përbashkëta që do të zhvillohen gjatë vitit 2022, u bë takimi i grupeve të punës të kryesuara nga drejtuesi e tri institucioneve: prof dr. Luan Përzhita (ASA), prof. dr. Hysen Matoshi (IAP) dhe prof. dr. Skëndër Asani (ITShKSh).
Vëmendjen kryesore në takim e mori miratimi nga të tri institucionet i organizimi në muajin nëntor 2022 i Konferencës së përbashkët shkencore “Një komb, një gjuhë”. Konferenca e merr shtysën nga 50-vjetori i Kongresit të Drejtshkrimit (Tiranë 1972) dhe do të trajtojë çështje që lidhen me gjuhën shqipe dhe, pazgjidhshmërisht me të, me kombin shqiptar, gjatë 120 vjetëve të fundit.
Konferenca do t’i zhvillojë punimet në të tri kryeqendrat dhe përkatësisht:
– më 22 nëntor në Shkup (datë që përkon me mbylljen e punimeve të Kongresit të Manastirit, 1908, si dhe të veprimtarisë “Ditë të Alfabetit”, të organizuara nga ITShKSh);
– më 23 nëntor në Prishtinë;
– më 24 nëntor në Tiranë (ku bëhet dhe mbyllja e punimeve).
Në Konferencë do të kumtojnë studiues shqiptarë dhe albanologë të huaj, si dhe do të ketë, ndër të tjera, përshëndetje nga ish-pjesëmarrësit në Kongresin e Drejtshkrimit. Këtë veprimtari të rëndësishme shkencore do ta prijë një vizitë e pjesëmarrësve në Shtëpinë e Alfabetit, në Manastir më 21 nëntor, organizuar nga ITShKSh.
Të gjitha aktet e Konferencës treditore “Një komb, një gjuhë!” do të botohen në një vëllim të posaçëm, i cili do t’u çelë rrugën botimeve të çdovitshme të përbashkëta midis tri institucioneve albanologjike.
Në takim morën vëmendjen e duhur, edhe çështje të tilla, si: organizmi dhe institucionalizmi i përvitshëm (çdo shtator) i Panairit “Botime Albanologjike”, me botime nga ASA, ILP, ITShKSh; paraqitje (promovime) veprash të studiuesve nga ASA, ILP, ITShKSh (në vazhdimësi); zgjerimi dhe thellimi i bashkëpunimit për botime të përbashkëta të veprave shkencore, botime artikujsh në revistat shkencore të tri institucioneve, kryerjen e recensimeve për vepra etj); organizmi i Lektoriumeve të mbartshme shkencore nga specialistë të fushave të Albanologjisë e kulturës kombëtare etj.
Këshilli i Etikës së Akademisë së Studimeve Albanologjike zgjodhi kryetare të tij znj.Enkelejda Shamku-Shkreli. Këshilli, i votuar nga Senati Akademik i ASA-së, përbëhet nga:
Akademia e Studimeve Albanologjike dhe Bashkia e Tiranës kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi 1-vjeçare për organizimin e një cikli seminaresh të përmuajshme me shkollat e mesme të Tiranës. Marrëveshja e nënshkruar nga rektori Luan Përzhita dhe zëvendëskryetarja e Bashkisë së Tiranës Anisa Ruseti, ka për qëllim njohjen dhe edukimin e të rinjve me trashëgiminë kulturore e historike, materiale e shpirtërore të Tiranës.
ASA, me anë të Institutit të Arkeologjisë dhe Institutit të Antropologjisë dhe Studimit të Artit, ofron specialistë që do t’iu përcjellin të rinjve njohuri mbi potencialin e pasur të qytetit dhe rrethinave të tij.
Tematika e seminareve që do të organizohen në ambjentet e Muzeut të Arkeologjisë, do të mbulojë një gamë të gjerë kërkimesh nga prehistoria, antikiteti, antikiteti i vonë dhe mesjeta dhe studime që lidhen me dijen e etnografisë.
Veç kësaj, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, si dhe Zyrën Vendore të Arsimit Parauniversitar në Tiranë, janë parashikuar vizita të organizuara në kala, muze dhe qendra historike në sitet arkeologjike të Tiranës dhe rrethinave të saj të udhëhequra nga arkeologë, arkitektë, studiues të Akademisë së Studimeve Albanologjike.
Ditën e hënë, ora 11:00, nis udhëtimi i leksioneve mbi trashëgiminë që të rinjtë do marrin në Muzeun e Arkeologjisë përgjatë vitit 2022. Lektorët Rudenc Ruka dhe Rovena Kurti nga Instituti i Arkeologjisë do të jenë përpara nxënësve të gjimnazit “Qemal Stafa”. Nxënësit e kanë trashëgiminë si lëndë mësimore me zgjedhje, por në këtë takim ata do të njihen më gjerësisht me të dhënat arkeologjike mbi prehistorinë e Tiranës.
Ky takim i parë inauguron bashkëpunimin 1-vjeçar mes Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe Bashkisë së Tiranës, me miratimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në kuadrin e vitit të Tiranës si kryeqytet i rinisë.
Prof. Riza Hasa
(1950-2022)
Më datë 21 Janar 2022, u nda nga jeta profesori i përkushtuar dhe hulumtuesi në fushën e Arkeologjisë, Riza Hasa. Ai ishte një nga figurat më të spikatura të mjedisit universitar, shkencor dhe kulturor të qytetit të Elbasanit.
Lindi në Skrapar më 3 mars të vitit 1950. Kreu studimet universitare në fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës në degën histori dhe gjeografi. Pas përfundimit të studimeve të larta, nga viti 1967 deri në vitin 1983 ka kontribuar si mësues dhe drejtues në shkollat e rrethit të Elbasanit (Dragot, Belsh). Në vitin 1984, Prof. Rizai u emërua punonjës shkencor në Institutin e Shkencave/Sektori i Arkeologjisë. Vepritarinë e tij kërkimore ia kushtoi hulumtimit të gjurmëve arkeologjike në territorin përreth Elbasanit. Ndër angazhimet e tij më të rëndësishme janë gërmimet arkeologjike në vendbanimin prehistorik të Lleshanit, në zonën malore të Shpatit/Elbasan. Rezultatet e disa fushata gërmimesh realizuar në këtë vendbanim janë botuar në revistën “Iliria” 1987, 1989 dhe 1990. Profesionalizmi dhe nuhatja prej një arkeologu të spikatur kanë mundësuar rënien në gjurmët e një thesari prej 2700 monedhash, dëshmi e dinamikës së zhvillimit të vendbanimit të Lleshanit gjatë periudhës qytetare Ilire. Pasioni i tij në zbulimin e të fshehtave të Lleshanit kanë sjellë si rezultat të dhëna të rëndësishme mbi natyrën e këtij vendbanimi si edhe intensitetin e përdorimit dhe dinamikat e zhvillimit dhe transformimit të tij. Si njohës shumë i mirë i materialit arkeologjik të periudhës antike ai sugjeroi orientimin kulturor të Lleshanit drejt grupit kulturor të rajonit në veri të lumit Shkumbin.
Nga viti 1994 deri në pensionimin e tij, kontriboi si pedagog në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Përgjatë kësaj periudhe ai ka qenë lektor i kurseve të Arkeologjisë dhe Historisë së Popullit Shqiptar. Në funksionin e përgjegjësit të departamentit të Arkeologjisë, dhe si anëtar i këshillit shkencor të Fakultetit të Shkencave Humane, profesor Rizai ishte një zë aktiv në vendimmarrjet e lidhura me përmirësimin e jetës akademike të fakultetit. Aktiviteti i tij në auditorin akademik të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” u kurorëzua me fitimin e titullit “docent”, në 30 Janar 2014.
Pavarësisht shkëputjes nga angazhimet zyrtare në Institutin e Arkeologjisë, Profesor Rizai vazhdoi të ishte një pikë e rëndesishme referemi dhe burim i pashtershëm shkëmbimi eksperiencash me kërkuesit e këtij Instituti si edhe çdo projekt studimor me fokus në vendbanime/vendgjetje arkeologjike përgjate shtrirjes së rrugës Egnatia. Dashuria e tij për arkeologjinë e nxiti në ngritjen e laboratorit të arkeologjisë pranë Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, ku grumbulloheshin gjetje arkeologjike nga zona përreth Elbasanit. Me angazhimin e tij personal u bë i mundur studimi i materialit të këtij laboratori në bashkëpunim me kolegë të Institutit të Arkeologjisë dhe botimi i tij në Aktet e Konferencës Nderkombëtare “Risi Arkeologjike nga Trevat Shqiptare”, organizuar nga Instituti i Arkeologjisë në vitin 2017. Të dhënat e këtij materiali, me prejardhje nga një varrezë e zbuluar përmes një gërmimi të padokumentur në Mirakë kanë dhënë rezultate të rëndësishme jo vetëm mbi larminë e gjetjeve prej qeramike dhe metali por edhe kuptimin e tij në kontekstin politik dhe kulturor lokal/rajonal gjatë periudhës Romake. Natyra ushtarake e koleksionit të Mirakës është një vlerë e shtuar në njohuritë tona mbi nivelin e barbarizimit, militarizimit dhe ruralizimit të banorëve të këtij territori.
Krahas angazhimit akademik, profesor Rizai ishte aktiv në shtypin e përditshëm, botues artikujsh, informues dhe polemist, intervistuar nga media të ndryshme për çështje të pasurisë arkeologjike lokale dhe kombëtare, një intelektual i angazhuar në mbrojtje të monumenteve historike dhe arkeologjike të rrethit të Elbasanit, bashkëpunëtor plot energji në projekte kërkimore qoftë të terrenit, qoftë në hartimin e guidave historike e kulturore për rrethin e Elbasanit, mikpritës dhe udhërrëfyes pasionant në sitet arkeologjike për studentë, vizitorë, kërkues shkencorë, dashamirës të arkeologjisë dhe të monumenteve historike.
Prof.Riza Hasa ishte anëtar i këshillit shkencor botues të revistës etnokulturore “Albanon” (ISSN: 2616-6372), botim i Albanian Digital Archives and Collections, që prej themelit të saj në 2018, dhe shkrues në numrat e parë të kësaj reviste me shkrimet: “Zbulime arkeologjike në trevën e Elbasanit”, “Saraje pashallarësh në Elbasan, por kush ishte pashai?” dhe “Thesaret ‘e fshehura’ të qytetit të Elbasanit”. Ishte po ashtu hartues i disa zërave për pasurinë arkeologjike të qytetit të Elbasanit në “Elbasani-Enciklopedi”, botuar në 2003.
Në vitin 1920 artisti gjerman Paul Klee krijoi tablonë “Angelus Novus”. Kur filozofi Walter Benjamin e pa po atë vit në shtëpinë e piktorit, e bleu dhe do kishte dashur të themelonte një revistë me të njëjtin titull. Ai shihte tek “Angelus Novus” engjëllin e historisë që “dëshiron të qëndrojë, të zgjojë të vdekurit dhe të shërojë atë që është shkatërruar. Por një stuhi po fryn nga Parajsa; është kapur pas krahëve me një dhunë të tillë sa engjëlli nuk mund t’i mbyllë më. Stuhia e shtyn atë në mënyrë të papërmbajtshme drejt së ardhmes së cilës i është kthyer shpina, ndërsa grumbulli i gërmadhave përpara tij zmadhohet drejt qiellit. Kjo stuhi është ajo që ne e quajmë progres”.
Reflektimin e Benjaminit i 100 viteve më parë, na e solli ndërmend kjo vepër arti, kjo serenë që ruhet në fondet e arkeologjisë. Këtë krijesë me sytë e mbyllur, krahët në prehje dhe me gjestin e njërës dorë pranë veshit, e zgjodhëm me të parën për të bërë urimin tonë për Krishtilindjen dhe Vitin e Ri. Urojmë që kjo shëmbëlltyrë të bëjë atë që urimet si formula të ngrira në kohë nuk arrijnë ta bëjnë, duke mos i shprehur ashtu si do donim ndjesitë tona të njëmendtëta: për një vit të mbarë dhe të bardhë!
Më 16 dhjetor 2021 u nënshkrua në Tiranë, në Akademinë e Studimeve Albanologjike, “Memorandumi i bashkëpunimit 2021-2026”, ndërmjet Akademisë së Studimeve Albanologjike – Tiranë, Institutit Albanologjik – Prishtinë dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve – Shkup”, ndërmjet Akademisë së Studimeve Albanologjike – Tiranë, Institutit Albanologjik – Prishtinë dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve – Shkup.
Duke u mbështetur në bazat ligjore për arsimin në vendet respektive, Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni e Veriut, të tria institucionet synojnë me anë të këtij memorandumi nxitjen dhe thellimin e bashkëpunimit për kërkimin shkencor, në fushën e albanologjisë, përfshirë edhe shkëmbimin e ekspertëve dhe punonjësve shkencorë, si dhe angazhohen për nisma projektesh të përbashkëta kërkimore-shkencore rajonale dhe ndërkombëtare.
Memorandumi parashikon:
-pjesëmarrje në programet e projektet kërkimore-shkencore dhe arsimore, të miratuara dhe bashkëfinancuara nga institucionet përgjegjëse të palëve, si dhe ato projekte të financuara nga Bashkimi Europian dhe organizma të tjera ndërkombëtare;
-shkëmbim të botimeve, periodikëve, revistave e monografive me interes të përbashkët;
-zhvillimin e konferencave shkencore, simpoziumeve, seminareve, tribunave të përbashkëta dhe programeve specifike;
-ideimin dhe realizimin e projekteve shkencore, strukturave të reja të kërkimit me rëndësi kombëtare në bashkëpunim me kompani private, vendase e të huaja;
-veprimtari të përbashkëta promovimi dhe publikimi, me qëllim sensibilizimin e qytetarëve, për projekte ndërmjet këtyre tri institucioneve dhe institucioneve të tjera bashkëpunuese;
-bashkëpunim në drejtim të procesit të mësimdhënies, kualifikimit shkencor e nismave për stimulimin e kërkuesve të rinj;
-botimi i një reviste të përbashkët albanologjike (print dhe digjitale);
-përgatitja dhe aftësimi i kuadrove, që si bazë do të kenë njohjet e gjuhëve të lashta: greqisht, latinisht, persisht dhe osmanisht;
-botimi dhe ribotimi i teksteve të albanologëve shqiptarë dhe të huaj, në edicione të posaçme;
-një vëmendje më e shtuar për trevat lindore shqiptare, të cilat do të jenë objekt i një projekti të madh të ITSHKSH-së, ku logjistika shkencore e profesionale e qendrave albanologjike në Tiranë dhe Prishtinë do të ishte dobiprurëse;
Për realizimin e objektivave të mësipërme do të parashikohet stafi akademik, i cili do të përzgjidhet në përputhje me veprimtaritë që parashikon zbatimi i kësaj marrëveshjeje.
Ky bashkëpunim mund të vazhdojë edhe pas afatit të përcaktuar më sipër, në qoftë se nuk ka kundërshtim nga palët.
Marrëveshja u nënshkrua publikisht nga rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike – Tiranë, prof. dr. Luan Përzhita, drejtori i Institutit Albanologjik – Prishtinë prof. dr. Hysen Matoshi dhe drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, prof. dr. Skender Asani.
Akademia e Studimeve Albanologjike organizon Ditët e Albanologjisë, edicioni XII, më 15-17 dhjetor. “Albanologjia e mijëvjeçarit të ri” është zgjedhur si temë e këtij edicioni. Ceremonia e hapjes zhvillohet në Sallën e Albanologjisë, Pallati i Kongreseve, ora 10.00.
Një memorandum bashkëpunimi mes qendrave albanologjike të Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit; nderim për disa kërkues shkencorë që lënë karrierën aktive akademike dhe një ekspozitë e botimeve të Akademisë, janë disa nga aktivitetet e parashikuara.
Bashkëngjitur gjeni programin e detajuar dhe në vazhdim, katalogun e sapodalë nga shtypi me botimet themelore në vite si dhe botimet më të reja të ASA-së.
“Ditët e alfabetit” nisën sot në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptareve-Shkup. Aktivitetet shkencore mbi letërsinë, gjuhën dhe traditën arbëreshe zgjasin deri më 22 nëntor.
Akademia e Studimeve Albanologjike u përfaqësua nga rektori Luan Përzhita dhe prof. dr. Valter Memisha, të cilët zhvlluan edhe takimin e radhës me drejtuesit e qendrave albanologjike të Prishtinës dhe Shkupit, për përgatitjen e një strategjie me moton “Albanologjia e mileniumit të ri”. Kështu më 15 dhjetor në Tiranë nënshkruhet Memorandumi i bashkëpunimit mes të tri qendrave.
Më 26 tetor mbahet në Shkodër, në Universitetin “Luigj Gurakuqi” konferenca “Drejt një strategjie të albanologjisë”. Është një konsultë e cila do të shërbejë si prelud i një bashkëpunimi afatgjatë mes tri qendrave albanolgjike të Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit, në prag të nënshkrimit të memorandumit në Ditët e Albanologjisë që organizohen çdo dhjetor.
Takimi hapet nga prof. dr. Luan Përzhita, rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe përshëndetet nga prof. dr. Suzana Golemi, rektore e Universitetit të Shkodrës, prof. dr. Hysen Matoshi nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, prof. asoc. dr. Sabit Syla nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, dr. Skënder Asani nga Instituti Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të shqiptarëve në Shkup dhe nga prof. dr. Ylber Sela prej Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës e RMV-së po në Shkup.
Në konferencë prof. dr. Artur Lama, drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë diskuton për planin e ri strategjik për studimet gjuhësore-letrare; prof. asoc. dr. Afrim Krasniqi trajton perspektivën dhe sfidat e studimeve historike; prof. asoc. dr. Belisa Muka hedh disa piketa rreth strategjisë së kërkimeve arkeologjike, ndërsa dr. Olsi Lelaj bën një bilanc mbi arritjet dhe akset kërkimore nga Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit.
Në fund të takimit do të ketë diskutime për të dalë në një draft mbi strategjinë në fushën e kërkimeve albanologjike. Në takimet e muajit tetor që Akademia e Studimeve Albanologjike pati me ministren e Arsimit, Rinisë dhe Sportit Evis Kushi dhe presidentin e Republikës z.Ilir Meta, u diskutua hedhja e këtij hapi që jep garanci jo vetëm për autonominë e ASA-së, por sidomos për shfrytëzimin e autoritetit të saj në dhënien e ekspertizës për tekstet shkollore dhe në ngritjen cilësore të kërkimit shkencor në fushat e albanologjisë.
E gjitha kjo i paraprin kalendarit të ngjeshur të zhvillimeve që ASA është duke projektuar për vitin 2022.
Në datat 25-26 tetor 2021, Akademia e Studimeve Albanologjike organizon konsultën “Drejt një strategjie të Albanologjisë”. Të ftuar në këtë aktivitet janë Instituti i Albanologjisë-Prishtinë, Instituti i Historisë “Ali Hadri”,Prishtinë, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve-Shkup si dhe Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së Shkup. Ky aktivitet do të zhvillohet pranë Universitetit të Shkodrës.
Ditën e shtunë, dt. 16 tetor 2021, rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Luan Përzhita dhe zëvendësrektori, prof. dr. Valter Memisha, ishin të pranishëm në veprimtarinë e organizuar në Muzeun Kombëtar të Arsimit, Korçë, njohur ndryshe si ndërtesa e Mësonjëtores së Parë Shqipe, nga znj. Elva Margariti, ministre e Kulturës, me rastin e dhurimit bibliotekës së këtij Muzeu të një pakete librash shkencorë të botuar prej Akademisë sonë.
Ministrja Margariti e falënderoi rektorin dhe, përmes tij, gjithë punonjësit shkencorë për këtë nismë me vlera dhe theksoi se sipërmarrje të tilla janë të mirëpritura dhe për institucione të tjera që varen nga Ministria e Kulturës. Ajo i mëshoi faktit se marrëveshja midis Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe Ministrisë që ajo drejton krijon mundësi shumë të mëdha e më të gjera bashkëpunimi.
Rektori Luan Përzhita falënderoi ministren për vlerësimin për dhurimin e librave, e uroi atë për nismën e sipërmarrë, si dhe theksoi se Akademia e Studimeve Albanologjike do të dhurojë dhe një paketë tjetër botimesh shkencore, një proces që do të jetë i hapur dhe i pandërprerë dhe në të ardhmen. Ai theksoi gjithashtu se ASA ka pasuri që u përkasin të gjitha fushave të albanologjisë (historisë, arkeologjisë, antropologjisë, gjuhësisë e letërsisë) dhe që lidhen më fije të shumëfishta me arsimin e me arsimimin kombëtar dhe që mund të ndihmojnë në pasurimin jo vetëm të bibliotekës së Muzeut Kombëtar të Arsimit, por edhe të enteve të tjera përbërës të këtij institucioni.
Të ftuarit vizituan mjediset e Muzeut, i cili, pas restaurimit të fundit, ka marrë një pamje tërësisht tjetër, me mundësi të mëdha e me teknika bashkëkohore informimi e formimi dhe është bërë tepër miqësor e funksional për gjithë.
Drejtorja e Shkollës Franceze të Athinës (prej vitit 2019), Véronique Chankowski, ishte për një vizitë miqësore po edhe pune pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike. Ajo u prit nga rektori, prof. dr. Luan Përzhita dhe drejtoresha e Institutit të Arkeologjisë, prof. asoc. dr. Belisa Muka.
Chankowski uroi rektorin Përzhita për detyrën e re dhe takimi mes tyre u ndal në krijimin e një klime të përshtatshme bashkëpunimi shqiptaro-franceze në fushën e arkeologjisë.
Projektet e përbashkëta në këtë drejtim janë zbatuar prej vitesh me gërmime në zonën e Korçës, Apoloni dhe Bylis. Veçanërisht për Bylisin, Shkolla Franceze e Athinës do të mbështesë botimet mbi rezultatet e kërkimeve arkeologjike në këtë zonë.
Chankowski, një personalitet në lëmin e historisë ekonomike dhe sociale të botës antike greke, është e para grua që drejton Shkollën Franceze të Athinës, shkollë me një histori 200-vjeçare.
Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, Prof. dr. Luan Përzhita, priti sot në takim ministren e Arsimit, Evis Kushi. Rektori Përzhita e prezantoi ministren me Senatin e ri dalë nga zgjedhjet e 21 korrikut dhe bëri një sintezë të gjendjes aktuale tëkëtij institucioni të lartë të kërkimit shkencor nën varësinë e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
Në fokus të diskutimit ishin disa kërkesa që profesor Përzhita i parashtroi ministres.
Së pari, që ASA të ketë një status special si institucion kërkimor, i integruar me arsimin e lartë.
Së dyti, që ASA-s t’i kthehen hapësirat e godinës (gjysma e saj) që i janë marrë në vitin 2013 nga ish-Ministria e Integrimit, gjë për të cilën ASA (Qendra e Studimeve Albanologjike në atëkohë) pati bërë edhe një notë proteste.
Së treti, rritje e buxhetit për ruajtjen dhe restaurimin e qindra-mijë objekteve (filmime, regjistrime etj.), pasuri kombëtare nën administrimin e ASA-s.
Në fjalën e saj, ministrja Kushi garantoi rektorin Përzhita dhe Senatin e ri, se ministria që ajo drejton dhe qeveria që ajo përfaqëson “nuk do të ndërmarrë asnjë iniciativë që cënon autonominë e Akademisë së Studimeve Albanologjike, në bazëtë ligjit “Për Arsimin e Lartë” që garanton pikërisht autonominë e insitucioneve të kërkimit shkencor”. Ajo theksoi se kjo autonomi është e përligjur edhe në saje të produktit shkencor qëstafi kademik i ASA-s ka dëshmuar në këto 14 vite të ekzistencës së saj, me botimet, konferencat ndërkombëtare, praktikën universitare, po edhe me atë pasuri të rrallë muzeale që vetë ministrja pa gjatë vizitës së sotme në Muzeun Arkeologjik dhe në fondet e nëndheshme ku ruhen në stadarde evropiane rreth 44 mijë objekte arkeologjike në gjendje për t’u ekspozuar.
Pjesë e këtij diskutimi ishte edhe kërkesa që Akademia e Shkencave të Shqipërisë i ka dërguar Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Qeverisë për kthimin e instituteve të albanologjisë në varësi të Akademisë së Shkencave, çështje që është rihapur edhe në debatin publik. Për sa i takon kësaj kërkese, profesorë dhe studiues të pranishëm në takim, si Aurel Plasari, Afrim Krasniqi, Nebi Bardhoshi, Hamit Kaba, Valter Memisha etj., i bën me dije ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë se sa e rëndësishme është pavarësia e ASA-s kështu siç është, sot e 14 vite, si e vetmja strukturë që ka për mision studimin shkencor të historisë, kulturës e trashëgimisë së kombit shqiptar.
“Jemi me ju në çdo vendim që do të ndërmarrim për statusin aktual dhe të ardhmen e këtij institucioni”, tha ministrja Kushi. Institucioni që ajo drejton pret propozimet konkrete nga ASA dhe bashkëpunimin e saj për kërkesat e parashtruara më lart dhe për ndryshimet që do duhet të bëhen në ligjin “Për Shkencën”.
Këshilli i Profesorëve të ASA, i krijuar me vendim Senati Nr. 08, datë 24.09.2021, në mbledhjen e tij të parë, datë 28.09.2021 zgjodhi me unanimitet kryetar të tij akademik prof.dr. Beqir Metën.
Sot, më datë 24.09.2021, në mjediset e Akademisë së Studimeve Albanologjike, u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit për Bashkëpunim dhe Zhvillim Aktivitetesh të Përbashkëta ndërmjet Akademisë së Studimeve Albanologjike të përfaqësuar nga rektori prof. dr. Luan Përzhita dhe Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, e përfaqësuar nga drejtoresha, Alda Bardhyli.
Ky Memorandum Mirëkuptimi do të nxisëmarrëdhëniet midis palëve me qëllim zbatimin e projekteve të përbashkëta, të cilat synojnëpërkujtimin e ngjarjeve më të rëndësishme historike të popullit shqiptar, nxitjen e kulturës së leximit dhe të krijimtarisë, zgjerimin e audiencave letrare, promovimin e letrave shqipe brenda dhe jashtë vendit.
Ndër të tjera projektet që do të realizohen synojnë promovimin e librave të autorëve të ndryshëm në mjediset e Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, duke evokuar ngjarje dhe personalitete tërëndësishme historike.
Më 22 shtator 2021, rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Luan Përzhita vizitoi ekipin e përbashkët shqiptaro-italian që po kryen gërmime arkeologjike në Amfiteatrin e Durrësit. Projekti drejtohet nga dr. Elvana Metalla studiuese pranë Institutit të Arkeologjisë dhe prof. Sonia Antonelli e Universitetit të Chietit-Pescara. Rezultatet e tij do të kenë një ndikim të rëndësishëm në zgjerimin e njohurive mbi periudhën arbërore të qytetit të Durrësit.
Në kuadër të intensifikimit të marrëdhënieve ndërinstitucionale, rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike prof. dr. Luan Përzhita pati një takim, më 21 shtator 2021, në ambientet e rektoratit, me rektorin e Universitetit “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës, prof. dr. Bektash Mema. Ata biseduan rreth avancimit në një nivel më të lartë të marrëdhënieve dypalëshe, në zbatim të marrëveshjes së bashkëpunimit, rreth mundësive të mësimdhënies së stafit akademik të ASA në ciklin e studimeve bachelor e master të universitetit, koordinimin e punës shkencore ndërmjet stafeve akademike të të dy institucioneve, si dhe u ra dakord për disa nga fushat e bashkëpunimit në të ardhmen dhe shkëmbimit të eksperiencave midis këtyre dy institucioneve.
Në mbledhjen e parë të Senatit të ri Akademik të Akademisë së Studimeve Albanologjike të mbajtur më datë 14.09.2021, rektori, prof. dr. Luan Përzhita u uroi punë të mbarë të gjithë kolegëve të zgjedhur. Në këtë mbledhje u diskutua rreth sfidave për të cilat duhet punuar në të ardhmen si statusi i veçantë i institucionit, promovimi i botimeve të instituteve të ASA-së përtej trojeve shqip-folëse, lidhjes së marrëveshjeve të bashkëpunimit me qendrat më të rëndësishme albanologjike Evropiane, rikonstruksionin e fondeve dhe arkivave të ASA-së të cilat përmbajnë pasuri me vlerë kombëtare. Gjithashtu, në këtë mbledhje u zgjodh një zëri si zv. rektor i ASA-së prof. dr. Valter Memisha.
Më datë 10 shtator 2021, u zhvillua takimi i radhës mes Kryeministrit të Shqipërisë z. Edi Rama dhe rektorëve të universiteteve shqiptare ku mori pjesë edhe rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike prof. dr. Luan Përzhita. Në këtë mbledhje u diskutua rreth bashkëveprimit të qeverisë shqiptare me Bordin e Ri të Akredimit e Rektorëve të Shqipërisë, në funksion të rritjes së cilësisë së arsimit të lartë, nxitjes dhe promovimit të zhvillimit shkencor.
Me anë të një ceremonie solemne, të organizuar në institucionin e Presidentit të Republikës, iu dorëzua sot dekreti i emërimit, në detyrën e lartë të Rektorit të Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Luan Përzhitës.
Gjatë fjalës së tij presidenti Meta u shpreh se është me tepër rëndësi, zhvillimi i mëtejshëm i shkencës së Albanologjisë, që ka patur një rol thelbësor dhe të jashtëzakonshëm në konsolidimin e kombit shqiptar, si dhe në lindjen dhe formimin e shtetit shqiptar. Mbështetja më thelbësore dhe me vizion, është jetike për forcimin e rrënjëve dhe identitetit tonë kombëtar.
Në datën 25 qershor 2021, në qytetin e Vlorës u organizua takimi i dytë i Komitetit të Përbashkët për Politikat e Arsimit të Lartë, me pjesëmarrjen e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, ministrat e kabinetit të tij dhe rektorët e universiteteve publike. Në këtë takim u trajtuan realizimet e detyrave të lëna në takimin e parë, si dhe u përcaktuan detyrat në vijim për afatin një mujor, deri në takimin e radhës. Takimi u zhvillua në një frymë bashkëpunimi shumë konstruktive.
Në datat 22-24 qershor 2021, rektori i ASA-së, akademik prof. dr. Marenglen Verli i shoqëruar nga drejtori i Institutit të Historisë, akademik prof. dr. Beqir Meta zhvilluan në Republikën e Maqedonisë së Veriut (përkatësisht në Shkup dhe Tetovë), disa takime me titullarë të Arkivit Shtetëror të Maqedonisë së Veriut dhe Universitetit të Tetovës. Në bisedën me nëndrejtorin e arkivit, prof. dr. Myzafer Bislimin, u diskutua për projektet e përbashkëta dhe vijimin e shkëmbimit të literaturës së botuar nga të dy institucionet, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar midis palëve. Po kështu, për projekte bashkëpunimi mbi bazën e marrëveshjes dypalëshe u diskutuan edhe me rektorin e Universitetit të Tetovës, prof. dr. Vullnet Ameti dhe zv. rektorin prof. dr. Reshat Qahiti.
Takime të tjera u zhvilluan me studiues të njohur shqiptarë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si prof. dr. Fahri Ramadani dhe prof. dr. Qerim Lita.
Në të gjitha këto takime u përcaktuan veprimtari konkrete dhe afate për realizimin e tyre.
Në datën 10 qershor 2021, Instituti i Historisë Ali Hadri-Prishtinë në bashkëpunim me Institutin e Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, Tiranë organizuan konferencën shkencore jubilare “Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë”.
Fjalë përshëndetëse u mbajtën nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës, znj.Arbërie Nagavci, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademik Mehmet Kraja, Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Skënder Gjinushi. Fjalën përshëndetëse në emër të Akademisë së Studimeve Albanologjike e mbajti rektori, akademik. prof. dr. Marenglen Verli.
Më tej studiuesit e Institutit të Historisë në ASA paraqitën kumtesat e mëposhtme:
Akad. prof. dr. Marenglen Verli paraqiti kumtesën me titull: “Refleksione për qëndrimin e shqiptarëve prej revoltës së dimrit të viteve 1944-1945 dhe demonstratave të viteve 1968-1981-1989 deri në luftën e Kosovës 1998-1999”.
Akad. prof. dr. Beqir Meta dhe dr. Hasan Bello paraqitën kumtesën me titull: “Shtypi amerikan mbi ngjarjet në Kosovë në vitin 1981”.
Prof. dr. Hamit Kaba paraqiti kumtesën me titull: “Konteksti ndërkombëtar i demonstratave të vitit 1981 në Kosovë”.
Dr. Artan Hoxha paraqiti kumtesën me titull: “Pasqyrimi i revoltave kosovare të vitit 1981 në shtypin komunist”.
Në datën 11 qershor pjesëmarrësit në konferencë kryen vizita në Kompleksin Memorial të Jasharajve në Prekaz dhe në kullat e Tahir Mehës dhe Ahmet Delisë ku janë zhvilluar luftime dhe është bërë qëndresë e jashtëzakonshme, përkatësisht në vitet 1981 dhe 1913.
Në datën 10 qershor 2021 në Prizren u organizua nga Universiteti i Prishtinës, Fakulteti Filozofik dhe Komuna e Prizrenit konferenca shkencore “Parlamentarizmi shqiptar ndër vite”.
Fjalët përshëndetëse u mbajtën nga z. Glauk Konjufca, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, profesor Mytaher Haskuka, Kryetar i Komunës së Prizrenit, profesor Ardian Gola, Kryetar i Komisionit për arsim të Kuvendit të Kosovës, profesor Elton Bahtiri, Prorektor për zhvillim dhe cilësi i Universitetit të Prishtinës, profesor Dashamir Bërxulli, Dekan i Fakultetit Filozofik. Studiuesit e Institutit të Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike paraqitën kumtesat e mëposhtme:
Akad. prof. dr. Beqir Meta paraqiti kumtesën me titull: “Parlamenti dhe shtetndërtimi në vitet 1920-1924”.
Akad. prof. dr. Marenglen Verli paraqiti kumtesën me titull: “Qëndrimet në Parlamentin Shqiptar për Çështjen e Kosovës 1920-1924”.
Prof. dr. Romeo Gurakuqi paraqiti kumtesën me titull: “Jeta parlamentare e Shqipërisë 1920-1923”.
Prof. dr. Afrim Krasniqi paraqiti kumtesën me titull: “Parlamentarizmi në tranzicion dhe mitet e përfaqësimit rasti i Shqipërisë pas 1990”.
Në datën 10 qershor 2021, u organizua në Shkup (Republika e Maqedonisë së Veriut) nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve konferenca shkencore “Ramiz Abdyli, profesori dhe studiuesi model i historiografisë shqiptare”.
Në pamundësi për të marrë pjesë për shkak të angazhimeve në Prishtinë dhe në Prizren, akademik prof. dr. Marenglen Verli, prezantoi kumtesën e tij me titull “Ramiz Abdyli, profesori dhe miku i nderuar” në mënyrë online.
Në përfundim të konferencës u promovuan dhe dy veprat e reja të prof. Abdylit “ Shkupi në Lidhjen e Prizrenit 1878-1881” dhe “Veprimtaria e Klubit të Shkupit 1908-1912”.
Sot, më datë 27.05.2021, në mjediset e Akademisë së Studimeve Albanologjike, u nënshkrua një “Marrëveshje për projekt të përbashkët kërkimor-shkencor”, midis Akademisë së Studimeve Albanologjike të përfaqësuar nga rektori akademik prof. dr. Marenglen Verli dhe Institutit Albanologjik-Prishtinë, i përfaqësuar nga drejtori, prof. dr. Hysen Matoshi.
Qëllimi i kësaj marrëveshje është përgatitja e Atlasit Etnografik të Fshatit në Shqipëri e Kosovë, i cili për Akademinë e Studimeve Albanologjike do të realizohet nga studiuesit e Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit (IAKSA) dhe për Institutin Albanologjik nga studiuesit e Degës së Etnologjisë dhe Degës së Folklorit. Marrëveshja mbështetet mbi bazën e memorandumit të bashkëpunimit me Nr. 183 Prot, datë 09.06.2018, që është nënshkruar midis dy institucioneve.
Në datën 25 maj 2021, në Pallatin e Brigadave u organizua nga Kryeministri dhe një pjesë e kabinetit qeveritar, një mëngjes pune me rektorët e universiteteve publike. Ky takim pati në fokus përmirësimin e cilësisë së Arsimit të Lartë në vend dhe bashkërendimin e punëve për arritjen e këtij qëllimi.
Kryeministri, z. Edi Rama, vuri theksin në rëndësinë që i kushton qeveria sektorit të arsimit, e cila sipas tij do të konkretizohet jo vetëm me hapa legjislative dhe organizativë por edhe me një mbështetje më të mirë financiare. Rektorët shtruan problemet që duhen zgjidhur për arritjen e objektivit. Diskutimet trajtuan përparësitë për ndërmarrjen e veprimeve të menjëhershme dhe atyre perspektive. Takimi u finalizua me krijimin e Komitetit të Përbashkët për Politikat e Arsimit të Lartë, me pjesëmarrjen e rektorëve dhe përfaqësuesve të qeverisë, i cili do të mblidhet periodikisht një herë në muaj.
Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, akad. prof. dr. Marenglen Verli, trajtoi në këtë takim, punën që bëhet në ASA, arritjet e rëndësishme, problemet që duhen zgjidhur për të rritur produktivitetin, specifikat e institucionit, orientimin studimor të tij në krahasim me universitetet e tjera, që kanë përparësi mësimdhënien etj. Ndër të tjera ai theksoi vlerën e studimeve albanologjike edhe në aspektin e impaktit ekonomik në kuadër të strategjisë zhvillimore të vendit në fusha si turizmi kulturor elitar etj. Takimi zgjati tre orë dhe u zhvillua në një frymë mirëkuptimi të ndërsjellë.
Në vijim të zbatimit të marrëveshjeve institucionale, në kuadër të shkëmbimit të produktit shkencor të realizuar gjatë vitit 2020 si botime, Akademia e Studimeve Albanologjike gjatë muajve prill-maj, pati kënaqësinë të dërgonte botimet e saj më të fundit drejt bibliotekave të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë pranë Universitetit të Tiranës, Universitetit “Aleksandër Xhuvani” (Elbasan), Universitetit “Luigj Gurakuqi” (Shkodër), Universitetit “Eqerem Çabej” (Gjirokastër), Universitetit “Ismail Qemali” (Vlorë), Muzeut Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” (Tiranë), Bibliotekës së Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë, Televizionit Shqiptar, bibliotekës së qytetit të Pogradecit dhe Bibliotekës Kombëtare (Tiranë).
Gjatë muajit qershor do të vijojë shpërndarja e këtyre botimeve për bibliotekat e Universitetit “Fan Noli” (Korçë), Universitetit “Aleksandër Moisiu” (Durrës), Fakultetit Filozofik të Universitetit “Hasan Prishtina” (Kosovë), Universitetit Shtetëror të Tetovës (Maqedoni e Veriut), Arkivit Shtetëror të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Institutit Albanologjik-Prishtinë (Kosovë), Institutit të Historisë “Ali Hadri”-Prishtinë (Kosovë),
Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët pranë Ministrisë së Diasporës, Autoritetit për Informim dhe Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, bibliotekës së Kryeministrisë së Republikës së Shqipërisë, bibliotekës së Presidencës së Republikës së Shqipërisë, bibliotekës së Ministrisë së Kulturës, bibliotekës së Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, bibliotekës së qytetit të Korçës, etj.
Akademia e Studimeve Albanologjike, e përfaqësuar nga rektori akademik prof. dr. Marenglen Verli dhe Arkivi Shtetëror i Republikës së Maqedonisë së Veriut, i përfaqësuar nga drejtori, z. Emil Krsteski, nënshkruan këto ditë një “Memorandum bashkëpunimi”.
Qëllimi i memorandumit është zgjerimi i bashkëpunimit të ndërsjellë të palëve nënshkruese në fushat e aktivitetit shkencor, gjurmues dhe botues, veçanërisht të dokumentacionit arkivor që disponojnë të dy palët. Bashkëpunimi midis palëve fillon menjëherë me shkëmbimin e botimeve dokumentare, për pasurimin e bibliotekave respektive dhe do të zhvillohet më tej në përputhje me dakordimet e parashikuara në Memorandum.
Ky bashkëpunim është në rrugën e bashkëpunimit të shtuar midis dy vendeve gjatë viteve të fundit, në fushat e arsimit, shkencës e kulturës, dhe pritet të çojë më tej arritjet e deritanishme.
Në mjediset e Akademisë së Studimeve Albanologjike, u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit midis këtij institucioni, të përfaqësuar nga rektori, akademik prof. dr. Marenglen Verli dhe Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, i përfaqësuar nga znj. Gentiana Sula, Kryetare e këtij institucioni.
Objekt i marrëveshjes është institucionalizimi i marrëdhënieve për aplikimin e procedurave që thjeshtojnë bashkëpunimin e ndërsjellë të palëve, në kuadër të mbështetjes së kërkimit shkencor gjatë rishqyrtimit historik të periudhës së regjimit komunist dhe veçanërisht aktivitetit të ish-Sigurimit të Shtetit. Marrëveshja ndër të tjera garanton mundësinë për shqyrtimin e dokumenteve, dorëzimin e dublikatave të dokumenteve dhe veprimtaritë e publikimit të rezultateve shkencore.
“Marrëveshja konsolidon bashkëpunimin e instituteve të ASA me AIDSSH, duke çuar më tej studimet historike, shoqërore, kulturore, etj., të periudhës 1944-1991, deri në trajtim enciklopedik të fenomeneve, ngjarjeve dhe individëve të kohës.
Titullarët e dy institucioneve u shprehën se, “marrëveshja nxit dhe mbështet realizimin e projekteve të përbashkëta kërkimore dhe të edukimit qytetar për demokraci, gjithashtu edhe të veprimtarive të tjera shkencore (konferenca, seminare, tryeza, studime, botime, intervista e dokumentarë në fusha me interes të dyanshëm), duke ndihmuar njohjen realiste ndërdisiplinore të një periudhe të rëndësishme historike”.
Më datë 23.04.2021, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, SHTZ. Ilir Meta, i akordoi prof. dr. Adem Bungurit, titullin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të spikatur, si historian e studiues aktiv në shkencën e arkeologjisë shqiptare. I dalluar për studimet kërkimore, botimet e punën hulumtuese në qendrat prehistorike të Shqipërisë, Kosovës, veçanërisht trevës së Dibrës. Zbulimet dhe botimet e tij hedhin dritë mbi të vërtetat arkeologjike dhe parahistorike të gjenezës sonë”.
Në ceremoninë e shpërndarjes së titujve ishin të pranishëm shumë figura publike dibrane të migracionit të hershëm të viteve 1912-1921 dhe atij të pas viteve ’90.
Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, prof. dr. Adem Bunguri, shprehu mirënjohjen për vlerësimin që iu bë. Ai falenderoi gjithashtu Kryesinë e Bashkësisë Dibrane dhe Këshillin e të Urtëve të Bashkësisë Dibrane, që bënë propozimin për dekorim pranë Presidencës.
Departamenti i Historisë së Pavarësisë dhe Konsolidimit të Shtetit Shqiptar dhe ai i Historisë Bashkëkohore në Institutin e Historisë (ASA), organizojnë më datë 22 prill 2021, konferencën shkencore “100 VJET ZGJEDHJE NË SHQIPËRI: PRILL 1921-PRILL 2021”.
Në prill të vitit 1921 janë mbyllur zgjedhjet e para politike në Shqipëri dhe është mbledhur parlamenti i parë (Këshilli Kombëtar). Në 100 vjet, proceset zgjedhore janë zhvilluar në forma të ndryshme: konkurruese (1921-1923 dhe midis 1991-2019), si dhe formale/fiktive midis 1925-1990 me përjashtime të vogla në disa elementë në proceset parlamentare, e sidomos lokale (1925-1939) apo në zgjedhjet e para (1945). Lidhur me sistemin elektoral janë eksperimentuar sistemet me natyrë mazhoritare/proporcionale me dy shkallë (vitet ‘20-‘30), sistemi i pastër mazhoritar 1945-1991, sistemet miks 1992-2007 dhe sistemet me natyrë proporcionale 2008-2019, ashtu siç e drejta e votës apo administrimi i zgjedhjeve ka ndryshuar në secilën periudhë. Zgjedhjet tradicionalisht kanë qenë burim legjitimiteti ose delegjitimiteti, duke pasur ndikim direkt në stabilitetin e vendit dhe sistemin politik e qeverisës. Raporti qytetar me zgjedhjet, me votën dhe me konkurrencën politike qëndron në krye të listës së faktorëve që tipizojnë sistemet qeverisëse, nivelin e kulturës politike, të demokracisë dhe të shtetit të së drejtës.
Kjo tematikë është e mbuluar vetëm pjesërisht nga studimet historike. Sjellja e kontributeve të kumtuesve për secilën periudhë plotëson memorien historike, sjell një kontribut risi për Institutin dhe ndihmon sadopak edhe në diskutimin e tezave, që lidhen me zgjedhjet dhe përfaqësimin në Shqipëri.
Ftojmë të gjithë të interesuarit për të ndjekur konferencën dhe debatuar në mënyrë profesionale lidhur me eksperiencat dhe mësimet historike 100 vjeçare, të raportit të shoqërisë shqiptare me zgjedhjet dhe proceset zgjedhore. Konferenca do të zhvillohet online në dy panele paralele.
Më poshtë do të gjeni të dhënat për tu bërë pjesë të paneleve si dhe programin e konferencës.
Paneli i parë do të zhvillohet nëpërmjet platformës Skype. Linku për tu bërë pjesë e këtij paneli është: https://join.skype.com/LrAeLN3nzejB
Paneli i dytë do të zhvillohet nëpërmjet platformës ZOOM. Të dhënat për tu bërë pjesë e këtij paneli janë:
https://us02web.zoom.us/j/89007869874…
Meeting ID: 890 0786 9874
Passcode: 391754
Programin e plotë të konferencës e gjeni këtu.
Me rastin e 40 vjetorit të demonstratave të vitit 1981 Instituti Albanologjik i Prishtinës organizoi Konferencën Shkencore, “Pranvera shqiptare 1981 – kthesë në historinë kombëtare”, ku një ndër studiuesit e pranishëm ishte dhe dr. Hasan Bello me kumtesën “Qëndrimi i shtetit shqiptar ndaj demonstratave në Kosovë në vitin 1981”. Në këtë kumtesë ai evidentoi, duke u mbështetur në shtypin e kohës dhe dokumentacionin e pasur arkivor, rolin që Tirana zyrtare dhe Enver Hoxha mbajtën ndaj këtyre demonstratave; rëndësinë që ato patën si një pranverë shqiptare.