Rektori i ASA-s, prof. dr. Luan Përzhita mbajti fjalën përshëndetëse për nder të autorit që “ka shkëlqyer në tri fusha krijuese si shkrimtar, publicist dhe historian”. Për të dhënë një profil më të plotë mbi punën studimore të Buxhovit, ai u ndal në veprën paraardhëse të autorit, “Kosova, një histori e shkurtër”, një sintezë e 8 vëllimeve dhe e një pune voluminoze me rreth 5 mijë faqe, për historinë e Kosovës, nga antikiteti deri në momentin historik të pavarësisë. “Kosova shfaqet jo vetëm si një organizim politik e shoqëror me peshë në Ballkan, rol të cilin me mënyra e forma të ndryshme do ta luajë edhe në periudhat e mëvonshme historike, por na sjell në të sotmen rrënjët dhe lidhjet me të kaluarën duke na vërtetuar pazgjidhshmërinë e identitetit kombëtar shqiptar në territoret e tanishme të Kosovës.”
Prof.dr. Përzhita vlerëson “qasjen e autorit ndaj ngjarjeve dhe fakteve historike në rrjedhat e shekujve mbështetur në një bibliografi të shumtë dokumentare dhe në një literaturë të pasur historiografike”.
Prof. asoc. dr. Belisa Muka (drejtore e Institutit të Arkeologjisë) u ndal te historia komplekse e disa Maqedonive që Buxhovi ka shkruar duke u bazuar në një aparat të pasur bibliografik. “Larmishmëria e të dhënave burimore dhe qasja metodike në argumentimin e tyre u jep mundësi lexuesve të kategorive të ndryshme, të reflektojnë e të diskutojnë mbi çështje, pyetje e dilema që prekin tabutë politike të krijuara gjatë periudhave të ndryshme. Domosdoshmëria për një reflektim kolektiv, në dukje rreth të shkuarës, në thelb për të ardhmen, është lajtmotivi kryesor i këtij botimi.”
Prof. dr. Romeo Gurakuqi (studiues pranë Institutit të Historisë) tha se “Maqedonia” është shkruar nga perspektiva e një shkrimtari iluminist dhe është rezultat i një pune permanente. Nisur nga kjo, prof. dr. Gurakuqi i dha një përgjigje pyetjes pse një libër i tillë nuk mund të shkruhej në Shqipëri. “Ky është një studim i gjithanshëm dhe autori i tij ecën në rrugë të ndryshme nga ajo e historiografisë shqiptare. Buxhovi ka shkruar një histori pa ngarkesa nacionaliste, pa komplekse, që nuk injoron asnjë komponent etnik dhe kulturor, që e trajton subjektin me saktësi dhe korrektesë shkencore dhe e sheh të pashkëputur nga historia rajonale e popujve të tjerë. Ai ia ka dalë të përmbushë procesin e rishkrimit të historisë pa dogmë.”
Në fund e mori fjalën autori. Ai pohoi se përherë e më tepër po vërehet rënia e dasive midis Tiranës dhe Prishtinës që edhe në fushën e studimit të historisë kanë funksionuar si dy realitete të ndryshme. Për rrugën e tij si studiues i historisë, ai e quajti me rëndësi vitin 1968, kur u botua për herë të parë në Prishtinë “Historia e Popullit Shqiptar” ku Maqedonia dhe Dardania përjashtoheshin. Atëherë kishte menduar se duhej të ndryshonte diçka. Që shqiptarët të mos përjashtoheshin etnikisht e politikisht nga hapësira e tyre, që të mos vazhdonte ai shpërfytyrim i botës iliro-arbërore-shqiptare, si në tekstet e studiuesve serbë, maqedonë e të tjerë, do duhej hulumtuar në thellësi fati i shqiptarëve që nga koha kur Maqedonia, bashkë me Dardaninë dhe Epirin, kishte qenë në antikitet një mbretëri me rëndësi. Periudha e qëndrimit në Gjermani dhe studimi i veprës së plotë të autorëve nga Straboni te Plini dhe e studiuesve bashkëkohorë me peshë, ishte vendimtare për të kryer një punën sistematike që sot rezulton te kjo vepër “Maqedonia – nga antikiteti te koha jonë” (Jalifat Publishing, 2019) e përkthyer tashmë edhe në gjuhën angleze.