QSA

Raporti vjetor i Akademisë së Shkencave

26 Shkurt, 2024 Njoftime

Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u mbajt mbledhja e parë e Asamblesë pas bashkimit me institutet e albanologjisë. Mbledhja u mbajt me pjesëmarrjen e anëtarëve të Asamblesë, anëtarëve të komisioneve të përhershme dhe kryetarëve të komisioneve, anëtarëve të këshillave shkencorë të instituteve dhe drejtuesve të tyre.

Në këtë raport u paraqitën:

  1. Rezultatet e fazës së parë të reformës në Akademinë e Shkencave 2019-2023.
  2. Respektimi e zbatimi i ligjit dhe i statusit në organet drejtuese e strukturat e ASHSH.
  3. Buxheti ndër vite.
  4. Faza e dytë e reformës (2023-2027) si dhe programi për vitin 2024.

Për më tepër ju ftojmë të lexoni raportin e plotë tek linku.

Institutet e albanologjisë fillojnë veprimtarinë si njësi kërkimore-shkencore të përhershme pranë ASHSH

14 Shkurt, 2024 Njoftime

– E para reformë institucionale pa shkurtime, madje me shtim të numrit të punonjësve kërkimorë-shkencorë.

– Me ribashkimin u arrit çka ishte dëshiruar e tentuar disa herë, por pa sukses.

– Institutet e albanologjisë, pas disa reformave të dështuara, nuk mund të qendronin më tej në paqartësi ligjore: as institucione të arsimit të lartë, as institucione kërkimore.

– Fuqizimi i albanologjisë është një kërkesë që vjen nga vetë misioni për të cilin u themelua Akademia.

– Institutet dhe Akademia janë të pandashëm, Qeveria veproi drejt me dy vendimet e saj, sido që mund të ishte vepruar edhe më herët.

– Projektet e mëdha në albanologji i kanë paraprirë procesit të ribashkimit, një proces i natyrshëm.

Akad. Skënder Gjinushi dhe Kryesia e Akademisë së Shkencave në takime e bashkëbisedime njohëse me punonjësit kërkimorë-shkencorë dhe drejtuesit e Institutit të Arkeologjisë, Institutit të Historisë, Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, Institutit të Antropologjisë, Qendrës së Studimit të Arteve dhe Qendrës së Botimeve Enciklopedike dhe Albanologjike.

Akad. Gjinushi u bëri të njohur të pranishmëve aktet e miratuara nga Qeveria, Asambleja dhe Kryesia për të realizuar ngritjen e instituteve të albanologjisë si njësi kërkimore të vijës së parë, siç e kërkojnë shkencat e identitetit, prioritet themelor në strategjinë e zhvillimit të ASHSH dhe të sistemit të kërkimit shkencor të vendit.

Ashtu siç është parashikuar në këto akte, ndërprerja e mënyrës së mëparshme të organizimit dhe kalimi i instituteve të albanologjisë prej një varësie në linjë administrative në përbërje të rrjetit të ASHSH, përkundër sa është thënë ndonjëherë, jo vetëm nuk e cenon, por e zgjeron dhe fuqizon autonominë akademike. Dy të tretat e anëtarëve të këshillave shkencorë të instituteve do të jenë të brendshëm dhe një e treta nga radhët e ekspertëve më cilësorë të fushës. Ndarja e buxhetit nuk do të bëhet më nga një bord administrimi që kontrollohej nga ministria, por nga bordi i drejtorëve. Disa kontradikta që vërehen në institucionet e arsimit të lartë midis drejtuesve të tyre (rektorat, dekanat) me bordet nuk do të ekzistojnë më.

Niveli i pagave është ruajtur në shkallën “universitet”, që është më e larta. Organika e përgjithshme e punonjësve shkencorë është shtuar me katër vende dhe do të kërkohen ndryshime të reja, p.sh. për specialistë me formim të thelluar, duke përfshirë gjuhët e rralla. Buxheti, ashtu si më parë, do të jetë me grante dhe i trashëgueshëm. Bordi i drejtorëve dhe Kryesia do të bëjnë vlerësimin e përparësive, të tjerat do të vendosen nga vetë institutet.

Për mënyrën si do të ishte më mirë të organizoheshin departamentet, duke filluar prej emërtimit të tyre, do të diskutohet deri në fund të muajit tetor. Ndërkohë do të jetë hartuar një rregullore bazë e brendshme për institutet dhe qendrat, do jetë këshilluar Statuti para se t’i kalojë Asamblesë për miratim përfundimtar.

Kryetari Gjinushi paraqiti me këtë rast drejtuesit e rinj të instituteve dhe qendrave; përbërjen e këshillave shkencorë; strukturat, organikat, listat emërore të punonjësve dhe nivelet e pagave të tyre për tre grupet: punonjës kërkimorë-shkencorë, punonjës tekniko-shkencorë dhe të administratës ndihmëse. Anëtarësia e këshillave shkencorë ekzistues qendron sërish, shtesat ruajnë dy të tretat brenda institucioneve.

Drejtuesit e instituteve: akad. Adem Bunguri (IA), prof. dr. Hamit Kaba (IH), akad. Valter Memisha (IGJL), prof. asoc. dr. Olsi Lelaj (IA), akad. asoc. Stefan Çapaliku (Q.S.A.) dhe prof. asoc. Marenglen Kasmi (QBEA), falënderuan Kryesinë për detyrat që iu mirëbesuan dhe u shprehën optimistë për mbarëvajtjen e punëve në vitin kalimtar e më tej.

Takimi u mbyll me urimin “të na shkojë mbarë”.

Akademia e Studimeve Albanologjike dhe Universiteti i Tiranës nënshkruan sot Marrëveshjen e bashkëpunimit me interes të përbashkët

8 Maj, 2023 Njoftime
Akademia e Studimeve Albanologjike dhe Universiteti i Tiranës nënshkruan sot Marrëveshjen e bashkëpunimit me interes të përbashkët. Duke patur parasysh objektin e veprimtarisë të dy institucioneve dhe duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e arsimit të lartë, hulumtimit, kërkimit dhe studimeve me interes kombëtar, kjo marrëveshje nxit forcimin dhe zhvillimin e bashkëpunimit për të ndihmuar në ruajtjen e gjuhës shqipe, historisë, kulturës dhe traditave kombëtare. Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. dr. Artan Hoxha dhe rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, Prof. dr. Luan Përzhita, shprehën vullnetin dhe vendosmërinë për të bashkëpunuar dhe kontribuar në realizimin e kësaj Marrëveshjeje për të përmbushur angazhimet në kuadër të Ligjit të Arsimit të Lartë dhe kërkimit shkencor dhe Kodit të Cilësisë në Republikën e Shqipërisë.
Palët ranë dakord që të harmonizojnë bashkëpunimin institucional bazuar në Ligjin nr. 80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë”, Statutin, Rregulloren e Universitetit të Tiranës, Statutin dhe Rregulloren e Akademisë së Studimeve Albanologjike, strategjitë e zhvillimit të institucioneve respektive, strategjitë kombëtare të zhvillimin e arsimit, shkencës në vendin tonë, si dhe në aktet nënligjore në fuqi në fushën e arsimit të lartë.
Bashkëpunimi do të mbështetet mbi bazën e parimeve demokratike dhe në pajtim me autonominë universitare dhe lirinë akademike të të dy palëve.
Akademia e Studimeve Albanologjike dhe Universiteti i Tiranës do të marrin në shqyrtim nevojat e vendit dhe ato të përbashkëta me qëllim për të përfituar nga zhvillimi dhe shkëmbimi mësimor e shkencor, aktivitetet trajnuese/ edukuese të personelit akademik dhe nga projektet e përbashkëta të zhvillimit, studimeve në fushën e gjuhësisë e letërsisë, albanologjisë, arkeologjisë, antropologjisë etj.
Palët bien dakord të rrisin bashkëpunimin në këto drejtime kryesore:
1. Bashkëpunim në fushat e kërkimit shkencor në përputhje me fushën e veprimtarisë që aktualisht zhvillojnë institucionet.
2. Bashkërendimin e politikave të hulumtimeve, kërkimeve, studimeve mbështetëse, në fusha të reja të zhvillimit si shkencat albanologjike, gjuhësia, letërsia, historia, antropologjia, arkeologjia etj.
3. Koordinim për hartimin, miratimin dhe ofrimin e programeve të përbashkëta të studimit.
4. Zhvillimin e programeve të përbashkëta të nivelit master apo doktoraturë, projekte dhe studime në fushat respektive.
5. Shkëmbim të personelit akademik për veprimtaritë akademike, kërkimore-shkencore, praktikave profesionale, dhe trajnimeve të përbashkëta.
6. Mobilitetin e personelit akademik, kërkuesve dhe të studentëve në kuadrin e veprimtarive kërkimore shkencore në shkencat albanologjike.
7. Hartimin dhe mbështetjen reciproke, realizimin e projekteve të përbashkëta kërkimore dhe formuese, në fushat e sipërcituara.
8. Nxitjen, mbështetjen dhe realizimin e veprimtarive të tjera shkencore (konferenca, seminare e publikimeve) në fusha me interes të dyanshëm.
9. Vënien në dispozicion të infrastrukturës respektive, në funksion të veprimtarive akademike e shkencore, shkëmbimin e literaturës shkencore që palët disponojnë, aksesi në arkivë, bibliotekë, laboratorë etj.
10. Shkëmbimin e përvojës lidhur me menaxhimin institucional dhe aspekte të tjera të karakterit administrativ.

Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Luan Përzhita, priti sot dy përfaqësues të Qendrës Kulturore të Ulqinit

3 Maj, 2023 Njoftime
Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Luan Përzhita, priti sot dy përfaqësues të Qendrës Kulturore të Ulqinit. Drejtoresha e Qendrës Adriana Hoxha dhe arkeologu pranë kësaj Qendre, Anton Lulgjuraj, i shtruan kërkesën rektorit të ASA-s për të ngritur ura bashkëpunimi në shërbim të kulturës dhe trashëgimisë së shqiptarëve në Ulqin. Qendra Kulturore e Ulqinit ka një bibliotekë dhe një muze të trashëgimisë kulturore, për fondet e të cilave ASA mund të kontribuojë si fillim me një donacion botimesh historike. Në vazhdimësi, është i mundshëm, përtej pengesave burokratike, të nisë një shkëmbim në fushën e muzeologjisë. Drejtoresha Hoxha shprehu nevojën për trajnimin e kuadrove në fushat e arkeologjisë dhe të etnografisë, restaurues dhe konservues të objekteve të trashëgimisë kulturore.
Rektori Përzhita shprehu vullnetin që ASA të kontribuojë aty ku Qendra e Kulturës në Ulqin të ketë nevojë për ekspertizën e kërkimit shkencor. “Frika dhe stepja duhen lënë mënjanë”, tha prof.dr. Përzhita. “Ulqini është vetëm 3 orë larg Tiranës. Si hap i parë, është e rëndësishme të krijojmë një klimë mirëkuptimi dhe bashkëpunimi dhe të vijojmë më tej me programe konkrete.”

Akademia e Studimeve Albanologjike prezantoi sot në Tiranë studimin “Maqedonia – nga antikiteti te koha jonë” e autorit Jusuf Buxhovi

28 Prill, 2023 Njoftime
Rektori i ASA-s, prof. dr. Luan Përzhita mbajti fjalën përshëndetëse për nder të autorit që “ka shkëlqyer në tri fusha krijuese si shkrimtar, publicist dhe historian”. Për të dhënë një profil më të plotë mbi punën studimore të Buxhovit, ai u ndal në veprën paraardhëse të autorit, “Kosova, një histori e shkurtër”, një sintezë e 8 vëllimeve dhe e një pune voluminoze me rreth 5 mijë faqe, për historinë e Kosovës, nga antikiteti deri në momentin historik të pavarësisë. “Kosova shfaqet jo vetëm si një organizim politik e shoqëror me peshë në Ballkan, rol të cilin me mënyra e forma të ndryshme do ta luajë edhe në periudhat e mëvonshme historike, por na sjell në të sotmen rrënjët dhe lidhjet me të kaluarën duke na vërtetuar pazgjidhshmërinë e identitetit kombëtar shqiptar në territoret e tanishme të Kosovës.”
Prof.dr. Përzhita vlerëson “qasjen e autorit ndaj ngjarjeve dhe fakteve historike në rrjedhat e shekujve mbështetur në një bibliografi të shumtë dokumentare dhe në një literaturë të pasur historiografike”.
Prof. asoc. dr. Belisa Muka (drejtore e Institutit të Arkeologjisë) u ndal te historia komplekse e disa Maqedonive që Buxhovi ka shkruar duke u bazuar në një aparat të pasur bibliografik. “Larmishmëria e të dhënave burimore dhe qasja metodike në argumentimin e tyre u jep mundësi lexuesve të kategorive të ndryshme, të reflektojnë e të diskutojnë mbi çështje, pyetje e dilema që prekin tabutë politike të krijuara gjatë periudhave të ndryshme. Domosdoshmëria për një reflektim kolektiv, në dukje rreth të shkuarës, në thelb për të ardhmen, është lajtmotivi kryesor i këtij botimi.”
Prof. dr. Romeo Gurakuqi (studiues pranë Institutit të Historisë) tha se “Maqedonia” është shkruar nga perspektiva e një shkrimtari iluminist dhe është rezultat i një pune permanente. Nisur nga kjo, prof. dr. Gurakuqi i dha një përgjigje pyetjes pse një libër i tillë nuk mund të shkruhej në Shqipëri. “Ky është një studim i gjithanshëm dhe autori i tij ecën në rrugë të ndryshme nga ajo e historiografisë shqiptare. Buxhovi ka shkruar një histori pa ngarkesa nacionaliste, pa komplekse, që nuk injoron asnjë komponent etnik dhe kulturor, që e trajton subjektin me saktësi dhe korrektesë shkencore dhe e sheh të pashkëputur nga historia rajonale e popujve të tjerë. Ai ia ka dalë të përmbushë procesin e rishkrimit të historisë pa dogmë.”
Në fund e mori fjalën autori. Ai pohoi se përherë e më tepër po vërehet rënia e dasive midis Tiranës dhe Prishtinës që edhe në fushën e studimit të historisë kanë funksionuar si dy realitete të ndryshme. Për rrugën e tij si studiues i historisë, ai e quajti me rëndësi vitin 1968, kur u botua për herë të parë në Prishtinë “Historia e Popullit Shqiptar” ku Maqedonia dhe Dardania përjashtoheshin. Atëherë kishte menduar se duhej të ndryshonte diçka. Që shqiptarët të mos përjashtoheshin etnikisht e politikisht nga hapësira e tyre, që të mos vazhdonte ai shpërfytyrim i botës iliro-arbërore-shqiptare, si në tekstet e studiuesve serbë, maqedonë e të tjerë, do duhej hulumtuar në thellësi fati i shqiptarëve që nga koha kur Maqedonia, bashkë me Dardaninë dhe Epirin, kishte qenë në antikitet një mbretëri me rëndësi. Periudha e qëndrimit në Gjermani dhe studimi i veprës së plotë të autorëve nga Straboni te Plini dhe e studiuesve bashkëkohorë me peshë, ishte vendimtare për të kryer një punën sistematike që sot rezulton te kjo vepër “Maqedonia – nga antikiteti te koha jonë” (Jalifat Publishing, 2019) e përkthyer tashmë edhe në gjuhën angleze.

Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike priti sot në një takim pune Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Shqipëri, Sh.T. Skënder Durmishi

26 Prill, 2023 Njoftime
Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Luan Përzhita priti sot në një takim pune Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Shqipëri, Sh.T. Skënder Durmishi, në prani të zv/rektorit të ASA-s, prof. dr. Valter Memisha.
Rektori Përzhita e informoi në detaje zotin Ambasador të Kosovës për përmbajtjen e marrëveshjes së fundit që u nënshkrua më 13 prill, mes ASA-s dhe Universitetit të Prishtinës për bashkëpunim në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor dhe për të krijuar një strategji mbi transmetimin e dijes tek brezat e rinj, në fushat e albanologjisë, me qëllim përditësimin dhe pasurimin me teza të reja të dijes albanologjike.
“Jemi në një situatë krejt të re”, tha rektori Përzhita. “Gjetëm mbështetje te drejtuesit e rinj të Universitetit të Prishtinës, personalisht te rektori, prof. dr. Qerim Qerimi dhe ramë dakord që në bazë të marrëveshjes, hapi i parë të jetë ngritja e një grupi të përbashkët pune për hartimin e projekteve strategjike në fushën e albanologjisë. Po ashtu, kryeministri i Kosovës, z.Albin Kurti e përshëndeti këtë marrëveshje, e cila i hap rrugën më pas ndërtimit të programeve të përbashkëta në studimet Master dhe Doktoraturë në fushën e albanologjisë – arkeologji, antropologji social-kulturore, histori e gjuhësi. Është me rëndësi kjo pikë e dytë e marrëveshjes, sepse shkenca i takon studentit. Nuk mund të ketë shkencë për shkencë. Akademia jonë ka rreth 100 punonjës shkencorë, kontributi i të cilëve shtrihet edhe në mësimdhënie. Me hapjen e programeve të reja të edukimit, krijohen mundësi të shkëlqyera edhe për studentët nga Universiteti i Prishtinës dhe ai i Tetovës që të plotësojnë gjithë boshllëqet e krijuara në dekada nga mungesa e edukimit në këto fusha. Aktualisht ka shumë pak profesorë nga Prishtina që japin mësim në Tiranë. Ne do donim që Akademia e Studimeve Albanologjike, në një periudhë afatshkurtër dhe nën një perspektivë afatgjatë, të ishte shtëpia jonë e përbashkët e albanologjisë.”
Zoti Ambasador i Kosovës i shprehu mirënjohjen rektorit Përzhita për interesimin që Akademia e Studimeve Albanologike ka treguar prej kohësh me kërkime në terren në Kosovë, e së fundmi me bashkëpunimet me institucionet e Kosovës, që këto bashkëpunime të mos mbeten sporadike. “Ju përgëzoj për punën që keni bërë dhe bëni, e lidhur kjo me ADN tonë kombëtare”, tha z. Durmishi. “Si Ambasadë, ju shpreh gatishmërinë për të marrë përsipër një rol koordinues teknik për t’i çuar përpara projektet e përbashkëta. Na llogaritni si partner. Puna juaj na nderon, është investim për dinjitetin tonë.”
Palët u shprehën se në këtë proces do duhet koordinimi mes ministrive të Arsimit të vendeve tona, si shprehje e vullnetit politik për ta çuar përpara projektin për programet Master dhe Doktoraturë.
Rektori Përzhita i dhuroi zotit Ambasador një kolanë veprash studimore, botime të ASA-s dhe më pas, bënë një vizitë nën guidën e cicerones në Muzeun Arkeologjik dhe në fondet e Institutit të Arkeologjisë në mjediset e brendshme të ASA-s.

Prezantohet libri “Maqedonia – nga antikiteti deri te koha jonë”, i studiuesit Jusuf Buxhovi

21 Prill, 2023 Njoftime
Akademia e Studimeve Albanologjike ju fton në prezantimin e librit “Maqedonia – nga antikiteti deri te koha jonë”, i studiuesit Jusuf Buxhovi.
Vepra hulumton në thellësi fatin e shqiptarëve të Maqedonisë (sot Maqedonia e Veriut), kur ajo Maqedonia, bashkë me Dardaninë dhe Epirin ishin mbretëri me peshë në antikitet në këto hapësira, e zbret deri në kohën e re, me krijimin e shtetit të pavarur maqedonas në vitin 1991 dhe konfliktin e vitit 2001.
Në prani të autorit referojnë: prof. dr. Luan Përzhita (rektor i ASA-s) dhe kërkuesit shkencorë pranë ASA-s, prof. asoc. dr. Belisa Muka dhe prof. dr. Romeo Gurakuqi.
Data: E premte, 28 prill 2023
Ora: 10:00
Vendi: Hotel Tirana, salla “Metropol”

ASA dhe Universiteti i Prishtinës konkretizojnë marrëveshjen

13 Prill, 2023 Njoftime
Akademia e Studimeve Albanologjike dhe Universiteti i Prishtinës nënshkruan sot në Prishtinë aneksin e marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor. Ky është një hap konkret që palët e hedhin pas bisedimeve dhe marrëveshjes së nënshkruar më 18 nëntor 2022 për të krijuar një strategji mbi transmetimin e dijes tek brezat e rinj, në fushat e albanologjisë, me qëllim edhe përditësimin dhe pasurimin me teza të reja të dijes albanologjike.
Akademia e Studimeve Albanologjike shikon tek Universteti i Prishtinës partnerin kryesor për zhvillimin e dijes së avancuar në lëmejtë e albanologjisë si në Kosovë dhe në Shqipëri.
Një përfaqësi e ASA-s, e kryesuar nga rektori, prof.dr. Luan Përzhita, i paraqitën rektorit të Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Qerim Qerimi, pikat e mëposhtme si një aneks të marrëveshjes:
1. Krijimin e grupeve të punës për hartimin e projekteve strategjike të përbashkëta në fushën e albanologjisë – përkatësisht në fushën e arkeologjisë, antropologjisë social-kulturore, historisë dhe gjuhësisë.
2. Ndërtimin e programeve të përbashkëta në studimet Master dhe Doktoraturë në fushën e albanologjisë – arkeologji, antropologji social-kulturore, histori, gjuhësi.
3. Krijimin e një platforme të përbashkët për shkëmbimin e stafit akademik në mes dy institucioneve.
4. Hulumtime të përbashkëta për trashëgiminë kulturore në Kosovë dhe Shqipëri.
Ky aneks do të respektojë marrëveshjet ndërqeveritare Kosovë-Shqipëri, lidhur me fushën e arsimit dhe trashëgimisë kulturore të secilit vend, si dhe aktet rregullatore (statute, rregullore, strategji të secilit institucion).
Dokumenti u firmos nga dy rektorët, prof. dr. Qerim Qerimi dhe prof. dr. Luan Përzhita.
Për Akademinë e Studimeve Albanologjike nuk ka qenë asnjëherë kaq afër si tani afrimi me institucionet homologe në Kosovë. Kujtojmë se në dy vitet e fundit janë nënshkruar dhe përtërirë memorandume bashkëpunimi me Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe në bazë të tyre janë zhvilluar aktivitete të përbashkëta mes tri qendrave të shkencës albanologjike në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup.

RIKTHEHET PROGRAMI I EDUKIMIT PËR TRASHËGIMINË KULTURORE

12 Prill, 2023 Njoftime
Akademia e Studimeve Albanologjike me dy nga institutet e saj, respektivisht Instituti i Arkeologjisë dhe Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i Studimit të Artit, do të zbatojë edhe këtë vit programin e edukimit në fushën e trashëgimisë kulturore me shkollat e ciklit parauniversitar të Tiranës. Për këtë arsye ASA, rektori i saj, prof.dr. Luan Përzhita nënshkroi sot marrëveshjen e bashkëpunimit me DMO ALBANIA, organizatë jofitmprurëse, e përfaqësuar nga znj. Eva Kushova, drejtore ekzekutive, e ngarkuar me koordinimin e roleve ndërinstitucionale për zbatimin e projektit.
Në bazë të marrëveshjes, Akademia e Studimeve Albanologjike – Instituti i Arkeologjisë, përfaqësuar nga drejtoresha, prof.asoc.dr. Belisa Muka, dhe Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, përfaqësuar nga drejtori, prof. dr. Nebi Bardhoshi – do të ofrojë ekspertizë lidhur me përshkrimin e 5 periudhave historike të trashëgimisë kulturore të Tiranës dhe edukimin e të rinjve me këtë trashëgimi historike, materiale dhe shpirtërore. ASA ofron specialistë në këto fusha dhe DMO Albania do të realizojë të gjitha aktivitetet e projektit për një afat njëvjeçar.
Kujtojmë se ky projekt u zbatua gjatë gjithë vitit 2022 në bazë të marrëveshjes së bashkëpunimit me Bashkinë e Tiranës dhe Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, si dhe Zyrën Vendore të Arsimit Parauniversitar. Seminaret u kombinuan me vizitat në Muzeun Arkeologjik dhe turet në kala, muze e qendra historike në sitet arkeologjike të Tiranës dhe rrethinave të saj.

Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike Luan Përzhita priti sot përfaqësues të Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në Luginën e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës

30 Mars, 2023 Njoftime
Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike Luan Përzhita priti sot përfaqësues të Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në Luginën e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, Xhemaledin Salihu (kryetar) dhe Shpëtim Memishi (kryetar i kuvendit të shoqatës).
Qëllimi i kësaj vizite ishte përgatitja e një klime bashkëpunimi mes ASA-s dhe faktorëve të angazhuar në hulumtimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore në këtë territor trojesh etnike shqiptare nën juridiksion serb. Kjo shoqatë me aktivitet mbi 10-vjeçar ka marrë përsipër regjistrimin e objekteve kulturore dhe natyrore, edukimin e të rinjve përmes trashëgimisë kulturore, organizimin e konferencave mbarëkombëtare për personalitete të shkencës shqiptare. Rektori Përzhita e përshëndeti punën e deritanishme të shoqatës dhe shprehu vullnetin për fillimin e një bashkëpunimi në rrugë institucionale me komunën e Preshevës dhe me institucionet e arsimit për të krijuar projekte afatgjata ku të përfshihen studiues të arkeologjisë, historisë, gjuhësisë e antropologjisë në këtë zonë me kulturë të pasur por ende të pashkruar.
Përfaqësuesit e Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore shprehën nevojën për ekspertë në fusha të albanologjisë për të evidentuar pasuritë kulturore si dëshmi të identitetit kombëtar të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Përfaqësues të Shoqatës Akademike të Shqiptarëve për Shkencë dhe Art me qendër në Tetovë u takuan sot me drejtuesit e Akademisë së Studimeve Albanologjike.

29 Mars, 2023 Njoftime
Rektori Luan Përzhita priti në takim prof. dr. Hasan Jashari, kreu i kësaj shoqate (sociolog), prof. dr. Zeqir Kadriu (gjuhëtar), prof. dr. Zeqirja Rexhepi (historian) dhe prof. dr. Florin Ajdini (studiues i filozofisë), studiues dhe mësimdhënës pranë Universitetit të Evropës Juglindore dhe Universitetit të Tetovës, një qytet me 85% të popullatës shqiptare që mbetet zemra e arsimimit në gjuhën shqipe.
Kjo përfaqësi kërkon mbështetjen e kolegëve shqiptarë, e inteligjencës shqiptare të tërësi, për një bashkëpunim në të ardhmen në fushën e kërkimit shkencor, por sidomos në këtë moment, ka të nevojshme ndihmën e natyrës teknike për mëkëmbjen e asaj që aspirohet të jetë një akademi për shkencat shoqërore dhe albanologjike në Maqedoninë e Veriut, në një territor që i ka munguar angazhimi i shkencës shqiptare.
“Ne shqiptarët e Maqedonisë së Veriut jemi të vetëdijshëm se nuk jemi prioritet në një territor ku shqiptarët janë shumicë”, thanë përfaqësuesit e Shoqatës Akademike të Shqiptarëve për Shkencë dhe Art. “Kërkojmë ndihmën tuaj dhe të Kosovës që të mos mbetemi në margjinat e proceseve për të afirmuar vlerat e identitetit tonë kulturor, identitet të cilin Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë së Veriut e injoron me heshtje.”
Prof.dr. Luan Përzhita u bëri të ftuarve një prezantim të strukturës dhe punës shumëvjeçare të Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe vuri në dukje mundësitë e bashkëpunimit me kolegët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut.
Mbas këtyre shkëmbimeve të para njohëse mund të fillojë një rrugë bashkëpunimi për të ndryshuar situatën, së pari me burime njerëzore, e për të vijuar me botime të përbashkëta.
Palët këmbyen librat e parë, një seri të revistës “Albanian Studies”, një nga revistat më të rëndësishme që boton Akademia e Studimeve Albanologjike, dhe një kolanë studimesh antropologjike. Rektori i ASA-s shprehu vullnetin që në takimin e ardhshëm, ASA t’i dhurojë Shoqatës Akademike të Shqiptarëve për Shkencë dhe Art, bibliotekës së saj ende në ngjizje, një seri studimesh albanologjike.

Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Luan Përzhita dhe autoritete të tjera të ASA-s pritën sot një delegacion nga Institucionet Evropiane të Arsimit të Lartë të Arteve të Bukura

16 Mars, 2023 Njoftime
Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Luan Përzhita dhe autoritete të tjera të ASA-s pritën sot një delegacion nga Institucionet Evropiane të Arsimit të Lartë të Arteve të Bukura të përbëra nga: Akademia e Arteve të Bukura të Romës, përfaqësuar nga muzeologu Claudio Libero Pisano; Universiteti i Arteve të Bukura Dresden, përfaqësuar nga rektori Oliver Kossak dhe Universiteti Hungarez i Arteve të Bukura në Budapest, përfaqësuar nga rektori István Erős.
ASA është pjesë e agjendës së takimeve dhe vizitave në institucione, muze dhe galeri që po kryen në kryeqytet ky delegacion. Anëtarët e tij ndodhen në Tiranë në kuadër të Projektit EXPANSION EU4ART, ku Universiteti i Arteve ka aplikuar për një partnership mes 6 institucionesh të Arsimit të Lartë në Artet e Bukura, çka e vendos UA-në në një nivel të ri të ndërkombëtarizimit të studimeve.
Aleanca EU4ART i është përkushtuar bashkëpunimit dhe shkëmbimit të praktikave që synojnë të zgjerojnë infrastrukturën, njohuritë ekzistuese dhe krijimin e kurseve të përbashkëta të universiteteve partnere. Bazë për këtë do të ishte krijimi i një kurrikule të përbashkët për artet e bukura dhe i një rrjeti evropian punëtorish për mësimdhënien dhe praktikën artistike.
Akademia e Studimeve Albanologjike e gjen veten në këto perspektiva duke qenë institucion i arsimit të lartë e për më tepër, në pritje për rihapjen e shkollave të Masterit dhe Doktoraturës, në programet e të cilave parashikohet mësimdhënia nga një qasje ndërdisiplinore edhe ndaj kulturës dhe arteve, duke integruar metoda të reja pedagogjike dhe teknologjitë digjitale.
Pas takimit, delegacioni vizitoi fondet arkeologjike në ASA dhe Muzeun Arkeologjik, hapësirë që është pjesë e guidave të përhershme, sidomos për studentët e arteve vizuale në Universitetin e Arteve.

Akademia e Studimeve Albanologjike dhe Rrjeti Akademik Shqiptar nënshkruan sot memorandumin e mirëkuptimit “Për Zhvillimin e ‘Shkencës së Hapur’ në Shqipëri”

16 Mars, 2023 Njoftime
Akademia e Studimeve Albanologjike dhe Rrjeti Akademik Shqiptar nënshkruan sot memorandumin e mirëkuptimit “Për Zhvillimin e ‘Shkencës së Hapur’ në Shqipëri”.
Rektori i ASA-s, prof.dr. Luan Përzhita dhe drejtori i RASH-it, dr. Arjan Xhelaj, arritën në këtë marrëveshje pas diskutimit të mundësive të reja që dija albanologjike të ketë akses në sistemin shkencor digjital në nivel ndërkombëtar.
Rektori Përzhita i bëri një prezantim drejtorit Xhelaj për situatën e gjendjes së botimeve shkencore digjitale. ASA boton rreth 7 revista periodike, midis tyre janë disa me një traditë gati 50-vjeçare, përveç 60 veprave shkencore që botohen çdo vit. Institutet e ASA-s ndjekin prej vitesh linjat ndërkombëtare të revistave shkencore që bëjnë digjitalizimin dhe përhapjen e librit shkencor, kjo falë edhe marrëveshjeve që ASA ka me universitetet e huaja dhe qendrat ndërkombëtare të kërkimit shkencor.
Po ashtu, është digjitalizuar biblioteka e Akademisë së Studimeve Albanologjike me afro 80 mijë tituj.
Do duhej që e gjithë kjo pasuri të kishte akses në sistemin digjital shkencor ndërkombëtar.
Ky memorandum nënshkruhet gati një vit pasi Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s miratoi (nëntor 2021) rekomandimin mbi “Shkencën e hapur”. Për të adresuar problemet me të cilat po përballet sot bota, ekziston një nevojë urgjente për qasje të barabartë në informacionin shkencor dhe për ndarjen e njohurive shkencore, të dhënave dhe protokolleve brenda dhe jashtë komunitetit të kërkueseve shkencor. Rekomandimi për përqafimin dhe aplikimin e shkencës së hapur, fuqizon potencialin transformues të shkencës për reduktimin e pabarazive ekzistuese në shkencë, teknologji dhe inovacion. Miratimi i këtij Rekomandimi nga Shtetet Anëtare të UNESCO-s ka nevojë për një kornizë ligjore kombëtare për “Shkencën e hapur”, dhe shprehjen e një vullneti të përbashkët, të cilin e përfaqëson ky memorandum, për të forcuar bashkëpunimin shkencor kombëtar e ndërkombëtar.
Akademia e Studimeve Albanolgjike, jo vetëm si institucion kërkimor shkencor, po edhe i Arsimit të Lartë, i bashkohet këtij memorandumi si hapi i parë i përqafimit të parimeve udhëzuese për shkencën e hapur, parime të cilat parashikojnë:
promovimin e një kuptimi të përbashkët të shkencës së hapur, përfitimeve, sfidave, si dhe rrugët e ndryshme drejt shkencës së hapur;
zhvillimin e një mjedisi politikash të favorshme për shkencën e hapur;
investimin në infrastrukturë dhe shërbime që kontribuojnë në shkencën e hapur;
investimin në trajnime, arsimim, shkrim-lexim digjital dhe ngritjen e kapaciteteve, për t’u mundësuar studiuesve dhe palëve të tjera të interesuara të marrin pjesë në shkencën e hapur;
nxitjen e një kulture të shkencës së hapur dhe përafrimi i stimujve për shkencën e hapur;
publikimin e të dhënave të hapura:
promovimin e qasjeve novatore për aplikimin e shkencës së hapur në faza të ndryshme të procesit të kërkimit shkencor;
promovimin e bashkëpunimit kombëtar e ndërkombëtar, dypalësh e shumëpalësh në kontekstin e shkencës se hapur me synimin për të reduktuar hendekun e njohurive digjitale dhe teknologjike.
Palët ranë dakord për një takim të dytë në muajin prill për të hedhur hapa konkretë në këtë proces.

Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Luan Përzhita, kreu sot një vizitë pune në selinë e Kryegjyshatës Botërore Bektashine në Tiranë

15 Mars, 2023 Njoftime
Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Luan Përzhita, kreu sot një vizitë pune në selinë e Kryegjyshatës Botërore Bektashine në Tiranë. Ai u prit nga Kryegjyshi, Shenjtëria e tij, Haxhi Dede Edmon Brahimaj. Qëllimi i vizitës ishte nënshkrimi i një memorandumi për bashkëpunim mes dy institucioneve në fushën e aktivitetit shkencor, gjurmues dhe arsimor, fusha që mund të zgjerohen në vazhdim në bazë të përvojave që do të dalin gjatë realizimit të kësaj marrëveshjeje.
Për një periudhë 4-vjeçare, institucionet angazhohen në projekte me interes të përbashkët, botime, konferenca, shkëmbim materialesh arkivore dhe në lehtësimin e veprimeve në biblioteka dhe arkiva.
Kryegjyshi Haxhi Dede Edmon Brahimaj i shprehu mirënjohjen rektorit Përzhita që e mirëpriti kërkesën e Kryegjyshatës për këtë marrëveshje dhe pranoi dhuratën me disa botime të fundit të Akademisë së Studimeve Albanologjike, midis tyre dhe përbledhjen me dokumente arkivore “Shteti dhe komunitetet fetare, 1948-1950” (Instituti i Historisë-ASA, 2022).
Rektori Përzhita vizitoi më pas disa nga mjediset më me interes të selisë së shenjtë si Muzeu Botëror Bektashian, ku ekspozohen koleksione të rralla objektesh, veshjesh, botimesh për fenë bektashiane e ku kalon në pasqyrë një histori shekullore nëpër Shqipëri. Aty gjen dhe një koleksion të përhershëm veprash arti të artistit Omer Kaleshi.
Në shoqërinë e studiuesit Nuri Çuni dhe bibliografit Maksim Gjinaj, rektori Përzhita pa nga afër arkivin e Kryegjyshatës ku ruhen dokumente për aktivitetin e fesë bektashiane në Shqipëri prej vitit 1878. Pranë arkivit ndodhet biblioteka me rreth 7 mijë ekzemplarë, së cilës do t’i shtohen së shpejti si dhuratë botimet kryesore të Akademisë së Studimeve Albanologjike.

Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Luan Përzhita u takua sot me drejtorin e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës Shqipe, prof. dr. Ylber Sela

3 Mars, 2023 Njoftime
Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Luan Përzhita u takua sot me drejtorin e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës Shqipe, prof. dr. Ylber Sela. Drejtuesit bënë një bilanc për arritjet e bashkëpunimit mes dy institucioneve në këto vitet e fundit.
Ditët e Albanologjisë dhe tubimet për shqipen standarde, në kuadër të 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, kanë qenë ngjarje kryesore për të cilat u bashkuan energjitë e ASA-s dhe AZGJ-së, ndër të tjera. Konferencat e përbashkëta, botimet dhe partneriteti me institucione në rajon afër shkencave albanologjike, për çështje që i përkasin jo vetëm gjuhës shqipe po edhe kombit shqiptar, mbeten disa nga qëllimet e bashkëpunimit edhe për vitin 2023 mes qendrave albanologjike në Tiranë dhe Shkup.

U mblodh sot Senati i Akademisë së Studimeve Albanologjike për të miratuar buxhetin dhe programin për aktivitetet shkencore dhe botimet e vitit 2023

26 Janar, 2023 Njoftime
U mblodh sot Senati i Akademisë së Studimeve Albanologjike nën drejtimin e rektorit prof. dr. Luan Përzhita për të miratuar buxhetin dhe programin për aktivitetet shkencore dhe botimet e vitit 2023.
Buxheti i këtij viti, krahasuar me buxhetin e vitit 2022, krijon mundësinë që të katër institutet e ASA-s, të përmbushin botimin e më shumë titujve, rreth 55 dhe të realizojnë më shumë aktivitete shkencore, konferenca kombëtare, mbarëkombëtare dhe ndërkombëtare, ekspedita hulumtuese dhe dokumentuese, ligjërata, seminare dhe ekspozita, që do të përmbyllen në fund të vitit me “Ditët e Albanologjisë”.
Vazhdon bashkëpunimi ndërkombëtar për projekte kërkimore me qendra dhe institute shkencore, partnere të Akademisë së Studimeve Albanologjike, nga vende si Franca, Italia, Anglia, Greqia, Gjermania, SHBA-të etj., po edhe me qendrat albanologjike në Shkup dhe Prishtinë, sipas memorandumit të bashkëpunimit i nënshkruar në vitin 2021.
Një nga çështjet e rëndësishme, e rimarrë në shqyrtim, ishte hapja e Laboratorit të Restaurimit dhe Arkeometrisë në mjediset e Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit.
Anëtarët e Senatit diskutuan për perspektivën e afërt të Shkollës së Doktoraturës, po edhe për mundësinë e dixhitalizimit të bibliotekave të ASA-s. Po ashtu u shpreh shqetësimi për mungesën e fondeve për investime në rikonceptimin e Muzeut të Arkeologjisë dhe për arkivat e instituteve të ASA-s.
Në ditët në vazhdim do t’ju njohim me kalendarin e aktiviteteve e të botimeve për secilin institutit të ASA-s për vitin 2023.

Ndërron jetë në moshën 73-vjeçare akademike Edi Shukriu

17 Janar, 2023 Njoftime

Ndërron jetë në moshën 73-vjeçare akademike Edi Shukriu. Lajmin e ka dhënë Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK). “Me dhembje dhe pikëllim të thellë njoftojmë opinionin se më 17 janar 2023 ndërroi jetë akademike Edi Shukriu, një emër i njohur dhe i çmuar në fushën e arkeologjisë, të historisë, të letërsisë, të angazhimeve politike, institucionale dhe kulturore në Kosovë dhe në mbarë hapësirën shqiptare.”

Varrimi do të bëhet më 18 janar 2023, ora 15:00, në varrezat katolike të qytetit të Prizrenit.

Akademike Edi Shukriu u lind në Prizren më 1950. Shkollimin fillor e të mesëm e kreu në vendlindje dhe studimet për arkeologji në Universitetin e Beogradit (1972). Pas doktorimit në Universitetin e Prishtinës (1990) punoi në Muzeun e Kosovës (1974-1979) dhe nga viti 1979 në UP, ku ligjëroi kurse në Degën e Historisë për lëndët Arkeologji, Histori e Lindjes së Lashtë, Histori e Greqisë dhe Romës. Themeloi Grupin e Arkeologëve të Rinj “Shtjefën Gjeçovi” të Universitetit të Prishtinës (1986-1990), organizoi ekspedita arkeologjike dhe ekspozita tematike në Koleksionin Arkeologjik të Fakultetit Filozofik dhe më pas themeloi Degën e Antropologjisë në Fakultetin Filozofik, me drejtimet Antropologji Kulturore dhe Arkeologji, ku ligjëroi kurset semestrale Histori e Qytetërimeve, Histori Antike, Arkeologji e Kohës së Gurit dhe Arkeologji Dardane.

Veprimtarinë shkencore dhe profesionale e përqendroi në hulumtimet arkeologjike dhe të historisë antike, në mbrojtjen e integruar të trashëgimisë kulturore dhe në prezantimin e saj brenda dhe jashtë vendit.

Udhëhoqi hulumtimet arkeologjike në Vërmicë (1974-1975), Gjonaj (1975), tumat e Porodimes, tumën e Cernicës (1987) dhe të Komoranit (1974), Kalanë e Veletinit (1986), Gradishën e Vlashnjës (2002) dhe në Ulpianën antike, si hulumtim i parë me bashkëpunim ndërkombëtar në kuadër të kurseve të Universitetit Veror të UP. Ishte pjesë e ekipit të hulumtimeve në Kalanë e Prizrenit, Glladnicë te Graçanica, Bajë të Pejës, Romajë dhe Gadime të Epërme. Evidentoi vendbanimet e fortifikuara në Strezovc, Marec, Gushicë, Vuçak, Godanc, Korishë, Batushë, Harilaç etj. Ishte një prej themeluesëve të Muzeut Arkeologjik në Prizren (1973). Siguroi pjesëmarrje të studentëve në hulumtime arkeologjike në Kosovë, Shqipëri dhe Austri, si dhe studimet në arkeologji në Francë.

U angazhua në lëvizjen për liri, krijimin e shtetit të Kosovës dhe zhvillimin e proceseve demokratike dhe njëkohësisht edhe për pjesëmarrjen e gruas në nivelet e vendimmarrjes, në jetën publike dhe për jetësimin e barazisë gjinore. U angazhua në Ministrinë e Punëve të Jashtme (1991-1998) dhe ishte deputete e Ku­vendit të Republikës së Kosovës (1992-1998), ku veproi si anëtare e Komisionit për Kulturë, Komisonit për Arsim dhe në vazhdimësi në Komisionin për Punë të Jashtme. U caktua Bashkëdrejtuese e Departamentit të Kulturës-UNMIK (2000-2001) dhe ishte deputete e Kuvendit të Kosovës (2002-2004), ku kryesoi Komisionin për Kulturë.

Bashkëthemeloi Forumin e Gruas të LDK-së (1990) dhe ishte kryetare e tij (1995-2000). Organizoi dhe udhëhoqi demostrata të grave kundër regjimit serb.

Ideoi dhe organizoi aksionin e Forumit të Gruas të LDK-së: Çdo ditë – dy orë mësim (tetor 1991-janar 1992) që ishte nismë për organizimin e shkollimit paralel në Kosovë në shtëpi private. Inicioi themelimin e Operës dhe Baletit të Kosovës, krijoi bërthamën e Filarmonisë së Kosovës, mbështeti fuqimisht vazhdimin e punës së Baletit të Kosovës (2000), si  dhe inicoi themelimin e Institutit Arkeologjik të Kosovës (2000). Bashkëthemeloi partinë Alterna­tiva Demokratike e Kosovës (2004-2013). Ishte Kryetare e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore (2009-2012), anëtare dhe më pas Nënkryetare e PEN Qendrës së Kosovës (2009-2018) dhe anëtare e Shoqatës së Shkrim­tarëve të Kosovës (1973).

Ishte Shkencëtare Vizituese në Universitetin e Harvardit (2002) dhe në Universitetin e Vjenës (2001).

Në vitin 2012 u zgjodh anëtare korrespondente e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe në vitin 2020 anëtare e rregullt e saj. Në vitin 2014 u bë anëtare e Akademisë Europiane të Shkencave dhe të Arteve në Salzburg. Për vepër jetësore në fushën e trashëgimisë kulturore u dekorua me çmimin “Dea Dardanciae” të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (2017), Çmimin letrar Beqir Musliu (2019), Çmimin e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për librin poetik “Nënqielli” (1990), Çmimin për librin shkencor të vitit “Dardania Paraurbane” (1996).

Vendim Senati për mbështetjen financiare të punonjësve të ASA-s

15 Janar, 2023 Njoftime

Më 06.01.2023 Senati Akademik i ASA-s mori vendimin “Për miratimin e mbështetjes financiare për punonjësit e ASA-s” në zbatim të VKM Nr.898, datë 29.12.2022”.

Vendime të Bordit të Administrimit – 2021

9 Janar, 2023 QSA

Mirënjohje për albanologët

30 Dhjetor, 2022 Njoftime
Fundi i një viti kalendarik shërben si shkas për të shprehur mirënjohje për ata që ndërruan jetë në vitin që po ikën dhe të tjerë studiues që Akademia e Studimeve Albanologjike i nderoi me “Çmimin e Albanologjisë” apo “Medaljen e Mirënjohjes”.
Po i risjellim edhe një herë në vëmendje ata albanologë, puna e të cilëve po u kalon si trashëgimi brezave më të rinj të shkencëtarëve.
Në këtë vit ndërroi jetë prof. dr. Ali Muka, studiues i shquar i etnologjisë shqiptare në periudhën 1970-2008. Ai ka lënë pas kontribute të spikatura në lëmin e artit popullor, muzeografisë, debatit dhe diskutimeve antropo-gjeografike mbi krahinat dhe areale të tjera, mbi tema që lidhen me kulte, mite e besime, mbi historinë si dhe në lëmin e mësimdhënies në nivele të ndryshme të studimeve universitare dhe atyre të thelluara.
Profesoreshë Zhaneta Andrea u nda nga jeta në moshën 85-vjeçare. Ajo kujtohet për kontributin e jashtëzakonshëm në fushën e arkeologjisë, veçanërisht për kërkimet në vendbanimet e Neolitit. Në vitet ‘60 ajo kreu ekspedita informative në rrethin e Korçës, gërmime në vendbanimet e Podgorisë dhe Maliqit, në disa varreza tumulare të prehistorisë së vonë, në Barç, Kuç i Zi dhe Shuec, të cilat u kurorëzuan me botimin në vitin 1985 të monografisë me titull “Kultura ilire e tumave në Pellgun e Korçës”. Emri i saj si autore është një referencë e rëndësishme për studimet prehistorike të Shqipërisë.
Profesor Grigore Brâncuș (Akademia e Shkencave të Rumanisë) u nda nga jeta në moshën 93-vjeçare. Fushat kryesore të studimit të tij ishin historia e gjuhës rumune, po edhe studimet në fushë të shqipes, sidomos përkimet gjuhësore rumuno-shqiptare, fushë të cilës i kushtoi një numër artikujsh dhe një studim monografik. Prof. Brâncuș-i kishte kryer studime specializimi në Shqipëri në vitet 1958-1959 dhe 1965 dhe kishte fituar njohuri të shkëlqyera për shqipen. Ai mbante korrespondencë me gjuhëtarë shqiptarë si prof. Eqrem Çabej. Disa artikuj e recensione të tij janë botuar edhe në shqip në revistat tona shkencore.
Albanologu gjerman Peter Bartl u nda nga jeta këtë vit në moshën 84-vjeçare. Studiues i historisë së popullit shqiptar, ai mbeti për një kohë të gjatë specialisti i vetëm në Gjermani për këtë fushë. Ka punuar si bashkëpunëtor shkencor në Institutin e Historisë në Mynih, ishte profesor i historisë së Europës Lindore dhe Juglindore në Universitetin e Mynihut, pranë të cilit drejtonte edhe Institutin Albanologjik. Në vitet ’60-’70 ka qenë bashkëpunëtor i revistës “Shêjzat”. Ka botuar monografinë “Myslimanët shqiptarë gjatë Lëvizjes për Pavarësi”, “Ballkani Perëndimor midis Monarkisë Spanjolle dhe Perandorisë Osmane”. Është autor i një historie të përgjithshme të Shqipërisë, “Albanien”. Ka përgatitur për botim dhjetëra vëllime të serisë “Studime shqiptare”, ku kanë dalë monografi dhe burime nga fushat e ndryshme të albanologjisë.
Prof. dr. Ferdinand Leka do të kujtohet si një nga terminologët më të mirë të gjuhës shqipe. Është bashkautor e redaktor i shumë fjalorëve terminologjikë të fushave si: gjeologjia, arkitektura, minierat, letërsia, hidraulika, drejtësia, e drejta ndërkombëtare, gjuhësia, gjeografia, mekanika, ekonomia, mjekësia. Ai ka dhënë ndihmesë të çmuar në leksikografinë shpjeguese, si bashkëhartues në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe, 1980”, i veprës “Fjalor italisht-shqip”. Ai ka përgatitur për botim veprën e lënë në dorëshkrim “Fjalori arbërisht-shqip” të Kolë Kasmit. Prof. Leka ka qenë një nga zërat përfaqësues të kritikës shkencore gjuhësore, sidomos të asaj në fushën e terminologjisë e të terminografisë, por dhe të punës në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Ai është marrë dhe me përkthime, duke prurë në shqipe vepra të njohura nga proza, poezia, eseistika botërore.
Në “Ditët e Albanologjisë 2022” Akademia e Studimeve Albanologjike nderoi Robert Elsien (1950-2017) me “Çmimi i Albanologjisë” (pas vdekjes): “Për kontributin shumëvjeçar në promovimin e kulturës, gjuhës, letërsisë dhe historisë së shqiptarëve, për punën me pasion dhe profesionalizëm në studimet albanologjike.”
Nga veprat e dr. Elsie-t vlejnë të përmenden në mënyrë të veçantë: “Histori e letërsisë shqiptare”, “Studime për letërsinë dhe kulturën bashkëkohore shqiptare”, “Kosovë: në qendrën e fuçisë së barutit”, “Fjalor i fesë, mitologjisë dhe kulturës popullore shqiptare”. Ka përkthyer në gjuhën angleze një sërë veprash nga poezia bashkëkohore, përralla dhe legjenda shqiptare. Ai zbuloi dhe botoi dorëshkrimin e historisë së parë të Shqipërisë, të shkruar prej priftit llazarist francez, Jean-Claude Faveyrial, “Histori e Shqipërisë”. Po ashtu, ai zbuloi dhe botoi dorëshkrimin në gjermanisht të albanologut hungarez, baronit Franc Nopça “Udhëtime nëpër Ballkan”.
Prof. Skënder Aliu u vlerësua me “Çmimin e Albanologjisë 2022”: “Për kontribut të shquar në fushën e kërkimeve prehistorike shqiptare dhe në formimin e brezave të arkeologëve të rinj”. Ai ka qenë pjesëmarrës në gërmimet shqiptaro-sovjetike në Apolloninë e Ilirisë në vitet 1959-1961; në gërmimet në tumën e Grizhdës dhe në kalanë e Gajtanit në Shkodër; në gërmimet në vendbanimin prehistorik të Maliqit e më pas në Kalanë e Hollmit, në vendbanimin neo-eneolitik të Kamnikut; në tumën e Prodanit, në të Rehovës, si dhe në shumë vendbanime të hapura shpellore, të fortifikuara në krahinën e Kolonjës dhe Leskovikut. Për disa vite radhazi ai është përfshirë në gërmimet, restaurimet dhe ndërtimin e Muzeut të Kamenicës në rrethin e Korçës, i pari në llojin e tij në vendin tonë, si dhe në gërmimet e tumave 7, 9, 10, 11 të nekropolit të Apollonisë. Është autor i monografive “Tuma e Luarasit”, “Tuma e Rehovës” dhe “Kolonja – Studime Arkeologjike”.
Edhe gjuhëtari Agron Duro u vlerësua me “Çmimin e Albanologjisë 2022” “për kontribute të shquara në fushën e terminologjisë gjuhësore”. Fusha kryesore kërkimore shkencore e prof. Duros është terminologjia dhe leksikologjia. Ai ka qenë bashkautor dhe kryeredaktor i një varg fjalorësh terminologjikë, duke drejtuar punën për hartimin e mjaft veprave terminografike në lëme të ndryshme të dijes: mekanikë, fiziologji, bujqësi, patologji, si dhe ka redaktuar një varg fjalorësh terminologjikë (Fjalori politeknik rusisht-shqip; Fjalori i botanikës, i kimisë, etj). Gjithashtu, prof. Duro ka hartuar mbi 10 tekste mësimore për mësimin e gjuhës ruse në UT, si dhe ka marrë pjesë në veprimtari dhe tubime për probleme të ndryshme gjuhësore. Si vepra kryesore mund të përmendim monografi e përmbledhje studimesh: “Terminologjia si sistem”, “Termi dhe fjala në gjuhën shqipe”, “Studime gjuhësore 1, 2” etj.
Përtej vlerësimeve formale, Akademia e Studimeve Albanologjike nderoi me “Medaljen e Mirënjohjes” akademik Rexhep Ismajlin (Akademia e Shkencave dhe e Arteve, Kosovë). Para disa muajsh, prof. Ismajli ishte i ftuar nderi nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë (ASA) në kuadrin e veprimtarive ligjëruese rreth arritjeve në fushën e studimeve gjuhësore dhe të atyre letrare. Ai mbajti lektoriumin “Studimet Albanistike në ish-Jugosllavi”.

Marrëveshjet e ASA-s për vitin 2022

29 Dhjetor, 2022 Njoftime
Në vitin që po lëmë pas, Akademia e Studimeve Albanologjike ka qenë e fokusuar në dy drejtime. Së pari, në albanologjinë përtej nesh, pra në raport dhe bashkëveprim me të tjerët, me homologët në botë, për ta integruar shkencën albanologjike si pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të rëndësishëm mbi kërkimin shkencor. Marrëveshjet me universitetet e Ballkanit, të Evropës e më gjerë, po i japin mundësinë Akademisë sonë për të kontribuar dhe njëherazi përfituar në projekte ku identiteti shqiptar ka shumë për të treguar në mesin e identiteteve kulturore të popujve dhe qytetërimeve, të cilat diskutohen dhe analizohen në tregun e përbashkët të kërkimit shkencor.
Aspekti i dytë në fokus, kanë qenë çështjet e albanologjisë brenda nesh, pra në raport me veten, që është reflektur në konferencat mbarëkombëtare për çështje të gjuhës, historisë, antropologjisë, edhe për faktin se Akademia e Studimeve Albanologjike ka një shtrirje kudo ku flitet shqip, nga Tirana në Prishtinë, Shkup, Mal të Zi, Tivar, diasporë.
Si rezultat i kësaj strategjie që parashikohet të vazhdojë kështu, së paku deri në vitin 2027, dhe bazuar në Ligjin “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë”, ASA po ndjek rrugën dhe mekanizmat e zhvillimit që e bëjnë këtë institucion lider në studime albanologjike.
Me qëllim ndërkombëtarizimin e cilësisë së kërkimit shkencor, në vitin 2022, ASA ka nënshkruar disa marrëveshje ndërkombëtare, mbarëkombëtare dhe në nivel kombëtar. Po përmendim disa, përveç marrëveshjeve që secili institut albanologjik ka pasur me institucionet homologe shqiptare dhe ndërkombëtare:
– Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Akademisë së Studimeve Albanologjike (Tiranë), Institutit Albanologjik (Prishtinë) dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (Shkup). Në bazë të këtij dokumenti u realizuan një sërë konferencash të përbashkëta, ndër të cilat më e rëndësishmja ishte “Një komb, një gjuhë”; u zhvillua panairi i përvitshëm “Botime Albanologjike” në Prishtinë; u promovuan botime dhe u organizuan lektoriume shkencore nga specialistë të fushave të albanologjisë e kulturës kombëtare.
– Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Akademisë së Studimeve Albanologjike që i hap rrugë bashkëpunimit në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, në përputhje me strategjitë përkatëse të zhvillimit të institucioneve dhe të vendeve respektive.
– Marrëveshje bashkëpunimi 5-vjeçare mes Shkollës Franceze të Athinës dhe Akademisë së Studimeve Albanologjike, e cila garanton shkëmbimin e eksperiencave në kërkimin shkencor, zhvillimin e programeve të përbashkëta edukuese, trajnuese, aktivitete kulturore, botime, akses në koleksionet arkivore për kërkuesit shkencore të të dyja palëve, seminare, konferenca ose shkolla verore e deri në botime të përbashkëta.
– Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe Universitetit të Sofjes “St. Kliment Ohridski”, e cila parashikon bashkëpunimin në shkëmbimin e produktit shkencor, organizmin e konferencave të përbashkëta, shkëmbimin e personelit akademiko-mësimdhënës, hapjen e një programi të ri studimesh universitare në nivel bachelor për Ballkanologji (me lëndë që mbulojnë historinë, gjuhësinë, arkeologjinë, antropologjinë, kulturën e artin) me pedagog të përbashkët nga të dy institucionet, por dhe nga universitete të tjera të Shqipërisë.
– Akademia e Studimeve Albanologjike dhe Ministria e Kulturës nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit për digjitalizimin, restaurimin, konservimin dhe ekspozimin e koleksioneve të objekteve të trashëgimisë kulturore që ASA disponon.
– Akademia e Studimeve Albanologjike dhe Bashkia e Tiranës nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi 1-vjeçare për organizimin e një cikli seminaresh të përmuajshme me shkollat e mesme të Tiranës që kishte për qëllim njohjen dhe edukimin e të rinjve me trashëgiminë kulturore e historike, materiale e shpirtërore të Tiranës. Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, si dhe Zyrën Vendore të Arsimit Parauniversitar në Tiranë, u parashikuan vizita të organizuara në kala, muze dhe qendra historike në sitet arkeologjike të Tiranës dhe rrethinave të saj të udhëhequra nga arkeologë, arkitektë, studiues të Akademisë së Studimeve Albanologjike.
– Në zbatim të Ligjit “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Shqipëri”, Nr. 80/2015, si dhe në zbatim të strategjive të zhvillmit, statuteve dhe rregulloreve përkatëse të të dy institucioneve palë, u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit mes Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës. Qëllimi i kësaj marrëveshjeje mbetet hapja dhe promovimi i programeve studimore, me theks të veçantë në ato të avancuara, në lëmej si studimet rajonale, saktësisht ato ballkanike dhe europiane, si dhe krijimi i kushteve dhe praktikave më të mira për shkëmbim të stafit akademik dhe qarkullim studentësh në zonën europiane e rajonale.
Për vitin 2023 Akademia e Studimeve Albanologjike synon të ketë një rol aktiv lidhur me politikat arsimore mbi gjuhën, kulturën dhe historinë në Republikën e Shqipërisë, rajon e më gjerë; të bëhet një qendër ekselence për studimet ballkanike, një vizion që bazohet te kapacitetet akademike dhe organizative, si dhe te nevoja dhe dëshira për dije të thelluara dhe krahasuese mbi rajonin e Europës Juglindore.
ASA është në një rrugë të mbarë për procesin e akreditimit, i cili do t’i japë mundësinë asaj të përcjellë dijen albanologjike në fushat e historisë, arkeologjisë, antropologjisë kulturore e studimit të artit, të gjuhësisë e të letërsisë nëpërmjet shkollave të Masterit e të Doktoraturës.

Nisën “Ditët e Albanologjisë” edicioni XIII

21 Nëntor, 2022 Njoftime
Akademia e Studimeve Albanologjike e ka quajtur të rëndësishme që së pari, të ndajë në ceremoninë e çeljes një albanologji përtej nesh, gjithë arritjet e këtij viti, si vazhdim i viteve paraardhëse, në nivelin e bashkëpunimeve.
Në përshëndetjen e rastit, rektori Luan Përzhita tha se “për asnjë çast, nuk kemi ndalur punën për të prezantuar para botës akademike evropiane e më gjerë, arritjet më të mira të albanologjisë shqiptare. Po ashtu në respektim të orientimeve për ndërkombëtarizimin e kërkimit shkencor, Akademia e Studimeve Albanologjike është përpjekur dhe ka punuar shumë në këtë drejtim dhe kjo është reflektuar në një sërë bashkëpunimesh me universitete të huaja”. Pjesë e këtij partneriteti në fushën e arkeologjisë, gjuhësisë dhe të letërsisë, antropologjisë e historisë janë universitete e institucione shkencore evropiane e botërore si ai i Këlnit, Goethes, Humbold-it e Regensburgut në Gjermani; Montpelier-së, Lumiere Lyon 2, Aix en Provence-ës në Francë; Universiteti i Gjenevës në Zvicër; i Studimeve të Catanias, La Sapienzas, Romës, Bolonjës, Chiettit, L’Orientale i Napolit në Itali; Shkolla e Konservimit dhe Restaurimit e Ponteverde-Galicias në Spanjë, Shkolla Franceze e Athinës në Greqi ; “ST. Kliment Ohridski” i Sofjes në Bullgari, i Oxford dhe Liverpulit në Britaninë e Madhe; Universiteti i Buffalos në SHBA etj.
Në këtë linjë, drejtorët e instituteve të ASA-s përshkruan ngritjen e këtyre urave me homologët në botë nëpërmjet botimeve në gjuhë të huaj, lektoriumeve në katedra të rëndësishme, aktiviteteve të përbashkëta për çështje gjuhësore ku ASA është përfaqësuar nga studiuesit e Institutit të Gjuhësisë si dhe konferenca të organizuara nga Instituti i Historisë për marrëdhëniet diplomatike të shtetit shqiptar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Austrinë. Me rëndësi ka qenë këto vite bashkëpunimi me Fondacionin “Konrad-Adenauer”.
Në prani të zv/ministres së Arsimit dhe Sportit Albana Tole, rektori Përzhita theksoi se ky rol elitar dhe udhëheqës i ASA-s do duhet shfrytëzuar më mirë në sistemin arsimor. “Institucioni ynë duhet të jetë një organ i rëndësishëm konsultativ, përmes ekspertëve tanë për të gjitha tekstet mësimore që kanë lidhje me fushat tona të studimit, si dhe për një respektim të gjuhës standarde shqipe në të gjitha tekstet mësimore.”
Në vazhdim u prezatuan disa nga botimet më të rëndësishme të ASA-s për këtë vit: “Historia e shqiptarëve gjatë shek. XX”, vëllimi IV, grup autorësh; “Xhubleta” nga prof. Afërdita Onuzi, “Dardanët” nga prof. Luan Përzhita, “Vegla bakri dhe sëpata bronzi në Shqipëri dhe Kosovë” nga Adem Bunguri; “Studime për fjalën shqipe 5, 6” nga prof. Valter Memisha,
i cili bëri dhe një prezantim të botimeve të reja të ASA-s.
Në përmbyllje, në ceremoninë “Çmimi i Albanologjisë”, u nderuan albanologu Robert Elsie-n (pas vdekjes), gjuhëtari Agron Duro dhe arkeologu Skënder Aliu.

Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA)

18 Nëntor, 2022 Njoftime
Në mjediset e rektoratit të UP-së, sot, më 18 nëntor 2022, u nënshkrua Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA), Tiranë.
Marrëveshja i hap rrugë bashkëpunimit në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, në përputhje me strategjitë përkatëse të zhvillimit të institucioneve dhe të vendeve respektive.
Marrëveshja u nënshkrua nga rektori i ASA-së, prof. dr. Luan Përzhita, dhe u.d. e rektores së UP-së, prof. ass. dr. Lujleta Plakolli-Kasumi, si dhe nga koordinatorët e marrëveshjes, dr. Enkelejda Shamku-Shkreli dhe prof. dr. Lindita Rugova.

17 Nëntor, 2022 QSA

Jemi të lumtur dhe të nderuar të ndajmë me ju ftesën dhe programin e plotë për “Ditët e albanologjisë”, 21-26 nëntor 2022, edicioni XIII, përgatitur nga Akademia e Studimeve Albanologjike sipas agjendës për secilin institut. Këto ditë bartin një bashkim energjie, veprash dhe projektesh për të cilat është punuar gjatë gjithë vitit. Tirana pret edhe Prishtinën e Shkupin e qendrave albanologjike sipas këtij kalendari.
Informacione të detajuara për ngjarje të caktuara vijnë në ditët e ardhshme.

programi

“Ditët e albanologjisë”, edicioni XIII

16 Nëntor, 2022 Njoftime, QSA

Jemi të lumtur dhe të nderuar të ndajmë me ju ftesën dhe programin e plotë për “Ditët e albanologjisë”, 21-26 nëntor 2022, edicioni XIII, përgatitur nga Akademia e Studimeve Albanologjike sipas agjendës për secilin institut. Këto ditë bartin një bashkim energjie, veprash dhe projektesh për të cilat është punuar gjatë gjithë vitit. Tirana pret edhe Prishtinën e Shkupin e qendrave albanologjike sipas këtij kalendari.
Informacione të detajuara për ngjarje të caktuara vijnë në ditët e ardhshme.

Bashkëngjitur gjeni programin.

Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, Prof. dr. Luan Përzhita dhe drejtori i Institutit të Historisë, pritën sot delegacionin e Universitetit “Nënë Tereza” të Shkupit

15 Nëntor, 2022 Njoftime

Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, Prof. dr. Luan Përzhita dhe drejtori i Institutit të Historisë, Prof. dr. Afrim Krasniqi, pritën sot delegacionin e Universitetit “Nënë Tereza” të Shkupit, i përbërë nga pro-rektor për arsimin Prof. dr. Fati Iseni, pro-rektor për shkencën Dr. Bekim Fetaji, pro-rektor për financat Dr. Bunjamini Bela, pro-dekanin e FIT, Prof. ass. Stojan Kitanov dhe përfaqësuesin e agjencisë Erasmus Armend Luta.

Temë e diskutimit ishte bashkëpunimi midis dy institucioneve në fushën e botimeve dhe shpërndarjes të librit shkencor dhe atij albanologjik në mënyrë të veçantë, po edhe shkëmbimi i stafeve akademike dhe studentëve.

“Ditët e albanologjisë”, edicioni XIII

15 Nëntor, 2022 Njoftime
“Ditët e albanologjisë”, edicioni XIII, organizohen më 21 deri më 26 nëntor 2022 në Tiranë. Krahas tyre, janë dy aktivitete paralele që mbahen në Shkup dhe Prishtinë, respektivisht më 22 dhe 23 nëntor, në kuadër të ngjarjes kryesore “Një komb, një gjuhë” që ka në fokus gjuhën shqipe, nga Kongresi i Manastirit deri në zhvillimet e sotme.
Janë të shumtë gjuhëtarët, studiuesit interdisiplinarë që sjellin studimet dhe analizat e tyre më të fundit mbi këtë temë.
Akademia e Studimeve Albanologjike, institutet e saj, kanë përgatitur një program të pasur me konferenca shkencore, ekspozita, promovime të librit të ri albanologjik dhe me ceremoni mirënjohjeje për personalitete të albanologjisë. Të gjitha këto do të zbulohen pak nga pak ditëve në vijim. Si fillim kjo ftesë mirëseardhjeje që ju njofton me temat qendrore, me vendet dhe kohën e mbajtjes së aktiviteteve.
Mirëardhshi!

Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Luan Përzhita dhe drejtues të Instituteve të ASA-s, pritën sot në një takim pune zëvendësrektorin e Universitetit të Sofjes “St. Kliment Ohridski”, prof. Georgi Valchev dhe dekanen e Fakultetit të Sllavistikës, prof. Gergana Dacheva

2 Nëntor, 2022 Njoftime

Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Luan Përzhita dhe drejtues të Instituteve të ASA-s, pritën sot në një takim pune zëvendësrektorin e Universitetit të Sofjes “St. Kliment Ohridski”, prof. Georgi Valchev dhe dekanen e Fakultetit të Sllavistikës, prof. Gergana Dacheva. Pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy institucioneve në prill të këtij viti, ky takim i sotëm i shërben përshpejtimit të procesit për hapjen e një programi të ri studimesh universitare në nivel master fillimisht dhe doktoraturë më pas, për Ballkonologji (me lëndë që mbulojnë historinë, gjuhësinë, arkeologjinë, antropologjinë, kulturën e artin) me pedagogë të përbashkët nga të dy institucionet, por dhe nga universitete të tjera të Shqipërisë. Një strukturë e tillë do të ishte një institucion pionier për Shqipërinë.

“Për ne ky bashkëpunim ka rëndësi të jashtëzakonshme”, tha rektori Përzhita. “Kultura bullgare ka vendin e vet në arealin shqiptar, përfshirë dëshmitë monumentale që qytetërimi bullgar ka lënë përgjatë historisë. Por kemi edhe një komunitet shqiptar në Bullgari. Për këto dhe për shumë çështje që mbase nuk i gjen edhe në libra, është i nevojshëm bashkëpunimi, shkëmbimi dhe interpretimi, ekspeditat e përbashkëta mes profesorëve të të dy institucioneve tona, duke e çliruar kërkimin shkencor nga trusnia dhe një lloj peshe e politikës dhe mendësive të së shkuarës.”


Zëvendësrektori Valchev tha se për Universitetin e Sofjes, ky është momenti i duhur, sepse përkon me reformën universitare që po kryhet në vend dhe “St. Kliment Ohridski” po gëzon mbështetje financiare për të përmirësuar e ndërkombëtarizuar kërkimin shkencor. “Me këtë takim konfirmojmë gatishmërinë tonë për ngritjen e një grupi të përbashkët pune për studimet ballkanistike”, tha prof. Valchev. “Jetojmë në një hapësirë të përbashkët dhe do të ishte mirë të shohim tërësinë e gjërave në mënyrë të përbashkët.”


Pas takimit, të ftuarit nga Sofja bënë një vizitë në Muzeun Arkeologjik në mjediset e Akademisë së Studimeve Albanologjike.


Kujtojmë se marrëveshja mes Universitetit të Sofjes dhe Akademisë së Studimeve Albanologjike (The Agreement for co-operation betëeen the Academy of Albanian Studies and Sofia University “St. Kliment Ohridski”) parashikon bashkëpunimin në disa fusha: në shkëmbimin e produktit shkencor (të revistave shkencore, të punimeve monografike, të veprave me karakter përgjithësues etj.), publikimeve shkencore, të organizmit të konferencave të përbashkëta, të ligjëratave (lektoriumeve) të herëpashershme, të shkëmbimit të personelit akademiko-mësimdhënës.

Po ashtu, prillin e shkuar, rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Luan Përzhita, nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me Institutin e Studimeve Ballkanike dhe qendrës për Trakologjinë, në Akademinë e Shkencave të Bullgarisë (the Institute of Balkan Studies & Centre for Tracology, Bulgarian Academy of Sciences, Sofia, Bulgaria).

 

Senati i Akademisë së Studimeve Albanologjike diskutoi dhe përcaktoi sot agjendën për mbarëvajtjen e projekteve dhe sfidave që janë në proces

20 Tetor, 2022 Njoftime
Senati i Akademisë së Studimeve Albanologjike diskutoi dhe përcaktoi sot agjendën për mbarëvajtjen e projekteve dhe sfidave që janë në proces. Përfaqësuesit e instituteve të ASA-s,  nën drejtimin e rektorit Luan Përzhita, patën në fokus, së pari, organizimin e “Ditët e Albanologjisë”, aktiviteti kryesor vjetor që do të mbahet javën e fundit të nëntorit. Por Instituti i Arkeologjisë iu paraprin më herët, më 24 tetor, me organizimin e ditëve të Festivalit Europian të Arkeologjisë.
Në rend të dytë të diskutimeve ishte miratimi i projektit kërkimor-shkencor, i paraqitur nga Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i Studimit të Artit, “Atlasi urban: Tirana, Kamza, Durrësi”, i miratuar më parë nga Këshilli Shkencor i IAKSA-s.
Një tjetër pikë ishte vendimi për të filluar aplikimet për programet Master. Dhe në rend të fundit, por jo për nga rëndësia, u la procesi i akredimit institucional, që do të vazhdojë të marrë kohë dhe angazhim nga Senati.
Për secilin nga vendimet do t’ju njohim më hollësisht hap pas hapi, në ditët e ardhshme.

Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. Luan Përzhita, priti sot në një takim akademik Rexhep Ismajlin (Akademia e Shkencave dhe e Arteve, Kosovë).

20 Tetor, 2022 Njoftime
Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. Luan Përzhita, priti sot në një takim jo formal akademik Rexhep Ismajlin (Akademia e Shkencave dhe e Arteve, Kosovë).
Gjendja e studimeve albanologjike në Shqipëri e Kosovë, trashëgimia e dijes albanologjike nga njëri brez në tjetrin në rrethana të reja historike pas rënies së komunizmit në Shqipëri dhe pas Luftës së Kosovës, bashkëpunimi mes studiuesve shqiptarë përtej kufijve shtetërorë, u diskutuan gjatë një kafeje miqësore nisur edhe nga përvojat personale të prof. Ismajlit si gjuhëtar dhe prof. Përzhitës si arkeolog. Në prani të kolegëve, prof. Valter Memishës dhe prof. Artur Lamajt, rektori i ASA-s i dorëzoi prof. Ismajlit Medaljen e Mirënjohjes që Akademia e Studimeve Albanologjike u jep personaliteteve me një kontribut të çmuar në fushat e albanologjisë. Ndërsa prof. Rexhep Ismajli i dhuroi prof. Përzhitës, e me këtë rast bibliotekës së ASA-s, disa nga studimet e veprës së tij të plotë në fushën e historisë së shqipes.
Prof.Ismajli ishte sot i ftuar nderi nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë (ASA) në kuadrin e veprimtarive ligjëruese rreth arritjeve në fushën e studimeve gjuhësore dhe të atyre letrare. Ai mbajti në bibliotekën e ASA-s lektoriumin “Studimet Albanistike në ish-Jugosllavi”.

U zhvillua Panairi i Parë i Librit Albanologjik

8 Tetor, 2022 Njoftime

Në kuadrin e veprimtarive të përbashkëta shkencore ndërmjet Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA), Tiranë, Institutit Albanologjik të Prishtinës (IAP) dhe Institutit të Trashëgimisë shpirtërore e kulturore të shqiptarëve (ITShKSh), Shkup, që rrjedhin nga marrëveshja e lidhur midis këtyre institucioneve në vitin 2021, në mjediset e Institutit Albanologjik të Prishtinës, në datat 4 e 5 tetor 2022, u hap Panairi i Parë i Librit Albanologjik, me botime të tri institucioneve, veprimtari që do të jetë e përvitshme dhe me rotacion nga njëra qendër kërkimore shkencore në tjetrën.


Veprimtarinë e hapi drejtori i IAP, prof. dr. Hysen Matoshi. Pastaj përshëndetën rektori i ASA-s, prof. dr. Luan Përzhita, si dhe drejtori i ITSHKSH, prof. dr. Skënder Hasani, të cilët e vlerësuan këtë panair për mundësinë që i jep librit shkencor të shkojë pranë përdoruesit, si dhe nxit bashkëpunimin midis tri institucioneve për projekte e botime të përbashkëta.

Në datën 4 tetor, në kuadrin e botimeve të tri qendrave, ndër të tjera, u paraqitën dhe botimet e vitit 2021 e pjesërisht të vitit 2022 të ASA-s. Zëvendësrektori, prof. dr. Valter Memisha paraqiti përmes fotove e ilustrimeve 47 vepra të botuara në këtë periudhë. Ai vuri në dukje se ato mishërojnë një punë të përkushtuar e serioze të gjithë institucioneve e punonjësve të tyre në përbërje të ASA-s (botime ndërinstitucionale, botime të Institutit të Arkeologjisë, të Institutit të Historisë, të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, të Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe të Studimit të Artit, si dhe botime enciklopedike). Prof. Memisha u ndal në revistat shkencore të ASA-s (Albanian studies) dhe të çdo instituti (Iliria, Candavia, Studime historike, Studime filologjike, Antropologjii dhe Studime për artin), në botimet shkencore me grup studiuesish, në botimet monografike, në botimet e përmbledhjeve me artikuj shkencorë e studimeve vetjake, në botimet e Akteve të veprimtarive shkencore kombëtare e ndërkombëtare, në botimet e dokumenteve, në botimet e traditës të tipologjisë “Kolana” etj.


Prof. Memisha, dha dhe një informacion tepër të shkurtër për botimet e vitit që po mbyllim. Për këtë vit ASA ka miratuar botimin e 40 veprave të reja shkencore.


Në datën 5 tetor 2022, në kuadrin e paraqitjes së veprave të veçanta shkencore, në prani të dhjetëra të pranishmëve, u bë promovimi i veprës monografike “Dardanët”, me autor rektorin e ASA-s e arkeologun e mirënjohur, prof. dr. Luan Përzhita. Vepra sendërton një punë 40-vjeçare dhe rezultatet dhjetëra ekspeditave arkeologjike në terren. Promovimin e çeli drejtori i IAP-it, prof. dr. Hysen Matoshi. Studiuesi Arbën Hajdari, profesor i Arkeologjisë dhe i Historisë antike në Universitetin “Hasan Prishtina” të Prishtinës, theksoi se ky punim është një kontribut i çmuar për njohjen historisë socio-politike, ekonomike dhe kulturore të dardanëve e Dardanisë në shekuj. Studimi është mbështetur në ndërthurjen e burimeve të shkruara antike, atyre epigrafike, si dhe rezultateve të gërmimeve arkeologjike. Vepra është e ndarë në 5 kapituj (Rreth origjinës së Dardanëve, Mbretëria dardane, shekujt IV-I para Krishtit, Dardanët dhe Roma, Nga Kostandini te Justiniani, Dardanët dhe Perandoria Bizantine, shek. VI-IX).


Duke iu referuar pasurisë së informacionit shkencor, gjerësisë dhe saktësisë së analizave prej autorit, i cili i ndodhur edhe përballë pamjaftueshmërisë së materialit historik etj., ka ditur t’i kapërcejë vështirësitë me të dhëna të reja arkeologjike, një pjesë e konsiderueshme të realizuara prej tij, përmes identifikimit dhe analizës së një numri domethënës vendbanimesh e vendvarrimesh etj. “Kësisoj”, konkludon Hajdari, “studiuesit dhe profesionistët e fushës do të kenë në dispozicion një studim në ambientet e tyre për debate shkencore, kurse studentët dhe mësimdhënësit një monografi të rëndësishme për Dardaninë, ku do të mund të gjejnë të sintetizuar me mjaft kujdes të dhëna mbi ecejaket e kësaj hapësire gjeografike, që nga prehistoria e deri në Mesjetë”. Prof. dr. Aurel Plasari e vlerësoi “Dardanët” si një prurje serioze në studimet tona shkencore, duke u ndalur në bibliografinë shteruese, në ardhjen sistemore të informacionit shkencor e në nivelin e ngritur të këtij informacioni, në sqarimin profesional të tipareve e veçorive shumëplanëshe të periudhave historike në të cilat ka kaluar Dardania. Ai theksoi se një vepër shkencore e përudhësojnë te lexuesi, titulli, autori dhe lënda që ngërthen në faqet e saj. Dhe te monografia “Dardanët” këto i gjen, ashtu siç duhet dhe në përputhshmëri për t’u vlerësuar. Kjo mundëson, sipas studiuesit, që vepra të ketë një rreth të gjerë lexuesish, krahas atij të profilizuar e të specializuar.

Prof. V. Memisha, si redaktor i veprës, foli ndër të tjera edhe për gjuhën e saj, për terminologjinë shkencore të konsoliduar, për sintaksën dhe narrativën shkencore, që mundësojnë një lexim informues, por dhe të këndshëm të lëndës. Ilustrimet cilësore, fotografitë, skicat apo diagramet janë një komponent shumë i rëndësishëm në vepër dhe ato tregojnë jo thjesht një punë të domosdoshme në një vepër arkeologjike-historike, por dhe përgjegjësinë shkencore të autorit të saj.
Për veprën diskutuan dhe pjesëmarrës të tjerë, si prof. Enver Rexha drejtori i Institutit të Arkeologjisë, Prishtinë, prof. Isak Sheme, rektor i Universitetit “Iliria”, Prishtinë etj.

Takimet e të rinjve me trashëgiminë në Akadaminë e Studimeve Albanologjike

26 Shtator, 2022 Njoftime
Rikthehen takimet e të rinjve me trashëgiminë në Akadaminë e Studimeve Albanologjike. Më 29 shtator, në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, ora 11:00, dy lektore të Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, prof. dr. Afërdita Onuzi dhe dr. Ermela Broci, trajtojnë temën “Qyteti i Tiranës dhe rrethinat e tij. Trashëgimi kulturore dhe nostalgji” për nxënësit e shkollës së gjuhëve të huaja “Asim Vokshi”.
Ky leksion është në vijim të programit të edukimit për trashëgiminë kulturore që Bashkia e Tiranës ka iniciuar sipas një marrëveshjeje me ASA-n.

Prezantohet studimi “Dardanët” i prof. dr. Luan Përzhitës

26 Shtator, 2022 Njoftime
Studimi “Dardanët” i prof. dr. Luan Përzhitës, rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike, prezantohet në Shkup më 28 shtator. Autori është ftuar nga Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Marrin pjesë albanologë dhe specialistë të arkeologjisë nga Prishtina e Shkupi, në ambjentet e IN Shtëpia Përkujtimore “Nënë Tereza”, ora 18:00. Ky është prezantimi i parë zyrtar i “Dardanëve”, një studim për fisin ilir nga Prehistoria deri në Mesjetë, bazuar në të dhënat arkeologjike dhe ato historike.

22 Shtator, 2022 Njoftime
Është pritur me interes konferenca e sotme shkencore për marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë gjatë shek.XX, organizuar nga Instituti i Historisë (Akademia e Studimeve Albanologjike), me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Tiranë.
Edhe pse 100-vjeçare në moshë, kjo marrëdhënie nuk është konsumuar e plotë në kohë për shkak të ndeshtrashave të historisë moderne të Shqipërisë, me pushtimet gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe sidomos me “ngrirjen e thellë” në mes gjatë komunizmit. Shqipëria mbeti i vetmi vend i Lindjes komuniste në Europë, me të cilin SHBA-të nuk patën marrëdhënie, me gjithë përpjekjet e Departamentit Amerikan të Shtetit gjatë viteve ’70.
Konferenca bashkoi disa gjenerata studiuesish me qasje të ndryshme në perceptimin e fenomeneve historike për këtë epokë. Studiuesit shqiptarë (Afrim Krasniqi, Hamit Kaba, Valentina Duka, Beqir Meta, Ledia Dushku, Pranvera Teli, Artan Hoxha, Edon Qesari, Migena Leskoviku) dhe ata amerikanë (Janusz Bugajski, Bernd Fischer, Elidor Mëhilli) përmes burimeve të njohura e të panjohura dhanë një panoramë retrospektive të atyre që kanë qenë marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Ata vunë në dukje edhe nevojën e perspektivave të reja në qasjet ndaj këtyre raporteve, qoftë në të shkuarën e largët, qoftë në epokën bashkëkohore, kur roli i SHBA-ve mbetet faktor i rëndësishëm për vijimin e reformave demokratike dhe ndërtimin e shtetit të të drejtës në Shqipëri.
Konferencën e përshëndeti Yuri Kim, Ambasadore e SHBA-ve në Republikën e Shqipërisë.
Në muajt e ardhshëm, ligjëratat do të botohen të plota shqip-anglisht.

Nis procesi i akreditimit të ASA-s

16 Shtator, 2022 Njoftime

Në Akademinë e Studimeve Albanologjike u mbajt sot mbledhja e parë për procesin e akreditimit të institucionit të ASA-s. Grupi i punës që ka në përbërje përfaqësues nga të gjitha institutet e kërkimit shkencor të ASA-s ishte përballë dy përfaqësueseve të ASCAL-it (Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë), Xhiliola Bixheku e Majlinda Demirneli.
Diskutimi është përqëndruar në kriteret që duhen përmbushur në këtë proces, i cili, nga njëra anë, e garanton ASA-n të përcjellë dijen albanologjike në fushat e historisë, arkeologjisë, antropologjisë kulturore e studimit të artit, të gjuhësisë e të letërsisë nëpërmjet shkollave të Masterit e të Doktoraturës, dhe nga ana tjetër, të arrihet ndërkombëtarizimi i cilësisë së kërkimit shkencor.

 

Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit mes Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA) dhe Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës (UAMD)

27 Korrik, 2022 Njoftime
Më datë 25.07.2022, në zbatim të Ligjit për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Shqipëri, Nr. 80/2015, si dhe në zbatim të strategjive të zhvillmit, statuteve dhe rregulloreve përkatëse të të dy institucioneve palë, u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit mes Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA) dhe Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës (UAMD).
Në themel të kësaj marrëveshjeje, qëndron angazhimi konkret i dy institucioneve nënshkruese për:
1. Hapjen dhe promovimin e programeve studimore, me theks të veçantë në ato të avancuara, në lëmej si studimet rajonale, saktësisht ato ballkanike dhe europiane.
2. Zhvillimin e mëtejshëm të zbatimit të shkencës së hapur në lëmin e dijeve humane, e për rrjedhojë zbatimin e kritereve më të mira të transferimit të dijeve, dhe krijimit të një mjedisi kërkimor sa më kreativ.
3. Krijimin e kushteve dhe praktikave më të mira për shkëmbim të stafit akademik dhe qarkullim studentësh në zonën europiane e rajonale.

THIRRJE për pjesëmarrje në Konferencën mbarëkombëtare “Një komb, një gjuhë” 

26 Korrik, 2022 Njoftime

Me rastin e 110-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë në Akademinë e Studimeve Albanologjike – Tiranë, Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve -Shkup, do të organizojnë Konferencën mbarëkombëtare “Një komb, një gjuhë”. Ajo synon të sjellë studime e këndvështrime të reja, si dhe sinteza të prurjeve të mëparshme, për këtë temë kyçe në Albanologji. Konferenca do t’i zhvillojë punimet në tri seanca, në Shkup më 22 nëntor 2022, në Prishtinë më 23 nëntor 2022 dhe në Tiranë më 24 nëntor 2022.

Në vitin 1912 shpallet Pavarësia e Shqipërisë, për të cilën faktori gjuhësor ka luajtur një rol parësor, përcaktues e të pazëvendësueshëm. Në vitin 1908 bëhet Kongresi i Manastirit, i njohur ndryshe si Kongresi i Bashkimit Kombëtar apo si Kongresi i Alfabetit. Këto përcaktime, që rrjedhin nga mënyra se si u trajtua çështja kombëtare dhe nga vendimet historike që ai mori, janë të pandashme. Një komb modern evropian nuk mund të konceptohej jo vetëm pa një gjuhë të shkruar, por ajo duhej të shkruhej me një alfabet të vetëm. Kongresi i Manastirit i dha fund përdorimit të alfabeteve të shumta, duke pranuar vetëm dy prej tyre, ndërkohë që alfabeti latin i fitoi përparësinë e përdorimit. Dokumenti i parë i shpalljes së Pavarësisë u hartua me këtë alfabet dhe shteti shqiptar i sapokrijuar bëri gjuhë zyrtare shqipen e shkruar me këtë alfabet, i cili u pranua gjithandej ku flitej gjuha shqipe.
Shpallja e Pavarësisë mundësoi proceset për unifikimin dhe homogjenizimin kombëtar. Por vetëm pak muaj nga shpallja e Pavarësisë, kombi shqiptar copëtohet në disa pjesë dhe mbeten jashtë kufijve të Shqipërisë politike, Kosova, Maqedonia Perëndimore, jugu i Malit të Zi, Çamëria etj. Kjo pati pasoja të rënda në të dy proceset: në unifikimin kombëtar dhe në procesin e njësimit të gjuhës zyrtare. Por edhe pse copëzimi mund të çonte në shpërbërjen e kombit tonë, kjo nuk ndodhi. Koha tregoi se populli ynë, që kish njohur në shekuj sfida të ekzistencës, e ruajti njësimin kombëtar. Ndarja ishte ndërshtetërore, por jo kombëtare. Periudha kohore 110-vjeçare nga shpallja e Pavarësisë e deri më sot, me gjithë pengesat shpesh të pakapërcyeshme, tregoi se sfidat e reja u përballuan. Mbetëm një komb me një gjuhë!
Udhëtimi 110-vjeçar përveçon ngjarje që janë gurë kilometrikë dhe përcaktues. Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore e gjeti popullin tonë të paktën në dy shtete të ndryshme, çka frenoi procesin e homogjenizimit të kombit e të njësimit të gjuhës, por nuk i ndaloi ato. Rrethanat historike, në një kohë kur në Shqipërinë politike gjuha zyrtare mbështetej në toskërishten, kurse në trojet në ish-Jugosllavi përdorej gegërishtja (çka u shfrytëzua nga politika e Beogradit për një ndarje që të çonte në krijimin e dy kombeve shqiptare), e bënë të domosdoshme nevojën e një marrëveshjeje për të zgjidhur çështjen e gjuhës letrare të përbashkët për të gjitha pjesët e kombit, brenda e jashtë kufijve politikë të shtetit shqiptar.
Në Republikën e Shqipërisë, por edhe në Kosovë, u zbatuan politika të qarta të planifikimit gjuhësor, duke e bërë parësor krijimin e kësaj gjuhe të njësuar. U hartuan disa ortografi, u bënë sesione e konsulta shkencore, si dhe diskutime të gjera, që përcaktuan hullinë e procesit të krijimit të gjuhës letrare kombëtare të njësuar. Ndër to veçohet Konsulta e Prishtinës, prill 1968, e cila u bë përshpejtuese dhe përcaktuese në udhëtimin e mëtejshëm gjuhësor e kombëtar të shqiptarëve. Kurorëzim i këtij procesi përbashkues është Kongresi i Drejtshkrimit, Tiranë 1972, që bëri kodifikimin e shqipes standarde, duke bërë në të vërtetë bashkimin përfundimtar gjuhësor dhe kombëtar të shqiptarëve. Shqipja letrare e njësuar u pranua dhe filloi të përdorej nga hapësirat mbarëshqiptare.
Shekulli XXI solli pavarësinë e Kosovës, përmirësime të ndjeshme në statusin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut si dhe faktorizimin e ndjeshëm të elementit shqiptar në Malin e Zi. Shqipja standarde, si gjuhë zyrtare e shtetit shqiptar në Shqipëri, si gjuhë zyrtare e shtetit shqiptar në Kosovë dhe si gjuhë zyrtare e shqiptarëve që përbëjnë mbi 20% të popullsisë në Maqedoninë e Veriut, që nga Kongresi i Drejtshkrimit ka njohur pasurim, shtrirje e zgjerim të funksioneve. Ajo ka fituar statusin e duhur kombëtar e ndërkombëtar, por ende gjendet përballë sfidave të brendshme zhvillimore dhe sfidave të globalizimit.

Disa nga temat bosht të konferencës “Një komb, një gjuhë”

Kongresi i Manastirit dhe njësimi i alfabetit

“Komisia letrare” dhe procesi i krijimit të shqipes së njësuar

Sesionet shkencore të vitit 1952 dhe rëndësia e tyre për krijimin e shqipes së njësuar

Ortografitë e shqipes dhe rruga për shqipen e përbashkët

Konsulta e Prishtinës dhe rëndësia e saj

Kongresi i Drejtshkrimit, ngjarje madhore në bashkimin kombëtar

Shtrirja dhe zgjerimi i funksioneve të shqipes standarde sot

Marrëdhëniet shtet, shoqëri dhe gjuhë standarde etj.

Roli i shkencave albanologjike, i shkollës, i letërsisë e i publicistikës në rritjen e prestigjit të shqipes standarde

Komisioni organizues, pasi të shohë tematikën e aplikimeve për pjesëmarrje do të bëjë dhe ndarjen e tyre sipas tri seancave të planifikuara (Shkup, Prishtinë, Tiranë).

Adresa email: angelique2005al@yahoo.com

Ju faleminderit!
Komisioni organizues

Miratohet Plani Strategjik për periudhën 2022-2027

19 Korrik, 2022 Njoftime
Më dt. 18.07.2022, në mbledhjen e Senatit të Akademisë së Studimeve Albanologjike, pas një diskutimi të detajuar, u miratua në mënyrë unanime “Plani Strategjik për Zhvillimin e Institucionit, për periudhën 2022-2027”, bazuar në Ligjin për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë, Nr. 80, 2015, referuar konkretisht nenit 20, pika 20, nenit 38, pika b, nenit 39, pika 6, etj, si dhe në zbatim të Statutit të ASA-s, 2015.
Ky dokument parashikon rrugën dhe mekanizmat e zhvillimit të metejshëm të këtij institucioni lider në studime albanologjike duke i dhënë theks dhe prioritet të veçantë:
1. Vizionit për shndërrimin e këtij institucioni në qendër ekselence për studimet ballkanike. Një vizion i tillë bazohet te kapacitetet akademike, organizative, te një varg marrëveshjesh që ASA ka nënshkruar me institucione ndërkombëtare, si dhe tek nevoja e dëshira për dije të thelluara dhe krahasuese mbi rajonin e Europës Juglindore.
2. Marrjen e një roli aktiv të këtij institucioni lidhur me politikat arsimore mbi gjuhën, kulturën dhe historinë në Republikën e Shqipërisë, rajon e më gjerë. Ndërmarrja e kësaj përmase proaktive, vjen si rrjedhojë e konstatimit të nevojës për dhënien e një dimensioni më aplikativ të një pjese të studimeve duhet realizuar pranë njësive kryesore të ASA-s dhe për rrjedhojë rritjes së dimensionit publik dhe dialogues të rezultateve kërkimore realizur në këtë institucion.
Në këtë mënyrë, Plani Strategjik 2022-2027, ndihmon dhe është shprehi e gërshetimit mes qasjeve të thelluara teorike, dimensionit praktik e aplikativ dhe shkencës së hapur ndaj shoqërisë, ideve dhe prurjeve më të avancuara.

Doli në qarkullim “Dardanët” i prof. dr. Luan Përzhitës

2 Korrik, 2022 Njoftime
Doli në qarkullim “Dardanët” i prof. dr. Luan Përzhitës, një studim për fisin ilir të dardanëve nga Prehistoria deri në Mesjetë, bazuar në të dhënat arkeologjike dhe ato historike.
Kontributet e shkruara për dardanët janë pasqyruar në shtypin shkencor në Shqipëri, Kosovë, Francë, Gjermani, Itali, por ky studim reflekton dhe interpreton sidomos atë informacion që vjen nga zbulimet e reja arkeologjike, nga kërkimet e kryera vitet e fundit në Kosovë – zemrën e trojeve të dardanëve e përbënte pikërisht Kosova e sotme – dhe në territore që në antikitet ishin pjesë e territoreve dardane. Në saje të gjithë këtij materiali janë sqaruar shumë elemente kulturore dhe etnike.
Për herë të parë lexuesi do të njihet me qendra urbane të shekujve IV-II para Krishtit, me të dhënat të reja për qytetin Damostion.
Me interes është kontributi i ri që pasuron panoramën e kësaj periudhe dhe ndihmon për sqarimin kronologjik dhe kulturor për qendra si Çifllaku dhe Dresniku dhe për gjetje të mbishkrimeve latine për shekujt I-II dhe III-IV.
Në analizën për shekujt IV-VII i është kushtuar vëmendje rrugës që dardanët ndoqën drejt krishtërimit, për qendra kishtare si Justiniana Prima, Justiniana Secunda, Naissus, Scupi etj.
Për Mesjetën e hershme është me interes materiali i periudhës së hershme shqiptare i zbuluar në nekropolet Banjë të Malishevës, Graboc, Fushë-Kosovë etj.
Studimi hap një shteg të ri për njohjen e historisë antike të këtij rajoni të rëndësishëm ilir.
Autori u shpreh mirënjohje kolegëve të Muzeut të Kosovës dhe të Institutit të Arkeologjisë për mbështetjen që i kanë ofruar gjatë hulumtimeve në Kosovë për një periudhë 15-vjeçare; kolegut Kejmal Luci, i cili e njohu autorin me pasurinë arkeologjike të dardanëve; kolegut Haxhi Mehmeti, me të cilin autori ka realizuar shumë projekte kërkimi në Fushë-Kosovë; kolegëve të rinj A.Hajdari, M.Berisha, P.Allaj dhe i kushton një homazh kolegut Fatmir Peja.
Botimi është i pajisur me një seri fotografish të gjetjeve arkeologjike, një pjesë e të cilave botohen për herë të parë.

U promovua leksikoni “Vendbanimet në hapësirën historike shqiptare të Çamërisë. Tabloja fizike-hapësinore, demografike e funksionale”, e autorit prof. dr. Selman Sheme

19 Qershor, 2022 Njoftime, QSA

Akademia e Studimeve Albanologjike organizoi dje prezantimin e leksikonit “Vendbanimet në hapësirën historike shqiptare të Çamërisë. Tabloja fizike-hapësinore, demografike e funksionale” (Albas, 2021), të autorit prof. dr. Selman Sheme. Është një leksikon unikal që evidenton rrënjët e vendbanimeve shqiptare në krahinën e Çamërisë, evolucionin e tyre në kohë dhe hapësirë, sa i përket shtrirjes territoriale, numrit të banorëve dhe strukturës së tyre etnike, rrjedhave demografike sociale dhe kulturore.

Profesor Sheme ka shfrytëzuar dëshmi të kulturës materiale të vendbanimeve parahistorike, të Antikitetit, të Mesjetës dhe një mori materialesh dokumentare, arkivore dhe studime të autorëve klasikë e modernë shqiptarë e të huaj, të cilat sjellin argumente shkencore lidhur me origjinën iliro-epirote dhe vazhdimësinë arbërore-shqiptare, e në tërësi të përkatësisë etnike-shqiptare të popullsisë në krahinën e Çamërisë.

Autori Selman Sheme ka qenë profesor pranë Departamentit të Gjeografisë në Universitetin e Tiranës. Ka një veprimtari të gjerë pedagogjike dhe shkencore. Është autor dhe bashkautor i 26 monografive dhe teksteve mësimore për shkollat 9-vjeçare dhe të mesme.


Vlejnë të përmenden disa vepra që kanë në fokus krahinën historike shqiptare të Çamërisë “Çamëria: vendi, popullsia dhe jeta ekonomike” (2005), “Çështja çame dhe integrimi europian” (2005), “Monumente natyrore dhe kulturore të Çamërisë” (2012) etj.


Në prezantimin e djeshëm ligjëruan: prof. dr. Luan Përzhita, prof. dr. Sabri Laçi, prof. dr. Fatmira Rama, prof. dr. Bardhosh Gaçe dhe dr. Lorenc Agalliu.
Studiuesit e cilësuan një vepër që do duhet të përfshihet në programet shkollore e universitare, por kompetenca e tij shkencore është e padiskutueshme për t’u përdorur një ditë edhe në mbrojtjen ligjore të çështjes çame kundër genocidit grek dhe spastrimit etnik që krahina dhe popullata e saj provoi në gjysmën e parë të shekullit të kaluar.

Promovimi i leksikonit “Vendbanimet në hapësirën historike shqiptare të Çamërisë. Tabloja fizike-hapësinore, demografike e funksionale”, e autorit prof. dr. Selman Sheme

12 Qershor, 2022 Njoftime
Më 17 qershor, ora 11.00, Akademia e Studimeve Albanologjike organizon promovimin e leksikonit “Vendbanimet në hapësirën historike shqiptare të Çamërisë. Tabloja fizike-hapësinore, demografike e funksionale”, të autorit prof. dr. Selman Sheme.
Përshëndesin: prof. dr. Luan Përzhita – Rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe Resul Demi – përfaqësues nderi i komunitetit çam.
Referojnë me temat: prof. dr. Sabri Laçi – “Lidhjet shpirtërore të njeriut me vendin e origjinës”, prof. dr. Fatmira Rama – “Shpërnguljet e popullsisë çame në vitet ’20-’30 të shekullit XX”, prof. dr. Bardhosh Gaçe – “Tipologjia e vendbanimeve në Çamëri” dhe dr. Lorenc Agalliu – “Trualli i Çamërisë si gjeohapësirë kulturore dhe etnike shqiptare”.
Një përshëndetje nga autori dhe më pas, hapësirë diskutimi.
Aktiviteti mbahet në sallën e konferencave, hotel “Mondial”, Tiranë.

Edicioni i 13-të i konferencës “Java e Albanologjisë”

7 Qershor, 2022 Njoftime
Nisi dje në Prishtinë edicioni i 13-të i konferencës “Java e Albanologjisë” organizuar nga Instituti Albanologjik, me pjesëmarrjen e rreth 90 studiuesve të shkencave albanologjike të gjuhësisë, historisë, letërsisë, etnologjisë dhe folklorit.
Kjo konferencë mbahet në vigjilje të tre përvjetorëve të rëndësishëm të shkencave albanologjike: 60-vjetori i botimit të numrit të parë të revistës “Gjurmime albanologjike”, 50-vjetori i standardizimit të gjuhës shqipe dhe 40-vjetori i revistës “Gjuha shqipe”.
Studiues të Akademisë së Studimeve Albanologjike japin kontributin e tyre edhe në këtë vit të “Javës së Albanologjisë”.
Prof.Valter Memisha, duke lexuar fjalën përshëndetëse të prof.Luan Përzhitës (në mungesë), rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike në Tiranë, tha se “Java e Albanologjisë” jep mundësi për prezantimin dhe njohjen e arritjeve më të mira albanologjike dhe se “një erë e re po fryn në fushën e bashkëpunimeve mes institucioneve albanologjike në trojet shqiptare”.
Gjatë kësaj jave mbahen rreth 86 ligjërata, të cilat do të botohen në dy vëllime “Albanologji”, një kolanë që del rregullisht prej 12 vjetësh.
“Java e Albanologjisë” mbyllet më 10 qershor.

Përurohet libri i Stipçeviçit “Kultura tradicionale e arbëneshëve të Zarës”

18 Maj, 2022 Njoftime
Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, Instituti Albanologjik – Prishtinë dhe Akademia e Studimeve Albanologjike – Tiranë, vazhdojnë realizimin e aktiviteteve të përbashkëta në kuadër të strategjisë së re për zhvillimin e shkencave albanologjike. Tri qendrat albanologjike, përuruan librin e fundit të ilirologut të njohur Aleksandar Stipçeviç “Kultura tradicionale e arbëneshëve të Zarës”.
Në vitin 2011, akademik Stipçeviç botoi veprën monumentale “Tradicijska kultura zadarskih Arbanasa”, një kontribut i madh shkencor për arbëreshët e Zarës së Kroacisë. Libri u përkthye nga kroatishtja në gjuhën shqipe nga Sadri Fetiu, dhe u botua në vitin 2012 nga Instituti Albanologjik i Prishtinës. Ky botim zgjoi interesimin e madh të lexuesve dhe të studiuesve të shumë qendrave shkencore, dhe si rezultat i këtij interesimi dhe bashkëpunimi ndërinstitucional, libri u promovua edhe në Shkup.
Në fjalën përshëndetëse, Skender Asani, drejtor i ITShKSh – Shkup, foli për konkretizimin e bashkëpunimit ndërmjet tre instituteve, por edhe për rëndësinë e prezantimit në Shkup të kësaj vepre të ilirologut të njohur Stipçeviç, i cili ka dhënë kontribut të çmuar në ruajtjen e gjurmëve të qytetërimit iliro-arbëror të Shkupit.
Manifestimin e përshëndeti drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, Ylber Sela.
Prof. Luan Përzhita, arkeolog dhe studiues, rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike – Tiranë, referoi mbi temën: “Monumente iliro-arbërore nga vendlindja e Stipçeviçit (në rajonin Krajë-Tivar)”.
Hysen Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës, në këtë rast botues, por edhe studiues, ligjëroi mbi temën: “Modeli stipqeviçian i studimit të trashëgimisë sonë”.
Në fund, Zeqirja Neziri, studiues dhe profesor shumëvjeçar i letërsisë në Universitetin e Shkupit, bashkëpunëtor i ilirologut Stipqeviç, foli për veprimtarinë e gjatë studimore të akademik Stipqeviçit, dhe në veçanti për librin “Kultura tradicionale e arbëneshëve të Zarës”.

Finalizohet marrëveshja tripalëshe Tiranë-Prishtinë-Shkup

28 Prill, 2022 Njoftime
Në mbështetje të Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Akademisë së Studimeve Albanologjike – Tiranë, Institutit Albanologjik – Prishtinë dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, u finalizua së fundi marrëveshja mes tripalëshe mes drejtuesve të këtyre institucioneve.
Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, Prof. dr. Luan Përzhita udhëtoi këto ditë në Prishtinë për të firmosur marrëveshjen me drejtuesin e Institutit Albanologjik të Prishtinës, prof. dr. Hysen Matoshi dhe pak ditë më parë prof. dr. Skëndër Asani (ITShKSh) ishte në Tiranë për ta zyrtarizuar këtë marrëveshje.
Sipas këtij dokumenti parashikohet:
1. Të organizohet Konferenca e përbashkët (mbarëkombëtare) shkencore “Një komb – një gjuhë”. Konferenca e merr shtysën nga 50-vjetori i Kongresit të Drejtshkrimit (Tiranë 1972) dhe do të trajtojë çështje që lidhen me gjuhën shqipe dhe, pazgjidhshmërisht me të, me kombin shqiptar, gjatë 120 vjetëve të fundit.
Konferenca do t’i zhvillojë punimet në të tri kryeqendrat dhe përkatësisht:
– më 22 nëntor në Shkup (datë që përkon me mbylljen e punimeve të Kongresit të Manastirit, 1908, si dhe të veprimtarisë “Ditë të Alfabetit”, të organizuara nga ITShKSh);
– më 23 nëntor në Prishtinë;
– më 24 nëntor në Tiranë (ku bëhet dhe mbyllja e punimeve).
Të gjitha aktet e Konferencës treditore “Një komb, një gjuhë” do të botohen në një vëllim të posaçëm, i cili do t’u çelë rrugën botimeve të çdovitshme të përbashkëta midis tri institucioneve albanologjike.
2. Të zhvillohet panairi i përvitshëm “Botime Albanologjike”, me vepra nga ASA, IAP, ITShKSh, sipas parimit të rotacionit. Në shtator 2022 panairi do të mbahet në Prishtinë, ndërsa në vitin 2023 në Tiranë dhe në vitin 2024 në Shkup.
3. Të promovohet, në vazhdimësi, veprimtaria botuese e ASA, IAP, ITShKSh për vitin pararendës në të tri qendrat albanologjike. Institucioni pritës, mundëson përurimin e veprimtarisë së institucioneve homologe.
4. Të bashkëpunohet për botime e promovime shkencore:
a. Botime të përbashkëta veprash shkencore.
b. Botime artikujsh në revistat shkencore të tri institucioneve.
c. Recensime veprash etj.
5. Të organizohen lektoriume shkencore nga specialistë të fushave të Albanologjisë e kulturës kombëtare.
6. Të paraqiten draft-projekte për studime të përbashkëta ndërmjet tri institucioneve.
7. Të hapen ekspozita fotografike për ngjarje historike, për gërmime arkeologjike, për pasurinë etnografike etj.

Marrëveshjet e ASA-s me homologët bullgarë 

19 Prill, 2022 Njoftime

Në datën 14 prill 2022 rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Luan Përzhita, dhe zëvendësrektori, prof. dr. Valter Memisha, ishin për një vizitë pune në Sofje, Bullgari. Gjatë vizitës u zhvilluan bisedime dypalëshe ndërinstitucionale, si dhe u nënshkruan dy marrëveshje bashkëpunimi.

1. Në orën 9 e 30 të datës 14 prill 2022, drejtuesit e ASA-s u pritën nga ambasadorja e Republikës së Shqipërisë, shkëlqesia e saj Phd. Dorina Hoxha në mjediset e Ambasadës së vendit tonë në Bullgari. Ndër të tjera në takim u diskutua për zgjerimin e bashkëpunimit të Akademisë së Studimeve Albanologjike me institucione analoge në Bullgari. Ambasadorja shprehu gatishmërinë për mbështetjen e saj të drejtpërdrejtë në këtë drejtim. Vëmendje të veçantë mori në takim dhe organizimi këtë vit i një ekspedite albanologjike në fshatin Mandricë, ku, prej mbi dy shekujsh jeton një bashkësi shqipfolëse. Ambasadorja përsëri shprehu mbështetjen e saj të veçantë për këtë ekspeditë, duke kërkuar hartimin e një projekti të përbashkët për ta realizuar me sukses sipërmarrjen.

2. Në orën 11 të datës 14 prill 2022, në mjediset e rektoratit të Universitetit të Sofjes (Sofia University “St. Kliment Ohridski”) nga zëvendësrektori i këtij universiteti, prof. dr. Georgi Valchev dhe nga rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Luan Përzhita u nënshkrua Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve (The Agreement for cooperation between the Academy of Albanian Studies and Sofia University “St. Kliment Ohridski”). Në nënshkrimin e marrëveshjes ishte e pranishme edhe ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Sofje, shkëlqesia e saj, Dorina Hoxha.
Marrëveshja parashikon bashkëpunimin në disa fusha, si: në shkëmbimin e produktit shkencor (të revistave shkencore, të punimeve monografike, të veprave me karakter përgjithësues etj.), publikimeve shkencore të përbashkëta, të organizmit të konferencave të përbashkëta shkencore, të ligjëratave të herëpashershme, të shkëmbimit të personelit akademiko-mësimdhënës, të hapjes së një programi të ri studimesh universitare në nivel bachelor për Ballkonologji (me lëndë që mbulojnë historinë, gjuhësinë, arkeologjinë, antropologjinë, kulturën e artin) me pedagog të përbashkët nga të dy institucionet, por dhe nga universitete të tjera të Shqipërisë.
Në fjalën përshëndetëse zëvendësrektori i Universitetit të Sofjes, prof. dr. Georgi Valchev, pasi shprehu falënderimet e rastit e vlerësoi arritjen dhe nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje. Ndër të tjera, ai theksoi sa koha është që të lëmë rrugët e shtigjet e ngushta të punës së mbyllur, por të krijojmë autostradat e bashkëpunimit midis institucioneve. Mundësitë dhe kapacitetet janë. Le të synojmë për të realizuar ato për të cilat po nënshkruajmë dhe marrëveshjen.
Kurse rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Luan Përzhita, falënderoi për mikpritjen zëvendësrektorin dhe të pranishmit në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes. Ai, krahas fushave të shprehura në Marrëveshje, i mëshoi krijimit të një rrjeti ndërkombëtar–ballkanik të kërkimit shkencor (Network), në të cilin të kenë akses studiuesit, jo vetëm të dy vendeve tona, por dhe ata të vendeve të tjera ballkanike.
Në fund të ceremonisë, zëvendësrektori i Universitetit të Sofjes, prof. dr. Georgi Valchev, për të pranishmit shtroi një drekë pune.


3. Në orën 13 të datës 14 prill 2022, në mjediset e Institutit të Studimeve Ballkanike dhe qendrës për Trakologjinë, në Akademinë e Shkencave të Bullgarisë (The Institute of Balkan Studies & Centre for Tracology, Bulgarian Academy of Sciences, Sofia, Bulgaria) nga drejtoresha e këtij Instituti, prof. dr. Roumiana Preshlenova dhe nga rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Luan Përzhita, u nënshkrua Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve. Nënshkruesit e vunë theksin te projektet shkencore studimore në fushat me interes të përbashkët, te shkëmbimet e botimeve, te botimet e përbashkëta, tek organizmi i seminareve, konferencave shkencore, tek organizmi i panaireve të botimeve shkencore, te hapja e ekspozitave me materiale që u përkasin kulturave respektive dhe të rrafshit ndërballkanik.


4. Në orën 14 në mjediset e Bibliotekës Kombëtare të Bullgarisë përfaqësuesit e ASA-s patën një takim me një grup punonjësish të kësaj biblioteke, të kryesuar nga drejtoresha prof. as. Krasimira Aleksandrova. Ajo bëri një paraqitje të shkurtër të veprimtarisë së bibliotekës, sidomos për propagandimin e librit shkencor me interes për studimet ndërballkanike, për mundësinë e madhe të shfrytëzimit të fondit shumë të madh libror të bibliotekës (me 8.000.000 ekzemplarë dhe si e tillë një nga më të pasurat e Evropës). Prof. dr. Luan Përzhita, ndër të tjera, e vuri theksin te shkëmbimi i librit shkencor, te hapja së shpejti e një panairi të përbashkët të botimeve shkencore, si dhe te hapësirat e mundshme për kualifikimin për programime kompjuterike pranë Bibliotekës Kombëtare të Bullgarisë të punonjësve të bibliotekës sonë. Takimi u karakterizua nga një frymë mirëkuptimi, duke projektuar nënshkrimin së afërmi të një Marrëveshjeje bashkëpunimi midis dy institucioneve. Në takim ishte e pranishme dhe përfaqësuesja e ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Sofje për kulturën.


5. Pasdite rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Luan Përzhita, zhvilloi një takim pune me drejtorin e Institutit të Arkeologjisë së Sofjes, prof. Hristo Popov, dhe me zëvendësdrejtorin e këtij Instituti, prof. Kalin Dimitrov. Ata shkëmbyen përvojën e tyre në gërmimet e kërkimet arkeologjike, në botimet e publikimet shkencore, si dhe diskutuan për hapësirat e një bashkëpunimi konkret dhe përfshirës këtë fushë. Në takim ishte e pranishme dhe përfaqësuesja e ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Sofje për kulturën.

Nënshkruhet marrëveshje bashkëpunimi mes Shkollës Franceze të Athinës dhe Akademisë së Studimeve Albanologjike 

12 Prill, 2022 Njoftime

Më 7 prill 2022 u nënshkrua në Athinë një marrëveshje bashkëpunimi 5-vjeçare mes Shkollës Franceze të Athinës dhe Akademisë së Studimeve Albanologjike.
Marrëveshja garanton shkëmbimin e eksperiencave në kërkimin shkencor, zhvillimin e programeve të përbashkëta edukuese, trajnuese, aktivitete kulturore, botime, akses në koleksionet arkivore për kërkuesit shkencore të të dyja palëve, seminare, konferenca ose shkolla verore e deri në botime të përbashkëta.
Marrëveshja u nënshkrua nga Prof.dr. Luan Përzhita, rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe Véronique Chankowski, drejtore e Shkollës Franceze të Athinës.

Bashkëngjitur gjeni marrëveshjen e nënshkruar.

Konferenca e përbashkët shkencore “Një komb, një gjuhë” 

22 Mars, 2022 Njoftime

Dje, më 21 mars 2022, në Prishtinë, në zbatim të Marrëveshjeve të nënshkruara në dhjetor 2021 ndërmjet tri institucioneve: Akademia e Studimeve Albanologjike (ASA), Tiranë, Instituti Albanologjik i Prishtinës (ILP), dhe Institutit të trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITShKSh, Shkup, për të diskutuar dhe miratuar veprimtaritë shkencore të përbashkëta që do të zhvillohen gjatë vitit 2022, u bë takimi i grupeve të punës të kryesuara nga drejtuesi e tri institucioneve: prof dr. Luan Përzhita (ASA), prof. dr. Hysen Matoshi (IAP) dhe prof. dr. Skëndër Asani (ITShKSh).

Vëmendjen kryesore në takim e mori miratimi nga të tri institucionet i organizimi në muajin nëntor 2022 i Konferencës së përbashkët shkencore “Një komb, një gjuhë”. Konferenca e merr shtysën nga 50-vjetori i Kongresit të Drejtshkrimit (Tiranë 1972) dhe do të trajtojë çështje që lidhen me gjuhën shqipe dhe, pazgjidhshmërisht me të, me kombin shqiptar, gjatë 120 vjetëve të fundit.
Konferenca do t’i zhvillojë punimet në të tri kryeqendrat dhe përkatësisht:
– më 22 nëntor në Shkup (datë që përkon me mbylljen e punimeve të Kongresit të Manastirit, 1908, si dhe të veprimtarisë “Ditë të Alfabetit”, të organizuara nga ITShKSh);
– më 23 nëntor në Prishtinë;
– më 24 nëntor në Tiranë (ku bëhet dhe mbyllja e punimeve).

Në Konferencë do të kumtojnë studiues shqiptarë dhe albanologë të huaj, si dhe do të ketë, ndër të tjera, përshëndetje nga ish-pjesëmarrësit në Kongresin e Drejtshkrimit. Këtë veprimtari të rëndësishme shkencore do ta prijë një vizitë e pjesëmarrësve në Shtëpinë e Alfabetit, në Manastir më 21 nëntor, organizuar nga ITShKSh.
Të gjitha aktet e Konferencës treditore “Një komb, një gjuhë!” do të botohen në një vëllim të posaçëm, i cili do t’u çelë rrugën botimeve të çdovitshme të përbashkëta midis tri institucioneve albanologjike.
Në takim morën vëmendjen e duhur, edhe çështje të tilla, si: organizmi dhe institucionalizmi i përvitshëm (çdo shtator) i Panairit “Botime Albanologjike”, me botime nga ASA, ILP, ITShKSh; paraqitje (promovime) veprash të studiuesve nga ASA, ILP, ITShKSh (në vazhdimësi); zgjerimi dhe thellimi i bashkëpunimit për botime të përbashkëta të veprave shkencore, botime artikujsh në revistat shkencore të tri institucioneve, kryerjen e recensimeve për vepra etj); organizmi i Lektoriumeve të mbartshme shkencore nga specialistë të fushave të Albanologjisë e kulturës kombëtare etj.

Zgjidhet kryetari i Këshillit të Etikës së Akademisë së Studimeve Albanologjike

18 Mars, 2022 Njoftime

Këshilli i Etikës së Akademisë së Studimeve Albanologjike zgjodhi kryetare të tij znj.Enkelejda Shamku-Shkreli. Këshilli, i votuar nga Senati Akademik i ASA-së, përbëhet nga:

  • Enkelejda Shamku-Shkreli
  • Albana Mema,
  • Melsi Labi
  • Jonida Sela
  • Raimond Perolla

Kontributi Shqiptaro-Britanik në Butrint

2 Mars, 2022 Njoftime
Akademia e Studimeve Albanologjike dhe Instituti i Arkeologjisë organizojnë një takim mbi “Kontributin Shqiptaro-Britanik në Butrint” më datë 9 mars 2022, ora 17.00, në Pallatin e Kongreseve, Salla e Albanologjisë.
I ftuar në këtë takim është Profesor Richard Hodges, OBE, President Emeritus i Universitetit Amerikan në Romë dhe ish-Drejtor Shkencor i Fondacionit Butrinti, i cili me këtë rast do të prezantojë vëllimin më të ri studimor mbi kërkimet arkeologjike në Butrint: “Hernandez, D. and Hodges, R. (eds.) (2020) Butrint 7. Beyond Butrint: Kalivo, Mursi, Çuka e Aitoit, Diaporit and the Vrina Plain. Surveys and Excavations in the Pavllas River Valley, Albania, 1928–2015”.
 
 
Ky takim shënon një moment të rëndësishëm, në të cilin arkeologjia shqiptare feston bashkëpunimin shkencor shumëvjeçar me arkeologjinë britanike në Butrint, të mundësuar nëpërmjet projektit me Fondacionin Butrinti.
 
 
Ju mirëpresim të gjithëve!

Vendime të Senatit Akademik

10 Shkurt, 2022 QSA
  1. Vendim Nr. 1, datë 06.01.2023 ”Për miratimin e mbështetjes financiare për punonjësit e ASA- s, në zbatim të VKM Nr. 898, datë 29.12.2022
  2. Vendim Nr. 2, datë 26.01.2022 “Për miratimin e projekt-marrëveshjeve të bashkëpunimit me institucione shkencore në Bullgari”.
  3. Vendim Nr. 14, datë 22.11.2021 “Për miratimin e planit mësimor dhe rregullores së studimit për realizimin e programit të përbashkët me Universitetin “Eqrem Çabej” Gjirokastër, në ciklin e parë të studimeve “Bachelor” në Antropologji”.
  4. Vendim Nr. 13, datë 19.11.2021 “Për miratimin e marrëveshjes specifike për realizimin e programit të përbashkët në ciklin e parë të studimeve “Bachelor”në Antropologji”.
  5. Vendim Nr. 12, datë 18.11.2021 “Për hapjen e programit të përbashkët me Universitetin “Eqrem Çabej” Gjirokastër, në ciklin e parë të studimeve “Bachelor” në Antropologji”.
  6. Vendim Nr. 11, datë 05.11.2021 “Për krijimin e Këshillit të Etikës së ASA”.
  7. Vendim Nr. 8, datë 24.09.2021 “Për krijimin e komisionit të përhershëm “Këshilli i Profesorëve” në Akademinë e Studimeve Albanologjike”.
  8. Vendim Nr. 7, datë 14.09.2021 “Mbi emërimin e zëvendës Rektorit të ASA-së”.
  9. Vendim Nr. 02, datë 18.02.2021 “Për ngritjen e Laboratorit të Konservimit dhe Arkometrisë”.
  10. Vendim Nr. 12, datë 08.07.2020 “Mbi emërimin e zëvendësrektorit të ASA-së”.
  11. Vendim Nr. 11, datë 08.07.2020 “Mbi ngritjen e grupit negociator me MASR për procesin zgjedhor”.
  12. Vendim Nr. 5, datë 27.02.2019 “Përcaktimin e afateve për dorëzimin e doktoraturave në proces”.
  13. Vendim nr. 71 datë 03.04.2018.
  14. Vendim nr. 70 datë 03.04.2018.
  15. Vendim datë 22.06.2012 “Për ngritjen e Këshillit të Etikës të QSA”.
  16. Vendim datë 22.06.2012 “Për ngritjen e Këshillit Botues të QSA”.

 

 

Vendime të Bordit të Administrimit – 2020

10 Shkurt, 2022 QSA

ASA marrëveshje me Bashkinë e Tiranës 

31 Janar, 2022 Njoftime

Akademia e Studimeve Albanologjike dhe Bashkia e Tiranës kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi 1-vjeçare për organizimin e një cikli seminaresh të përmuajshme me shkollat e mesme të Tiranës. Marrëveshja e nënshkruar nga rektori Luan Përzhita dhe zëvendëskryetarja e Bashkisë së Tiranës Anisa Ruseti, ka për qëllim njohjen dhe edukimin e të rinjve me trashëgiminë kulturore e historike, materiale e shpirtërore të Tiranës.
ASA, me anë të Institutit të Arkeologjisë dhe Institutit të Antropologjisë dhe Studimit të Artit, ofron specialistë që do t’iu përcjellin të rinjve njohuri mbi potencialin e pasur të qytetit dhe rrethinave të tij.
Tematika e seminareve që do të organizohen në ambjentet e Muzeut të Arkeologjisë, do të mbulojë një gamë të gjerë kërkimesh nga prehistoria, antikiteti, antikiteti i vonë dhe mesjeta dhe studime që lidhen me dijen e etnografisë.
Veç kësaj, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, si dhe Zyrën Vendore të Arsimit Parauniversitar në Tiranë, janë parashikuar vizita të organizuara në kala, muze dhe qendra historike në sitet arkeologjike të Tiranës dhe rrethinave të saj të udhëhequra nga arkeologë, arkitektë, studiues të Akademisë së Studimeve Albanologjike.

Digjitalizim i koleksioneve, marrëveshje midis Ministrisë së Kulturës dhe ASA-së

27 Janar, 2022 Njoftime
Akademia e Studimeve Albanologjike dhe Ministria e Kulturës nënshkruajnë marrëveshjen e bashkëpunimit për digjitalizimin, restaurimin, konservimin dhe ekspozimin e koleksioneve të objekteve të trashëgimisë kulturore që ASA disponon.
Marrëveshja u nënshkrua nga ministrja e Kulturës Elva Margariti dhe rektori i ASA-së Luan Përzhita.
Kjo marrëveshjen mban në konsideratë konventat ndërkombëtare për trashëgiminë kulturore të nënshkruara dhe ku vendi ynë aderon; Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në kuadër të garantimit të paprekshmërisë së pronësisë qoftë shtetërore apo private si dhe të lirive dhe të drejtave ekonomike, sociale dhe kultururore, si dhe Ligjin nr. 27/2018, “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”.
Ky dokument garanton që, Ministria e Kulturës, nëpërmjet Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” të mundësojë digjitalizimin, restaurimin, konservimin. Rast pas rasti, do të ekspozohen fotografi dhe filma që ndodhen në Akademinë e Studimeve Albanologjike. Nëpërmjet Institutit Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore, do të bëhet inventarizimi i koleksionit në përputhje me Ligjin nr. 27/2018, “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”.
Brenda një muaji nga nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje, duhet të jenë evidentuar të gjitha koleksionet fotografike dhe filmike që ndodhen në Akademinë e Studimeve Albanologjike dhe/apo institucionet e saj të varësisë dhe të jetë hartuar një program i përbashkët kulturor me qëllim fillimin e procesit të restaurimit dhe digjitalizimit,
Për këtë, Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, do të ofrojë asistencë për arkivimin dhe konservimin e koleksioneve fotografike të Akademisë së Studimeve Albanologjike, nëpërmjet:
dhënies në përdorim të pajisjeve teknike të nevojshme për digjitalizim nga ana e punonjësve të ASA-s, në ambjentet e ASA-s;
kualifikimit të punonjësve të ASA-s për përdorimin e pajisjeve teknike;
kualifikimit të punonjësve të ASA-s, me metodat e restaurimit dhe arkivimit digjital;
Asistencë do të ofrohet edhe nga Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore për inventarizimin e koleksionit në përputhje me Ligjin nr. 27/2018, “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”.
Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” dhe Akademia e Studimeve Albanologjike do të nxisin bashkarisht iniciativat për pjesëmarrje në projekte të përbashkëta rajonale dhe kombëtare, të cilat janë objekt i kësaj marrëveshjeje. Të dy këta partnerë do të mundësojnë organizimin dhe zhvillimin e asistencës profesionale në arkivim, katalogim dhe menaxhim të koleksioneve dixhitale, konservim, restaurim, ekspozita dhe muzealizim.
Kjo marrëveshje lidhet për një afat 2-vjeçar, brenda së cilës, palët angazhohen të kryejnë të plotë të gjithë digjitalizimin, restaurimin, konservimin dhe regjistrimin e fotografive dhe filmave që ndodhen në Akademinë e Studimeve Albanologjike.

Leksione mbi trashëgiminë

26 Janar, 2022 Njoftime

Ditën e hënë, ora 11:00, nis udhëtimi i leksioneve mbi trashëgiminë që të rinjtë do marrin në Muzeun e Arkeologjisë përgjatë vitit 2022. Lektorët Rudenc Ruka dhe Rovena Kurti nga Instituti i Arkeologjisë do të jenë përpara nxënësve të gjimnazit “Qemal Stafa”. Nxënësit e kanë trashëgiminë si lëndë mësimore me zgjedhje, por në këtë takim ata do të njihen më gjerësisht me të dhënat arkeologjike mbi prehistorinë e Tiranës.


Ky takim i parë inauguron bashkëpunimin 1-vjeçar mes Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe Bashkisë së Tiranës, me miratimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në kuadrin e vitit të Tiranës si kryeqytet i rinisë.

Nekrologji

22 Janar, 2022 Njoftime

Prof. Riza Hasa
(1950-2022)


Më datë 21 Janar 2022, u nda nga jeta profesori i përkushtuar dhe hulumtuesi në fushën e Arkeologjisë, Riza Hasa. Ai ishte një nga figurat më të spikatura të mjedisit universitar, shkencor dhe kulturor të qytetit të Elbasanit.
Lindi në Skrapar më 3 mars të vitit 1950. Kreu studimet universitare në fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës në degën histori dhe gjeografi. Pas përfundimit të studimeve të larta, nga viti 1967 deri në vitin 1983 ka kontribuar si mësues dhe drejtues në shkollat e rrethit të Elbasanit (Dragot, Belsh). Në vitin 1984, Prof. Rizai u emërua punonjës shkencor në Institutin e Shkencave/Sektori i Arkeologjisë. Vepritarinë e tij kërkimore ia kushtoi hulumtimit të gjurmëve arkeologjike në territorin përreth Elbasanit. Ndër angazhimet e tij më të rëndësishme janë gërmimet arkeologjike në vendbanimin prehistorik të Lleshanit, në zonën malore të Shpatit/Elbasan. Rezultatet e disa fushata gërmimesh realizuar në këtë vendbanim janë botuar në revistën “Iliria” 1987, 1989 dhe 1990. Profesionalizmi dhe nuhatja prej një arkeologu të spikatur kanë mundësuar rënien në gjurmët e një thesari prej 2700 monedhash, dëshmi e dinamikës së zhvillimit të vendbanimit të Lleshanit gjatë periudhës qytetare Ilire. Pasioni i tij në zbulimin e të fshehtave të Lleshanit kanë sjellë si rezultat të dhëna të rëndësishme mbi natyrën e këtij vendbanimi si edhe intensitetin e përdorimit dhe dinamikat e zhvillimit dhe transformimit të tij. Si njohës shumë i mirë i materialit arkeologjik të periudhës antike ai sugjeroi orientimin kulturor të Lleshanit drejt grupit kulturor të rajonit në veri të lumit Shkumbin.
Nga viti 1994 deri në pensionimin e tij, kontriboi si pedagog në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Përgjatë kësaj periudhe ai ka qenë lektor i kurseve të Arkeologjisë dhe Historisë së Popullit Shqiptar. Në funksionin e përgjegjësit të departamentit të Arkeologjisë, dhe si anëtar i këshillit shkencor të Fakultetit të Shkencave Humane, profesor Rizai ishte një zë aktiv në vendimmarrjet e lidhura me përmirësimin e jetës akademike të fakultetit. Aktiviteti i tij në auditorin akademik të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” u kurorëzua me fitimin e titullit “docent”, në 30 Janar 2014.
Pavarësisht shkëputjes nga angazhimet zyrtare në Institutin e Arkeologjisë, Profesor Rizai vazhdoi të ishte një pikë e rëndesishme referemi dhe burim i pashtershëm shkëmbimi eksperiencash me kërkuesit e këtij Instituti si edhe çdo projekt studimor me fokus në vendbanime/vendgjetje arkeologjike përgjate shtrirjes së rrugës Egnatia. Dashuria e tij për arkeologjinë e nxiti në ngritjen e laboratorit të arkeologjisë pranë Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, ku grumbulloheshin gjetje arkeologjike nga zona përreth Elbasanit. Me angazhimin e tij personal u bë i mundur studimi i materialit të këtij laboratori në bashkëpunim me kolegë të Institutit të Arkeologjisë dhe botimi i tij në Aktet e Konferencës Nderkombëtare “Risi Arkeologjike nga Trevat Shqiptare”, organizuar nga Instituti i Arkeologjisë në vitin 2017. Të dhënat e këtij materiali, me prejardhje nga një varrezë e zbuluar përmes një gërmimi të padokumentur në Mirakë kanë dhënë rezultate të rëndësishme jo vetëm mbi larminë e gjetjeve prej qeramike dhe metali por edhe kuptimin e tij në kontekstin politik dhe kulturor lokal/rajonal gjatë periudhës Romake. Natyra ushtarake e koleksionit të Mirakës është një vlerë e shtuar në njohuritë tona mbi nivelin e barbarizimit, militarizimit dhe ruralizimit të banorëve të këtij territori.
Krahas angazhimit akademik, profesor Rizai ishte aktiv në shtypin e përditshëm, botues artikujsh, informues dhe polemist, intervistuar nga media të ndryshme për çështje të pasurisë arkeologjike lokale dhe kombëtare, një intelektual i angazhuar në mbrojtje të monumenteve historike dhe arkeologjike të rrethit të Elbasanit, bashkëpunëtor plot energji në projekte kërkimore qoftë të terrenit, qoftë në hartimin e guidave historike e kulturore për rrethin e Elbasanit, mikpritës dhe udhërrëfyes pasionant në sitet arkeologjike për studentë, vizitorë, kërkues shkencorë, dashamirës të arkeologjisë dhe të monumenteve historike.
Prof.Riza Hasa ishte anëtar i këshillit shkencor botues të revistës etnokulturore “Albanon” (ISSN: 2616-6372), botim i Albanian Digital Archives and Collections, që prej themelit të saj në 2018, dhe shkrues në numrat e parë të kësaj reviste me shkrimet: “Zbulime arkeologjike në trevën e Elbasanit”, “Saraje pashallarësh në Elbasan, por kush ishte pashai?” dhe “Thesaret ‘e fshehura’ të qytetit të Elbasanit”. Ishte po ashtu hartues i disa zërave për pasurinë arkeologjike të qytetit të Elbasanit në “Elbasani-Enciklopedi”, botuar në 2003.

Urim

22 Dhjetor, 2021 Njoftime

Në vitin 1920 artisti gjerman Paul Klee krijoi tablonë “Angelus Novus”. Kur filozofi Walter Benjamin e pa po atë vit në shtëpinë e piktorit, e bleu dhe do kishte dashur të themelonte një revistë me të njëjtin titull. Ai shihte tek “Angelus Novus” engjëllin e historisë që “dëshiron të qëndrojë, të zgjojë të vdekurit dhe të shërojë atë që është shkatërruar. Por një stuhi po fryn nga Parajsa; është kapur pas krahëve me një dhunë të tillë sa engjëlli nuk mund t’i mbyllë më. Stuhia e shtyn atë në mënyrë të papërmbajtshme drejt së ardhmes së cilës i është kthyer shpina, ndërsa grumbulli i gërmadhave përpara tij zmadhohet drejt qiellit. Kjo stuhi është ajo që ne e quajmë progres”.
Reflektimin e Benjaminit i 100 viteve më parë, na e solli ndërmend kjo vepër arti, kjo serenë që ruhet në fondet e arkeologjisë. Këtë krijesë me sytë e mbyllur, krahët në prehje dhe me gjestin e njërës dorë pranë veshit, e zgjodhëm me të parën për të bërë urimin tonë për Krishtilindjen dhe Vitin e Ri. Urojmë që kjo shëmbëlltyrë të bëjë atë që urimet si formula të ngrira në kohë nuk arrijnë ta bëjnë, duke mos i shprehur ashtu si do donim ndjesitë tona të njëmendtëta: për një vit të mbarë dhe të bardhë!

“Memorandumi i bashkëpunimit 2021-2026”, ndërmjet Akademisë së Studimeve Albanologjike – Tiranë, Institutit Albanologjik – Prishtinë dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve – Shkup

22 Dhjetor, 2021 Njoftime

Më 16 dhjetor 2021 u nënshkrua në Tiranë, në Akademinë e Studimeve Albanologjike, “Memorandumi i bashkëpunimit 2021-2026”, ndërmjet Akademisë së Studimeve Albanologjike – Tiranë, Institutit Albanologjik – Prishtinë dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve – Shkup”, ndërmjet Akademisë së Studimeve Albanologjike – Tiranë, Institutit Albanologjik – Prishtinë dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve – Shkup.
Duke u mbështetur në bazat ligjore për arsimin në vendet respektive, Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni e Veriut, të tria institucionet synojnë me anë të këtij memorandumi nxitjen dhe thellimin e bashkëpunimit për kërkimin shkencor, në fushën e albanologjisë, përfshirë edhe shkëmbimin e ekspertëve dhe punonjësve shkencorë, si dhe angazhohen për nisma projektesh të përbashkëta kërkimore-shkencore rajonale dhe ndërkombëtare.
Memorandumi parashikon:
-pjesëmarrje në programet e projektet kërkimore-shkencore dhe arsimore, të miratuara dhe bashkëfinancuara nga institucionet përgjegjëse të palëve, si dhe ato projekte të financuara nga Bashkimi Europian dhe organizma të tjera ndërkombëtare;
-shkëmbim të botimeve, periodikëve, revistave e monografive me interes të përbashkët;
-zhvillimin e konferencave shkencore, simpoziumeve, seminareve, tribunave të përbashkëta dhe programeve specifike;
-ideimin dhe realizimin e projekteve shkencore, strukturave të reja të kërkimit me rëndësi kombëtare në bashkëpunim me kompani private, vendase e të huaja;
-veprimtari të përbashkëta promovimi dhe publikimi, me qëllim sensibilizimin e qytetarëve, për projekte ndërmjet këtyre tri institucioneve dhe institucioneve të tjera bashkëpunuese;
-bashkëpunim në drejtim të procesit të mësimdhënies, kualifikimit shkencor e nismave për stimulimin e kërkuesve të rinj;
-botimi i një reviste të përbashkët albanologjike (print dhe digjitale);
-përgatitja dhe aftësimi i kuadrove, që si bazë do të kenë njohjet e gjuhëve të lashta: greqisht, latinisht, persisht dhe osmanisht;
-botimi dhe ribotimi i teksteve të albanologëve shqiptarë dhe të huaj, në edicione të posaçme;
-një vëmendje më e shtuar për trevat lindore shqiptare, të cilat do të jenë objekt i një projekti të madh të ITSHKSH-së, ku logjistika shkencore e profesionale e qendrave albanologjike në Tiranë dhe Prishtinë do të ishte dobiprurëse;
Për realizimin e objektivave të mësipërme do të parashikohet stafi akademik, i cili do të përzgjidhet në përputhje me veprimtaritë që parashikon zbatimi i kësaj marrëveshjeje.
Ky bashkëpunim mund të vazhdojë edhe pas afatit të përcaktuar më sipër, në qoftë se nuk ka kundërshtim nga palët.
Marrëveshja u nënshkrua publikisht nga rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike – Tiranë, prof. dr. Luan Përzhita, drejtori i Institutit Albanologjik – Prishtinë prof. dr. Hysen Matoshi dhe drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, prof. dr. Skender Asani.

“Memorandumi i bashkëpunimit 2021-2026”

Takohemi në Ditët e Albanologjisë

13 Dhjetor, 2021 Njoftime

Ditët e Albanologjisë, edicioni XII

10 Dhjetor, 2021 Njoftime, QSA

Akademia e Studimeve Albanologjike organizon Ditët e Albanologjisë, edicioni XII, më 15-17 dhjetor. “Albanologjia e mijëvjeçarit të ri” është zgjedhur si temë e këtij edicioni. Ceremonia e hapjes zhvillohet në Sallën e Albanologjisë, Pallati i Kongreseve, ora 10.00.
Një memorandum bashkëpunimi mes qendrave albanologjike të Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit; nderim për disa kërkues shkencorë që lënë karrierën aktive akademike dhe një ekspozitë e botimeve të Akademisë, janë disa nga aktivitetet e parashikuara.
Bashkëngjitur gjeni programin e detajuar dhe në vazhdim, katalogun e sapodalë nga shtypi me botimet themelore në vite si dhe botimet më të reja të ASA-së.

Programi Ditët e Albanologjisë, edicioni XII

Katalogu

Panairi librit 2021

14 Nëntor, 2021 Njoftime
Akademia e Studimeve Albanologjike merr pjesë me stendën e saj në Panairin e librit 2021 që zhvillohet në Pallatin e Kongreseve më 17-21 nëntor.
 
Ky është kalendari i prezantimeve që do të mbahen në sallën ovale të Pallatit të Kongreseve:
 
– “Historia e shqiptarëve”, vëllimet I-III, 17 nëntor, ora 13:00-14:00.
– “L’Archeologia della morte in Illiria e in Epiro”, nën kujdesin e Giuseppe Lepore-s dhe Belisa Mukës, 19 nëntor 2021, ora 12.00-13.00
– Franqisk Anton Santori, “Emira” botim kritik i përgatitur nga Merita Bruci, 20 nëntor, ora 15:00-16:00
– Kolana në pesë vëllime e veprës etnografike të Rrok Zojzit, 21 nëntor 2021, ora 11.00-12.00

Ditët e alfabetit

14 Nëntor, 2021 Njoftime

“Ditët e alfabetit” nisën sot në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptareve-Shkup. Aktivitetet shkencore mbi letërsinë, gjuhën dhe traditën arbëreshe zgjasin deri më 22 nëntor.

Akademia e Studimeve Albanologjike u përfaqësua nga rektori Luan Përzhita dhe prof. dr. Valter Memisha, të cilët zhvlluan edhe takimin e radhës me drejtuesit e qendrave albanologjike të Prishtinës dhe Shkupit, për përgatitjen e një strategjie me moton “Albanologjia e mileniumit të ri”. Kështu më 15 dhjetor në Tiranë nënshkruhet Memorandumi i bashkëpunimit mes të tri qendrave.

Paraqitja e veprës “Rexhep Qosja-filozof, ideolog dhe politikan i çështjes kombëtare”

5 Nëntor, 2021 Njoftime
Ditën e enjte, më 4 nëntor 2021, rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Luan Përzhita dhe zëvendësrektori, prof. dr. Valter Memisha, me ftesë nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, morën pjesë në veprimtarinë shkencore të organizuar prej këtij institucioni për paraqitjen e veprës “Rexhep Qosja-filozof, ideolog dhe politikan i çështjes kombëtare”, të shkruar nga gjenerali dr. Kudusi Lami.
 
 
Në veprimtarinë, që përkonte dhe me 85-vjetorin e lindjes së akademikut të shquar, ishin të pranishëm përfaqësues nga institucionet shkencore kombëtare, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Prishtinë, përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, punonjës shkencorë e bashkëpunëtorë të prof. Qosjes, shokë e dashamirës nga mbarë trojet shqiptare (Kosovë, Shqipëri, Maqedonie e Veriut, nga vendlindja e profesorit , Vuthaj, Mali i Zi etj.)
Veprimtarinë e hapi sekretari shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës, institucioni që kish bërë dhe botimin e veprës, prof. Lulëzim Lajçi, kurse fjalën e rastit e mbajti drejtori i IAP prof. dr. Hysen Matoshi. Veprimtarinë e përshëndetën ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, z. Qemal Minxhozi, prof. dr Luan Përzhita, prof. dr. Skënder Asani, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, Shkup. Rektori Luan Përzhita, ndër të tjera vlerësoi veprën dhe veprimtarinë e jashtëzakonshme të prof. Qosjes, vendin e tij parësor në fushën e shkencave albanologjike e më gjerë si dhe të luftës së tij të pareshtur për bashkim, emancipim e zhvillim kombëtar të shqiptarëve.
 
 
Rreth librit “Rexhep Qosja-filozof, ideolog dhe politikan i çështjes kombëtare” folën prof. dr. Shyqyri Galica dhe prof. dr. Fadil Grajçevci, të cilët vunë në dukje punën e e madhe të autorit K. Lami për të dhënë sa më të plotë dhe me sa më shumë dokumente e referime burimore edhe këtë përbërës të veprës shumëdimesionale të akademikut Rexhep Qosja. Në fund përshëndetën dhe akademiku R. Qosja si dhe autori i veprës dr. Kudusi Lama.
 
 
Gjithashtu, rektori Përzhita pati takime të drejtpërdrejta me prof. Hysen Matoshin, drejtorin e IAP-it (Prishtinë), me prof. Skënder Asanin, drejtorin e ITShKSh-së (Shkup), si dhe me prof. Ylber Selën, drejtorin e AZGj-së (Shkup), me të cilët u shkëmbyen mendime për punën e bashkëpunimin shkencor ndërinstitucional, për organizimin e veprimtarisë “Ditët e Albanologjisë” nga Akademia e Studimeve Albanologjike në Tiranë, gjatë dhjetorit, si dhe për hapësirat dhe modalitetet e organizmit e koordinimit të veprimtarive shkencore e të botimeve të përbashkëta nga institucionet tona në vitin 2022.
 

Drejt një strategjie të albanologjisë

27 Tetor, 2021 Njoftime
A do të vazhdojë albanologjia me statusin e një qendre të kërkimit shkencor që i kërcënohet kohë pas kohe pavarësia? A është kjo shkencë në vendin e saj dhe a mbështetet sa duhet nga shteti? Çfarë duhet të bëjë vetë albanologjia për të mos qenë një shkencë lokale por evropiane? Nga këto çështje nisi konsulta “Drejt një strategjie të albanologjisë” e mbajtur në Shkodër në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, me pjesëmarrjen e tri qendrave albanologjike të Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit. Këto pyetje u shtruan fillimisht nga prof. dr. Luan Përzhita, rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike, por në vazhdim doli se ndajnë të njëjtat shqetësime edhe Instituti Albanologjik i Prishtinës bashkë me Institutin e Historisë “Ali Hadri”, krahas Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të shqiptarëve në Shkup përfaqësuar nga dr. Skënder Asani dhe prej Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës e RMV-së po në Shkup përfaqësuar nga prof. dr. Ylber Sela. Veçanërisht këtyre dy strukturave albanologjike në Shkup u duhet të përpiqen dyfish për statusin e një etnie që kërkon të ruajë identitetin e vet shqiptar.
Situatat e ngjashme në vendet respektive kanë të bëjnë me: centralizimin nga akademitë honorifike, gjë që mund të zgjidhet vetëm se nga një kuadër i ri ligjor; me keqfinancimin dhe reduktimin në minimum të kapaciteteve shkencore; me integrimin e dijes albanologjike në rajon e më gjerë, në hapësirën evropiane të shkencës; me investimin për ruajtjen e arkivave albanologjike në kushte optimale dhe digjitalizimin e trashëgimisë së vjelë në formatin klasik; me aksesin te publiku e librit albanologjik. Pikërisht libri, si produkti kryesor i shkencave albanologjike, ishte një nga pikat qendrore të diskutimit. Botimet e të tria qendrave albanologjike nuk shpërndahen, nuk kalojnë në Evropë, nuk njihet ende botimi i librit në formë elektronike dhe shpërndarja e tij në magazinat e mëdha elektronike të librit si Amazone. Edhe cilësia e botimit lë shumë për të dëshiruar. Prof. dr. Hysen Matoshi nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, përmendi edhe fatin e revistave shkencore dhe indeksimin e tyre në platforma ndërkombëtare. Prof. asoc. dr. Sabit Syla nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, e vuri theksin te nevoja e unifikimit të teksteve shkollore të historisë. “Janë në një gjendje për të ardhur keq sepse nuk kalojnë përmes ekspertizës së instituteve të historisë. Fëmijët tanë këtej dhe andej kufirit mësojnë histori të ndryshme. Ai propozoi ngritjen e një këshilli koordinues për kalendarin e punëve të përbashkëta mes tri qendrave albanologjike.
Nëse ky takim i parë ishte një diskutim i hapur dhe shpesh edhe me tone vetëkritike për atë që është arritur dhe ku duhet të shkohet, siç u pa në diskutimet e prof. dr. Artur Lamës, prof. asoc. dr. Afrim Krasniqit, prof. asoc. dr. Belisa Mukës, dr. Olsi Lelajt, studiuesit Aurel Plasari, arkeologut Bashkim Lahi etj., një takim i dytë do të duhet të përcaktojë detyrat konkrete të bashkëpunimit. Në konsultën e Shkodrës u tha se Akademia e Studimeve Albanologjike është nga të paktat institucione në vend që nuk është prekur nga sëmundjet e shoqërisë shqiptare, por kjo nuk mjafton për çfarë pritet më tej prej ASA-së. Në përfundim të takimit profesorët pjesëmarrës arritën në disa konkluzione si:
– zgjidhja e statusit të qendrave albanologjike jo thjesht si element administrativ, por edhe juridik e politik;
– autonomi shkencore dhe financiare, sepse albanologjia, ndryshe nga shkencat e tjera, mbetet një shkencë me mision kombëtar;
– rritje e cilësisë së librit albanologjik dhe e qarkullimit ndërkombëtar të dijes albanologjike;
– t’u rikthehet institucioneve albanologjike një përqindje nga të ardhurat që produkti i tyre arrin të ketë (arkeologjia hap një diskutim të tërë në këtë pikë për bashkëpunimin në fushën e turizmit kulturor);
– certifikimi i teksteve shkollore që nxënësit të marrin në mënyrë serioze dije historike, etnografike, arkeologjike;
– botimi i veprave nga arkivi, vepra në dorëshkrim apo të ndaluara për arsye politike të cilat mund të vinin në kuadër të 110-vjetorit të pavarësisë vitin e ardhshëm;
– ASA në Tiranë, si udhëheqëse e këtyre reformave të nevojshme për të tria qendrat albanologjike, është e mendimit se duhet të jetë pikërisht ajo sipërmarrësja dhe propozuesja e zgjidhjeve edhe pranë qeverisë shqiptare;
– krijimi i një këshilli koordinues Tiranë-Prishtinë-Shkup.
Kjo frymë e konsultës në Shkodër, ka rastin të reflektohet së afërmi edhe në Ditët e Albanologjisë në muajin dhjetor.

Drejt një strategjie të albanologjisë

25 Tetor, 2021 Njoftime

Më 26 tetor mbahet në Shkodër, në Universitetin “Luigj Gurakuqi” konferenca “Drejt një strategjie të albanologjisë”. Është një konsultë e cila do të shërbejë si prelud i një bashkëpunimi afatgjatë mes tri qendrave albanolgjike të Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit, në prag të nënshkrimit të memorandumit në Ditët e Albanologjisë që organizohen çdo dhjetor.
Takimi hapet nga prof. dr. Luan Përzhita, rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe përshëndetet nga prof. dr. Suzana Golemi, rektore e Universitetit të Shkodrës, prof. dr. Hysen Matoshi nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, prof. asoc. dr. Sabit Syla nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, dr. Skënder Asani nga Instituti Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të shqiptarëve në Shkup dhe nga prof. dr. Ylber Sela prej Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës e RMV-së po në Shkup.
Në konferencë prof. dr. Artur Lama, drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë diskuton për planin e ri strategjik për studimet gjuhësore-letrare; prof. asoc. dr. Afrim Krasniqi trajton perspektivën dhe sfidat e studimeve historike; prof. asoc. dr. Belisa Muka hedh disa piketa rreth strategjisë së kërkimeve arkeologjike, ndërsa dr. Olsi Lelaj bën një bilanc mbi arritjet dhe akset kërkimore nga Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit.
Në fund të takimit do të ketë diskutime për të dalë në një draft mbi strategjinë në fushën e kërkimeve albanologjike. Në takimet e muajit tetor që Akademia e Studimeve Albanologjike pati me ministren e Arsimit, Rinisë dhe Sportit Evis Kushi dhe presidentin e Republikës z.Ilir Meta, u diskutua hedhja e këtij hapi që jep garanci jo vetëm për autonominë e ASA-së, por sidomos për shfrytëzimin e autoritetit të saj në dhënien e ekspertizës për tekstet shkollore dhe në ngritjen cilësore të kërkimit shkencor në fushat e albanologjisë.
E gjitha kjo i paraprin kalendarit të ngjeshur të zhvillimeve që ASA është duke projektuar për vitin 2022.

Akademia e Studimeve Albanologjike organizon konsultën “Drejt një strategjie të Albanologjisë”

22 Tetor, 2021 Njoftime

Në datat 25-26 tetor 2021, Akademia e Studimeve Albanologjike organizon konsultën “Drejt një strategjie të Albanologjisë”. Të ftuar në këtë aktivitet janë Instituti i Albanologjisë-Prishtinë, Instituti i Historisë “Ali Hadri”,Prishtinë, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve-Shkup si dhe Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së Shkup. Ky aktivitet do të zhvillohet pranë Universitetit të Shkodrës.

Vizitë në Muzeun Kombëtar të Arsimit, Korçë

18 Tetor, 2021 Njoftime

Ditën e shtunë, dt. 16 tetor 2021, rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Luan Përzhita dhe zëvendësrektori, prof. dr. Valter Memisha, ishin të pranishëm në veprimtarinë e organizuar në Muzeun Kombëtar të Arsimit, Korçë, njohur ndryshe si ndërtesa e Mësonjëtores së Parë Shqipe, nga znj. Elva Margariti, ministre e Kulturës, me rastin e dhurimit bibliotekës së këtij Muzeu të një pakete librash shkencorë të botuar prej Akademisë sonë.


Ministrja Margariti e falënderoi rektorin dhe, përmes tij, gjithë punonjësit shkencorë për këtë nismë me vlera dhe theksoi se sipërmarrje të tilla janë të mirëpritura dhe për institucione të tjera që varen nga Ministria e Kulturës. Ajo i mëshoi faktit se marrëveshja midis Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe Ministrisë që ajo drejton krijon mundësi shumë të mëdha e më të gjera bashkëpunimi.


Rektori Luan Përzhita falënderoi ministren për vlerësimin për dhurimin e librave, e uroi atë për nismën e sipërmarrë, si dhe theksoi se Akademia e Studimeve Albanologjike do të dhurojë dhe një paketë tjetër botimesh shkencore, një proces që do të jetë i hapur dhe i pandërprerë dhe në të ardhmen. Ai theksoi gjithashtu se ASA ka pasuri që u përkasin të gjitha fushave të albanologjisë (historisë, arkeologjisë, antropologjisë, gjuhësisë e letërsisë) dhe që lidhen më fije të shumëfishta me arsimin e me arsimimin kombëtar dhe që mund të ndihmojnë në pasurimin jo vetëm të bibliotekës së Muzeut Kombëtar të Arsimit, por edhe të enteve të tjera përbërës të këtij institucioni.


Të ftuarit vizituan mjediset e Muzeut, i cili, pas restaurimit të fundit, ka marrë një pamje tërësisht tjetër, me mundësi të mëdha e me teknika bashkëkohore informimi e formimi dhe është bërë tepër miqësor e funksional për gjithë.

Një urim nga Véronique Chankowski

16 Tetor, 2021 Njoftime

Drejtorja e Shkollës Franceze të Athinës (prej vitit 2019), Véronique Chankowski, ishte për një vizitë miqësore po edhe pune pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike. Ajo u prit nga rektori, prof. dr. Luan Përzhita dhe drejtoresha e Institutit të Arkeologjisë, prof. asoc. dr. Belisa Muka.

Chankowski uroi rektorin Përzhita për detyrën e re dhe takimi mes tyre u ndal në krijimin e një klime të përshtatshme bashkëpunimi shqiptaro-franceze në fushën e arkeologjisë.

Projektet e përbashkëta në këtë drejtim janë zbatuar prej vitesh me gërmime në zonën e Korçës, Apoloni dhe Bylis. Veçanërisht për Bylisin, Shkolla Franceze e Athinës do të mbështesë botimet mbi rezultatet e kërkimeve arkeologjike në këtë zonë.

Chankowski, një personalitet në lëmin e historisë ekonomike dhe sociale të botës antike greke, është e para grua që drejton Shkollën Franceze të Athinës, shkollë me një histori 200-vjeçare.

Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Luan Përzhita, priti sot në një vizitë miqësore Presidentin e Republikës, z. Ilir Meta

13 Tetor, 2021 Njoftime
Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, Prof. dr. Luan Përzhita, priti sot në mesditë në një vizitë miqësore Presidentin e Republikës, z. Ilir Meta, në prani të senatit të profesorëve. Vjen ky takim pas dekretimit që Presidenti i bëri emërimit të rektorit dhe senatit të ri të ASA-s në korrik të këtij viti.
 
 
Presidenti u njoh me punën e deritanishme dhe me kërkesat që Akademia shtron për të çuar në një nivel të ri kërkimin shkencor albanologjik dhe trashëgiminë e saj, me një histori tanimë gati 70-vjeçare.
Rektori Përzhita theksoi kontributin që ASA ka pasur, që në themelimin e saj në vitin 2008 (Qendra e Studimeve Albanologjike), në saje të shkollës doktorale në krijimin e një brezi drejtuesish që sot janë në institutet dhe qendrat albanologjike në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, por edhe më gjerë. Por çështja e pasjes së një statusi të veçantë është shprehur si shqetësim dhe kërkesë në këtë takim.
Do duhet të këtë një status “që i takon kësaj qendre për të garantuar ardhmërinë jetëgjatë të institucioneve tona, ashtu si simotrat e saj në vende afër nesh dhe në vende të ndryshme të Evropës, si struktura të studimeve nacionale”.
Prof. dr. Përzhita kujtoi se janë 100 kërkues shkencorë pranë ASA-s me moshë mesatare 45 vjeç. Këta përbëjnë një pasuri intelektuale, e cila trashëgon edhe pasurinë e brezave paraardhës, si një detyrim edhe ndaj taksapaguesve shqiptarë.
 
 
Nga ana tjetër, rekrutimi i studiuesve të rinj kërkon investim jetësor dhe financiar.
Profesorë të tjerë të pranishëm në takim u shprehën se është e nevojshme një strategji më vete për albanologjinë.
Presidenti dëgjoi profesorët e pranishëm dhe pas kësaj shprehu se propozimet dhe kërkesat për statusin dhe strategjinë e veçantë duhet të vijnë nga vetë ASA. Ai garantoi se do të japë mbështetjen e tij morale si kreu i shtetit, mbështjetje që ASA e meriton si intitucion me përgjegjësi për kujtesën kombëtare, po edhe për formimin e brezit të ri, me ekspertizën e teksteve shkollore në fushat e historisë, gjuhës, letërsisë, antropologjisë dhe kulturës shqiptare në tërësi.
 
 
Presidenti Meta tha se me marrjen e statusit të veçantë, vetëvetiu do gjejnë zgjidhje problemet e infrastrukturës që Akademia e Studimeve Albanologjike ndesh për më shumë hapësira administrative, për bibliotekë dinjitoze, por edhe për një laborator modern për konservimin dhe restaurimin e mijëra objekteve trashëgimi materiale e shpirtërore që ASA ka nën administrim.
 
 
Presidenti e preku për herë të parë një pjesë të këtyre thesareve që ruhen në fondet albanologjike. Ai bëri një vizitë në arkivin e nëndheshëm dhe u shpreh i impresionuar nga koleksioni arkeologjik dhe mënyra si ruhet ai.
Rektori Përzhita dhe trupa e proseforiatit u shpreh e gatshme për ta paraqitur idenë e saj për statusin dhe strategjinë mbi albanologjinë së afërmi, gjatë ditëve të albanologjisë që mbahet prej vitesh çdo dhjetor.

Takim i rektorit të ASA-s me Ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë

12 Tetor, 2021 Njoftime

Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, Prof. dr. Luan Përzhita, priti sot në takim ministren e Arsimit, Evis Kushi. Rektori rzhita e prezantoi ministren me Senatin e ri dalë nga zgjedhjet e 21 korrikut dhe bëri një sintezë të gjendjes aktuale tëkëtij institucioni të lartë të kërkimit shkencor nën varësinë e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.  

Në fokus të diskutimit ishin disa kërkesa që profesor Përzhita i parashtroi ministres.

Së pari, që ASA të ketë një status special si institucion kërkimor, i integruar me arsimin e lartë.

Së dyti, që ASA-s t’i kthehen hapësirat e godinës (gjysma e saj) që i janë marrë në vitin 2013 nga ish-Ministria e Integrimit, gjë për të cilën ASA (Qendra e Studimeve Albanologjike në atëkohë) pati bërë edhe një notë proteste.

Së treti, rritje e buxhetit për ruajtjen dhe restaurimin e qindra-mijë objekteve (filmime, regjistrime etj.), pasuri kombëtare nën administrimin e ASA-s.

Në fjalën e saj, ministrja Kushi garantoi rektorin Përzhita dhe Senatin e ri, se ministria që ajo drejton dhe qeveria që ajo përfaqëson nuk do të ndërmarrë asnjë iniciativë që cënon autonominë  e Akademisë së Studimeve Albanologjike, në bazëtë ligjit “Për Arsimin e Lartë” që garanton pikërisht autonominë e insitucioneve të kërkimit shkencor.  Ajo theksoi se kjo autonomi është e përligjur edhe në saje të produktit shkencor qëstafi kademik i ASA-s ka dëshmuar në këto 14 vite të ekzistencës së saj,  me botimet, konferencat ndërkombëtare, praktikën universitare, po edhe me atë pasuri të rrallë muzeale që vetë ministrja pa gjatë vizitës së sotme në Muzeun Arkeologjik dhe në fondet e nëndheshme ku ruhen në stadarde evropiane rreth 44 mijë objekte arkeologjike në gjendje për t’u ekspozuar.  

Pjesë e këtij diskutimi ishte edhe kërkesa që Akademia e Shkencave të Shqipërisë i ka dërguar Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Qeverisë për kthimin e instituteve të albanologjisë në varësi të Akademisë së Shkencave, çështje që është rihapur edhe në debatin publik. Për sa i takon kësaj kërkese, profesorë dhe studiues të pranishëm në takim, si Aurel Plasari, Afrim Krasniqi, Nebi Bardhoshi, Hamit Kaba, Valter Memisha etj., i bën me dije ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë se sa e rëndësishme është pavarësia  e ASA-s kështu siç është, sot e 14 vite, si e vetmja strukturë që ka për mision studimin shkencor të historisë, kulturës e trashëgimisë së kombit shqiptar.

“Jemi me ju në çdo vendim që do të ndërmarrim për statusin aktual dhe të ardhmen e këtij institucioni”, tha ministrja Kushi. Institucioni që ajo drejton pret propozimet konkrete nga ASA dhe bashkëpunimin e saj për kërkesat e parashtruara më lart dhe për ndryshimet që do duhet të bëhen në ligjin “Për Shkencën”.

Intervista e dhënë nga rektori i ASA-së për Report TV

4 Tetor, 2021 Njoftime
Intervista e rektorit të Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Luan Përzhita pas dekretimit të tij nga Presidenti, z. Ilir Meta. Më poshtë mund të ndiqni të plotë intervistën e prof. dr. Luan Përzhitës dhënë për Report TV.
 

Intervista e dhënë nga dr. Melsi Labi për Zërin e Amerikës

4 Tetor, 2021 Njoftime
Tre site të rëndësishme arkeologjike në Luginën e Drinos në Gjirokastër, Qyteti antik i Antigonesë, Teatri romak i Sofratikës dhe Kalaja e Palokastrës janë përfshirë nga gërmimet arkeologjike. Gjetje të reja po hedhin dritë për disa periudha historike duke e kthyer Luginën në një destinacion të rëndësishëm turistik.
Për më shumë ndiqni intervistën e dhënë për Zërin e Amerikës nga dr. Melsi Labi.
 

Vizita e rektorit dhe zëvendësrektorit në Shkup dhe Prishtinë

3 Tetor, 2021 Njoftime, QSA
Në datat 29 dhe 30 shtator, rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA), prof. dr. Luan Përzhita, dhe zëvendësrektori, prof. dr. Valter Memisha, ishin për një vizitë pune në Shkup, të ftuar nga drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës (AZGj), prof. dr. Ylber Sela, në kuadrin e “Ditës së shumësisë së gjuhëve” dhe të “Ditës ndërkombëtare të përkthimit”.
 
 
Prof. dr. Ylber Sela, i priti drejtuesit e ASA-s në një takim të posaçëm në mjediset e AZGj-së. Ai bëri një paraqitje të natyrës së institucionit që drejton dhe të punës së bërë për më shumë se 2 vjet e gjysmë që nga koha e formimit të tij, si dhe të synimeve e planet për të ardhmen. Ai i njohu kolegët dhe me pengesave që dalin gjatë procesit të zbatimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, sidomos në ligjërimin administrativ.
Në fjalën e tij, rektori Luan Përzhita e vlerësoi lart punën e Agjencisë dhe e njohu drejtuesin e saj dhe të pranishmit me profilin shkencor të Akademisë së Studimeve Albanologjike, me punën e arritjet e saj. Ai i mëshoi zgjerimit dhe thellimit të bashkëpunimit në rrafsh kombëtar të punës në të gjitha fushat identitare.
Në fund të takimit drejtori Ylber Sela u dhuroi prof. dr. Luan Përzhita dhe prof. dr. Valter Memisha “Urën e gurtë të Shkupit” (basoreliev në miniaturë), si simbol të qytetit të Shkupit.
 
 
Në vazhdim të vizitës, Rektori Luan Përzhita përshëndeti veprimtarinë shkencore për “Shumësinë e gjuhëve”. Ai vlerësoi punën e madhe të Agjencisë së Zbatimit të gjuhëve, lidhjen prej saj të marrëveshjeve të shumta me institucione e organizma kombëtare e ndërkombëtare, aktivitetet shkencore si dhe përpjekjet e vazhdueshme për zbatimin e ligjit për gjuhën shqipe e për ngritjen e prestigjit të saj si gjuhë e popullsisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Në fund të veprimtarisë nga prof. Ylber Sela dhe prof. Luan Përzhita u nënshkrua “Memorandumi i bashkëpunimit” midis ASA-s, Tiranë dhe AZGj-së, Shkup.
 
 
Në datën 30 shtator në kuadrin e “Ditës ndërkombëtare të përkthimit” zhvilloi punimet konferenca “Terminologjia dhe roli i saj për njohjen e gjuhës profesionale”, e organizuar nga Agjencia e Zbatimit të Gjuhëve, në bashkëpunim me Universitetin e Europës Juglindore, Shkup. Në këtë veprimtari përshëndeti prof. dr. Valter Memisha, i cili ndër të tjera, vlerësoi punën e Agjencisë për arritjet në përgatitjen e kualifikimet e përkthyesve, si theksoi se terminologjia në një mjedis dy-e shumëgjuhësh ka rol të pazëvendësueshëm për përkthimtarinë. Ai nënvizoi se termakrijimi në shqip, standardizimi i terminologjisë, njësimi i saj i vazhdueshëm në mbarë hapësirën kombëtare shqiptare është mision dhe nuk duhet të lejohet pakujdesi, amatorizëm e dilentatizëm.
 
 
Prof. Luan Përzhita dhe prof. Valter Memisha dhanë dhe intervista për televizionet në Shkup.
Në datën 30 shtator Rektorin dhe zëvendësrektorin e ASA-s i priti në një takim të veçantë pune dhe prof. dr. Skënder Asani, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, Shkup (ITShKSh). Ai i njohu të ftuarit me punën e madhe të bërë në të gjitha fushat që mbulon profili i institucionit (në kërkime, veprimtari e botime shkencore), me arritjet tashmë të vlerësuara, me përkushtimin e jashtëzakonshëm, me sakrificat në punë si dhe me objektivat për të ardhmen. Rektori Luan Përzhita vlerësoi punën ITShKSh-së dhe i mëshoi bashkëpunimit, i cili duhet të njohë një nivel të ri dhe më të organizuar në të tri hapësirat shtetërore, në Republikë e Shqipërisë, në Republikën e Kosovës dhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut, përmes shumëllojshmërisë së veprimtarive (sidomos të konferencave, projekteve të përbashkëta etj.) Në takim u diskutua dhe u dakordësua që së shpejti ndërmjet institucioneve të nënshkruhet “Memorandumi i bashkëpunimit”.
 
 
Në datën 1 tetor prof. Luan Përzhita dhe prof. Valter Memisha, patën një takim pune në mjediset e Institutit Albanologjik të Prishtinës, ku u pritën nga drejtori i këtij institucioni, prof. dr. Hysen Matoshi dhe drejtues të tjerë. Edhe në këtë takim u shkëmbyen përvoja pune dhe u vu theksi se ka ardhur koha që bashkëpunimi ndërinstitucional duhet të thellohet e të organizohet më mirë dhe ai të jetë më përfshirës dhe me objektiva më konkretë. U theksua që të zgjerohen veprimtaritë, botimet e përbashkëta, shkëmbimi i kuadrit shkencor etj. Në fund u vendos që së shpejti të shkruhet Memorandumi i bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.
 

Zgjidhet kryetari i Këshillit të Profesorëve të ASA-së

29 Shtator, 2021 Njoftime, QSA

Këshilli i Profesorëve të ASA, i krijuar me vendim Senati Nr. 08, datë 24.09.2021, në mbledhjen e tij të parë, datë 28.09.2021 zgjodhi me unanimitet kryetar të tij akademik prof.dr. Beqir Metën.

Nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit për Bashkëpunim dhe Zhvillim Aktivitetesh të Përbashkëta ndërmjet Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit

24 Shtator, 2021 Njoftime

Sot, më datë 24.09.2021, në mjediset e Akademisë së Studimeve Albanologjike, u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit për Bashkëpunim dhe Zhvillim Aktivitetesh të Përbashkëta ndërmjet Akademisë së Studimeve Albanologjike të përfaqësuar nga rektori prof. dr. Luan Përzhita dhe Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, e përfaqësuar nga drejtoresha, Alda Bardhyli.

Ky Memorandum Mirëkuptimi do të nxisëmarrëdhëniet midis palëve me qëllim zbatimin e projekteve të përbashkëta, të cilat synojnëpërkujtimin e ngjarjeve më të rëndësishme historike të popullit shqiptar, nxitjen e kulturës së leximit dhe të krijimtarisë, zgjerimin e audiencave letrare, promovimin e letrave shqipe brenda dhe jashtë vendit.

Ndër të tjera projektet që do të realizohen synojnë promovimin e librave të autorëve të ndryshëm në mjediset e Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, duke evokuar ngjarje dhe personalitete rëndësishme historike.

 

Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Luan Përzhita vizitoi ekipin e përbashkët shqiptaro-italian që po kryen gërmime arkeologjike në Amfiteatrin e Durrësit

24 Shtator, 2021 Njoftime

Më 22 shtator 2021, rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Luan Përzhita vizitoi ekipin e përbashkët shqiptaro-italian që po kryen gërmime arkeologjike në Amfiteatrin e Durrësit. Projekti drejtohet nga dr. Elvana Metalla studiuese pranë Institutit të Arkeologjisë dhe prof. Sonia Antonelli e Universitetit të Chietit-Pescara. Rezultatet e tij do të kenë një ndikim të rëndësishëm në zgjerimin e njohurive mbi periudhën arbërore të qytetit të Durrësit.

Takim i rektorit të ASA-së me rektorin e Universitetit “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës

23 Shtator, 2021 Njoftime

Në kuadër të intensifikimit të marrëdhënieve ndërinstitucionale, rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike prof. dr. Luan Përzhita pati një takim, më 21 shtator 2021, në ambientet e rektoratit, me rektorin e Universitetit “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës, prof. dr. Bektash Mema. Ata biseduan rreth avancimit në një nivel më të lartë të marrëdhënieve dypalëshe, në zbatim të marrëveshjes së bashkëpunimit, rreth mundësive të mësimdhënies së stafit akademik të ASA në ciklin e studimeve bachelor e master të universitetit, koordinimin e punës shkencore ndërmjet stafeve akademike të të dy institucioneve, si dhe u ra dakord për disa nga fushat e bashkëpunimit në të ardhmen dhe shkëmbimit të eksperiencave midis këtyre dy institucioneve.

Vendime të Bordit të Administrimit – 2019

20 Shtator, 2021 QSA

Vendime të Bordit të Administrimit – 2018

20 Shtator, 2021 QSA

Zhvillohet mbledhja e parë e Senatit të ri Akademik të Akademisë së Studimeve Albanologjike

15 Shtator, 2021 Njoftime

Në mbledhjen e parë të Senatit të ri Akademik të Akademisë së Studimeve Albanologjike të mbajtur më datë 14.09.2021, rektori, prof. dr. Luan Përzhita u uroi punë të mbarë të gjithë kolegëve të zgjedhur. Në këtë mbledhje u diskutua rreth sfidave për të cilat duhet punuar në të ardhmen si statusi i veçantë i institucionit, promovimi i botimeve të instituteve të ASA-së përtej trojeve shqip-folëse, lidhjes së marrëveshjeve të bashkëpunimit me qendrat më të rëndësishme albanologjike Evropiane, rikonstruksionin e fondeve dhe arkivave të ASA-së të cilat përmbajnë pasuri me vlerë kombëtare. Gjithashtu, në këtë mbledhje u zgjodh një zëri si zv. rektor i ASA-së prof. dr. Valter Memisha.

Ceremonia e emërimit të stafit të ri drejtues të Akademisë së Studimeve Albanologjike

15 Shtator, 2021 Njoftime
Më datë 14.09.2021, në ambientet e Muzeut Arkeologjik u zhvillua ceremonia e emërimit të stafit të ri drejtues të Akademisë së Studimeve Albanologjike, të dalë nga zgjedhjet e datës 21 korrik 2021. Në fjalën e mbajtur me këtë rast rektori i ASA-së, prof. dr. Luan Përzhita vlerësoi punën e bërë deri më tani dhe theksoi se do të punohet në drejtim të zgjerimit të aktivitetit studimor për ta renditur ASA-në si një ndër qendrat ekselente të kërkimit shkencor dhe të mësimdhënies, jo vetëm në rrafsh rajonal por edhe në atë Europian.
 
 
Rektori u dorëzoi në mënyrë ceremoniale dekanëve të instituteve të dalë nga zgjedhjet, e përkatësisht prof. asoc. dr. Nebi Bardhoshit (Dekan i Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit), prof. asoc. dr. Belisa Mukës (Dekane e Institutit të Arkeologjisë), prof. dr. Artur Lamës (Dekan i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë), prof. asoc. dr. Afrim Krasniqit (Dekan i Institutit të Historisë) vendimin e emërimit. 
 
 
Më pas, dekanët u dorëzuan vendimet e emërimit përgjegjësve të departamenteve si më poshtë vijon:
 
Për Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit:
Dr. Olsi Lelaj
Phd. Jonida Gashi
Phd. Mikaela Minga
 
Për Institutin e Arkeologjisë:
Phd. Rovena Kurti-Ruka
Prof. asoc. dr. Brikena Shkodra-Rrugia
Phd. Sabina Veseli
 
Për Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë:
Prof. dr. Valter Memisha
Prof. asoc. dr. Adelina Çerpja
Prof. asoc. dr. Evalda Paci
 
Për Institutin e Historisë:
Prof. asoc. dr. Edmond Malaj
Prof. asoc. dr. Ledia Dushku
Prof. asoc. dr. Sonila Boçi
 
 
Aktiviteti u përshëndet gjithashtu nga ish rektori i ASA-së, akademik prof. dr. Marenglen Verli.
 

Takimi i radhës mes Kryeministrit të Shqipërisë z. Edi Rama dhe rektorëve të universiteteve shqiptare

13 Shtator, 2021 Njoftime

Më datë 10 shtator 2021, u zhvillua takimi i radhës mes Kryeministrit të Shqipërisë z. Edi Rama dhe rektorëve të universiteteve shqiptare ku mori pjesë edhe rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike prof. dr. Luan Përzhita. Në këtë mbledhje u diskutua rreth bashkëveprimit të qeverisë shqiptare me Bordin e Ri të Akredimit e Rektorëve të Shqipërisë, në funksion të rritjes së cilësisë së arsimit të lartë, nxitjes dhe promovimit të zhvillimit shkencor.

Dekretohet rektori i ASA-së, prof. dr. Luan Përzhita

8 Shtator, 2021 Njoftime

Me anë të një ceremonie solemne, të organizuar në institucionin e Presidentit të Republikës, iu dorëzua sot dekreti i emërimit, në detyrën e lartë të Rektorit të Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Luan Përzhitës.

Gjatë fjalës së tij presidenti Meta u shpreh se është me tepër rëndësi, zhvillimi i mëtejshëm i shkencës së Albanologjisë, që ka patur një rol thelbësor dhe të jashtëzakonshëm në konsolidimin e kombit shqiptar, si dhe në lindjen dhe formimin e shtetit shqiptar. Mbështetja më thelbësore dhe me vizion, është jetike për forcimin e rrënjëve dhe identitetit tonë kombëtar.

Shpallet rezultati i zgjedhjeve në ASA

23 Korrik, 2021 Njoftime
Më datë 21.07.2021, në Akademinë e Studimeve Albanologjike u zhvilluan zgjedhjet për organet drejtuese. Pas përfundimit të procesit të votimit dhe të numërimit, prof. dr. Luan Përzhita u shpall fitues për postin e Rektorit të ASA-së.
Prof. asoc. dr. Nebi Bardhoshi për postin e Dekanit të Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, prof. asoc. dr. Belisa Muka për postin e Dekanit të Institutit të Arkeologjisë, prof. dr. Artur Lama u shpall fitues për postin e Dekanit të Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, prof. asoc. dr. Afrim Krasniqi për postin e Dekanit të Institutit të Historisë.
 
Fitues si anëtarë të Senatit Akademik të ASA-së u shpallën:
Prof. dr. Valter Memisha
Prof. dr. Hamit Kaba
Prof. asoc. dr. Brikena Shkodra-Rugia
Phd. Mikaela Minga
 
Drejtuesit e njësive bazë fitues, sipas instituteve janë:
 
Për Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit:
Dr. Olsi Lelaj
Phd. Jonida Gashi
Phd. Mikaela Minga
 
Për Institutin e Arkeologjisë:
Phd. Rovena Kurti-Ruka
Prof. asoc. dr. Brikena Shkodra-Rrugia
Phd. Sabina Veseli
 
Për Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë:
Prof. dr. Valter Memisha
Prof. asoc. dr. Adelina Çerpja
Prof. asoc. dr. Evalda Paci
 
Për Institutin e Historisë:
Prof. asoc. dr. Edmond Malaj
Prof. asoc. dr. Ledia Dushku
Prof. asoc. dr. Sonila Boçi
 
Ju urojmë suksese në punën e tyre.

Takimi i kryeministrit dhe ministrave të kabinetit të tij me rektorët e universiteteve publike

29 Qershor, 2021 Njoftime

Në datën 25 qershor 2021, në qytetin e Vlorës u organizua takimi i dytë i Komitetit të Përbashkët për Politikat e Arsimit të Lartë, me pjesëmarrjen e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, ministrat e kabinetit të tij dhe rektorët e universiteteve publike. Në këtë takim u trajtuan realizimet e detyrave të lëna në takimin e parë, si dhe u përcaktuan detyrat në vijim për afatin një mujor, deri në takimin e radhës. Takimi u zhvillua në një frymë bashkëpunimi shumë konstruktive.

Takimi i rektorit të ASA-së dhe drejtorit të Institutit të Historisë me titullarët e Arkivit Shtetëror të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Universitetit të Tetovës

29 Qershor, 2021 Njoftime

Në datat 22-24 qershor 2021, rektori i ASA-së, akademik prof. dr. Marenglen Verli i shoqëruar nga drejtori i Institutit të Historisë, akademik prof. dr. Beqir Meta zhvilluan në Republikën e Maqedonisë së Veriut (përkatësisht në Shkup dhe Tetovë), disa takime me titullarë të Arkivit Shtetëror të Maqedonisë së Veriut dhe Universitetit të Tetovës. Në bisedën me nëndrejtorin e arkivit, prof. dr. Myzafer Bislimin, u diskutua për projektet e përbashkëta dhe vijimin e  shkëmbimit të literaturës së botuar nga të dy institucionet, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar midis palëve. Po kështu, për projekte bashkëpunimi mbi bazën e marrëveshjes dypalëshe u diskutuan edhe me rektorin e Universitetit të Tetovës, prof. dr. Vullnet Ameti dhe zv. rektorin prof. dr. Reshat Qahiti.

Takime të tjera u zhvilluan me studiues të njohur shqiptarë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si prof. dr. Fahri Ramadani dhe prof. dr. Qerim Lita.

Në të gjitha këto takime u përcaktuan veprimtari konkrete dhe afate për realizimin e tyre.

Konferenca mbarëkombëtare me temë: “Dramaturgu Etëhem Haxhiademi në fokusin e trajtimeve letrare e gjuhësore”

28 Qershor, 2021 Njoftime
Më datën 25 qershor 2021, Departamenti i Studimeve Letrare i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë (Akademia e Studimeve Albanologjike), në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë organizoi konferencën mbarëkombëtare me temë qendrore “Dramaturgu Etëhem Haxhiademi në fokusin e trajtimeve letrare e gjuhësore”, mbajtur në sallën “Aleks Buda”, pranë Akademisë së Shkencave, Tiranë.
Konferenca u hap me fjalën përshëndetëse të mbajtur nga prof. dr. Valter Memisha, drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, në të cilën u nënvizua rëndësia e mbajtjes së kësaj konference shkencore me objektivin e nxjerrjes në dritë të një sërë kontributesh të dramaturgut, poetit dhe përkthyesit Etëhem Haxhiademi (1902-1965), veprat e të cilit u ekspozuan dhe në një variant ribotimi të përgatitur mjeshtërisht nga Botimet Poeteka.
 
 
Duke përshëndetur konferencën, prof. asoc. dr. Evalda Paci nënvizoi pjesëmarrjen e kolegëve nga të tre departamentet e Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, si dëshmi angazhimi ndaj një figure të rëndësishme për studimet albanologjike, por dhe atë të kolegëve nga disa universitete e qendra kërkimore-studimore, kontributet e të cilëve shënuan ndjeshëm mbarëvajtjen e kësaj konference.
Në seancën e parë të konferencës, të drejtuar nga prof. asoc. dr. Evalda Paci, prof. dr. Tomorr Plangarica, prof. dr. Laura Smaqi, u mbajtën kumtesa nga fusha themelore studimore që synonin të përafronin kontribute qenësore të E. Haxhiademit në disa aspekte.
 
 
Kumtoi akad. Shaban Sinani me temën “Faji” i të parilemit me sytë e Kainit në dy tragjedi të Haxhiademit”;
 
 
prof. dr. Laura Smaqi me temën “Haxhiademi dhe procesi letrar mes dy luftërave botërore”;
 
 
prof. dr. Tomorr Plangarica me temën “Prurjet teorike në shkencat e ligjërimit si mundësi për një qasje më shumë në leximin e vlerësimin e dramatikës së Haxhiademit”;
 
 
dr. Arian Leka me temën “Tipare dhe veçori të estetikës dhe stilistikës së Etëhem Haxhiademit, vëzhguar përmes
dëshmive të tij”;
 
 
prof. asoc. dr. Evalda Paci me temën “Profili kompleks i një shqipëruesi përmes një varianti të Bukolikeve të Vergilit (1932)”.
 
 
Në seancat vijuese të mbajtura në ambientet e Akademisë së Shkencave u mbajtën kumtesa me interes që sollën këndvështrime me interes mbi krijimtarinë dhe shkrimtarinë e E. Haxhiademit.
Në seancën e drejtuar nga prof. dr. Tomorr Plangarica, dr. Arian Leka, dr. Virion Graçi kumtuan:
 
 
prof. asoc. dr. Abdulla Rexhepi, me temën “Turku si koncept i Tjetrit në veprën e Etëhem Haxhiademit”;
 
 
dr. Virion Graçi, me temën “Figura e Gjergj Kastriotit Skënderbeut në përthyerjen e zhanreve letrare të ndryshme; shikim krahasues i veprave “Kështjella” (I. Kadare), “Skënderbeu” (S. Godo) dhe “Skënderbeu” (E. Haxhiademi)”; prof. asoc. dr. Emin Z. Emini me temën “Aspekte dramatologjike dhe semiotike të personazhit si subjekt i diskursit në dramaturgjinë e E. Haxhiademit”;
 
 
 
 
dr. Gëzim Puka me temën “Jehona e tragjedive të E. Haxhiademit në vështrimin e
kritikëve të kohës”; dr. Durim Çaça me temën “Semiociteti i shoqërisë së diskursit (tragjedia “Skënderbeu” në një vështrim semiolinguistik)”; dr. Blerina Harizaj me temën “Transfigurimi dhe risemantizimi i miteve biblike në tragjedinë e Abelit të Etëhem Haxhiademit”; dr. Irma Sokoli me temën “Figura femërore në tragjedinë e Etëhem Haxhiademit”.
Në seancën paralele të drejtuar nga prof. asoc. dr. Merita Bruci, prof. dr. Mimoza Priku; dr. Valbona Sinanaj, të mbajtur në sallën “Akademikët”,
 
kumtuan prof. asoc. dr. Merita Bruci me temën “Ethem Haxhiademi dhe Andon Zako Çajupi: dy fate botimi”;
 
 
prof. dr. Mimoza Priku me temën “Patosi komunikativ në tekstin poetik të E. Haxhiademit”;
 
 
dr. Valbona Sinanaj me temën “Theksi logjik dhe emocional në tragjedinë “Skënderbeu” të E. Haxhiademit”;
 
 
dr. Silvana Leka me temën “Etëhem Haxhiademi- çështje të rikonceptimit të termave brenda (neo)klasicizmit”; Neli Naço me temën “Etëhem Haxhiademi dhe poezia. Veçori të “ideografisë” dhe stilit të tij poetik”; Eriena Lamaj me temën “Dimensione të injoruara dhe vlera të anashkaluara të një krijuesi dhe të veprës së tij letrare – artistike”;
 
dr. Dea Temali-Karakaçi me temën “Stili gjuhësor në penën e Etëhem Haxhiademit”.
Në punimet e kësaj konference u synua të hidhej dritë mbi një personalitet të letrave shqipe si Haxhiademi (1902-1965) që në dekadat e para të shekullit të kaluar iu kushtua krijimtarisë në gjini të rëndësishme letrare, por dhe shqipërimeve të kryeveprave të letërsisë klasike.

Konferenca shkencore “DRAMATURGU-POET ETËHEM HAXHIADEMI NË FOKUSIN E TRAJTIMEVE LETRARE DHE GJUHËSORE”

22 Qershor, 2021 Njoftime
Ditën e premte, në datën 25 qershor 2021, Departamenti i Studimeve Letrare pranë Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, organizon konferencën shkencore mbarëkombëtare “DRAMATURGU-POET ETËHEM HAXHIADEMI NË FOKUSIN E TRAJTIMEVE LETRARE DHE GJUHËSORE”.
Konferenca do t’i zhvillojë punimet në sallën “Aleks Buda”, pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë duke filluar nga ora 9.30.
 
Programin e konferencës e gjeni këtu.
 
Ju mirëpresim!

Konferenca shkencore “Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë”

14 Qershor, 2021 Njoftime

Në datën 10 qershor 2021, Instituti i Historisë Ali Hadri-Prishtinë në bashkëpunim me Institutin e Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, Tiranë organizuan konferencën shkencore jubilare “Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë”.

Fjalë përshëndetëse u mbajtën nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës, znj.Arbërie Nagavci, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademik Mehmet Kraja, Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Skënder Gjinushi. Fjalën përshëndetëse në emër të Akademisë së Studimeve Albanologjike e mbajti rektori, akademik. prof. dr. Marenglen Verli.

Më tej studiuesit e Institutit të Historisë në ASA paraqitën kumtesat e mëposhtme:

Akad. prof. dr. Marenglen Verli paraqiti kumtesën me titull: “Refleksione për qëndrimin e shqiptarëve prej revoltës së dimrit të viteve 1944-1945 dhe demonstratave të viteve 1968-1981-1989 deri në luftën e Kosovës 1998-1999”.

Akad. prof. dr. Beqir Meta dhe dr. Hasan Bello paraqitën kumtesën me titull: “Shtypi amerikan mbi ngjarjet në Kosovë në vitin 1981”.

Prof. dr. Hamit Kaba paraqiti kumtesën me titull: “Konteksti ndërkombëtar i demonstratave të vitit 1981 në Kosovë”.

Dr. Artan Hoxha paraqiti kumtesën me titull: “Pasqyrimi i revoltave kosovare të vitit  1981 në shtypin komunist”.

Në datën 11 qershor pjesëmarrësit në konferencë kryen vizita në Kompleksin Memorial të Jasharajve në Prekaz dhe në kullat e Tahir Mehës dhe Ahmet Delisë ku janë zhvilluar luftime dhe është bërë qëndresë e jashtëzakonshme, përkatësisht në vitet 1981 dhe 1913.

Konferenca shkencore “Parlamentarizmi shqiptar ndër vite”

14 Qershor, 2021 Njoftime

Në datën 10 qershor 2021 në Prizren u organizua nga Universiteti i Prishtinës, Fakulteti Filozofik dhe Komuna e Prizrenit konferenca shkencore “Parlamentarizmi shqiptar ndër vite”.

Fjalët përshëndetëse u mbajtën nga z. Glauk Konjufca, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, profesor Mytaher Haskuka, Kryetar i Komunës së Prizrenit, profesor Ardian Gola, Kryetar i Komisionit për arsim të Kuvendit të Kosovës, profesor Elton Bahtiri, Prorektor për zhvillim dhe cilësi i Universitetit të Prishtinës, profesor Dashamir Bërxulli, Dekan i Fakultetit Filozofik. Studiuesit e Institutit të Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike paraqitën kumtesat e mëposhtme:

Akad. prof. dr. Beqir Meta paraqiti kumtesën me titull: “Parlamenti dhe shtetndërtimi në vitet 1920-1924”.

Akad. prof. dr. Marenglen Verli paraqiti kumtesën me titull: “Qëndrimet në Parlamentin Shqiptar për Çështjen e Kosovës 1920-1924”.

Prof. dr. Romeo Gurakuqi paraqiti kumtesën me titull: “Jeta parlamentare e Shqipërisë 1920-1923”.

Prof. dr. Afrim Krasniqi paraqiti kumtesën me titull: “Parlamentarizmi në tranzicion dhe mitet e përfaqësimit rasti i Shqipërisë pas 1990”.

Konferenca shkencore “Ramiz Abdyli, profesori dhe studiuesi model i historiografisë shqiptare”

14 Qershor, 2021 Njoftime

Në datën 10 qershor 2021, u organizua në Shkup (Republika e Maqedonisë së Veriut) nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve konferenca shkencore “Ramiz Abdyli, profesori dhe studiuesi model i historiografisë shqiptare”.

Në pamundësi për të marrë pjesë për shkak të angazhimeve në Prishtinë dhe në Prizren, akademik prof. dr. Marenglen Verli, prezantoi kumtesën e tij me titull “Ramiz Abdyli, profesori dhe miku i nderuar” në mënyrë online.

Në përfundim të konferencës u promovuan dhe dy veprat e reja të prof. Abdylit “ Shkupi në Lidhjen e Prizrenit 1878-1881” dhe “Veprimtaria e Klubit të Shkupit 1908-1912”.

Vizitë e Ambasadorit Austriak në ASA

4 Qershor, 2021 QSA

Sot, më datë 04.06.2021, në zyrën e rektorit të Akademisë së Studimeve Albanologjike, akademik prof. dr. Marenglen Verli u organizua një takim i përzemërt me Ambasadorin e Republikës Austriake në Tiranë,  z. Christian Steiner. Ambasadorit iu bë e njohur veprimtaria e instituteve të ASA-së, studimet dhe botimet e viteve të fundit si dhe projektet në vazhdim. Në bisedë u trajtuan edhe raportet e veçanta të Austrisë (dikur Austro-Hungarisë) me Shqipërinë në periudhën e Rilindjes dhe Pavarësisë Kombëtare. Duke falënderuar për pritjen, Ambasadori Steiner shprehu kënaqësinë për këtë takim, të cilin e vlerësoi të frytshëm, si dhe ofroi angazhimin e tij për organizimin e veprimtarive të përbashkëta midis studiuesve austriakë dhe atyre të ASA-së, që propozoi të fillojnë në muajin shtator të këtij viti.

Marrëveshje bashkëpunimi për realizimin e Atlasit Etnografik të Fshatit në Shqipëri e Kosovë

27 Maj, 2021 Njoftime

Sot, më datë 27.05.2021, në mjediset e Akademisë së Studimeve Albanologjike, u nënshkrua një “Marrëveshje për projekt të përbashkët kërkimor-shkencor”, midis Akademisë së Studimeve Albanologjike të përfaqësuar nga rektori akademik prof. dr. Marenglen Verli dhe Institutit Albanologjik-Prishtinë, i përfaqësuar nga drejtori, prof. dr. Hysen Matoshi.

Qëllimi i kësaj marrëveshje është përgatitja e Atlasit Etnografik të Fshatit në Shqipëri e Kosovë, i cili për Akademinë e Studimeve Albanologjike do të realizohet nga studiuesit e Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit (IAKSA) dhe për Institutin Albanologjik nga studiuesit e Degës së Etnologjisë dhe Degës së Folklorit. Marrëveshja mbështetet mbi bazën e memorandumit të bashkëpunimit me Nr. 183 Prot, datë 09.06.2018, që është nënshkruar midis dy institucioneve.

Mëngjes pune i rektorëve me Kryeministrin

26 Maj, 2021 Njoftime

Në datën 25 maj 2021, në Pallatin e Brigadave u organizua nga Kryeministri dhe një pjesë e kabinetit qeveritar, një mëngjes pune me rektorët e universiteteve publike. Ky takim pati në fokus përmirësimin e cilësisë së Arsimit të Lartë në vend dhe bashkërendimin e punëve për arritjen e këtij qëllimi.

Kryeministri, z. Edi Rama, vuri theksin në rëndësinë që i kushton qeveria sektorit të arsimit, e cila sipas tij do të konkretizohet jo vetëm me hapa legjislative dhe organizativë por edhe me një mbështetje më të mirë financiare. Rektorët shtruan problemet që duhen zgjidhur për arritjen e objektivit. Diskutimet trajtuan përparësitë për ndërmarrjen e veprimeve të menjëhershme dhe atyre perspektive. Takimi u finalizua me krijimin e Komitetit të Përbashkët për Politikat e Arsimit të Lartë, me pjesëmarrjen e rektorëve dhe përfaqësuesve të qeverisë, i cili do të mblidhet periodikisht një herë në muaj.

Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, akad. prof. dr. Marenglen Verli, trajtoi në këtë takim, punën që bëhet në ASA, arritjet e rëndësishme, problemet që duhen zgjidhur për të rritur produktivitetin, specifikat e institucionit, orientimin studimor të tij në krahasim me universitetet e tjera, që kanë përparësi mësimdhënien etj. Ndër të tjera ai theksoi vlerën e studimeve albanologjike edhe në aspektin e impaktit ekonomik në kuadër të strategjisë zhvillimore të vendit në fusha si turizmi kulturor elitar etj. Takimi zgjati tre orë dhe u zhvillua në një frymë mirëkuptimi të ndërsjellë.

Botimet më të fundit të ASA shkojnë te lexuesit

24 Maj, 2021 Njoftime

Në vijim të zbatimit të marrëveshjeve institucionale, në kuadër të shkëmbimit të produktit shkencor të realizuar gjatë vitit 2020 si botime, Akademia e Studimeve Albanologjike gjatë muajve prill-maj, pati kënaqësinë të dërgonte botimet e saj më të fundit drejt bibliotekave të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë pranë Universitetit të Tiranës, Universitetit “Aleksandër Xhuvani” (Elbasan), Universitetit “Luigj Gurakuqi” (Shkodër), Universitetit “Eqerem Çabej” (Gjirokastër), Universitetit “Ismail Qemali” (Vlorë), Muzeut Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” (Tiranë), Bibliotekës së Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë, Televizionit Shqiptar, bibliotekës së qytetit të Pogradecit dhe Bibliotekës Kombëtare (Tiranë).

Gjatë muajit qershor do të vijojë shpërndarja e këtyre botimeve për bibliotekat e Universitetit “Fan Noli” (Korçë), Universitetit “Aleksandër Moisiu” (Durrës), Fakultetit Filozofik të Universitetit “Hasan Prishtina” (Kosovë), Universitetit Shtetëror të Tetovës (Maqedoni e Veriut), Arkivit Shtetëror të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Institutit Albanologjik-Prishtinë (Kosovë), Institutit të Historisë “Ali Hadri”-Prishtinë (Kosovë),

Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët pranë Ministrisë së Diasporës, Autoritetit për Informim dhe Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, bibliotekës së Kryeministrisë së Republikës së Shqipërisë, bibliotekës së Presidencës së Republikës së Shqipërisë, bibliotekës së Ministrisë së Kulturës, bibliotekës së Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, bibliotekës së qytetit të Korçës,  etj.

Nënshkruhen kontratat e punë për hartimin e veprës “Fjalor i madh i gjuhës shqipe”

11 Maj, 2021 Njoftime
Ditën e hënë, dt. 10 maj 2021, në orën 11, në mjediset e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, u bë nënshkrimi zyrtar i kontratave të punës ndërmjet Akademisë së Shkencave si palë porositëse dhe anëtarëve të grupit që do të realizojnë hartimin e veprës “Fjalor i madh i gjuhës shqipe” me rreth 100 mijë njësi leksikore (90 mijë fjalë dhe 10 mijë njësi frazeologjike).
Ky është një projekt që drejtohet nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave e të Arteve të Kosovës, me Akademinë e Studimeve Albanologjike dhe me Institutin Albanologjik të Prishtinës.
 
 
Vepra do të jetë mbarëkombëtare se do të përfshijë lëndë nga të gjitha trevat shqipfolëse, por dhe grupi i punës për hartimin e saj përfshin hartues dhe bashkëpunëtorë jo vetëm në Republikën e Shqipërisë por edhe në Republikën e Kosovës, Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe leksikografë që punojnë apo jetojnë në Evropë apo në Amerikë.
 
Veprimtarinë paraqitëse e hapi kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi, i cili paraqiti vlerat e veprës, rolin që ajo do të luajë si dhe vlerësoi të gjithë forcat shkencore që u ofruan për hartimin e veprës.
Pastaj e mori fjalën akad. Jani Thomai, në emër të grupit të punës për realizimin e veprës, por edhe si kryeredaktor dhe si bashkëhartues i projektit.
 
 
Pas ceremonisë paraqitëse pjesëtarë të grupit të redaksisë të hartuesve, bashkëpunëtorëve etj., nënshkruan kontratën e cila nënkupton një punë 3-vjeçare dhe dorëzimin e veprës në dhjetor të vitit 2023.
 
 
 
Redaksia e hartimit të “Fjalorit të madh të gjuhës shqipe” përbëhet nga akad. Jani Thomai, prof. dr. Miço Samara, akad. Gjovalin Shkurtaj, prof. dr. Valter Memishaj, prof. dr. Shefkije Islamaj, prof.dr. Shezai Rrokaj, akad. Francesco Altimari.
Do të marrin pjesë si bashkëhartues leksikografët: prof. dr. Hajri Shehu, prof. dr. Thanas Feka, prof. dr. Artur Lamaj, prof. dr. Tomorr Plangarica, prof. dr. Anila Omari, prof. asoc. dr. Idriz Metani, prof. dr. Kristina Jorgaqi, prof. dr. Ali Jashari, prof. dr. emal Murati, prof. asoc. dr. Anila Kananaj, Adrian Vehbiu, dr. Gëzim Gurgaj, dr. Naim Berisha, akad. Bardh Rugova, të cilët do të bashkëpunojnë me të tjerë studiues nga institucionet e gjuhës shqipe në universitete në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi dhe me arbëreshët e Italisë.

Veprimtaria shkencore-jubilare “Skënder Anamali – një themelues i arkeologjisë shqiptare”

10 Maj, 2021 Njoftime
Në 100-vjetorin e lindjes së arkeologut Skënder Anamali, një prej katër bashkëthemeluesve të arkeologjisë shqiptare dhe iniciator i kërkimeve në fushën e arkeologjisë arbërore, nën kujdesin e komisionit të përhershëm të historisë dhe arkeologjisë pranë Akademisë së Shkencave u zhvillua veprimtaria shkencore-jubilare “Skënder Anamali – një themelues i arkeologjisë shqiptare”. Fjala e hapjes së kësaj veprimtarie shkencore u mbajt nga akad. Skënder Gjinushi i cili vlerësoi figurën e prof. Skënder Anamalit, si një ndër themeluesit e Arkeologjisë Shqiptare.
Prof. dr. Neritan Ceka në fjalën e tij theksoi vlerat e spikatura shkencore dhe pedagogjike të prof. Anamalit.
Në këtë veprimtari morën pjesë gjithashtu edhe studiues të Akademisë së Studimeve Albanologjike të cilët u paraqitën me kumtesat si më poshtë:
Prof. dr. Luan Përzhita u paraqit me kumtesën “Skënder Anamali si iniciator i kërkimeve në fushën e arkeologjisë arbërore”, i cili gjatë fjalës së tij theksoi se historia e kërkimeve arkeologjike moderne për mesjetën e hershme shqiptare filloi, u rrit dhe u zhvillua për afro gjysmë shekulli nëpërmjet punës së palodhur të prof. Skënder Anamalit dhe arkeologëve të tjerë.
Ishin vitet 1960 kur arkeologjia shqiptare e drejtoi vëmendjen nga kultura e antikitetit të vonë dhe mesjetës së hershme shqiptare. Ky orientim i ri i kërkimeve shumë i rëndësishëm për arkeologjinë e historinë e periudhës së mesjetës së hershme, iu ngarkua prof. Skënder Anamalit.
 
 
Prof. dr. Gëzim Hoxha u paraqit me kumtesën “Arkeologjia e periudhës romake në Shqipëri; kontribut i prof. Skënder Anamalit”, i cili ndër të tjera theksoi se prof. Anamali ka sintetizuar gjithë përvojën e tij mbi periudhën romake në territorin e Shqipërisë.
Mjeshtëria e tij profesionale nuk qëndron vetëm në studimet dhe zbulimet e sakta, por edhe në shtrimin e problemeve të reja, që mbesin një potencial për kërkime të reja.
 

Bashkëpunimi i Akademisë së Studimeve Albanologjike në një projekt të ri të Akademisë së Shkencave

6 Maj, 2021 Njoftime
Në datën 4 maj 2021 në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u nënshkruan kontratat për relaizimin e “Historisë së Shqiptarëve” në 2 vëllime.
Në përshëndetjen e rastit kyetari i ASH, akademik prof. dr. Skënder Gjinushi, theksoi se ky projekt realizohet krahas dy projekteve të tjerë madhorë, “Enciklopedisë Shqiptare” në 10 vëllime dhe “Fjalorit të madh të Gjuhës Shqipe”. Në vijim të fjalës së tij, ai theksoi se për veprën sintezë “Historia e Shqiptarëve” do të angazhohen studiuesit më me përvojë nga qendrat kërkimore-shkencore brenda e jashtë vendit. Më tej, projektin e vlerësuan akademik prof. dr. Pëllumb Xhufi dhe prof. dr. Neritan Ceka, drejtues të këtij projekti.
 
 
Akademik prof. dr. Marenglen Verli, rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike në fjalën e tij vlerësoi këtë projekt që do të prezantojë në formë konçize arritjet e derisotme të historiografisë shqiptare, duke realizuar një botim cilësor, që i përkthyer do të shërbejë edhe për informimin e publikut të huaj. Ai theksoi se në vijim të punës dhe botimeve të mëparshme të arkeologëve, historianëve dhe studiuesve të tjerë të shumtë nga të gjitha viset shqiptare, të cilët e shtrinë punën studimore e botuese për historinë shqiptare nga antikiteti deri në ditët tona, jo vetëm në Shqipëri, Kosovë e viset e tjera shqiptare në Ballkanin Perëndimor, por edhe në diasporë (Historia e popullit shqiptar, vëllimi I, II, III, IV,V, Tiranë, 2002-2009; Historia e shqiptarëve në shekullin XX, vëllimet I-V, Tiranë, 2017-2021; Fjalori Enciklopedik Shqiptar, vëllimi I, II, III, Tiranë, 2008-2009). Projekti i ri do të jetë një hap më tej në paraqitjen e historisë sonë mbi një bazë më të pasur faktologjike dhe interpretative.
 
 
Ndër 16 studdiuesit e angazhuar në këtë projekt, 12 kanë qenë ose janë punonjës të instituteve albanologjike dhe 7 ndër ta vijojnë aktualisht punën në Institutin e Historisë dhe në Institutin e Arkeologjisë të ASA-së.
 

Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunmit midis ASA-së dhe Arkivit Shtetëror të Republikës së Maqedonisë së Veriut

29 Prill, 2021 Njoftime

Akademia e Studimeve Albanologjike, e përfaqësuar nga rektori akademik prof. dr. Marenglen Verli dhe Arkivi Shtetëror i Republikës së Maqedonisë së Veriut, i përfaqësuar nga drejtori, z. Emil Krsteski, nënshkruan këto ditë një “Memorandum bashkëpunimi”.

Qëllimi i memorandumit është zgjerimi i bashkëpunimit të ndërsjellë të palëve nënshkruese në fushat e aktivitetit shkencor, gjurmues dhe botues, veçanërisht të dokumentacionit arkivor që disponojnë të dy palët. Bashkëpunimi midis palëve fillon menjëherë me shkëmbimin e botimeve dokumentare, për pasurimin e bibliotekave respektive dhe do të zhvillohet më tej në përputhje me dakordimet e parashikuara në Memorandum.

Ky bashkëpunim është në rrugën e bashkëpunimit të shtuar midis dy vendeve gjatë viteve të fundit, në fushat e arsimit, shkencës e kulturës, dhe pritet të çojë më tej arritjet e deritanishme.

Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit midis ASA-së dhe AIDSSH

29 Prill, 2021 Njoftime

Në mjediset e Akademisë së Studimeve Albanologjike, u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit midis këtij institucioni, të përfaqësuar nga rektori, akademik  prof. dr. Marenglen Verli dhe Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, i përfaqësuar nga znj. Gentiana Sula, Kryetare e këtij institucioni.

Objekt i marrëveshjes është institucionalizimi i marrëdhënieve për aplikimin e procedurave që thjeshtojnë bashkëpunimin e ndërsjellë të palëve, në kuadër të mbështetjes së kërkimit shkencor gjatë rishqyrtimit historik të periudhës së regjimit komunist dhe veçanërisht aktivitetit të ish-Sigurimit të Shtetit. Marrëveshja ndër të tjera garanton mundësinë për shqyrtimin e dokumenteve, dorëzimin e dublikatave të dokumenteve dhe veprimtaritë e publikimit të rezultateve shkencore.

“Marrëveshja konsolidon bashkëpunimin e instituteve të ASA me AIDSSH, duke çuar më tej studimet historike, shoqërore, kulturore, etj., të periudhës 1944-1991, deri në trajtim enciklopedik të fenomeneve, ngjarjeve dhe individëve të kohës.

Titullarët e dy institucioneve u shprehën se, “marrëveshja nxit dhe mbështet realizimin e projekteve të përbashkëta kërkimore dhe të edukimit qytetar për demokraci, gjithashtu edhe të veprimtarive të tjera shkencore (konferenca, seminare, tryeza, studime, botime, intervista e dokumentarë në fusha me interes të dyanshëm), duke ndihmuar njohjen realiste ndërdisiplinore të një periudhe të rëndësishme historike”.

 

Prof. dr. Adem Bungurit i jepet titulli “Mjeshtër i Madh”

26 Prill, 2021 Njoftime

Më datë 23.04.2021, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, SHTZ. Ilir Meta, i akordoi prof. dr. Adem Bungurit, titullin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të spikatur, si historian e studiues aktiv në shkencën e arkeologjisë shqiptare. I dalluar për studimet kërkimore, botimet e punën hulumtuese në qendrat prehistorike të Shqipërisë, Kosovës, veçanërisht trevës së Dibrës. Zbulimet dhe botimet e tij hedhin dritë mbi të vërtetat arkeologjike dhe parahistorike të gjenezës sonë”.

Në ceremoninë e shpërndarjes së titujve ishin të pranishëm shumë figura publike dibrane të migracionit të hershëm të viteve 1912-1921 dhe atij të pas viteve ’90.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, prof. dr. Adem Bunguri, shprehu mirënjohjen për vlerësimin që iu bë. Ai falenderoi gjithashtu Kryesinë e Bashkësisë Dibrane dhe Këshillin e të Urtëve të Bashkësisë Dibrane, që bënë propozimin për dekorim pranë Presidencës.

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL