Akademia e Studimeve Albanologjike dhe Universiteti i Tiranës nënshkruan sot Marrëveshjen e bashkëpunimit me interes të përbashkët. Duke patur parasysh objektin e veprimtarisë të dy institucioneve dhe duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e arsimit të lartë, hulumtimit, kërkimit dhe studimeve me interes kombëtar, kjo marrëveshje nxit forcimin dhe zhvillimin e bashkëpunimit për të ndihmuar në ruajtjen e gjuhës shqipe, historisë, kulturës dhe traditave kombëtare. Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. dr. Artan Hoxha dhe rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, Prof. dr. Luan Përzhita, shprehën vullnetin dhe vendosmërinë për të bashkëpunuar dhe kontribuar në realizimin e kësaj Marrëveshjeje për të përmbushur angazhimet në kuadër të Ligjit të Arsimit të Lartë dhe kërkimit shkencor dhe Kodit të Cilësisë në Republikën e Shqipërisë.
Palët ranë dakord që të harmonizojnë bashkëpunimin institucional bazuar në Ligjin nr. 80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë”, Statutin, Rregulloren e Universitetit të Tiranës, Statutin dhe Rregulloren e Akademisë së Studimeve Albanologjike, strategjitë e zhvillimit të institucioneve respektive, strategjitë kombëtare të zhvillimin e arsimit, shkencës në vendin tonë, si dhe në aktet nënligjore në fuqi në fushën e arsimit të lartë.
Bashkëpunimi do të mbështetet mbi bazën e parimeve demokratike dhe në pajtim me autonominë universitare dhe lirinë akademike të të dy palëve.
Akademia e Studimeve Albanologjike dhe Universiteti i Tiranës do të marrin në shqyrtim nevojat e vendit dhe ato të përbashkëta me qëllim për të përfituar nga zhvillimi dhe shkëmbimi mësimor e shkencor, aktivitetet trajnuese/ edukuese të personelit akademik dhe nga projektet e përbashkëta të zhvillimit, studimeve në fushën e gjuhësisë e letërsisë, albanologjisë, arkeologjisë, antropologjisë etj.
Palët bien dakord të rrisin bashkëpunimin në këto drejtime kryesore:
1. Bashkëpunim në fushat e kërkimit shkencor në përputhje me fushën e veprimtarisë që aktualisht zhvillojnë institucionet.
2. Bashkërendimin e politikave të hulumtimeve, kërkimeve, studimeve mbështetëse, në fusha të reja të zhvillimit si shkencat albanologjike, gjuhësia, letërsia, historia, antropologjia, arkeologjia etj.
3. Koordinim për hartimin, miratimin dhe ofrimin e programeve të përbashkëta të studimit.
4. Zhvillimin e programeve të përbashkëta të nivelit master apo doktoraturë, projekte dhe studime në fushat respektive.
5. Shkëmbim të personelit akademik për veprimtaritë akademike, kërkimore-shkencore, praktikave profesionale, dhe trajnimeve të përbashkëta.
6. Mobilitetin e personelit akademik, kërkuesve dhe të studentëve në kuadrin e veprimtarive kërkimore shkencore në shkencat albanologjike.
7. Hartimin dhe mbështetjen reciproke, realizimin e projekteve të përbashkëta kërkimore dhe formuese, në fushat e sipërcituara.
8. Nxitjen, mbështetjen dhe realizimin e veprimtarive të tjera shkencore (konferenca, seminare e publikimeve) në fusha me interes të dyanshëm.
9. Vënien në dispozicion të infrastrukturës respektive, në funksion të veprimtarive akademike e shkencore, shkëmbimin e literaturës shkencore që palët disponojnë, aksesi në arkivë, bibliotekë, laboratorë etj.
10. Shkëmbimin e përvojës lidhur me menaxhimin institucional dhe aspekte të tjera të karakterit administrativ.