Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. dr. Luan Përzhita priti sot në një takim pune Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Shqipëri, Sh.T. Skënder Durmishi, në prani të zv/rektorit të ASA-s, prof. dr. Valter Memisha.
Rektori Përzhita e informoi në detaje zotin Ambasador të Kosovës për përmbajtjen e marrëveshjes së fundit që u nënshkrua më 13 prill, mes ASA-s dhe Universitetit të Prishtinës për bashkëpunim në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor dhe për të krijuar një strategji mbi transmetimin e dijes tek brezat e rinj, në fushat e albanologjisë, me qëllim përditësimin dhe pasurimin me teza të reja të dijes albanologjike.
“Jemi në një situatë krejt të re”, tha rektori Përzhita. “Gjetëm mbështetje te drejtuesit e rinj të Universitetit të Prishtinës, personalisht te rektori, prof. dr. Qerim Qerimi dhe ramë dakord që në bazë të marrëveshjes, hapi i parë të jetë ngritja e një grupi të përbashkët pune për hartimin e projekteve strategjike në fushën e albanologjisë. Po ashtu, kryeministri i Kosovës, z.Albin Kurti e përshëndeti këtë marrëveshje, e cila i hap rrugën më pas ndërtimit të programeve të përbashkëta në studimet Master dhe Doktoraturë në fushën e albanologjisë – arkeologji, antropologji social-kulturore, histori e gjuhësi. Është me rëndësi kjo pikë e dytë e marrëveshjes, sepse shkenca i takon studentit. Nuk mund të ketë shkencë për shkencë. Akademia jonë ka rreth 100 punonjës shkencorë, kontributi i të cilëve shtrihet edhe në mësimdhënie. Me hapjen e programeve të reja të edukimit, krijohen mundësi të shkëlqyera edhe për studentët nga Universiteti i Prishtinës dhe ai i Tetovës që të plotësojnë gjithë boshllëqet e krijuara në dekada nga mungesa e edukimit në këto fusha. Aktualisht ka shumë pak profesorë nga Prishtina që japin mësim në Tiranë. Ne do donim që Akademia e Studimeve Albanologjike, në një periudhë afatshkurtër dhe nën një perspektivë afatgjatë, të ishte shtëpia jonë e përbashkët e albanologjisë.”
Zoti Ambasador i Kosovës i shprehu mirënjohjen rektorit Përzhita për interesimin që Akademia e Studimeve Albanologike ka treguar prej kohësh me kërkime në terren në Kosovë, e së fundmi me bashkëpunimet me institucionet e Kosovës, që këto bashkëpunime të mos mbeten sporadike. “Ju përgëzoj për punën që keni bërë dhe bëni, e lidhur kjo me ADN tonë kombëtare”, tha z. Durmishi. “Si Ambasadë, ju shpreh gatishmërinë për të marrë përsipër një rol koordinues teknik për t’i çuar përpara projektet e përbashkëta. Na llogaritni si partner. Puna juaj na nderon, është investim për dinjitetin tonë.”
Palët u shprehën se në këtë proces do duhet koordinimi mes ministrive të Arsimit të vendeve tona, si shprehje e vullnetit politik për ta çuar përpara projektin për programet Master dhe Doktoraturë.
Rektori Përzhita i dhuroi zotit Ambasador një kolanë veprash studimore, botime të ASA-s dhe më pas, bënë një vizitë nën guidën e cicerones në Muzeun Arkeologjik dhe në fondet e Institutit të Arkeologjisë në mjediset e brendshme të ASA-s.