BIBLIOTEKA
SHKENCORE
ALBANOLOGJIKE

Biblioteka Shkencore Albanologjike është biblioteka më e madhe e Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe një ndër bibliotekat më të rëndësishme shkencore në nivel kombëtar.

Fillesat e saj lidhen me një fond bibliotekar të trashëguar nga Instituti i Shkencave (1948-1957), ky i fundit riorganizuar mbi institucionin e parë kërkimor shkencor shqiptar, Institutin e Studimeve (1946-1948).

Themelimi i Akademisë së Shkencave, në vitin 1972, solli edhe emërtimin e bibliotekës shkencore në “Bibliotekë e Institutit të Historisë dhe të Gjuhë-Letërsisë”.

Që prej krijimit të saj e deri në vitin 2008, pasurimi i kësaj biblioteke është kryer nga Biblioteka e Akademisë së Shkencave, përmes blerjeve të reja, librave të dhuruar dhe shkëmbimeve midis institucioneve. Pas vitit 2008, me krijimin e Qendrës së Studimeve Albanologjike (sot Akademia e Studimeve Albanologjike), Biblioteka Shkencore Albanologjike kaloi në varësi të QSA-së dhe është pasuruar kryesisht përmes dhurimeve. Në vitin 2013, fondit të saj iu shtua edhe fondi bibliotekar i Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, duke e pasuruar me rreth 10.000 tituj të tjerë.

KOLEKSIONET

Sot, në librat e inventarit të BSHA-së,  janë të regjistruar mbi 64.000 vëllime dhe rreth 10.000 koleksione, të cilat përbëhen nga libra e periodikë të fushës albanologjike, në shqip dhe në gjuhë të huaja.

Në BSHA ekziston edhe një fond i veçantë me antikuarë, që i përkasin shek. XV – XIX. Ndër ta përmendim libra origjinalë të autorëve si: Marin Barleti, Pjetër Bogdani, Pjetër Budi, Jeronim de Rada, Dora d’Istria, Jakob Philipp Fallmerayer, Naim e Sami Frashëri, Johann Georg von Hahn, Kostandin Kristoforidhi etj.

Ndër koleksionet, me vlerë të veçantë, janë botimet e periudhës së paraçlirimit si:

Gazetat: “Illyria”, “Gazeta e Korçës”, “Java”, “Koha e Re”, “Kosova”, “Kombi”, “Bashkimi”, “Arbëria”, “Besa”, “Dielli”, “Drita”, “Liri e Shqipërisë, “Liria”, “Shqiptari i Amerikës”, “Tomorri” etj.

Revistat: “Hylli i Dritës”, “Leka”, “Minerva”, “Bisedimet e Kuvendit – Parlamenti Shqiptar”, “Përpjekja shqiptare”, “Përparimi”, “Ylli i Mëngjesit”, “Shkëndija”, “Afrimi”, “Agimi”, “Albania”, “Cirka”, “Bota e re” etj.

“Fletorja Zyrtare” – koleksioni i plotë i viteve 1926-1946.

SHËRBIMET

Në këtë bibliotekë punojnë rregullisht të gjithë studiuesit e Akademisë së Studimeve Albanologjike, studiues nga jashtë institucionit, shqiptarë e të huaj, studentë në proces masteri e doktorature të rekomanduar nga profesorët udhëheqës etj.

Biblioteka ofron shërbim cilësor, konform legjislacionit në fuqi, përsa i përket konsultimit të materialeve shkencore në fushën e albanologjisë, profilizuar në shkencat: histori, gjuhë-letërsi, antropologji kulturore dhe studim arti.

Në ndihmë të lexuesve kemi një aparat të gjerë informativ (skedarë) të përgjithshëm dhe specifikë. Në këta skedarë pasqyrohet i gjithë fondi i Bibliotekës, përfshirë artikuj të veçantë nga revistat dhe gazetat.

Për të përsosur më tej shërbimin ndaj lexuesve, po ndiqet me përparësi procesi i digjitalizimit.

kontakt

Instituti i Antropologjisë Kulturore
dhe Studimit të Artit

Rr. "Naim Frashëri" Nr. 1
Tiranë

Akademia e Studimeve Albanologjike

Selia Qendrore

Sheshi "Nënë Tereza", Nr. 3
Tiranë

Tel: +355 42 240 713
Email: info@asa.edu.al

Qendra e Enciklopedisë Shqiptare

Sheshi "Fan Noli", Nr. 7
Tiranë