Në kuadër të 110-vjetorit të Pavarësisë, Instituti i Historisë në ASA organizoi sot konferencën shkencore “Rruga e shqiptarëve drejt pavarësisë dhe sfidat e procesit të shtetndërtimit”. Referues ishin studiues të njohur nga Tirana dhe Prishtina (Gazmend Shpuza, Marenglen Verli, Ledia Dushku, Erjon Papagjoni, Hasan Bello, Skënder Lutfiu, Haxhi Ademi, Sali Kadria, Çlirim Duro, Beqir Meta, Romeo Gurakuqi, Sonila Boçi, Ana Lalaj, Afrim Krasniqi, Ibrahim Gashi, Arbër Hadri, etj).
Referimet dhe diskutimet sollën këndvështrime e teza të reja, të bazuara në dokumentacion të ri arkivor, si dhe qasje të reja studimore mbi periudhat më të rëndësishme të historisë së shtetit shqiptar, në prag të Pavarësisë deri në ditët e sotme.
Konferenca u përshëndet nga rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike Prof. dr. Luan Përzhita, i cili vlerësoi kontributet shkencore të Institutit. Konferenca u ndoq edhe nga studentë të Universitetit New York në Tiranë.
Ligjëratat do të botohen në një vëllim të posaçëm, i programuar të dalë në qarkullim së shpejti.
Më 9 nëntor 1921 u vendosën marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, më 1922 dy vendet hapën legatat dhe emëruan përfaqësuesit diplomatikë, ndaj edhe viti 2022 është programuar si vit i kalendarit të 100 vjetorit. Në kuadër të 100 vjetorit, Instituti i Historisë në ASA organizoi konferencën shkencore “Marrëdhëniet shqiptaro-britanike gjatë shekullit XX” me kontributet shkencore të studiuesve të njohur shqiptarë e britanikë Roderick Bailey dhe Robert Austin, Afrim Krasniqi dhe Valentina Duka, Beqir Meta dhe Hamit Kaba, Sonila Boci dhe Romeo Gurakuqi, Albana Mema dhe Sali Kadria, Enriketa Papa-Pandelejmoni dhe Eva Hyskaj, Gentiana Kera dhe Gjon Boriçi. Pjesëmarrës në diskutim ishin një auditor i gjerë me studiues të historisë, politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, personalitete publike, si dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme partnere me Institutin e Historisë.
Konferenca trajtoi ngjarjet më të rëndësishme në historinë 100 vjeçare të marrëdhënieve, rolin e Britanisë së Madhe gjatë fazës së krijimit të shtetit, njohjes ndërkombëtare dhe shtetformimin, rolin e misioneve britanike në LIIB, raportet shtetërore dhe politike përgjatë shekullit deri në rivendosjen e marrëdhënieve dhe fazën e tranzicionit post ’90, raportet ekonomike dhe pikëtakimet kulturore dhe sociale, etj. Debati mbi bilancin dhe zhvillimet, mbi të vërtetat dhe mitet, mbi tezat dhe gjetjet e reja dokumentare, etj, jo vetëm solli këndvështrime të reja historike, por edhe reflektime që kanë vlerë referuese edhe për të sotmen dhe të ardhmen. Konferenca shënon rastin e parë të një organizimi shkencor mbi këtë tematikë dhe kontributet do të jenë pjesë e një botimi shkencor në gjuhët shqip dhe anglisht.
Punimet e konferencës u përshëndetën nga ambasadori britanik në Tiranë Alastair King-Smith, i cili midis të tjerash evidentoi raportet miqësore historike dhe të bashkëpunimit, rëndësinë e studimeve dhe dialogut mbi to. Po ashtu konferenca u përshëndet nga zv/ministrja e arsimit dhe sportit znj. Nina Guga, e cila theksoi sidomos çështjet e bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe të shkencës.
Instituti i Historisë (Akademia e Studimeve Albanologjike) organizon konferencën ndërkombëtare “Marrëdhëniet shqiptaro-britanike gjatë shek.XX”, ditën e mërkurë, 9 nëntor 2022, salla “Antigonea 2”, Hotel “Rogner”, Tiranë, ora 09:30 – 14:00. Me pjesëmarrjen e studiuesve të Institutit të Historisë, Universitetit të Tiranës dhe të historianëve nga Britania e Madhe, njohës të kësaj periudhe.
Programin e plotë dhe temat e diskutimit i gjeni bashkëngjitur.
Historianët Afrim Krasniqi, Beqir Meta, Marenglen Verli, Ledia Dushku dhe Hamit Kaba morën pjesë sot në aktivitetin solemn të organizuar nga Instituti i Historisë në Prishtinë, me rastin e 55 vjetorit. Mesazhi nga Tirana? Dy institutet kanë bashkëpunim të shumëfishtë, aktiv dhe produktiv që ka sjellë si rezultat disa vëllime mbi Historinë e Shqipërisë dhe Historinë e Kosovës, duke u konfirmuar si institucione lider në studimet historike në hapësirën shqiptare.
Sfidat e reja? Është koha e refuzimit të ndërhyrjeve / diktimeve politike të çdo forme në histori, në analizën e fakteve / ngjarjeve historike dhe procesin e rishkrimit e pasurimit të saj; koha për institucione solide e profesionale sipas modeleve më të mira të instituteve të historisë; koha për një stad të ri të studimeve, me synimin që studimet historike të jenë të referueshme dhe të aksesueshme për studiuesit dhe publikun e huaj; koha që të ndryshojë qasja dhe metodologjia e bashkë me to edhe nevoja e debatit mbi botimet dhe tezat historike; koha për një rrjet të studiuesve të historisë në hapësirën shqiptare dhe sidomos në botë; koha për trajtimin e shkencës historike si prioritet nga institucionet vendimmarrese shtetërore; koha për të investuar edhe në përgatitjen e studiuesve në gjuhët e rralla/vjetra, si dhe koha për lidhje më reflektive midis librit historik dhe brezave të rinj, sidomos universiteteve në hapësirat e interesuara.
Falënderime për drejtuesen aktuale, Prof. Teuta Shala, për ftesën dhe vlerësimin e mirënjohjes dhënë Institutit të Historisë – IH / Albanian Institute of History.
Urimet më të mira të gjithë kolegëve të Institutit të Historisë “Ali Hadri”!
Në kuadër të ”Netët e Muzeut”, organizuar nga Muzeu i Bankës së Shqipërisë Dr. Gjon Boriçi, studiues i Institutit të Historisë pranë (ASA), Departamenti i Historisë Bashkëkohore prezantoi temën “Marrëdhëniet ekonomike Shqipëri – Kinё, kreditë e akorduara për Shqipërinë nga vendi gjigant aziatik, si dhe perspektiva e këtyre marrëdhënieve”.
Leksioni përfshinte veprimet lidhur me ndihmat ekonomike dhe kreditë që iu akorduan Shqipërisë në harkun kohor prej 24 vitesh (1954-1978), nga Republika Popullore e Kinës, të cilat, sikurse u përmend, kanë qenë jetike për mbajtjen gjallë tё regjimit komunist në Shqipëri.
Në këtë leksion, pjesëmarrësit u njohën me dokumente të mbështetura kryesisht në burime primare autentike arkivore, shqiptare dhe britanike, shumica e të cilave u prezantuan për herё tё parё, si dhe me fakte të sjella nga literatura kombëtare e ndërkombëtare, tё cilat sollën të dhëna interesante për periudhën të cilës i referohej ky leksion. Prezantimi i këtyre marrëdhënieve u konsiderua i rёndёsishёm për tё kuptuar nëse kanë akoma ndikim, në ditët e sotme, kreditë e dhëna për Shqipërinë gjatë periudhës në fjalë.