Historianët Afrim Krasniqi, Beqir Meta, Marenglen Verli, Ledia Dushku dhe Hamit Kaba morën pjesë sot në aktivitetin solemn të organizuar nga Instituti i Historisë në Prishtinë, me rastin e 55 vjetorit. Mesazhi nga Tirana? Dy institutet kanë bashkëpunim të shumëfishtë, aktiv dhe produktiv që ka sjellë si rezultat disa vëllime mbi Historinë e Shqipërisë dhe Historinë e Kosovës, duke u konfirmuar si institucione lider në studimet historike në hapësirën shqiptare.
Sfidat e reja? Është koha e refuzimit të ndërhyrjeve / diktimeve politike të çdo forme në histori, në analizën e fakteve / ngjarjeve historike dhe procesin e rishkrimit e pasurimit të saj; koha për institucione solide e profesionale sipas modeleve më të mira të instituteve të historisë; koha për një stad të ri të studimeve, me synimin që studimet historike të jenë të referueshme dhe të aksesueshme për studiuesit dhe publikun e huaj; koha që të ndryshojë qasja dhe metodologjia e bashkë me to edhe nevoja e debatit mbi botimet dhe tezat historike; koha për një rrjet të studiuesve të historisë në hapësirën shqiptare dhe sidomos në botë; koha për trajtimin e shkencës historike si prioritet nga institucionet vendimmarrese shtetërore; koha për të investuar edhe në përgatitjen e studiuesve në gjuhët e rralla/vjetra, si dhe koha për lidhje më reflektive midis librit historik dhe brezave të rinj, sidomos universiteteve në hapësirat e interesuara.
Falënderime për drejtuesen aktuale, Prof. Teuta Shala, për ftesën dhe vlerësimin e mirënjohjes dhënë Institutit të Historisë – IH / Albanian Institute of History.
Urimet më të mira të gjithë kolegëve të Institutit të Historisë “Ali Hadri”!