Thirrje për pjesmarrje në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare: “Roli i grave në jetësimin e shtetit të Kosovës (Aspekte sociale, kulturore, politike nga 1980 dhe deri në ditët e sotme)”

17 Janar, 2023 Njoftime
Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, në bashkëpunim me Institutin e Historisë në Tiranë, organizon Konferencën Shkencore Ndërkombëtare: “Roli i grave në jetësimin e shtetit të Kosovës (Aspekte sociale, kulturore, politike nga 1980 dhe deri në ditët e sotme)”.
Në përpjekjet dhe rrugëtimin për zhvillimin e Kosovës, proceset sociale e politike, nga lëvizjet për të drejta te pavarësia dhe shtetndërtimi i Kosovës, gruaja shqiptare ishte pjesë përbërëse dhe e pandashme e të gjitha atyre proceseve. Duke ju referuar këtij fakti, organizimi i kësaj konference do të jetë një mundësi e mirë për të gjithë studiuesit që me kumtesat e tyre të kontribuojnë për rolin e gruas në këto procese dhe periudha historike, duke prezantuar pikëpamjet dhe rezultatet e kërkimeve të tyre shkencore lidhur më ngjarjet dhe proceset, të cilat e karakterizuan periudhën kohore 1980 deri ne ditët e sotme, që përkon me temën bosht të kësaj konference.
Konferenca është unike pasi për herë të parë studiuesit ftohen për të diskutuar rreth një teme dhe subjekti të patrajtuar në lëmin e studimeve të thelluara profesionale e historike. Institutet janë angazhuar të ftojnë kërkuesit e tyre shkencore, bashkëpunëtoret, përfshirë studiues të huaj që kanë fokus dhe interes studimor. Konferenca shkencore ndërkombëtare mbahet më 5 maj në Prishtinë.
Studiuesit e interesuar, titujt e kumtesave së bashku me abstraktet mund t’i dërgojnë deri më datën 1 shkurt, në këto adresa elektronike: institutihis@hotmail.com dhe ih@asa.edu.al.
2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL