Në kuadër të ”Netët e Muzeut”, organizuar nga Muzeu i Bankës së Shqipërisë Dr. Gjon Boriçi, studiues i Institutit të Historisë pranë (ASA), Departamenti i Historisë Bashkëkohore prezantoi temën “Marrëdhëniet ekonomike Shqipëri – Kinё, kreditë e akorduara për Shqipërinë nga vendi gjigant aziatik, si dhe perspektiva e këtyre marrëdhënieve”.
Leksioni përfshinte veprimet lidhur me ndihmat ekonomike dhe kreditë që iu akorduan Shqipërisë në harkun kohor prej 24 vitesh (1954-1978), nga Republika Popullore e Kinës, të cilat, sikurse u përmend, kanë qenë jetike për mbajtjen gjallë tё regjimit komunist në Shqipëri.
Në këtë leksion, pjesëmarrësit u njohën me dokumente të mbështetura kryesisht në burime primare autentike arkivore, shqiptare dhe britanike, shumica e të cilave u prezantuan për herё tё parё, si dhe me fakte të sjella nga literatura kombëtare e ndërkombëtare, tё cilat sollën të dhëna interesante për periudhën të cilës i referohej ky leksion. Prezantimi i këtyre marrëdhënieve u konsiderua i rёndёsishёm për tё kuptuar nëse kanë akoma ndikim, në ditët e sotme, kreditë e dhëna për Shqipërinë gjatë periudhës në fjalë.