Rruga drejt pavarësisë së Kosovës mbetet një temë e hapur për kërkime dhe studime historike

13 Shkurt, 2023 Njoftime
Më 15 shkurt, ora 09:30, në Institutin Albanologjik të Prishtinës, organizohet konferenca shkencore “Kosova, 15 vjet pavarësi: sfidat dhe shtetndërtimi 2008-2023”.
Në këtë përvjetor, historianët shqiptarë marrin në analizë disa etapa që i paraprinë ngjarjes së madhe, që kanë të bëjnë me etnocidin shtetëror serb, bashkëveprimin jetik mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullsisë civile apo me ndikimin e diplomacisë dhe faktorit ndërkombëtar ndaj zhvillimeve në Kosovë.
Të tjerë studiues trajtojnë aspekte të post-pavarësisë, si kontestimi i njohjes së shtetit të ri në Rajon, ndikimi në raportet shtetërore me Shqipërinë, pesha e historisë dhe roli i historianëve në njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Marrin pjesë historianët: Beqir Meta, Mrika Limani-Myrtaj, Lulëzim Lajçi, Afrim Krasniqi, Bujar Dugolli, Frashër Demaj, Isak Sherifi, Romeo Gurakuqi, Skënder Zhitia, Marenglen Verli, Valon Shkodra etj.
Konferenca organizohet nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” (Prishtinë) në bashkëpunim me Institutin e Historisë (ASA-Tiranë), Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve (Shkup) dhe Fakulteti i Filozofisë (Prishtinë).
 
2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL