Njoftime

Edicioni i dytë i konferencës “The Balkan-Aegean Dendrochronology Project for the Study of SE European and East Mediterranean Civilisatins”

10 Qershor, 2022 Njoftime
Prej dy ditësh po mbahet në Torun, në Fakultetin e Arteve të Bukura në Universitetin “Nikola Kopernik” (Poloni), edicioni i dytë i konferencës “The Balkan-Aegean Dendrochronology Project for the Study of SE European and East Mediterranean Civilisatins”. Projekti drejtohet nga Prof. Peter Kuniholm dhe Tomasz Wazny, mbështetur nga BE për vitet 2018-2023.
Në këtë kontekst arkeologjia shqiptare është përfaqësuar për të dytin vit nga prof. Adem Bunguri. Prof. Bunguri në bashkëpunim me prof. Tomasz Wazny – drejtues i Balkan – Aegean Project – kanë drejtuar dy ekspedita të përbashkëta në rajonin e Korçës në vitet 2018 dhe 2020. Prof. Bunguri mbajti ligjëratën “Maliq settlement and its potential for the dendrochrology in Albania”.
Në këtë workshop mori pjesë edhe Dr. Esmeralda Agolli nga Katedra e Arkeologjisë së Fakultetit të Historise (UT) me temën “Overview of the most recent ethnoatchaeology in Albania”.

Leksioni i hapur me temë “Arkitektura fashiste dhe ajo e realizmit socialist në Tiranë”

9 Qershor, 2022 Njoftime
U mbajt sot në Akademinë e Studimeve Albanologjike një leksion i hapur për gjimnazistët e gjimnazit “Partizani” nga studiuesi i Institutit të Arkeologjisë Melsi Labi me temë “Arkitektura fashiste dhe ajo e realizmit socialist në Tiranë”. U morën në shqyrtim godinat përfaqësuese si ato të bulevardit kryesor dhe godinat përreth si ajo e Bankës së Shqipërisë, ish-parlamentit, Piramidës, Teatrit të Operës dhe Baletit, ish-Teatrit Kombëtar tashmë, korpusit qendror, bllokut të ministrive, godina e presidencës, Pallati i Brigadave, ish-stadiumi “Qemal Stafa” etj…
Për rreth 70 minuta u diskutua për arkitekturën e ndërtimit në këtë areal kohor, kjo duke u përqëndruar në psikologjinë e shoqërisë së kohës si dhe në reflektimin e saj në ndërtesat përkatëse. Në këtë leksion u trajtuan po ashtu, personazhe të ndryshme në rrafshin historik. Kjo trashëgimi duhet ruajtur me fanatizëm si çdo copë tjetër e trashëgimisë dhe iu duhet përcjellë brezave në shërbim të së ardhmes.
Pati pyetje që nxitën bashkëbisedimin me të rinjtë. Më pas nxënësit u njohën me muzeun arkeologjik, historikun përmbajtjen dhe artefaktet e tij, të udhëhequr nga guida muzeale.

Gërmime arkeologjike në sitin kodrinor të Barçit, në rrethin e Korçës

30 Maj, 2022 Njoftime
Gjatë muajit maj, u realizua aktiviteti i parë në terren i Departamentit të Prehistorisë për vitin 2022. Misioni shqiptaro-francez i Pellgut të Korçës, nën bashkdrejtimin e Rovena Kurtit dhe Armelle Gardesein-it, filloi për herë të parë në historinë e kërkimeve të tij në zonë, gërmimet arkeologjike të një siti të lartësive, siç është ai i Barçit, i vendosur në një majë kodrinore në verilindje të qytetit të Korçës, mbi fshatin Barç.
Kërkimet në këtë qendër arkeologjike zhvillohen në kuadër të hulumtimit rreth dinamikave të vendbanimit gjatë periudhës së Hekurit, dhe pasojnë survejimin arkeologjik të siteve kodrinore që rrethojnë fushën e Korçës, i kryer nga misioni gjatë viteve 2018-2021.
Siti arkeologjik i Barçit dallon nga shumë qendra kodrinore të njohura në zonë, për mungesën e mureve të dukshme rrethuese, ndërsa e vetmja strukturë e dukshme ngelet një kodrinë artificiale me gurë edhe me dhe, e vendosur në esktremin jugor të majës kodrinore. Vëzhgimi i mëparshëm arkeologjik tregoi praninë e qeramikës protohistorike, e përqendruar kryesisht rreth kodrinës artificiale, por dhe prani të qeramikës qytetare ilire, kjo e fundit e përqendruar në ekstremin verior të sitit.
 
Qëllimi kryesor i gërmimit arkeologjik është sqarimi i natyrës së kësaj qendre arkeologjike. Kemi të bëjmë me një varrezë tumulare apo me një vendbanim të periudhës së Hekurit, i ripërdorur në kohë të ndryshme?
Gërmimet e këtij sezoni pasuan survejimin gjeofizik të sitit kodrinor dhe u përqendruan në këtë vit të parë në një sektor të kodrinës artificiale me gurë edhe me dhe. Ato nxorën në pah gjurmë të një strukture prej muri, ndërtuar me gurë edhe me baltë, ndërsa në materialin qeramik të mbledhur nga shtresat e sipërme të rrënojës dominon ai i periudhës së Hekurit, i pasuar nga qeramika e periudhës qytetare ilire.
Gërmimet që janë parashikuar të vazhdojnë edhe gjatë dy viteve të ardhshme, pritet të hedhin më shumë dritë rreth natyrës dhe datimit të kësaj strukture dhe të sitit arkeologjik në përgjithësi.

Projekti Reach, mbledh në Tiranë më 27-28 maj gjithë partnerët e vet

27 Maj, 2022 Njoftime
Pas më shumë se një 1 vit punë në distancë, projekti evropian Reach, mbledh në Tiranë më 27-28 maj gjithë partnerët e vet, përfshirë këtu edhe Institutin e Arkeologjisë (ASA). REACH, Improving Research capacities of Albanian higher education in conservation and restauration of Cultural Heritage, është një projekt Erasmus + Capacity Building në fushën e Arsimit të Lartë dhe synon të mbështesë zhvillimin e kapaciteteve në kërkime shumëdisiplinare dhe aftësive teknike në fushën e konservimit dhe restaurimit të Trashëgimisë Kulturore në Shqipëri.
Bazuar në ndërgjegjësimin se Trashëgimia Kulturore është burim themelor për rritjen e ekonomisë lokale të Shqipërisë, REACH synon të kontribuojë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, nëpërmjet modernizimit dhe ndërkombëtarizimit të institucioneve të Arsimit të Lartë.
 

Rifillojnë gërmimet arkeologjike shqiptaro-polake në Bushat

25 Maj, 2022 Njoftime
Pas një ndërprerje 2-vjeçare për shkak të pandemisë, rifilluan sërish gërmimet e Institutit të Arkeologjisë dhe Universitetit të Varshavës në qytetin ilir në Bushat, të drejtuara nga Saimir Shpuza dhe Piotr Dyczek. Pas dy fushatave të para, të cilat na lejuan të zbulonim dy porta hyrëse të qytetit dhe të kuptonim shtrirjen e tij, gërmimet e këtij viti janë të përqendruara në qytetin e mesëm dhe të sipërm dhe kanë për qëllim zbulimin e organizimit të brendshëm të urbanistikës së këtij qyteti.
Pas realizimit të një surveji gjeofizik, ekspedita ka filluar tashmë gërmimet për të nxjerrë në dritë strukturat e identifikuara. Kërkimet po tregojnë se kjo pjesë e qytetit të sipërm ka qenë e ndërtuar masivisht që në shekullin e 3 p.e.s., sipas datimeve tona paraprake. Aktiviteti në terren, i cili është ende në proces, ka për qëllim zbulimin e plotë të planimetrisë së këtyre ndërtimeve dhe më pas të arrijë të identifikojë rolin që ato kanë patur.
Kërkimet shqiptaro-polake në Bushat janë parashikuar të vazhdojnë deri në vitin 2025 duke shpresuar se do të arrijnë të zbulojnë sa më shumë nga forma dhe historia e këtij qyteti.

Doli nga shtypi numri XLIV (2020) i revistës “Iliria”

23 Maj, 2022 Njoftime

Doli nga shtypi numri XLIV (2020) i revistës “Iliria”. Ky vëllim përmbledh disa nga kontributet e përzgjedhura që u mbajtën në aktivitetet e organizuara nga Instituti i Arkeologjisë, në kuadër të 70-vjetorit të Arkeologjisë Shqiptare. Përmbajtja organizohet në tri rublika: Artikuj studimorë, In memoriam dhe Botimet e reja. Artikujt studimorë mbulojnë tematika të ndryshme, nga bilanci i arritjeve kryesore të kërkimeve arkeologjike dhe perspektiva e tyre, tek çështje që prekin studime rreth periudhave të ndryshme si ajo Prehistorike, Antikiteti dhe Antikiteti i vonë e Mesjeta. Zënë vend në këtë numër trajtesa të veçanta mbi vështrime krahasuese kulturore e kronologjike midis trevave të ndryshme; dinamikën e transformimeve që kanë pësuar territore të caktuara; arkeologjinë e jetës religjioze dhe atë ekonomike; arkitekturën domestike; evolucionin kronologjik të fortifikimeve; studime të kategorive të caktuara të materialit arkeologjik. Kontribues në këtë revistë janë studiuesit: L.Përzhita, B. Lahi, Sh. Gashi, L. Bejko, M. Bela, S. Aliu, R. Kurti, A. Bunguri, P. Lera, St. Oikonomidis, A. Papayiannis, A.Tsonos, B. Lahi, B. Muka, A. Muller, A. Skënderaj, E. Shehi, S. Veseli, E. Metalla, Th. Maurer, E. Hobdari, G. Hoxha, S. Shpuza, R. Hogdes, N. Molla.

 

Doli nga shtypi “Vegla bakri dhe sëpata bronzi në Shqipëri dhe Kosovë”

18 Maj, 2022 Njoftime
Doli nga shtypi “Vegla bakri dhe sëpata bronzi në Shqipëri dhe Kosovë” nga arkeologu prof. dr. Adem Bunguri. Objekt kryesor i këtij punimi është trajtimi i veglave të punës prej bakri dhe bronzi të epokës së Eneolitit asaj të Bronzit të zbuluara në territorin e Shqipërisë dhe Kosovës. Katalogu përfshin 291 objekte, prej të cilave 277 vegla bakri e bronzi dhe 14 objekte të fonderisë së tyre. Në pikëpamje kronologjike ato janë të lidhura kryesisht me tri periudha të rëndësishme të zhvillimit pre dhe protohistorik, përkatësisht me Eneolitin, me periudhën e Bronzit të Hershëm dhe atë të Bronzit të Vonë, e pjesërisht edhe me tranzicionin nga Bronzi i Vonë në periudhën e hershme të epokës së Hekurit.
Monografia është fryt i një projekti të përbashkët shqiptaro-gjerman të viteve 2010-2015, të mbështetur financiarisht nga revista “Prähistorische Bronzefunde” (München), “Römisch-Germanische Kommission” dhe “Deutschen Archäologischen Instituts” (Frankfurt am Main). Falë këtij projekti u mundësua trajtimi i gjithë veglave të punës, sipas kritereve të reja të botimit, duke përfshirë në radhë të parë hartimin e database-it dhe katalogimin e tyre, diçka që bëhet për herë të parë.
Në këtë monografi prof.Bunguri kujton me nderim dhe respekt të thellë studiuesin më të njohur të Prehistorisë shqiptare prof.Frano Prendi, për kontributin e veçantë që ka dhënë edhe në studimin e sëpatave të bakrit dhe të bronzit në Shqipëri.
Kjo monografi është një botim i vlefshëm në fushën e studimeve prehistorike që mund t’i shërbejë një rrethi të gjerë studiuesish dhe në mënyrë të veçantë, brezit të ri të arkeologëve dhe studentëve të arkeologjisë.

Dr. Nevila Molla (Instituti i Arkeologjisë) mban një ligjëratë për gjimnazistët e “Çajupit” mbi trashëgiminë materiale të antikitetit të vonë dhe mesjetës në territorin e Tiranës.

12 Maj, 2022 Njoftime
Gjimnazistët e “Çajupit” u njohën sot me 1000 vjet qytetërim në territorin e Tiranës gjatë antikitetit të vonë. Dr. Nevila Molla bëri një përshkrim panoramik të kalave dhe objekteve të kultit të cilat janë ndërtuar në territorin e Tiranës së sotme, e që në shekujt IV-VII ishte nën admnistrimin e Epirit të Ri. Vetëm perandori Justinian që ndërmori fushata fortifikimi, ndërtoi 32 kala të reja dhë rindërtoi 26.
U krijua një rrjet i rëndësishëm fortifikimesh jo vetëm për mbrotjen e popullsisë, po edhe si njësi administrimi ekonomik i territorit. Këtu përfshiheshin: kalaja e Tujanit; e Pëllumbasit; e Dajtit – më e madhja në territorin e Tiranës; kalaja e Vrapit ku është zbuluar i quajturi “thesari i Vrapit” me rreth 41 objekte e që ruhet sot në Muzeun Metropolitan të Artit në Nju Jork; kalaja e Shën Gjinit; kalaja e Skrepit që u zhvillua si qendër urbane me tregti të zhvilluar me vendet e Egjeut. Objektet e dëshmojnë kontaktin e gjerë që territori i Tiranës kishte me vende të tjera.
Të gjitha monumentet e kultit kristian vënë në dukje që territori ishte shumë i influencuar nga Papati. Shën Mëria në Brar, e shekullit 10-11, është një shembull i mirë i objektit i dekoruar me afresk e ku është zbuluar një varr monumental.
Kala të tjera të rëndësishme janë kalaja e Prezës, ajo e Ndroqit, një pikëndalesë e rëndësishme përgjatë Via Egnatias; kalaja e Petrelës që ka qenë një bazë e Topiajve dhe një bërthamë rezistencë e Skënderbeut kundër osmanëve.
Për të ardhur në gjysmën e dytë të shek.XVIII kur ngrihet kalaja e Tiranës në qendër të qytetit, ndërkohë që qyteti rritet e ndërtohet.

Dr. Edlira Andoni mban leksionin mbi kërkimet dhe studimet për periudhën e Neolitit të Hershëm në Shqipëri

6 Maj, 2022 Njoftime

Dr. Edlira Andoni ishte e ftuar në Fakultetin e Filozofisë në Beograd, për të mbajtur një leksion mbi kërkimet dhe studimet për periudhën e Neolitit të Hershëm në Shqipëri. Prezantimi u përqendrua në veprimtarinë kërkimore-shkencore shumëvjeçare, nga një retrospektivë e studimeve të shekullit të kaluar deri tek arritjet dhe rezultatet më të fundit për këtë periudhë. Ligjërata pati interes te të pranishmit, kryesisht kërkues dhe arkeologë të departamentit të prehistorisë, të cilët nëpërmjet pyetjeve dhe komenteve, shprehën mjaft interes për të mësuar më shumë rreth kërkimeve dhe studimeve për këtë periudhë gjatë dhjetëvjeçarit të fundit.

Vizita studimore ndërkombëtare, thirrje për aplikim

28 Prill, 2022 Njoftime
Aktiviteti TRANSFER WP T3.2 (Vizita studimore ndërkombëtare) krijon një mundësi për të rinjtë (18-32 vjeç), të interesuar në fushat e arkeologjisë/trashëgimisë kulturore, që të kryejnë për disa ditë një vizitë studimore (të gjitha shpenzimet e nevojshme mbulohen nga projekti – udhëtimi, akomodimi, transporti, etj.).
Bashkëngjitur gjeni formularët e aplikimit dhe adresën ku duhet t’i drejtoheni. Kjo thirrje vlen deri më 30 prill.
 
 
2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL