Njoftime

Instituti i Historisë (IH) dhe Arkivi Qendror i Forcave të Armatosura (AQFA) nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi 

2 Mars, 2022 Njoftime

Instituti i Historisë (IH) dhe Arkivi Qendror i Forcave të Armatosura (AQFA) nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi, përmes të cilës mundësohet aksesi i lirë i studiuesve të historisë në arkivin ushtarak. Nënshkrimi i marrëveshjes u bë në Institutin e Historisë nga drejtuesit e dy institucioneve, Prof. Afrim Krasniqi (IH) dhe Prof. Teki Kurti (AQFA). Ajo mundëson gjithashtu bashkëpunim afatgjatë në fushën e dokumentacionit historik, si dhe parashikon shkëmbime e botime të përbashkëta për periudha dhe tema me interes profesional e publik. Instituti i Historisë falënderon Ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi për mbështetjen e dhënë për jetësimin e kësaj marrëveshjeje.

Aksesi i pakufizuar në arkivat shtetërore është një standard thelbësor për punën e kërkuesve shkencor të Institutit të Historisë, por edhe një standard bashkëkohor, drejt të cilit duhet të ecë Shqipëria.

Prezantimi i kolanës në katër vëllime “Indoktrinimi komunist përmes kulturës, letërsisë dhe artit”

22 Shkurt, 2022 Njoftime

Indoktrinimi përmes kulturës, letërsisë dhe artit mund të quhet një nga krimet më të mëdha të regjimit komunist. Dokumentet arkivore e dëshmojnë se si u ngrit hap pas hapi struktura e kontrollit total mbi krijimtarinë artistike, ndërsa interpretimi dhe analiza shkencore që bëhet sot tregon pasojat e gjithë kësaj mbi shoqërinë.
Prezantimi i kolanës në katër vëllime i historianëve Beqir Meta, Afrim Krasniqi dhe Hasan Bello, sot në mjediset e Muzeut Arkeologjik (ASA), bëri bashkë studiues të disiplinave të ndryshme, letërsisë, antropologjisë, historisë politike. Autorët vunë në dukje se janë zgjedhur ato dokumente që provojnë ngritjen e një sistemi ku të gjithë duhet të mendojnë dhe “krijojnë” njëlloj. Dhe ky sistem nuk ka punuar në mënyrë të njëtrajtshme përgjatë dekadave 1945-1990.

Në vitet e para, 1945-’50, regjimi propozon metodat e veta se si do të ndërhyjë në ndërgjegjen e një popullate analfabete në masë. Bibliotekat lëvizëse, shtëpitë e kulturës që krahas efektit civilizues, kryejnë përpunimin ideologjik të njerëzve. Radioja, autokinematë, kinematë dhe televizioni pak më vonë, janë të përfshira në këtë rol, nga qendra në skajet më të humbura të vendit. Kështu që edhe indoktrinimi u krijua si një shtampë në ndërgjegjen e atyre që do përbënin edhe elitën e vendit.


Kështu iu rezulton edhe historianeve të letërsisë Dhurata Shehri e Persida Asllani, të ftuara në takim. Këto dokumente ato i vlerësojnë si burim i dorës së parë për të analizuar marrëdhëniet e letërsisë me shoqërinë. Ato kanë gjetur aty se realizmi socialist është themeluar hap pas hapi, se Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve u krijua nga Ministria e Propagandës, se Konferenca e tretë e LSHA-së më 1949 dëshmon se çfarë mbruhej në Komitetin Qendror, do të shfaqej si vullnet i autorëve. Në këtë mënyrë po krijohej letërsia shtetërore, ku autor ishte shteti dhe krijuesi nuk ishte një individ. Ndaj vitet 1950-‘60 janë një shkreti për letërsinë.

Nga dokumentet e viteve ’70-’80 duket përpjekja e regjimit për të mbajtur nën kontroll jo vetëm botimet dhe krijimet publike, por edhe mendimet dhe ndjesitë personale të shkrimtarëve dhe artistëve. Zyrtarë të lartë të hierarkisë shtetërore dhe partiake, investohen rregullisht në letërkëmbime për të hetuar, trajtuar apo gjykuar vepra të ndryshme letrare, kinematografike, teatrale, muzikore, operistike e koreografike.
Në prezantimin e sotëm bashkë me kolanën u ekspozuan edhe faksimile të dokumenteve. Shumë shpejt kjo lëndë do të shërbehet falas online për t’iu ardhur në ndihmë studiuesve po edhe studentëve të fushave të ndryshme.
“Indoktrinimi komunist përmes kulturës, letërsisë dhe artit” është bërë i mundur falë bashkëpunimit disavjeçar tashmë të Institutit të Historisë me Fondacionin gjerman “Konrad Adenauer”. I pranishëm ishte edhe Dr. Tobias Rüttershoff (Shefi i zyrës së KAS, Tiranë).

Prezantimi i katër vëllimeve me dokumente lidhur me indoktrinimin komunist në kulturë dhe arte (1945-1986)

18 Shkurt, 2022 Njoftime

Më 21 shkurt 2022, ora 10:30 në mjediset e ASA-së (Akademia e Studimeve Albanologjike), Instituti i Historisë dhe Fondacioni gjerman “Konrad Adenauer” organizojnë prezantimin e katër vëllimeve me dokumente lidhur me indoktrinimin komunist në kulturë dhe arte (1945-1986).

Përshëndesin: Prof. Afrim Krasniqi (drejtor i Institutit të Historisë) dhe Dr. Tobias Rüttershoff (Shefi i zyrës së KAS, Tiranë).
Vlerësime profesionale mbi vëllimet dhe memorien historike 1945-1990 në fushën e indoktrinimit në kulturë dhe në arte do të bëhen nga: Prof. Beqir Meta (Instituti i Historisë), Prof. Persida Asllani (Fakulteti Histori-Filologji), Prof. Dhurata Shehri (Fakulteti Histori-Filologji), Dr. Olsi Lelaj (Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit).


Aktiviteti është konceptuar si bashkëbisedim midis ekspertëve kërkues shkencorë, prandaj mirëpriten opinione dhe ndërhyrje nga të pranishmit, studiues, pedagogë, gazetarë, ish-të përndjekur dhe aktivistë civilë.

Instituti i Historisë zhvillon analizën vjetore 2021 dhe përcakton prioritetet për vitin 2022

8 Shkurt, 2022 Njoftime

Viti 2021 shënoi publikimin nga kërkuesit shkencorë të 5 monografive/botimeve shkencore, si dhe të 11 botimeve dokumentare. Gjatë vitit u punua për 13 monografi të tjera, të cilat janë në proces, disa prej të cilave për vitin 2022. Stafi kërkimor realizoi publikimin e 46 artikujve shkencorë brenda dhe jashtë vendit, si dhe shënoi  48 pjesëmarrje dhe referime në konferenca shkencore kombëtare e ndërkombëtare. Instituti organizoi një konferencë shkencore dhe është pjesë e botimeve më të rëndësishme historike, siç janë vëllimi IV dhe V i “Historisë së shqiptarëve gjatë shekullit XX”, historisë së përmbledhur të shqiptarëve, historisë së Kosovës, etj.

Me 7 shkurt 2022, Instituti i Historisë zhvilloi analizën vjetore, me pjesëmarrjen edhe të zv/rektorit Prof. Valter Memisha.  Kërkuesit shkencorë diskutuan mbi bilancin dhe sfidat, si dhe mbi disa problematika të ndryshme që lidhen me kërkimin shkencor, statusin e kërkuesve shkencorë, lidhjen midis kërkimit shkencor dhe burimeve financiare në dispozicion, trajtimin e librit shkencor dhe projektet e ndryshme të bashkëpunimit me institucione kërkimore brenda dhe jashtë vendit. Gjatë 2022 janë parashikuar disa konferenca shkencore, – me rastin e 110 vjetorit të shtetit, marrëdhëniet përgjatë një shekulli me Austrinë (mars), me SHBA (shtator), me Britaninë e Madhe (tetor), 50 vjetorin e Institutit të Historisë (dhjetor), si dhe mbi trajtimin historik të periudhës 1945-1990 (qershor).

Bashkëngjitur gjeni të plotë raportin vjetor të Institutit të Historisë.

 

Thirrje për shkrime në revistën “Studime historike” nr. 1-2, 2022

12 Janar, 2022 Njoftime

Redaksia e revistës “Studime historike” mirëpret shkrimet tuaja për numrin 1-2, 2022. Afati i dorëzimit të tyre është data 28 shkurt 2022.

Ju bëjmë me dije se, struktura e artikullit shkencor do të jetë si më poshtë:

Emri, mbiemri i autorit, me madhësi shkrimi (font size) 12.
Titulli i artikullit (bold), me madhësi shkrimi (font size 14).
Abstrakti i artikullit, me madhësi shkrimi (font size) 11.
Fjalët-kyçe, me madhësi shkrimi (font size) 11.
Artikulli mund të ndahet në çështje sipas problemeve që trajton autori. Lloji i shkrimit do të jetë (Times New Roman), me madhësi (font size) 12.
Titulli i përmbledhjes së artikullit në gjuhën angleze (bold), me madhësi shkrimi (font size) 12.
Përmbledhje e artikullit në gjuhën angleze me madhësi shkrimi (font size 11).
Artikujt shkencorë do t’i paraqiten redaksisë sipas këtyre kritereve:

– Artikulli shkencor nuk duhet të jetë më i gjatë se 20 faqe dhe hapsirë 1.15, së bashku me të gjitha shtesat (abstraktin, fjalët-kyçe, përmbledhjen e artikullit, tabela, grafikë, foto etj.).

– Abstrakti i artikullit duhet të përfshijë deri në 1.000 karaktere, me madhësi shkrimi (font size) 11. Abstrakti duhet të paraqesë në mënyrë shumë të përmbledhur, problemet ose çështjet kryesore që synoni të trajtoni në artikullin shkencor, me qëllim që të ndihmoni lexuesin që të fokusohet tek ato.

– Fjalët-kyçe do të jenë deri në 10 fjalë, me madhësi shkrimi (font size) 11.

karaktere, me madhësi shkrimi (font size 11). Synimi i autorit do të jetë që t’i jepet lexuesit një panoramë e qartë dhe objektive e artikullit, duke u fokusuar kryesisht tek të rejat shkencore që sjell ai.

– Të gjithë fjalët ose titujt e publikimeve në artikull ose në referencat e tij që shkruhen me alfabete të ndryshme nga ai latin, si: alfabeti cirilik, osmanisht, greqisht, etj., duhet që të transkriptohen përbri fjalës/fjalisë, titullit etj., në variantin me shkrim latin.

Mënyra e citimit në revistën Studime Historike

Ju kujtojmë se redaksia e revistës nuk do të pranojë artikuj shkencorë që nuk plotësojnë kriteret e mësipërme.

Jeni të lutur që shkrimet tuaja për revistën, t’i dërgoni në adresën elektronike studime.historike@asa.edu.al

TIRANA NË SYTË E SIGURIMIT

18 Nëntor, 2021 Njoftime

Departamenti i Historisë Bashkëkohore në Institutin e Historisë (ASA) prej kohësh i ka kushtuar vëmendje studimeve mbi regjimin totalitar të vendosur në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore. Me partnerë prestigjozë si Fondacioni “Konrad Adenauer”, AIDSSH, ISKK e shumë të tjerë ka arritur të cekë në mënyrë shkencore, teorike dhe empirike çështje dhe tematika të cilave më herët studiuesit kishin një lloj hezimi t’i qaseshin, si: indoktrinimi komunist përmes letërsisë, artit dhe kulturës, burgjet, internimet dhe puna e detyruar në Shqipërinë totalitare, vizatimi i “fytyrës së armikut”, emigracioni politik shqiptar etj. Në vazhdën e këtij bashkëpunimi institucional është edhe projekti “Tirana në sytë e Sigurimit”, që u prezantua në formën e ekspozitës dhe të një konference, sot në Pallatin e Kongresve.

8200 fletë të dhjetëra dosjeve ORV të Sigurimit, që zbërthejnë psikologjinë e regjimit dhe të shtypjes nën diktaturë, janë deklasifikuar në kuadër të ekspozitës, veç dosjeve të tjera, të vëna më parë në dispozicion të familjarëve, studiuesve dhe medias. Materialet janë pjesë e Fondit ish-Drejtoria e Punëve të Brendshme.
Studiues dhe historianë, si prof. assoc. dr Sonila Boçi, drejtuese e ekipit, dr. Gjon Boriçi e dr. Hasan Bello, prezantuan projektin mbi Tiranën, që synon të jetë një histori e kryeqytetit të persekutuar nga regjimi totalitar i majtë. Projekti do të tregojë historinë ekzekutimeve pa gjyq në vigjilje të çlirimit të Tiranës; të shpronësimeve të familjeve të tregtarëve, industrialistëve, intelektualëve tiranas që u detyruan të jetonin në bodrumet e shtëpive të tyre, pasi ato u morën me dhunë nga ata që do të përbënin burokracinë e regjimit që po instalohej.

Ai do të sjellë zërat e tiranasve të stigmatizuar nga regjimi, të familjarëve të tyre, të cilët u ekzekutuan, vuajtën burgjet dhe kampet e internimit të diktaturës, u përndoqën nga Sigurimi i Shtetit, iu mohua e drejta e shkollimit, e drejta të ushtronin profesionin e tyre etj. Projekti do të ketë dy faza: fillimisht do të mblidhen dëshmi të personave të persekutuar të Tiranë, për të ndërtuar më pas një narrativë historike të bazuar sa te historia gojore, aq edhe te burimet parësore arkivore.

“Historia e shqiptarëve gjatë shek.XX”, një burim bazë për tekstet shkollore

17 Nëntor, 2021 Njoftime

Prezantimi i kolanës në tri vëllime “Historia e shqiptarëve gjatë shek.XX” ishte aktiviteti i parë që hapi edicionin XXIV të Panairit të Librit në Tiranë.

Autorët e kësaj vepre e konceptuar në pesë vëllime nga Instituti i Historisë, pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, risollën përvojën e këtyre viteve, përvojë e shoqëruar me skepticizëm në krye të herës, e që ka vazhduar me kërkime intensive në arkiva vendase e të huaja, në burime të pashfrytëzuara më parë, pra një udhëpërshkrim që solli si rezultat këtë vepër të thelluar e unike.
Ishte i nevojshëm ky prezantim, jo vetëm si një nga botimet më të rëndësishme të Institutit të Historisë, por edhe për faktin se dy vëllimet e para kanë mbetur jashtë vëmendjes për shkak të rrethanave që krijoi pandemia, ndërsa vëllimi i tretë ka pak muaj që ka dalë nga shtypi.
Brenda vitit 2021 del në qarkullim vëllimi i katërt që mendohet se prek ndjeshmërinë e opinionit publik ngaqë trajton periudhën historike të shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për të ardhur pastaj te vëllimi i pestë, projekt për vitin 2022, që përkon me jubileun e 110-vjetorit të pavarësisë.


Akademik Beqir Meta, udhëheqës i këtij projekti, kujtoi se “Historia e shqiptarëve gjatë shek. XX” nisi në vitin 2010, kur ishte botuar tashmë “Historia e Popullit Shqiptar” (2007-2008), si përpjekje e parë në epokën demokratike për rishkrimin e historisë. Pikërisht ky botim hapi probleme për mënyrën se si duhej shkruar historia që kemi sot në duar, në drejtim të metodologjisë dhe pikëpamjeve alternative, mbi të gjitha, mbi bazën e referencave burimore historiografike, me shtrirjen në arkiva dhe koleksione të plota evropiane e më gjerë (Arkivat Kombëtare të SHBA, Arkivat e Turqisë, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Maqedonisë, Bullgarisë, Malit të Zi, Kosovës). Janë këto disa nga elementet që e dallojnë menjëherë historinë në fjalë nga veprat e tjera sintetike.


Vëllimet I, II dhe III përmbledhin periudhat e hershme historike deri në vitin 1939. Iu paraprin atyre një rikonceptim i nacionalizmit shqiptar nga Dritan Egro, e duke zbritur në kohë ka një rivlerësim të përmasave të spastrimev etnike në Kosovë gjatë dhe pas luftrave ballkanike; rivlerësohet Kongresi i Lushnjës (me arritjet dhe sidomos me kufizimet e tij); rivlerësohen po aq figura historike, grupe e parti politike me mundësitë që japin dokumentet e pashfrytëzuara.
Prof.asoc. dr. Ledia Dushku, një nga autoret e vëllimit të parë të “Historisë së shqiptatarëve…” evidentoi si risi në përmbajtje, trajtimin në të njëjtin rrafsh të tre iniciativave të elitës politike shqiptare për mbajtjen e një kuvendi kombëtar, si shenjë reagimi në kuadrin e Luftës së Parë Balllkanike; politikat e brendshme të qeverisë së Përkohshme të Vlorës, trajtuar në një qasje teorike që lidhet me fillesat e procesit të deosmanizimit; marrëdhëniet e Esat pashë Toptanit me Greqinë për të siguruar mbështetje në krijimin e Pleqësisë së Shqipërisë së Mesme.
Autorët e “Historisë…” janë kontribues të periudhave të ndryshme dhe përfaqësues nga institucionet kërkimore ndërshqiptare: akademik prof. dr. Beqir Meta, akademik prof. dr. Marenglen Verli, prof. dr. Emine Bakalli, dr. Hasan Bello, docent Teodor Kareco, prof. dr. Fatmira Musaj, prof. dr. Fatmira Rama, prof. asoc. dr. Pranvera Dibra, prof. dr. Laura Smaqi, prof. dr. Gjergj Sinani, prof. dr. Halim Purellku, prof. dr. Lush Culaj, prof. asoc. dr. Robert Gjedia, prof. dr. Hamit Kaba, dr. Marenglen Kasmi, dr. Iljaz Gogaj, dr. Zamir Shtylla dhe ma. Sokol Gjermëni etj.. Ka qenë sfidë që këta autorë të vijnë drejt një stili teksti të unifikuar, ose, siç thekson prof. asoc. dr.Dushku, drejt një natyre shkrimi shkak-pasojë që e ngulit informacionin te lexuesi për çështje që nxisin debat.
Risitë dokumentare mes 1 milion dokumenteve për shfrytëzim nga Instituti i Historisë bëjnë të mundur një pamje të re për historinë e Çamërisë, Kosovës e Diasporës. “Shumë gjëra nuk i kemi ditur”, pranon prof.dr.Verli. Në fakt ky pohim reflekton edhe domosdoshmërinë për të shkruar një histori politike të shqiptareve të lidhur ngushtë me aspektet ekonomike, fetare, letrare, kulturore, duke i parë të gjitha këto në një lidhje shkak-pasojë me politikën.
Në këtë drejtim “Historia e shqiptarëve gjatë shek.XX” është vepër me karakter multidisiplinar.
Kjo kolanë krijon mundësinë për të diskutuar për rishkrimin e historisë dhe si përcillet historia në tekstet shkollore sepse “Historia e shqiptarëve gjatë shek.XX” është një burim bazë për tekstet shkollore.
Vëllimi i parë i “Historisë…” është vlerësuar edhe me çmimin më të lartë vjetor “Çabej” nga Akademia e Shkencave.

Konferenca shkencore “Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë”

14 Qershor, 2021 Njoftime

Në datën 10 qershor 2021, Instituti i Historisë Ali Hadri-Prishtinë në bashkëpunim me Institutin e Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, Tiranë organizuan konferencën shkencore jubilare “Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë”.

Fjalë përshëndetëse u mbajtën nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës, znj.Arbërie Nagavci, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademik Mehmet Kraja, Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Skënder Gjinushi. Fjalën përshëndetëse në emër të Akademisë së Studimeve Albanologjike e mbajti rektori, akademik. prof. dr. Marenglen Verli.

Më tej studiuesit e Institutit të Historisë në ASA paraqitën kumtesat e mëposhtme:

Akad. prof. dr. Marenglen Verli paraqiti kumtesën me titull: “Refleksione për qëndrimin e shqiptarëve prej revoltës së dimrit të viteve 1944-1945 dhe demonstratave të viteve 1968-1981-1989 deri në luftën e Kosovës 1998-1999”.

Akad. prof. dr. Beqir Meta dhe dr. Hasan Bello paraqitën kumtesën me titull: “Shtypi amerikan mbi ngjarjet në Kosovë në vitin 1981”.

Prof. dr. Hamit Kaba paraqiti kumtesën me titull: “Konteksti ndërkombëtar i demonstratave të vitit 1981 në Kosovë”.

Dr. Artan Hoxha paraqiti kumtesën me titull: “Pasqyrimi i revoltave kosovare të vitit  1981 në shtypin komunist”.

Në datën 11 qershor pjesëmarrësit në konferencë kryen vizita në Kompleksin Memorial të Jasharajve në Prekaz dhe në kullat e Tahir Mehës dhe Ahmet Delisë ku janë zhvilluar luftime dhe është bërë qëndresë e jashtëzakonshme, përkatësisht në vitet 1981 dhe 1913.

Konferenca shkencore “Parlamentarizmi shqiptar ndër vite”

14 Qershor, 2021 Njoftime

Në datën 10 qershor 2021 në Prizren u organizua nga Universiteti i Prishtinës, Fakulteti Filozofik dhe Komuna e Prizrenit konferenca shkencore “Parlamentarizmi shqiptar ndër vite”.

Fjalët përshëndetëse u mbajtën nga z. Glauk Konjufca, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, profesor Mytaher Haskuka, Kryetar i Komunës së Prizrenit, profesor Ardian Gola, Kryetar i Komisionit për arsim të Kuvendit të Kosovës, profesor Elton Bahtiri, Prorektor për zhvillim dhe cilësi i Universitetit të Prishtinës, profesor Dashamir Bërxulli, Dekan i Fakultetit Filozofik. Studiuesit e Institutit të Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike paraqitën kumtesat e mëposhtme:

Akad. prof. dr. Beqir Meta paraqiti kumtesën me titull: “Parlamenti dhe shtetndërtimi në vitet 1920-1924”.

Akad. prof. dr. Marenglen Verli paraqiti kumtesën me titull: “Qëndrimet në Parlamentin Shqiptar për Çështjen e Kosovës 1920-1924”.

Prof. dr. Romeo Gurakuqi paraqiti kumtesën me titull: “Jeta parlamentare e Shqipërisë 1920-1923”.

Prof. dr. Afrim Krasniqi paraqiti kumtesën me titull: “Parlamentarizmi në tranzicion dhe mitet e përfaqësimit rasti i Shqipërisë pas 1990”.

Konferenca shkencore “Ramiz Abdyli, profesori dhe studiuesi model i historiografisë shqiptare”

14 Qershor, 2021 Njoftime

Në datën 10 qershor 2021, u organizua në Shkup (Republika e Maqedonisë së Veriut) nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve konferenca shkencore “Ramiz Abdyli, profesori dhe studiuesi model i historiografisë shqiptare”.

Në pamundësi për të marrë pjesë për shkak të angazhimeve në Prishtinë dhe në Prizren, akademik prof. dr. Marenglen Verli, prezantoi kumtesën e tij me titull “Ramiz Abdyli, profesori dhe miku i nderuar” në mënyrë online.

Në përfundim të konferencës u promovuan dhe dy veprat e reja të prof. Abdylit “ Shkupi në Lidhjen e Prizrenit 1878-1881” dhe “Veprimtaria e Klubit të Shkupit 1908-1912”.

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL