Prezantimi i kolanës në katër vëllime “Indoktrinimi komunist përmes kulturës, letërsisë dhe artit”

22 Shkurt, 2022 Njoftime

Indoktrinimi përmes kulturës, letërsisë dhe artit mund të quhet një nga krimet më të mëdha të regjimit komunist. Dokumentet arkivore e dëshmojnë se si u ngrit hap pas hapi struktura e kontrollit total mbi krijimtarinë artistike, ndërsa interpretimi dhe analiza shkencore që bëhet sot tregon pasojat e gjithë kësaj mbi shoqërinë.
Prezantimi i kolanës në katër vëllime i historianëve Beqir Meta, Afrim Krasniqi dhe Hasan Bello, sot në mjediset e Muzeut Arkeologjik (ASA), bëri bashkë studiues të disiplinave të ndryshme, letërsisë, antropologjisë, historisë politike. Autorët vunë në dukje se janë zgjedhur ato dokumente që provojnë ngritjen e një sistemi ku të gjithë duhet të mendojnë dhe “krijojnë” njëlloj. Dhe ky sistem nuk ka punuar në mënyrë të njëtrajtshme përgjatë dekadave 1945-1990.

Në vitet e para, 1945-’50, regjimi propozon metodat e veta se si do të ndërhyjë në ndërgjegjen e një popullate analfabete në masë. Bibliotekat lëvizëse, shtëpitë e kulturës që krahas efektit civilizues, kryejnë përpunimin ideologjik të njerëzve. Radioja, autokinematë, kinematë dhe televizioni pak më vonë, janë të përfshira në këtë rol, nga qendra në skajet më të humbura të vendit. Kështu që edhe indoktrinimi u krijua si një shtampë në ndërgjegjen e atyre që do përbënin edhe elitën e vendit.


Kështu iu rezulton edhe historianeve të letërsisë Dhurata Shehri e Persida Asllani, të ftuara në takim. Këto dokumente ato i vlerësojnë si burim i dorës së parë për të analizuar marrëdhëniet e letërsisë me shoqërinë. Ato kanë gjetur aty se realizmi socialist është themeluar hap pas hapi, se Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve u krijua nga Ministria e Propagandës, se Konferenca e tretë e LSHA-së më 1949 dëshmon se çfarë mbruhej në Komitetin Qendror, do të shfaqej si vullnet i autorëve. Në këtë mënyrë po krijohej letërsia shtetërore, ku autor ishte shteti dhe krijuesi nuk ishte një individ. Ndaj vitet 1950-‘60 janë një shkreti për letërsinë.

Nga dokumentet e viteve ’70-’80 duket përpjekja e regjimit për të mbajtur nën kontroll jo vetëm botimet dhe krijimet publike, por edhe mendimet dhe ndjesitë personale të shkrimtarëve dhe artistëve. Zyrtarë të lartë të hierarkisë shtetërore dhe partiake, investohen rregullisht në letërkëmbime për të hetuar, trajtuar apo gjykuar vepra të ndryshme letrare, kinematografike, teatrale, muzikore, operistike e koreografike.
Në prezantimin e sotëm bashkë me kolanën u ekspozuan edhe faksimile të dokumenteve. Shumë shpejt kjo lëndë do të shërbehet falas online për t’iu ardhur në ndihmë studiuesve po edhe studentëve të fushave të ndryshme.
“Indoktrinimi komunist përmes kulturës, letërsisë dhe artit” është bërë i mundur falë bashkëpunimit disavjeçar tashmë të Institutit të Historisë me Fondacionin gjerman “Konrad Adenauer”. I pranishëm ishte edhe Dr. Tobias Rüttershoff (Shefi i zyrës së KAS, Tiranë).

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL