TIRANA NË SYTË E SIGURIMIT

18 Nëntor, 2021 Njoftime

Departamenti i Historisë Bashkëkohore në Institutin e Historisë (ASA) prej kohësh i ka kushtuar vëmendje studimeve mbi regjimin totalitar të vendosur në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore. Me partnerë prestigjozë si Fondacioni “Konrad Adenauer”, AIDSSH, ISKK e shumë të tjerë ka arritur të cekë në mënyrë shkencore, teorike dhe empirike çështje dhe tematika të cilave më herët studiuesit kishin një lloj hezimi t’i qaseshin, si: indoktrinimi komunist përmes letërsisë, artit dhe kulturës, burgjet, internimet dhe puna e detyruar në Shqipërinë totalitare, vizatimi i “fytyrës së armikut”, emigracioni politik shqiptar etj. Në vazhdën e këtij bashkëpunimi institucional është edhe projekti “Tirana në sytë e Sigurimit”, që u prezantua në formën e ekspozitës dhe të një konference, sot në Pallatin e Kongresve.

8200 fletë të dhjetëra dosjeve ORV të Sigurimit, që zbërthejnë psikologjinë e regjimit dhe të shtypjes nën diktaturë, janë deklasifikuar në kuadër të ekspozitës, veç dosjeve të tjera, të vëna më parë në dispozicion të familjarëve, studiuesve dhe medias. Materialet janë pjesë e Fondit ish-Drejtoria e Punëve të Brendshme.
Studiues dhe historianë, si prof. assoc. dr Sonila Boçi, drejtuese e ekipit, dr. Gjon Boriçi e dr. Hasan Bello, prezantuan projektin mbi Tiranën, që synon të jetë një histori e kryeqytetit të persekutuar nga regjimi totalitar i majtë. Projekti do të tregojë historinë ekzekutimeve pa gjyq në vigjilje të çlirimit të Tiranës; të shpronësimeve të familjeve të tregtarëve, industrialistëve, intelektualëve tiranas që u detyruan të jetonin në bodrumet e shtëpive të tyre, pasi ato u morën me dhunë nga ata që do të përbënin burokracinë e regjimit që po instalohej.

Ai do të sjellë zërat e tiranasve të stigmatizuar nga regjimi, të familjarëve të tyre, të cilët u ekzekutuan, vuajtën burgjet dhe kampet e internimit të diktaturës, u përndoqën nga Sigurimi i Shtetit, iu mohua e drejta e shkollimit, e drejta të ushtronin profesionin e tyre etj. Projekti do të ketë dy faza: fillimisht do të mblidhen dëshmi të personave të persekutuar të Tiranë, për të ndërtuar më pas një narrativë historike të bazuar sa te historia gojore, aq edhe te burimet parësore arkivore.

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL