“Historia e shqiptarëve gjatë shek.XX”, një burim bazë për tekstet shkollore

17 Nëntor, 2021 Njoftime

Prezantimi i kolanës në tri vëllime “Historia e shqiptarëve gjatë shek.XX” ishte aktiviteti i parë që hapi edicionin XXIV të Panairit të Librit në Tiranë.

Autorët e kësaj vepre e konceptuar në pesë vëllime nga Instituti i Historisë, pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, risollën përvojën e këtyre viteve, përvojë e shoqëruar me skepticizëm në krye të herës, e që ka vazhduar me kërkime intensive në arkiva vendase e të huaja, në burime të pashfrytëzuara më parë, pra një udhëpërshkrim që solli si rezultat këtë vepër të thelluar e unike.
Ishte i nevojshëm ky prezantim, jo vetëm si një nga botimet më të rëndësishme të Institutit të Historisë, por edhe për faktin se dy vëllimet e para kanë mbetur jashtë vëmendjes për shkak të rrethanave që krijoi pandemia, ndërsa vëllimi i tretë ka pak muaj që ka dalë nga shtypi.
Brenda vitit 2021 del në qarkullim vëllimi i katërt që mendohet se prek ndjeshmërinë e opinionit publik ngaqë trajton periudhën historike të shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për të ardhur pastaj te vëllimi i pestë, projekt për vitin 2022, që përkon me jubileun e 110-vjetorit të pavarësisë.


Akademik Beqir Meta, udhëheqës i këtij projekti, kujtoi se “Historia e shqiptarëve gjatë shek. XX” nisi në vitin 2010, kur ishte botuar tashmë “Historia e Popullit Shqiptar” (2007-2008), si përpjekje e parë në epokën demokratike për rishkrimin e historisë. Pikërisht ky botim hapi probleme për mënyrën se si duhej shkruar historia që kemi sot në duar, në drejtim të metodologjisë dhe pikëpamjeve alternative, mbi të gjitha, mbi bazën e referencave burimore historiografike, me shtrirjen në arkiva dhe koleksione të plota evropiane e më gjerë (Arkivat Kombëtare të SHBA, Arkivat e Turqisë, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Maqedonisë, Bullgarisë, Malit të Zi, Kosovës). Janë këto disa nga elementet që e dallojnë menjëherë historinë në fjalë nga veprat e tjera sintetike.


Vëllimet I, II dhe III përmbledhin periudhat e hershme historike deri në vitin 1939. Iu paraprin atyre një rikonceptim i nacionalizmit shqiptar nga Dritan Egro, e duke zbritur në kohë ka një rivlerësim të përmasave të spastrimev etnike në Kosovë gjatë dhe pas luftrave ballkanike; rivlerësohet Kongresi i Lushnjës (me arritjet dhe sidomos me kufizimet e tij); rivlerësohen po aq figura historike, grupe e parti politike me mundësitë që japin dokumentet e pashfrytëzuara.
Prof.asoc. dr. Ledia Dushku, një nga autoret e vëllimit të parë të “Historisë së shqiptatarëve…” evidentoi si risi në përmbajtje, trajtimin në të njëjtin rrafsh të tre iniciativave të elitës politike shqiptare për mbajtjen e një kuvendi kombëtar, si shenjë reagimi në kuadrin e Luftës së Parë Balllkanike; politikat e brendshme të qeverisë së Përkohshme të Vlorës, trajtuar në një qasje teorike që lidhet me fillesat e procesit të deosmanizimit; marrëdhëniet e Esat pashë Toptanit me Greqinë për të siguruar mbështetje në krijimin e Pleqësisë së Shqipërisë së Mesme.
Autorët e “Historisë…” janë kontribues të periudhave të ndryshme dhe përfaqësues nga institucionet kërkimore ndërshqiptare: akademik prof. dr. Beqir Meta, akademik prof. dr. Marenglen Verli, prof. dr. Emine Bakalli, dr. Hasan Bello, docent Teodor Kareco, prof. dr. Fatmira Musaj, prof. dr. Fatmira Rama, prof. asoc. dr. Pranvera Dibra, prof. dr. Laura Smaqi, prof. dr. Gjergj Sinani, prof. dr. Halim Purellku, prof. dr. Lush Culaj, prof. asoc. dr. Robert Gjedia, prof. dr. Hamit Kaba, dr. Marenglen Kasmi, dr. Iljaz Gogaj, dr. Zamir Shtylla dhe ma. Sokol Gjermëni etj.. Ka qenë sfidë që këta autorë të vijnë drejt një stili teksti të unifikuar, ose, siç thekson prof. asoc. dr.Dushku, drejt një natyre shkrimi shkak-pasojë që e ngulit informacionin te lexuesi për çështje që nxisin debat.
Risitë dokumentare mes 1 milion dokumenteve për shfrytëzim nga Instituti i Historisë bëjnë të mundur një pamje të re për historinë e Çamërisë, Kosovës e Diasporës. “Shumë gjëra nuk i kemi ditur”, pranon prof.dr.Verli. Në fakt ky pohim reflekton edhe domosdoshmërinë për të shkruar një histori politike të shqiptareve të lidhur ngushtë me aspektet ekonomike, fetare, letrare, kulturore, duke i parë të gjitha këto në një lidhje shkak-pasojë me politikën.
Në këtë drejtim “Historia e shqiptarëve gjatë shek.XX” është vepër me karakter multidisiplinar.
Kjo kolanë krijon mundësinë për të diskutuar për rishkrimin e historisë dhe si përcillet historia në tekstet shkollore sepse “Historia e shqiptarëve gjatë shek.XX” është një burim bazë për tekstet shkollore.
Vëllimi i parë i “Historisë…” është vlerësuar edhe me çmimin më të lartë vjetor “Çabej” nga Akademia e Shkencave.

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL