Në kuadrin e veprimtarive të përvitshme të Ditëve të Albanologjisë, në edicionin e 8-të të tyre, Instituti i Historisë, pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, më 11 dhjetor 2017, bëri promovimin e botimeve të tij të realizuara gjatë vitit 2017.
Fjalën e hapjes e mbajti Akademik prof. dr. Marenglen Verli, rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike, i cili ndër të tjera, pasi falenderoi pjesëmarrësit, theksoi rëndësinë e aktivitetit të përvitshëm të Ditëve të Albanologjisë dhe prezantoi objektivat e për vitin që vjen, i cili është cilësuar si viti mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
Prezantimin e punës vjetore e bëri Akademik prof. dr. Beqir Meta, drejtor i Institutit të Historisë. Meta paraqiti punën voluminoze e origjinale të Institutit që ai drejton, duke vënë theksin në risitë që janë sjellë, me arkiva të pakonsultuara më parë, qasjet e reja metodologjike të studiuesve, duke sjellë në këtë mënyrë një këndvështrim ndryshe në historishkruarje.
Në vazhdim u bënë prezantimet e botimeve shkencore të Institutit për vitin 2017.
Revista “Studime Historike”, nr. 1-2 /2017, u paraqit nga dr. Sali Kadria, i cili ndër të tjera vuri në dukje vijimin e traditës së vyer të krijuar ndër vite, në lidhje me cilësinë shkencore, risitë dhe kontributet në fushën e historisë së shqiptarëve. Kjo dëshmon jo vetëm përkushtimin në përgjithësi të studiuesve por, njëkohësisht edhe seriozitetin e tyre shkencor. Në vështrim të përgjithshëm, peshën kryesore në artikujt e publikuar vazhdojnë ta mbajnë kërkuesit shkencorë të Institutit të Historisë.
Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX (1912-1920), vëllimi i I, u paraqit nga Akademik Beqir Meta. Në fjalën e tij, historiani Meta, vuri në dukje se botimi që sapo ka shkuar në shtyp, është vetëm një përpjekje për të çuar përpara shkrimin e historisë kombëtare përmes një vepre gjithëpërfshirëse sintetike, duke u bazuar në arritjet më të qenësishme shkencore. Ai është pajisur me referenca burimore të cilat kanë një intensitet të ndryshëm në përputhje me faktet ose burimet e reja që janë sjellë. Është synuar që historia të trajtohet në mënyrë proporcionale nga pikëpamja e vëllimit ose imtësitë e ngjarjeve dhe fakteve, por në çështjet e debatueshme ose në ato të cilat kanë prurje të reja shkencore, informacioni i dhënë ka qenë më i detajuar se në pjesët e tjera.
Akademik Mareglen Verli paraqiti botimin e tij të fundit “101 – Profile biografike nga Kosova për Kosovën”. Sikurse shpreh edhe vetë titulli, në këtë botim profilizohen përmes të dhënave arkivore, bibliografike, kujtimeve e fotografive, dhjetëra emra të njohur, pak të njohur ose të panjohur, shumë nga të cilët personalitete të fushave të ndryshme e luftëtarë të shquar nga Kosova. Ndër risitë e botimit, Akdemiku Verli përmendi bibliografitë e emrave pak të njohur dhe ndriçimin e tyre me realizëm e larg klisheve bardh e zi.
Dr. Eduart Caka paraqiti botimin e tij: Regjistri i Sanxhakut të Arvanidit i vitit 1931, i cili është regjistri kadastral më i hershëm osman i këtij lloji të zbuluar deri në ditët e sotme. Zonat e përfshira në këtë regjistër bënin pjesë në njësinë administrative të quajtur sanxhaku Arvanid me qendër Gjirokastrën por që zinte një hapësirë gjeografike nga Kruja për të zbritur në jug deri në Thesproti. Ai jep të dhëna të rëndësishme mbi ekonominë, demografinë, toponiminë dhe shumë elementë të tjerë të kësaj hapësire gjatë shek. XV.
Ass prof. dr. Edmond Malaj, prezantoi përkthimin e bërë prej tij të botimit “Nga Shkodra gjer në Vlorë nëpër Shqipërinë Mesjetare, të autorit Konstantin Jireçek.
Malaj theksoi se në tre pjesët e para të punimit paraqitet një gjeografi e detajuar historike e krahinave përreth Shkodrës, Durrësit dhe Vlorës dhe një panoramë e vetë këtyre qyteteve në Mesjetë. Në këto pjesë përmenden lokalitete të vjetra ekzistuese e të zhdukura dhe emra kishash dhe monumentesh të tjera të vjetra. Pjesa e katërt është një hyrje e përgjithshme në historinë e Shqipërisë deri në fillim të shek. XX, duke u përqendruar më tepër në Mesjetë.
Një tjetër botim i rëndësishëm i këtij viti është edhe Bibliografia e revistës “Studime Historike” (1964-2014), i cili u paraqit nga autorja Majlinda Rapaj.
Autorja e botimit theksoi se kjo bibliografi u përgatit në kuadër të 50-vjetorit të daljes së numrit të saj të parë, duke përfshirë të gjithë informacionin studimor nga viti 1964 deri në vitin 2014. Përmbajtja e saj është organizuar sipas rubrikave të revistës, ndërsa përshkrimi është bërë sipas standardeve të përshkrimit bibliografik për revistat kërkimore shkencore.