Konferenca e organizuar nga Akademia e të Rinjve

5 Dhjetor, 2017 Njoftime

Më 4 dhjetor 2017, Dr. Ardian Muhaj studiues pranë Institutit të Historisë, mori pjesë në Konferencën e organizuar nga Akademia e të Rinjve pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Dr. Ardian Muhaj prezantoi kumtesën me temë: “Inercia metodologjike në historiografinë shqiptare të shekullit XXI. Shkaqe dhe pasoja”, ku theksonte se historiografia shqiptare e dy dekadave të para të shek. XXI duhet kuptuar në kuadrin e përgjithshëm të shoqërisë në tërësi, e cila përballet me problemet e një tranzicioni të zgjatur, që, në fakt, mund të shihet më qartë nëse e konceptojmë më fort si një inerci nga një periudhë e mëhershme, sesa si lëvizje e mirorientuar drejt një caku të përcaktuar qartë.

Në këtë aspekt, historiografia shqiptare, ashtu si edhe tërësia e shoqërisë, ndodhet në një farë mase e ngujuar ende në shek. XX, apo në atë që do të mund të konsiderohet si shekulli i gjatë i njëzetë shqiptar. Metodat dhe qasjet nuk kanë ndryshuar në përputhje me zhvillimet ballkanike dhe europiane, madje tkurrja e burimeve ekonomike dhe njerëzore në komunitetin e historianëve ka sjellë një konservatorizëm të dukshëm në tërësinë metodologjike, që njëkohësisht i përshtatet trendit të përgjithshëm të inercisë shoqërore, por edhe kontribuon në këtë zgjatje të shekullit të njëzetë historik edhe në shekullin e njëzetenjëtë kronologjik. Shkaqet e një inercie apo zgjatje të periudhës historike dhe historiografike përtej periudhës kronologjike janë të shumta. Reformimi metodologjik i historiografisë shqiptare natyrisht nuk mund të pritet që të ketë një dinamikë dukshëm më të përshpejtuar sesa transformimi i përgjithshëm i shoqërisë. Megjithatë, historianët dhe historiografia janë një nga komunitetet, përkatësisht fushat, që lipset të jenë në ballë të reformimit dhe transformimit të përgjithshëm shoqëror drejt një caku të projektuar në të ardhmen dhe të daljes nga pesha e inercisë së shekullit XX.

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL