Njoftime

Konferenca shkencore me temë: “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu dhe epoka e tij”

25 Qershor, 2018 Njoftime

Në datat 20-21 qershor 2018, u zhvillua konferenca shkencore me temë: “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu dhe epoka e tij”, e organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës. Në këtë konferencë referuan edhe studiues të ASA-së.  Ndër referuesit përmendim:

Prof. dr. Pëllumb Xhufi, studiues pranë Institutit të Historisë,  i cili paraqiti kumtesën me titull: “Atlet i Krishtit, apo fatos i lirisë”.

Prof. asoc. dr. Evalda Paci, studiuese pranë Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, e cila paraqiti kumtesën me titull: “Figura e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, frymëzuese modelesh rrëfimtarie dhe shkrimtarie”.

Prof. dr. Nebi Bardhoshi, drejtor i Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, i cili paraqiti kumtesën e titull: “Etnografia për Skënderbeun: Një analizë antropologjike për Heroin Kombëtar”.

Prof. dr. Miaser Dibra, studiuese pranë Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, e cila paraqiti kumtesën me titull: “Kujtesa sociale për Skënderbeun, model artistik për konceptimin e luftëtarit në këngët  epike të shek. XIX”.

Prof. dr. Agron Xhagolli, i cili paraqiti kumtesën me titull: “Kënga historike shqiptare dhe Skëndërbeu”.

Fjalën përshëndetëse në emër të ASA-së e mbajti rektori, akademik Marenglen Verli.

Takimi në Prizren me ministrin Bytyqi dhe ministren Nikolla

18 Qershor, 2018 Njoftime

Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, akademik Marenglen Verli, drejtori i Institutit të Historisë akademik Beqir Meta, prof. dr. Valter Memisha, drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, morën pjesë në një takim të organizuar nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë së Shqipërisë, znj. Lindita Nikolla dhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, zoti Shyqyri Bytyqi me drejtuesit e instituteve albanologjike në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup.

Takimi u organizua në Prizren, me qëllimin intensifikimin e bashkëpunimit dhe harmonizimin e aktivitetit të këtyre institucioneve të rëndësishme shkencore dhe akademike.

Gjatë këtij takimi u diskutua për hartimin e një axhende të përbashkët, e cila do t’u paraqitet qeverive respektive.

Midis Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe Institutit Albanologjik të Prishtinës u nënshkrua gjithashtu një marrëveshje kuadër bashkëpunimi. Në zbatim të kësaj marrëveshje, palët shkëmbyen botimet e realizuara vitet e fundit, me qëllim pasurimin e bibliotekave respektive.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit

11 Qershor, 2018 Njoftime

Ditën e dielë, më datë 10 qershor 2018, në sallën e Kuvendit Komunal në Prizren, u zhvillua Konferenca Shkencore Ndërkombëtare kushtuar 140 – vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila bëri bashkë studiues nga Instituti i Historisë së Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit, të cilët prezantuan punimet e tyre.


Akademik Marenglen Verli, përshëndeti në cilësinë e rektorit të Akademisë së Studimeve Albanologjike, hapjen e konferencës dhe më pas paraqiti kumtesën me titull: “Çështja shqiptare në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe qëndrimet e Austro-Hungarisë dhe Italisë”.


Akademik Beqir Meta, drejtor i Institutit të Historisë paraqiti kumtesën me titull: “Profili i nacionalizmit shqiptar në foshnjërinë e tij: shqiptarët në betejat për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë (dhjetor 1879-1880)”.


Prof. Asoc. Dr. Edmond Malaj paraqiti kumtesën me titull: “Situata social-kulturore dhe politike gjatë kohës së Lidhjes së Prizrenit”.

Dr. Sali Kadria paraqiti kumtesën me titull: “Mbrojtja e Plavës dhe Gucisë – Kalimi i Lidhjes së Prizrenit nga diskursi politik në qëndresën e armatosur”.

Dr. Ardian Muhaj paraqiti kumtesën me titull: “Rilindje mes dhimbjesh. Dobësimi dhe defaktorizimi i shqiptarëve në Ballkan nga Pashallëqet autonomiste tek Lidhja e Prizrenit”.

Dr. Eduart Caka paraqiti kumtesën me titull: “Lidhja e Prizrenit dhe formësimi i identitetit shqiptar brenda Perandorisë Osmane”.

Dr. Paulin Marku paraqiti kumtesën me titull: “Politika e Italisë ndaj çështjes shqiptare që prej Lidhjes Shqiptare të Prizrenit deri në pavarësinë e Shqipërisë”.

Fjalën e mbylljes së kësaj konference e mbajti Akademik Beqir Meta.

 

“Shkolla verore 2018 – Komunizmi dhe Trashëgimia Komuniste në Shqipëri”

7 Qershor, 2018 Njoftime

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Fakultetin e Historisë dhe Akademinë e Studimeve Albanologjike hapin thirrje për aplikim për edicionin e dytë të “Shkollës Verore 2018 “Komunizmi dhe Trashëgimia Komuniste në Shqipëri”, që do të zhvillohet nga data 9-13 Korrik 2018, në mjediset e Fakultetit të Historisë, në Tiranë.

Në këtë shkollë verore pjesëmarrësit do të mësojnë më shumë rreth temave si:

  • Struktura e Komunizmit dhe sistemeve totalitare
  • Krahasime të rregjimeve komuniste në rajon
  • Persekutimi dhe propaganda
  • Trashëgimia komuniste
  • Diskursi publik për të kaluarën komuniste në Shqipëri
  • Periudha komuniste në kurrikulat e historisë në Shqipëri
  • Kujtesa kolektive për komunizmin në Shqipëri
  • Nostalgjia përkundrejt harresës së komunizmit
  • Vendet e kujtesës
  • Arti, arkitektura dhe Kultura gjatë rregjimit komunist
  • Mitet e identitetit kombëtar gjatë komunizmit
  • Hapja e dosjeve të ish-Shërbimit Sekret Policor (Sigurimi)
  • Pajtimi

Profili i pjesëmarrësve

Jemi në pritje të aplikimeve tuaja nëse ju:

  • Jeni duke ndjekur studimet bachelor, master apo doktoraturë në një nga këto fusha studimi: histori, antropologji, etnologji, gazetari, drejtësi, shkenca politike, shkenca sociale, arkitekturë, letërsi, arte;
  • Jeni aktivë dhe të përfshirë në komunitetin tuaj në çështje që kanë të bëjnë më të kaluarën komuniste;
  • Flisni shqip;

Shënim: 

  • Nuk ofrohet akomodim për pjesëmarrjen në shkollën verore.
  • Në procesin e përzgjedhjes do të zbatohet kriteri i balancës gjinore dhe gjeografike.
  • Kandidatët nga komunitetet e vogla dhe jashtë qendrave urbane inkurajohen të aplikojnë

Procedurat e aplikimit dhe afatetTë gjithë kandidatët e interesuar mund të aplikojnë online, duke plotësuar formularin përmes linkut të mëposhtëm.

https://www.fhf.edu.al/apliko-ne-shkollen-verore-komunizmi-dhe-trashegimia-komuniste-ne-shqiperi/

Aplikimet duhet të dorëzohen brenda datës 20 Qershor, ora 23:59, koha e Europës Qëndrore.

Ligjërata me temë: “Traditë dhe risi në mendimin dhe veprimin politik të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut”

4 Qershor, 2018 Njoftime

Në ambientet e Pallatit të Kongreseve, në datë 28 maj u mbajt nga prof. dr. Pëllumb Xhufi ligjërata e rradhës në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare Albanologjike kushtuar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në 550-vjetorin e vdekjes, kohës në të cilën jetoi dhe gjurmëve që la në histori. Prof. dr. Pëllumb Xhufi mbajti ligjëratën me temë: “Traditë dhe risi në mendimin dhe veprimin politik të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut”.

Tema kishte në fokus dy interpretime që i janë bërë Gjegj Kastriotit-Skënderbeut dhe epokës së tij, nga historianët Eduart Gjiko dhe Oliver Schmitt.
Ligjëratën e plotë të mbajtur nga prof. dr. Pëllumb Xhufi mund ta ndiqni më poshtë.

Konferenca me temë: “Kërkimi Shkencor dhe Inovacioni në Arsimin e Lartë Universitar”

1 Qershor, 2018 Njoftime

Në Kolegjin “ILIRIA” në Prishtinë, u realizua Konferenca Shkencore Ndërkombëtare rreth kërkimit shkencor dhe inovacionit, e cila bëri bashkë studiues të shquar të fushave të ndryshme, nga bota, rajoni e vendi, të cilët prezantuan punimet e tyre. Pjesëmarrësit diskutuan për kërkimin shkencor në arsimin e lartë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe në vende të ndryshme të botës.

Konferenca me temën “Kërkimi Shkencor dhe Inovacioni në Arsimin e Lartë Universitar” trajtoi rrjedhat bashkëkohore të organizimit të kërkimit shkencor sipas Kartës Evropiane të Kërkuesve Shkencorë dhe të programeve të tjera strategjike.

Akademik Marenglen Verli, përshëndeti në cilësinë e rektorit të Akademisë së Studimeve Albanologjike hapjen e konferencës dhe më pas paraqiti kumtesën me titull “Kërkimi shkencor në fushën e albanologjisë në Institutet shkencore dhe Universitetet e Shqipërisë – Një analizë krahasuese”.

Akademik Beqir Meta, drejtor i Institutit të Historisë paraqiti kumtesën me titull: “Reformat e viteve 2007 dhe 2015 në arsimin e lartë në kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë dhe impakti i tyre në studimet albanologjike”. Kumtesat u pritën me interes dhe do të botohen në aktet e kësaj konference.

Midis ASA-së dhe Kolegjit “Iliria”, u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi, në fushën e studimeve Master dhe Doktoraturë, në organizimin e veprimtarive shkencore, në realizimin e projekteve të përbashkëta botuese, në shkëmbimin e literaturës etj.

Ligjërata me temë: “Traditë e risi në idenë dhe në aksionin politik të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut”

25 Maj, 2018 Njoftime

Në kuadrin e Konferencës Ndërkombëtare Albanologjike kushtuar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në 550-vjetorin e vdekjes, kohës në të cilën jetoi dhe gjurmëve që la në histori, ju ftojmë të merrni pjesë në ligjëratën me temë: “Traditë e risi në idenë dhe në aksionin politik të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut”. Kjo ligjëratë do të mbahet nga Prof. dr. Pëllumb Xhufi, ditën e hënë, më datë 28 maj 2018, ora 11:00, në Pallatin e Kongreseve, Tiranë.
Ju mirëpresim!

Konferenca Shkencore me temë: “Kontribute të historiografisë vendase dhe të huaj mbi figurën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut”

14 Maj, 2018 Njoftime

Më datë 11 Maj, prof. asoc. dr. Edmond Malaj mori pjesë në Konferencën Shkencore me temë: “Kontribute të historiografisë vendase dhe të huaj mbi figurën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut”, të organizuar nga Universiteti i Durrësit “Aleksandër Moisiu”, në kuadër të vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut. Prof. asoc. dr. Edmond Malaj paraqiti kumtesën me titull: “Monografia “Skanderbeg” e Julius Piskos, një studim i vjetër por i panjohur mirë për historiografinë shqiptare”. Studiuesit nga Shqipëria, Kosova, Italia dhe Austria analizuan figurën shumë – përmasore të Heroit tonë Kombëtar, për rëndësinë e jashtëzakonshme të tij në historinë kombëtare të shqiptarëve, por edhe si mbrojtës i qytetërimit evropian.

Gjatë fjalës së tij, prof. asoc. dr. Edmond Malaj theksoi se:

Julius Pisko ka qenë zëvendëskonsull i Konsullatës së Përgjithshme Austrohungareze në Janinë dhe përveç Studimit mbi Historinë e Skënderbeut ai ka hartuar edhe një libër mbi gramatikën shqipe të dialektit të veriut me titull “Doracak i shkurtër i gjuhës shqipe veriore” (Kurzgefasstes Handbuch der Nordalbanesischen Sprache 1896).

Monografia e Julius Piskos mban vitin e botimit 1894 dhe titulli i saj është i thjeshtë “Skënderbeu. Një studim historik.” (Skanderbeg. Eine historische Studie). Ajo vlerësohet nga Noli si biografia e parë e detajuar dhe shkencore për Skënderbeun, e shkruar nga historianët gjermanofonë. Në studimin e tij mbi Skënderbeun Pisko iu referua qoftë studimeve dhe veprave që ishin shkruar deri në atë kohë, qoftë burimeve arkivore, që kishte në dispozicion. Në fund të veprës, atij ju duk e rëndësishme që të vendoste edhe dy shtojca të cilat përbëhen nga disa dokumente të rëndësishme, ndonjë letër e Skënderbeut dhe pjesë nga studime të ndryshme që kanë një rëndësi të veçantë për historinë e Skënderbeut.

Këto fragmente dhe materiale dokumentare janë në gjuhën latine dhe italiane mesjetare dhe përbëjnë edhe sot akoma material të çmueshëm qoftë për historinë e Skënderbeut, qoftë për atë mesjetare. Edhe pse kjo monografi është mjaft e vlerësuar, ajo është pothuajse krejt e panjohur për lexuesin dhe studiuesin shqipfolës, pasi është botuar në vitin e largët 1894 dhe gjendet me vështirësi. Këtyre vështirësive u shtohet edhe ajo gjuhësore, pasi gjuha gjermane që përdor Pisko kërkon një nivel të lartë njohjeje nga lexuesi i huaj. Në kumtesën time do të përpiqem që të nxjerr në pah vlerat e kësaj vepre, por edhe disa nga mangësitë e saj.

Thirrje për prezantime për Konferencën shkencore: “Tё mohuar nga regjimi”: burgjet, sistemi i internim-dёbimeve dhe puna e detyruar në Shqipëri 1945-1990”

11 Maj, 2018 Njoftime

Ndër problematikat e marrёdhёnieve sё shoqёrisё shqiptare me tё shkuarёn komuniste, diskursi mbi pjesёn represive tё regjimit duket se ёshtё komponenti mё i vёshtirё. Opinioni publik tregon një lloj refuzimi për t’u pёrfshirë nё debate mbi dhunën shumëplanëshe që ushtronte regjimi ndaj kundërshtarëve të tij politikë dhe familjeve të tyre, mbi sistemin e burgjeve dhe atё tё internim/dëbimeve, mbi vuajtjet e njerëzve në këto burgje dhe kampe dhe keqtrajtimet e shumta që ata vuajtën në to.

Puna e detyrueshme është përdorur gjerësisht në Shqipërinë komuniste, menjëherë pas vendosjes së regjimit. Pranë institucioneve të vuajtjes së dënimit (burgjeve) filluan të funksiononin kampet e punës për të burgosurit. Kampet e punës ishin vende ku dënimi kryhej duke bërë punë të detyruar si bonifikim, ndërtime veprash publike, nxjerrje mineralesh, bujqësi etj. Ato ndërtoheshin shpeshherë pranë vendit ku të burgosurit duhet të punonin. Kampet e tilla kanë qenë të përkohshme (të ndërtuara me çadra apo barake, të rrethuar nga tela me gjemba dhe rreptësisht të kontrolluara nga ushtarë të armatosur), ndërsa në raste të tjera ishin të vendosura në formë të përhershme, sidomos afër minierave. Kampet e para të punës për të burgosurit ishin ato të Jubës, afër Durrësit (1946); ai i Maliqit afër Korçës (1946); Bedenit dhe Lekajt afër Kavajës (1948), Valshuk, Berat (1948) e shumë të tjerë. Puna e detyruar aplikohej edhe në vendet e internimit gjatë periudhës 1945-1953. Të gjithë të internuarit pavarësisht nëse ishin burra, gra, të moshuar apo fëmijë jetonin në vende të rrethuara me tela me gjemba dhe detyroheshin të punonin në punë tejet të rënda. Kampe të tilla pune për të internuarit kishte në Tiranë, Tepelenë, Cërrik etj.

Kampet e punës për të burgosurit ishin fenomeni më i dhimbshëm i regjmit komunist. Një raport i Departamentit të Shtetit drejtuar Kombeve të Bashkuara në vitin 1955 shprehet me nota shqetësuese për përdorimin e punës së detyrueshme në burgjet dhe kampet e internimit në Shqipëri. Sipas tij, “puna e detyrushme përdoret në masë në Shqipëri që kur regjimi i sotmë komunist erdhi në fuqi në Nëndor 1944. Janë botuar një numur ligjesh dhe vendimesh të cilat legalizojnë punën me përdhunë, dhe Kodi Penal i ri Shqiptar që u adoptua në Maj 1952, bazuar në Kodin Penal Sovjetik bën parashikime me mjeshtëri për “punë korrektonjëse” dhe internime qytetarësh në kampe koncentrimi dhe pune. Edhe fëmijët që kanë mbërritur moshën 12 vjeç janë të përgjegjshëm kundrejt masave për në kampet “me punë korektonjëse” t’akuzuar për krime kundër shtetit”.

Gjatë 28 viteve që pasuan rënien e regjimit komunist në Shqipëri, komuniteti i studiuesve nuk ka qenë shumë i fokusuar në këto çështje delikate. Në Shqipëri mungojnë studime serioze mbi punën e detyruar dhe sistemin e internim-dëbimeve; nuk janë ndërtuan ende vende të kujtesës mbi regjimin komunist; nuk janë zhvilluar aktivitete të mirëfillta shkencore mbi këto problematike dhe, vetëm së fundi, po bëhet një punë sistematike për mbledhjen e dëshmive dhe kujtimeve të personave që kanë vuajtur në burgjet dhe kampet e internimit.

Tё bindur se vetёm duke iu qasur me guxim, objektivitet shkencor dhe empathi tё shkuarёs, i shёrbejmё emancipimit tё shoqёrisё shqiptare.

Autoriteti për informim mbi dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Institutin e Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, Institutin për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit ju ftojnë të paraqesni propozimet për prezantime për konferencën “Tё mohuar nga regjimi”: burgjet, sistemi i internim-dёbimeve dhe puna e detyruar në Shqipëri 1945-1990”, e cila do të mbahet më 31 tetor 2018 në Tiranë. Kjo konferencë organizohet në kuadër të projektit “Përkujtojmë për të shëruar dhe parandaluar “, në mbështetje të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Projekti mbështetet nga UNDP Shqipëri dhe Qeveria e Italisë.

 Konferenca pёrqendrohet nё kёto tematika kryesore:

  1. Analizë mbi totalitarizmin dhe aplikimin e tij në Evropën Lindore dhe Shqipëri
  2. Raporti i historisё dhe kujtesёs pёr tё shkuarёn komuniste nё Shqipёri.
  3. Njё vёshtrim krahasimor ndёrmjet komunizmit shqiptar dhe atij nё vendet e tjera tё Evropёs Qendrore dhe Lindore.
  4. Figura e “armikut tё popullit” nё botёkuptimin komunist shqiptar.
  5. Faji individual, ndёshkimi kolektiv: analizё mbi sistemin e internim/dёbimeve nё Shqipёri.
  6. Tipologjia e kampeve dhe zonave tё internimit.
  7. Jeta e pёrditshme dhe raportet njerёzore nё kampet dhe nё zonat e internimit.
  8. Kampet e rrethuara me tela me gjemba; Berati, Kruja, Tepelena, Porto-Palermo etj.
  9. Reflektim mbi arsyet e pёrdorimit tё punёs sё detyruar nё burgje, kampet dhe zonat e internimit nё Shqipёri.
  10. Të huajt në kampet shqiptare: robërit e luftës, ushtarët grekë, italinët, etj. .
  11. Statistika nga produkti i përftuar për shoqërinë shqiptare nga përdorimi i punës së detyruar
  12. Kujtesa kolektive mbi kampet e internim/dёbimeve dhe tё shkuarёn komuniste nё Shqipёri.

Abstraktet duhet të përbajnë 250-300 fjalë dhe të paraqiten jo më vonë se data 7 qershor 2018 në adresën:

konferenca1@autoritetidosjeve.gov.al

Pjesëmarrësit do të njoftohen për përzgjedhjen jo më vonë se data 30 qershor 2018.

Komiteti Organizativ:

Akademik Beqir Meta (ASA)

Dr. Marenglen Kasmi (AIDSSH)

Dr. Adriana Topi (AIDSSH)

Prof. Asoc. Dr. Sonila Boçi (ASA)

Dr. Çelo Hoxha (ISKPK)

Konferenca shkencore “Komiteti ‘Mbrojtja Kombëtare e Kosovës’ dhe koha e tij”

3 Maj, 2018 Njoftime

Instituti i Historisë Tiranë, në bashkëpunim me Institutin e Historisë “Ali Hadri” Prishtinë dhe Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, Shkup, organizuan më datë 2 maj 2018, në sallën “Kostandin Shpataraku” të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, Konferencën shkencore “Komiteti ‘Mbrojtja Kombëtare e Kosovës’ dhe koha e tij”.

Akademik Marenglen Verli, drejtor i Akademisë së Studimeve Albanologjike në fjalën e hapjes së konferencës, përshëndeti të pranishmit si dhe i uroi suksese punimeve të saj.

Moderatorë të panelit të parë të konferencës ishin: Marenglen Verli, Ledia Dushku dhe Sabit Syla.

Marenglen Verli mbajti kumtesën me titull: “Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” – refleksione”.

Sabit Syla paraqiti kumtesën “Trajtimi i Lëvizjes Çlirimtare (Kaçake) dhe i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” në historiografinë shqiptare”.

Ledia Dushku u parqit me kumtesën “Konteksti historik i krijimit të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”.

Gazmend Shpuza paraqiti kumtesën “Sali Nivica, anëtari lab i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”.

Qerim Lita prezantoi kumtesën “Burimet policore jugosllave rreth veprimtarisë së Lëvizjes Kaçake, 1919-1922”.

Lush Culaj u paraqit me kumtesën “Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës dhe Paqja e Versajës”.

Ibrahim Gashi mbajti kumtesën “Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave në dritën e burimeve diplomatike serbe 1918-1928”.

Halim Purellku paraqiti kumtesën “Aksionet e armatosura të çetave guerile/ kaçake në trevat lindore shqiptare (1919-1925)”.

Në panelin e dytë të Konferencës, moderatorë ishin: Beqir Meta dhe Fatmira Rama.

Sali Kadria paraqiti kumtesën “Zhvillimet brenda nacionalizmit shqiptar në vitet 1920-1921”.

Beqir Meta mbajti kumtesën “Implikimet ndërkombëtare të veprimtarisë së Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” në vitet 1921-1924”.

Albana Mema u paraqit me kumtesën “Marrëdhëniet mes Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe qeverive shqiptare gjatë viteve 1921-1924”.

Fatmira Musaj prezantoi kumtesën “Raportet e Ahmet Zogut dhe Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” në vitet 1924-1925”.

Fatmira Rama u paraqit me kumtesën “Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe revista “Federata Ballkanike” në vitet 1925-1930”.

Liman Rushiti paraqiti trajtesën “Organizimi i Krahut Politik të Luftës Nacionalçlirimtare kaçake nga ana e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”.

Skënder Lutfiu paraqiti kumtesën “Ndikimi i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” në marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave”.

Në fund të konferencës, nga të pranishmit u kalua në pyetje dhe diskutime. Pjesëmarrësit vlerësuan konferencën si dhe shprehën mendime për thellimin e kërkimit shkencor për këtë temë si dhe për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet studiesve nga të gjitha trevat etnike shqiptare.

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL