Në Kolegjin “ILIRIA” në Prishtinë, u realizua Konferenca Shkencore Ndërkombëtare rreth kërkimit shkencor dhe inovacionit, e cila bëri bashkë studiues të shquar të fushave të ndryshme, nga bota, rajoni e vendi, të cilët prezantuan punimet e tyre. Pjesëmarrësit diskutuan për kërkimin shkencor në arsimin e lartë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe në vende të ndryshme të botës.
Konferenca me temën “Kërkimi Shkencor dhe Inovacioni në Arsimin e Lartë Universitar” trajtoi rrjedhat bashkëkohore të organizimit të kërkimit shkencor sipas Kartës Evropiane të Kërkuesve Shkencorë dhe të programeve të tjera strategjike.
Akademik Marenglen Verli, përshëndeti në cilësinë e rektorit të Akademisë së Studimeve Albanologjike hapjen e konferencës dhe më pas paraqiti kumtesën me titull “Kërkimi shkencor në fushën e albanologjisë në Institutet shkencore dhe Universitetet e Shqipërisë – Një analizë krahasuese”.
Akademik Beqir Meta, drejtor i Institutit të Historisë paraqiti kumtesën me titull: “Reformat e viteve 2007 dhe 2015 në arsimin e lartë në kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë dhe impakti i tyre në studimet albanologjike”. Kumtesat u pritën me interes dhe do të botohen në aktet e kësaj konference.
Midis ASA-së dhe Kolegjit “Iliria”, u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi, në fushën e studimeve Master dhe Doktoraturë, në organizimin e veprimtarive shkencore, në realizimin e projekteve të përbashkëta botuese, në shkëmbimin e literaturës etj.