Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, akademik Marenglen Verli, drejtori i Institutit të Historisë akademik Beqir Meta, prof. dr. Valter Memisha, drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, morën pjesë në një takim të organizuar nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë së Shqipërisë, znj. Lindita Nikolla dhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, zoti Shyqyri Bytyqi me drejtuesit e instituteve albanologjike në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup.
Takimi u organizua në Prizren, me qëllimin intensifikimin e bashkëpunimit dhe harmonizimin e aktivitetit të këtyre institucioneve të rëndësishme shkencore dhe akademike.
Gjatë këtij takimi u diskutua për hartimin e një axhende të përbashkët, e cila do t’u paraqitet qeverive respektive.
Midis Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe Institutit Albanologjik të Prishtinës u nënshkrua gjithashtu një marrëveshje kuadër bashkëpunimi. Në zbatim të kësaj marrëveshje, palët shkëmbyen botimet e realizuara vitet e fundit, me qëllim pasurimin e bibliotekave respektive.