Tryeza e rrumbullakët me temë: “Kultet e Adriatikut (shek. III para Kr.- shek.VII pas Kr.)”

30 Prill, 2018 Njoftime, QSA

Instituti i Arkeologjisë, në bashkëpunim me Shkollën franceze të Romës dhe Universitetin Bordeaux III – Montaigne, Francë, organizuan në datat 26-27-28 prill 2018, tryezën e rrumbullakët me temë: “Kultet e Adriatikut (shek. III para Kr.- shek.VII pas Kr.)”. Tryeza e rrumbullakët u zhvillua në ambientet e Pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu”, sheshi “Liria”, Durrës.

Kjo tryezë u përshëndet nga Z. Vangjush Dako, Kryetar i Bashkisë së Durrësit;

Akademik Marenglen Verli, Rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike;

Z. Nicolas Laubry, Drejtori i Antikitetit në Shkollën Franceze të Romës;

Prof. Luan Përzhita, Drejtor i Institutit të Arkeologjisë

dhe nga Prof. Francis Tassaux nga Universiteti i Bordeaux III – Montaigne.

Gjatë seancës së parë, të drejtuar nga Z. Nicolas Laubry, me tematikë “Vendet e kultit dhe dinamika territoriale në Adriatik gjatë epokave para-romake dhe romake” referuan kumtesat e tyre: Maria Luisa Marchi, nga Universiteti i Foggias paraqiti kumtesën me titull: “Dinamika e ekspansionit romak në Italinë jugore dhe vendet e kultit; midis vazhdimësisë dhe mosvazhdimësisë”; Maria Cristina Manchini & Olivia Menozzi, nga Universiteti i Chietit, paraqitën kumtesën me titull: “Sanktuarët dhe dhe kultet në zonën e Adriatikut të mesëm gjatë epokës romake, problematikat territoriale, transformimet dhe format e kultit perandorak”; Roberto Perna dhe Sofia Cingolani, Universiteti i Macerata, paraqitën kumtesën me titull: “Sanktuarët dhe vendet e kultit në periudhën romake në rajonet V dhe VI të Adriatikut (rasti i Pollentia-Urbs Salvia); Eduard Shehi, studiues shkencor pranë Instituti i Arkeologjisë, paraqiti kumtesën me titull: “Tempujt ekstra-urbanë apo zonat kufitare? Rasti i Durrësit”.

Gjatë seancës së dytë dhe asaj të tretë, të drejtuara përkatësisht nga Znj. Jana Jorvat dhe Z. Gaetano Bencic, me tematikë, “Figura hyjnore dhe forma të kultit në Adriatik në kohën para-romake dhe romake” prezantuan kumtesat e tyre Marjeta Sasel-Kos, studiuese shkencore pranë Institutit të Arkeologjisë të Ljubjanës, paraqiti kumtesën me titull: “Hyjni para-romake në Adriatikun veripëndimor: vazhdimësia, transformimi dhe identifikimi; Albana Meta, studiuese shkencore pranë Institutit të Arkeologjisë, paraqiti kumtesën me titull: “Hyjnitë dhe kultet në monedhat e qyteteve të Ilirisë jugore”; Neritan Ceka, paraqiti kumtesën me titull: “Hyjnitë dhe kultet në Bylis”; Daniela Rigato, nga Universiteti i Bologna-s, paraqiti kumtesën me titull: “Mbishkrimet e shenjta të pronarëve të fermave në zonën e Adriatikut”; Shpresa Gjongecaj, studiuese shkencore pranë Institutit të Arkeologjisë, paraqiti kumtesën me titull: “Prania e monedhave në hapësirën që i dedikohet hyjnisë”, Sabina Veseli- Instituti i Arkeologjisë, paraqiti kumtesën me titull: “Dëshmia e kulteve orientale në plastikën prej bronzi nga Shqipëria”; Altin Skënderaj studiues shkencor pranë Institutit të Arkeologjisë, paraqiti kumtesën me titull: “Disa reflektime mbi praninë e perëndisë Bès në kontekstin domestik të Apollonisë”; Belisa Muka studiuese shkencore pranë Institutit të Arkeologjisë, paraqiti kumtesën me titull: “Çifti i banketorëve prej terrakote: midis praktikave të kushtimit dhe devocionit popullor në sanktuarin e ashtuquajtur “Bonjakët” të Apollonisë”.

Gjatë seancës së katërt, të drejtuar nga Znj. Sonia Antonelli, me tematikë :“Çfarë shndërrimesh përgjatë Antikitetit të Vonë? Organizimi territorial i kultit të krishterë në Adriatik”: Alberto Andreoli, nga Universiteti i Ferraras, paraqiti kumtesën me titull: “Organizimi i kultit të krishterë në Ravenë dhe në prapatokën e saj midis shekujve IV dhe VII”; Giovanni Mastronuzzi, nga Universiteti i Salentos, paraqiti kumtesën me titull: “Origjina e krishtërimit në jug të Puglia-s: martiriumi i Vaste-s”; Sonia Antonelli & Maria Carla Somma, nga Universiteti i Chietit, paraqiti kumtesën me titull: “Ndërtesat e kultit midis Picenumit jugor dhe Samniumit (shek. IV-VII): Sistemet e të dhënave për një rindërtim të peizazheve të krishtera”; Morana Causeviç Bully, Sebastien Bully, Universiteti i Besançon, paraqiti kumtesën me titull: “Për një rilexim të organizimit territorial të dioqezave ishullore paleokristiane të Osor dhe Kërk (arqipelagu i Kvarner, Kroaci) në dritën e hulumtimeve të reja arkeologjike në sitet Martinscica dhe Mirine”; Afrim Hoti paraqiti kumtesën me titull: “Aspektet e liturgjisë së krishterë në krahinën Epirus Nova.

Gjatë seancës së pestë, të drejtuar nga Z. Gëzim Hoxha, me tematikë “Çfarë shndërrimesh përgjatë Antikitetit të Vonë? Kulti i shenjtorëve”: Gaetano Bencic, muzeu i Porec, paraqiti kumtesën me titull: “Përhapja e kulteve me origjinë bizantine në Istria”; Pascale Chevalier- Clermont Ferrand, paraqiti kumtesën me titull: “Kulti i disa martirëve dalmatë në shekujt e VI-të dhe VII-të”; Gëzim Hoxha, studiues shkencore pranë Institutit të Arkeologjisë, paraqiti kumtesën me titull: “Një ampulë e Shën Menas-it nga Shkodra si dëshmi e itinerarit të pelegrinazhit përgjatë bregut lindor të Adriatikut”.

Në fund pjesëmarrësit në tryezën e rrumbullakët vizituan Amfiteatrin e Durrësit dhe qytetin e lashtë të Apollonisë.

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL