Promovimi i veprës me titull: “Kontribut për historinë dhe kulturën shqiptare”

24 Prill, 2018 Njoftime, QSA

Më datë 23 prill 2018 Prof. As. Dr. Evalda Paci mori pjesë në veprimtarinë shkencore të zhvilluar në bibliotekën publike “Gjergj Fishta” në Lezhë, me rastin e promovimit të veprës me titull: “Kontribut për historinë dhe kulturën shqiptare”, Botime Françeskane, Shkodër, 2017 të Atë Marin Sirdanit O.F.M.

Kjo veprimtari organizohej nga Provinca Françeskane Shqiptare “Zoja Nunciatë” në bashkëpunim me bibliotekën e qytetit të Lezhës. Në paraqitjen e saj Evalda Paci analizoi disa aspekte të personalitetit të Atë Marin Sirdanit O.F.M. si studiues, historiograf, gjurmues në disa disiplina të dijes, autor shkrimesh shkencore në disa të përkohshme të rëndësishme shqiptare në gjysmën e parë të shekullit të kaluar.

Kontributet e tij në Zânin e Shna Ndout e në Hyllin e Dritës janë dëshmi e një përkushtimi të vazhdueshëm në pikëpamje të gjurmimeve mbi figurën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, biografinë dhe bëmat e tij, por dhe mbi historinë e krishtërimit në Shqipëri, gjithashtu dhe historikut të vendosjes së urdhrit françeskan në viset tona. Historiku i dioqezave shqiptare trajtohet gjithashtu në shkrimet e Atë Marin Sirdanit O.F.M. si një argument i mbështetur nga një suport i pasur bibliografik dhe studimor, duke zënë një pjesë të konsiderueshme të përmbajtjes së këtij vëllimi tematik me vlerë. Vëllimi në fjalë përmbledh në të vërtetë një pjesë të konsiderueshme të kontributeve të Atë Marin Sirdanit O.F.M., të konkretizuara në disa fusha të dijes.

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL