Kultet e Adriatikut (shek. III para Kr.- shek.VII pas Kr.)

18 Prill, 2018 Njoftime, QSA
Instituti i Arkeologjisë në bashkëpunim me Shkollën franceze të Romës dhe Universitetit Ausonius-Bordeaux-Montaigne organizojnë në datat 26-27-28 prill 2018, duke filluar nga ora 9:00, tryezën e rrumbullakët me temë: “Kultet e Adriatikut (shek. III para Kr.- shek.VII pas Kr.)”. Tryeza e rrumbullakët do ti zhvillojë punimet në ambientet e Pallatit të Kulturës, sheshi “Iliria”, Durrës.
 
Abstrakt
Që prej tryezës së rrumbullakët të organizuar në Bordo, në vitin 1997, rreth “kulteve politeiste në Adriatik gjatë periudhës romake”, vendi që kanë zënë besimet në konferenca të mëdha ndërkombëtare ose rajonale të Adriatikut, kanë qenë pak apo aspak i dukshëm, në një kohë kur të dhënat rreth tyre janë shtuar, veçanërisht falë botimeve të reja në fushën e epigrafisë. Përveç kësaj, një masë e të dhënave të reja, të shpërndara nëpër botime të shumta, po i pasurojnë vazhdimisht çështjet që ngrihen rreth besimeve.
 
Pikërisht, në kontekstin e Atlasit të informatizuar të Adriatikut të lashtë – AdriAtlas (Adriaticummare.org) dhe me rastin e takimit të tij të përvitshëm, u vendos organizimi i tryeze të re të rrumbullakët, në Durrës, Shqipëri, me ftesë të Institutit të Arkeologjisë (Tiranë) dhe me mbështetjen e Shkollës franceze të Romës dhe Universitetit Ausonius-Bordeaux-Montaigne. Ndryshe nga tryeza e Bordosë, kuadri kronologjik shtrihet nga shek. III p.e.s. deri në shekullin e VII e.s., nga ardhja e Romës në atë të sllavëve në Adriatik.
 
Në këtë takim të specialistëve të Adriatikut nga Shqipëria, Kroacia, Franca, Italia dhe Sllovenia, synohet të hartohen sinteza të reja dhe të inkurajohen hulumtimet e reja në fushën e besimeve, brenda kësaj hapësire të gjerë, e cila është njëherazi një vend shkëmbimesh intensive dhe një mozaik rajonesh dhe popujsh të ndryshëm. Në të njëjtën kohë, është një mundësi e mirë për t’u njohur me dhëna të reja, apo për të ritrajtuar të dhënat ekzistuese, duke i botuar ato me rigorozitet. Ky takim është një rast i mirë, si për kumtuesit, ashtu edhe për prezantuesit e posterave, për të botuar harta të shpërndarjes së kulteve sipas fazave kronologjike, bazuar në të dhënat sasiore.
 
Jeni të mirëpritur!
2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL