Njoftime

Konferenca shkencore ndërkombëtare: “Ismail Qemal Vlora dhe elita politike shqiptare në procesin e shtetndërtimit”

24 Shtator, 2019 Njoftime

Instituti i Historisë, pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, organizojnë konferencën shkencore ndërkombëtare: “Ismail Qemal Vlora dhe elita politike shqiptare në procesin e shtetndërtimit”.

Konferenca do të zhvillohet ditën e premte, me datë 27 shtator 2019, ora 09:00, në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Bashkëngjitur gjeni programin e konferencës.

Programi i konferencës

Jeni të mirëpritur!

Konferenca e VII shkencore mbi studimet e historisë ballkanike, me temë: “Migrations to Balkans and from Balkans (from Ottoman Empire to Republic)”

23 Shtator, 2019 Njoftime

Dr. Hasan Bello, studiues i Institutit të Historisë, pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, mori pjesë në Konferencën e VII shkencore mbi studimet e historisë ballkanike, me temë: “Migrations to Balkans and from Balkans (from Ottoman Empire to Republic)”, e cila këtë vit u organizua nga Trakya University, në qytetin Edirne të Turqisë, në datat 18-21 shtator 2019.

Dr. Hasan Bello u paraqit në këtë konferencë me kumtesën me titull: “Expulsion of the population from Kosovo to Turkey: The Yugoslav-Turkish Convention of 1938”.

Aktivitet i zhvilluar në kuadër të veprimtarive për përkujtimin e tragjedisë së 11 Shtatorit.

23 Shtator, 2019 Njoftime

Me datë 15 shtator 2019, dr. Paulin Marku, studiues i Institutit të Historisë, mori pjesë në aktivitetin: “Java kulturore shqiptare në Amerikë”, të mbajtur në selinë e Federatës Pan-Shqiptare Vatra, në New York. Ky aktivitet u organizua nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve të Shkupit, në kuadër të veprimtarive për përkujtimin e tragjedisë së 11 Shtatorit.


Gjatë fjalës së tij, dr. Paulin Marku foli për familjen Bojaxhiu, e veçanërisht për Nënë Terezën dhe Kolë Bojaxhiun.

Pjesëmarrje e dr. Paulin Markut në aktivitetin e organizuar nga Federata Pan-Shqiptare “Vatra”

23 Shtator, 2019 Njoftime

Më 14 shtator 2019, dr. Paulin Marku, studiues i Institutit të Historisë, pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga Federata Pan-Shqiptare “Vatra”, me seli në New York. Në këtë aktivitet dr. Paulin Marku u paraqit me kumtesën me titull: “Persekutimi i regjimit komunist në Malësinë e Madhe, në veçanti ndaj familjes Paja”.

Gjatë fjalës së tij, dr. Paulin Marku, prezantoi një panoramë të përgjithshme të regjimit komunist në Malësinë e Madhe, ku fokusi kryesor i kumtesës ishte persekutimi komunist ndaj familjes Paja. Gjatë fjalës së tij ai trajtoi shkaqet e nisjes së persekutimit, rrjedhojat e këtyre ngjarjeve në etapa të ndryshme kohore si dhe ndëshkimet, që ju bënë familjes Paja, gjatë periudhës komuniste.

Ligjёrata e hapur me temё: “Historiku i marrёdhёnieve shqiptaro-kineze dhe ndryshimet politike nё Shqipёri pas rёnies sё Murit tё Berlinit”

30 Korrik, 2019 Njoftime

Me datё 29 korrik 2019, dr. Gjon Boriçi, studiues i Institutit tё Historisё, pranë Akademisё së Studimeve Albanologjike, i ftuar nga ambasadori i Republikёs Popullore tё Kinёs nё Shqipёri, z. Zhou Ding, mbajti njё ligjёratё/bashkёbisedim tё hapur me stafin diplomatik tё kësaj ambasade, me temё: “Historiku i marrёdhёnieve shqiptaro-kineze dhe ndryshimet politike nё Shqipёri pas rёnies sё Murit tё Berlinit”. 

Stafi diplomatik i ambasadёs sё Republikёs Popullore tё Kinёs nё Shqipёri shprehu kёnaqёsinё pёr njё ligjёratё/bashkёbisedim tё tillё, ku u fol edhe pёr eksperiencёn shqiptare e kineze si edhe marrёdhёnien e ngushtё mids dy vendeve, gjatё epokёs sё Luftёs sё Ftohtё dhe mbi mundёsinё e ripёrtёritjes sё kёtyre marrёdhёnieve, pas ndryshimeve tё fund viteve ’80 dhe fillimit tё viteve ’90.

“10 vjet Java e Albanologjisë”

27 Qershor, 2019 Njoftime

Më 17-19 qershor 2019, në  ambientet e Institutit Albanologjik në Prishtinë zhvilloi punimet Konferenca Ndërkombëtare “10 vjet Java e Albanologjisë”, në të cilën morën pjesë studiues të albanologjisë nga mbarë trojet shqiptare. Përveç seancës plenare, veprimtaria shkencore ishte organizuar në 5 sesione, ku u trajtuan tematikat e mëposhtme:

  1. Gjuhësi: “Probleme të shqipes standarde në komunikimin e shkruar dhe të folur sot”
  2. Letërsi: “Tregimi në letërsinë shqipe”
  3. Folklor: “Festivalet folklorike, folklori, folklorizmi dhe audienca”
  4. Etnologji: “Lufta, konfliktet dhe kultura në Kosovë – vështrime etnologjike”
  5. Histori: “Problematika e gjeografisë historike në hapësirat albanofone”.

Studiuesit e Akademisë së Studimeve Albanologjike, u paraqitën në këtë veprimtari me kumtesat e mëposhtme:

  • Prof. dr. Valter Memisha, drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe letërsisë, paraqiti kumtesën me titull: “Leksikografia dialektore dhe komunikimi i sotshëm gjuhësor (Rreth vlerave të Fjalorit të fjalëve dhe të shprehjeve të Kosovës të Q. Muratit)”.
  • Prof. dr. Artur Lama, studiues pranë Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, paraqiti kumtesën me titull: “Rreth disa vlerave leksiko-kulturore të Fjalorit të fjalëve dhe shprehjeve të Kosovës (2018)”.
  • Dr. Virion Graçi, paraqiti kumtesën me titull: “Paradigma të fatit njerëzor në prozën e shkurtër të Ramis Gjinit”.
  • Dr. Rovena Vata, paraqiti kumtesën me titull: “Tregimi shqip dhe formacionet stilistike në veprën “Hi dhe Shpuzë” të Mithat Frashërit”.
  • Prof. asoc. dr. Nebi Bardhoshi, drejtor i Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, paraqiti kumtesën me titull: “Gurt’ e kufinit: Të jetuarit në situata liminale”.
  • Prof. dr. Pëllumb Xhufi, studiues pranë Institutit të Historisë, paraqiti kumtesën me titull: “Të dhëna të reja mbi proceset e asimilimit etnik e të rrudhjes hapësinore të popullit shqiptar”.
  • Akad. prof. dr. Marenglen Verli, rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike, paraqiti kumtesën me titull: “Situata demografike, etnike, fetare dhe ekonomike në Kosovë, në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”.
  • Dr. Ardian Muhaj, studiues pranë Institutit të Historisë, paraqiti kumtesën me titull: “Mbi zanafillën dhe domethënien gjuhësore e historike të emërtimit Dukagjin”.
  • Prof. asoc. dr. Evalda Paci, studiues pranë Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, paraqiti kumtesën me titull: “Çështje të receptimit të elementeve të gjeografisë kishtare në një traditë studimesh dhe botimesh albanologjike”.
  • Prof. asoc. dr. Edmond Malaj, studiues pranë Institutit të Historisë, paraqiti kumtesën me titull: “Kontributi i Konstantin Jireçekut për gjeografinë historike të trojeve shqiptare kryesisht gjatë Mesjetës”.
  • Kandidate Dr. Blerina Kuqi, paraqiti kumtesën me titull: “Krijimi i “Shqipërisë së Madhe” dhe administrata fetare në të, gjatë pushtimit Italian”.
  • Kandidate Dr. Jorina Verli, paraqiti kumtesën me titull: “Shqiptarët në trevat shqiptare veri-lindore nën pushtimin bullgar të vitit 1941”.

Konferenca shkencore ndërkombëtare me temë: “Kosova – rruga drejt lirisë”

17 Qershor, 2019 Njoftime

Me 11 qershor 2019, me rastin e 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës, u organizua në Prishtinë konferenca shkencore ndërkombëtare me temë: “Kosova – rruga drejt lirisë”. Kjo konferencë u organizua nga Instituti i Historisë  “Ali Hadri” në bashkëpunim me Institutin e Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike – Tiranë dhe Institutin e Trashëgimisë  Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup.

Konferencën e përshëndeti rektori i ASA-së, akademik prof. dr. Marenglen Verli. Ndërsa drejtori i Institutit të Historisë akad. prof. dr. Beqir Meta mbajti fjalën e mbylljes. Gjithashtu, nga studiuesit e ASA-së u mbajtën këto kumtesa:

Akad. prof. dr. Beqir Meta paraqiti kumtesën me titull: “Një vështrim krahasues mbi ndërlidhjen midis faktorëve ndërkombëtarë dhe efektivitetit të rezistencës së shqiptarëve të Kosovës në shekullin e fundit”.

Akad. prof. dr. Marenglen Verli paraqiti kumtesën me titull: “Çështja e Kosovës dhe stabiliteti i shtetit shqiptar gjatë shek. XX”.

Prof. dr. Hamit Kaba paraqiti kumtesën me titull: “Kosova dhe politika e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, 1998-2008”.

Prof. asoc. Afrim Krasniqi paraqiti kumtesën me titull: “Kosova në aktet zyrtare të shtetit shqiptar, 1991-2018”.

Konferenca ndërkombëtare me titull: “Mulla Idriz Gjilani me bashkëluftëtarë në mbrojtje të Shqipërisë etnike”

17 Qershor, 2019 Njoftime

Në datat 14-15 qershor 2019, dr. Hasan Bello, studiues i Institutit të Historisë, pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, mori pjesë në konferencën ndërkombëtare me titull: “Mulla Idriz Gjilani me bashkëluftëtarë në mbrojtje të Shqipërisë etnike”, të organizuar nga Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjilan dhe  Klubi i Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega Gjilan. Kjo konferencë u mbajt për nder të 20-vjetorit të çlirimit të Gjilanit dhe 70-vjetorit të martirizimit të Mulla Idriz Gjilanit.

Dr. Hasan Bello u paraqit në këtë konferencë me kumtesën me titull: “Ristrukturimi dhe unifikimi i bashkësisë islame në vitet e Luftës së Dytë Botërore”.

Ndarja e Çmimeve Shkencore Kombëtare 2018

5 Qershor, 2019 Njoftime

Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u mbajt sot, ceremonia e ndarjes së Çmimeve Shkencore Kombëtare 2018. 

U vlerësua me çmimin “Çabej” vepra: “Historia e shqiptarëve gjatë shek. XX”, e botuar nga Instituti i Historisë, pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, me autorë: Beqir Meta, Dritan Egro, Halim Purellku, Hasan Bello, Iljaz Gogaj, Ledia Dushku, Marenglen Verli, Marenglen Kasmi, Muin Çami, Xheladin Shala.

Thirrje për referime në tryezat shkencore   “SHQIPËRIA NË LUFTËN E DYTË BOTËRORE, NË DISA PERSPEKTIVA”

29 Maj, 2019 Njoftime

Thirrje për referime në tryezat shkencore “SHQIPËRIA NË LUFTËN E DYTË BOTËRORE, NË DISA PERSPEKTIVA”, të organizuara nga Instituti i Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike.

Historia e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, si një periudhë e afërt, dhe jo vetëm, mbetet ende edhe sot një subjekt i ndjeshëm në politikë, në historiografi dhe në përgjithësi në jetën e përditshme të shoqërisë shqiptare. Mjafton të përcjellësh televizionet dhe gazetat e përditshme, të cilat kulmojnë me debatet që rizgjohen herë pas here, të duket sikur flitet për ngjarje në proces dhe jo për një histori të 75 viteve të shkuara.

Lufta e Dytë Botërore në Shqipëri pati zhvillime dhe degëzime mjaft interesante. Ajo ndryshoi statusin juridiko-kushtetues të shtetit shqiptar, ndryshoi në mënyrë të njëanshme kufijtë e Shqipërisë dhe për herë të parë pas Shpalljes së Pavarësisë së saj, pjesa më e madhe e territoreve të banuara nga shqiptarë u bashkua nën një administratë unike. Rrjedhojat politike, sociale, psikologjike të këtij bashkimi të shqiptarëve në ato vite lufte kanë nevojë të elaborohen më tej, përtej klisheve, por edhe mitizimeve, p.sh. si ndryshoi qasja e nacionalizmit shqiptar- tradicionalisht mbrojtës, nën propagandën e pushtuesve dhe mori aty-këtu edhe karakter agresiv? A mbetën Aleatët e luftës edhe Aleatë të paqes ndaj Shqipërisë? Cilët ishin problemet e pasluftës që zunë fill dhe u shtruan për zgjidhje qysh në vitet e luftës? Sa emocionale dhe sa realiste ishin aspiratat e shqiptarëve për të zgjidhur çështjen e tyre kombëtare-territoriale?

Sot, shoqëria shqiptare, në nivele të ndryshme të saj, i ka zgjeruar njohuritë për përmasat reale të LDB në Shqipëri; ajo është ballafaquar me karakterin selektiv të historiografisë zyrtare shqiptare të periudhës komuniste, dhe për më tepër interesimi i saj për të njohur historinë e shqiptarëve dhe të Shqipërisë ashtu siç ka ndodhur, ka ardhur gjithnjë në rritje. Ky interesim ka qenë një shtysë e fortë për ne historianët për të dhënë ndihmesën tonë të specializuar në debatin publik televiziv apo të shkruar sa herë ka lindur nevoja. Një varg subjektesh të LDB, të cilat deri në fund të viteve ’80 konsideroheshin ‘tabu’, sot nuk janë më të tilla. Historianët shqiptarë kanë analizuar dhe tërhequr një varg konkluzionesh për ngjarje dhe procese të rëndësishme si: Përse dështoi marrëveshja e Mukjes; çfarë solli dështimi i saj; a kishte luftë civile në Shqipëri; cili ishte raporti ndërmjet pavarësisë së Shqipërisë – Komandës gjermane – Rezistencës kundër pushtuesit nazist; a ka ndërthurje midis luftës çlirimtare dhe luftës për pushtet; a ishin të lirë shqiptarët të vendosnin për fatin e tyre, dhe, në ç’shkallë ndikoi faktori ndërkombëtar në statusin e tyre të ardhshëm politik? Për këto çështje dhe të tjera, historianët shqiptarë po kryejnë studime të thelluara dhe në plan krahasues edhe me kolegët e tyre në shtete të ndryshme. Edhe ky proces ka ridimensionuar një varg tezash të historiografisë shqiptare.

Në përpjekje për të dhënë kontribut mbi këto tematika, do të organizohen katër tryeza shkencore, secila nga të cilat do të ketë dy referate kryesore, të shoqëruara nga diskutime dhe debate.

Tematikat për tryezat shkencore do të jenë si më poshtë:

A. Rezistenca e shqiptarëve dhe karakteri i saj (do të organizohet më 20 shtator 2019):

Rezistenca e shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe kontributi i forcave politike e ushtarake që e zhvilluan atë është shndërruar në një nga temat më interesante dhe më të nxehta në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Tryeza do të fokusojë debatin mbi disa çështje të ndjeshme për historiografinë dhe publikun shqiptar, të tilla si:

  • Karakteri i rezistencës së shqiptarëve dhe qëllimet e forcave politike që e drejtuan atë, platformat, qëllimet, organizimi dhe marrëdhëniet ndërmjet tyre;
  • A ishte lufta e shqiptarëve nacionalçlirimtare apo thjesht çlirimtare, a ishte luftë civile apo çlirimtare apo të dyja bashkë;
  • Cili ishte roli i vërtetë i Ballit Kombëtar dhe i Legalitetit në luftën e popullit shqiptar dhe çfarë raportesh kishin ata me pushtuesin dhe qeveritë e tyre kukull;
  • A ishte qëndrimi i forcave politike ndaj çështjes kombëtare shqiptare shkaku për përplasjen mes tyre, apo ishte thirrja drejt pushtetit që nxiti armiqësitë ndërmjet tyre?
  • Çfarë ka të përbashkët dhe të veçantë rezistenca e popullit shqiptar me atë të popujve jugosllavë e grekë?
  • Çfarë vendi zë rezistenca e shqiptarëve në rezistencën e popujve ballkanikë e më gjerë?

B. Marrëdhëniet me Aleatët e Mëdhenj (Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Sovjetik) (do të organizohet më 4 tetor 2019)

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, si asnjëherë tjetër në historinë moderne, shqiptarët patën mbështetjen materiale e morale të Aleatëve të  Mëdhenj, në veçanti të Britanisë së Madhe dhe   të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Roli i Britanisë së Madhe ishte më evident për shkak të interesave të saj të veçanta në Ballkan. Ajo  u angazhua direkt në Shqipëri përmes misioneve, ndihmave dhe furnizimeve me karakter ushtarak. Gjithsesi ka ende vend për të diskutuar mbi qëndrimin e Aleatëve të Mëdhenj ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore duke u përpjekur t’i japim përgjigje tematikave të tilla si:

  • Cili ishte qëndrimi i Aleatëve të Mëdhenj ndaj statusit, pavarësisë dhe kufijve të shtetit shqiptar;
  • Cilat ishin arsyet që ata nuk pranuan të mbështetnin dhe njihnin një qeveri shqiptare në mërgim; pse nuk i njohën qeveritë e Frontit Nacionalçlirimtar, të dala nga Kongresi i Përmetit apo Mbledhja e Beratit;
  • Pse shqiptarët nuk u njohën juridikisht si vend anëtar i Koalicionit të Kombeve të Bashkuara;
  • Cila ishte pesha reale e ndihmave britanike për lëvizjen e rezistencës në Shqipëri;
  • A i favorizuan britanikët forcat e Lëvizjes Nacionalçlirimtare gjatë luftës dhe, a ndikuan në fitoren e tyre në mbarim të luftës?
  • Si dhe sa ndikoi ideja e zbarkimit të Aleatëve në Shqipëri mbi forcat e rezistencës në Shqipëri?

C. Statusi juridiko-kushtetues i shtetit shqiptar gjatë pushtimit italian e gjerman dhe roli i elitës politike në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore (do të organizohet më 17 tetor 2019)

Një numër jo i pakët i politikanëve shqiptarë me një histori të spikatur në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare dhe në artin, kulturën dhe arsimin kombëtar shqiptar, gjatë Luftës së Dytë Botërore pranuan bashkëpunimin me pushtuesit italianë dhe gjermanë. Tryeza do të nxisë debatin mbi tematika të tilla si:

  • Cili është kuptimi mbi kolaboracionizmin;
  • A ishin “tradhtarë të atdheut” të gjithë politikanët shqiptarë që pranuan poste në administratën e pushtimit;
  • Cili është raporti midis ideologjisë dhe pragmatizmit të këtyre figurave?
  • Si duhet të trajtohen këto figura politikanësh në historiografinë e sotme shqiptare?
  • Si ndikuan veçoritë e politikave të pushtuesve italianë dhe gjermanë në sjelljen e elitave politike shqiptare?

Në këtë tryezë do të nxiten diskutimet për veçoritë e pushtimit gjerman në Shqipëri, duke e krahasuar atë me pushtimin italian dhe me disa vende të tjera të Ballkanit e të Evropës.

D. Shoqëria shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore (do të organizohet më 31 tetor 2019)

Krahas politikës, rezistencës dhe diplomacisë, Lufta e Dytë Botërore solli ndryshime në shoqërinë shqiptare. Pushtuesit italianë dhe gjermanë natyrshëm u përpoqën të ndikonin në jetën e përditshme të shqiptarëve dhe të infiltronin në të jo vetëm ideologjitë, por edhe kulturën e vendeve të tyre. Rezistenca e shqiptarëve ndikoi në ndryshime thelbësore në mentalitetin e shoqërisë shqiptare. Ishte një nga rastet e rralla në historinë e shqiptarëve që vajzat e gratë u larguan nga shtëpitë dhe u përfshinë në rezistencën e armatosur. Jeta partizane krijoi kushte për një tjetër qasje ndaj marrëdhënieve njerëzore, por edhe artit dhe kulturës. Në këtë tryezë parashikohet të diskutohen çështje të tilla:

  • A ndikuan politikat e pushtuesve në jetën shoqërore në Shqipëri?
  • A ishte Lufta e Dytë Botërore një premisë për emancipimin e gruas shqiptare?
  • A ishin këngët partizane një mjet për indoktrinimin komunist të partizanëve shqiptarë, apo nxitje për ndjenjat patriotike të tyre?

Ju ftojmë të paraqisni propozimet tuaja për të referuar në tryezat shkencore që do të organizohen midis muajve shtator-nëntor 2019 mbi disa nga çështjet më të debatueshme e të nxehta të historisë politike, ushtarake, diplomatike e sociale të shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke pasur parasysh kërkimet më të fundit të studiuesve shqiptarë e të huaj.

Studiuesi që propozon të marrë pjesë me referat duhet të saktësojë tryezën përkatëse. Propozimi duhet të përmbajë një abstrakt (jo më shumë se 350 fjalë) dhe një bio të shkurtër të studiuesit.

Propozimet duhet të paraqiten deri më 30 qershor 2019 në adresën e e-mail: gjon.borici@qsa.edu.al  

Referuesit fitues do të lajmërohen më 20 korrik 2019.

Referimet e përfunduara është e domosdoshme të dorëzohen 10 ditë para zhvillimit të tryezës shkencore, në mënyrë që pjesëmarrësit në diskutime të njihen me tezat mbi të cilat do të diskutohet.

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL