Thirrje për referime në tryezat shkencore   “SHQIPËRIA NË LUFTËN E DYTË BOTËRORE, NË DISA PERSPEKTIVA”

29 Maj, 2019 Njoftime

Thirrje për referime në tryezat shkencore “SHQIPËRIA NË LUFTËN E DYTË BOTËRORE, NË DISA PERSPEKTIVA”, të organizuara nga Instituti i Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike.

Historia e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, si një periudhë e afërt, dhe jo vetëm, mbetet ende edhe sot një subjekt i ndjeshëm në politikë, në historiografi dhe në përgjithësi në jetën e përditshme të shoqërisë shqiptare. Mjafton të përcjellësh televizionet dhe gazetat e përditshme, të cilat kulmojnë me debatet që rizgjohen herë pas here, të duket sikur flitet për ngjarje në proces dhe jo për një histori të 75 viteve të shkuara.

Lufta e Dytë Botërore në Shqipëri pati zhvillime dhe degëzime mjaft interesante. Ajo ndryshoi statusin juridiko-kushtetues të shtetit shqiptar, ndryshoi në mënyrë të njëanshme kufijtë e Shqipërisë dhe për herë të parë pas Shpalljes së Pavarësisë së saj, pjesa më e madhe e territoreve të banuara nga shqiptarë u bashkua nën një administratë unike. Rrjedhojat politike, sociale, psikologjike të këtij bashkimi të shqiptarëve në ato vite lufte kanë nevojë të elaborohen më tej, përtej klisheve, por edhe mitizimeve, p.sh. si ndryshoi qasja e nacionalizmit shqiptar- tradicionalisht mbrojtës, nën propagandën e pushtuesve dhe mori aty-këtu edhe karakter agresiv? A mbetën Aleatët e luftës edhe Aleatë të paqes ndaj Shqipërisë? Cilët ishin problemet e pasluftës që zunë fill dhe u shtruan për zgjidhje qysh në vitet e luftës? Sa emocionale dhe sa realiste ishin aspiratat e shqiptarëve për të zgjidhur çështjen e tyre kombëtare-territoriale?

Sot, shoqëria shqiptare, në nivele të ndryshme të saj, i ka zgjeruar njohuritë për përmasat reale të LDB në Shqipëri; ajo është ballafaquar me karakterin selektiv të historiografisë zyrtare shqiptare të periudhës komuniste, dhe për më tepër interesimi i saj për të njohur historinë e shqiptarëve dhe të Shqipërisë ashtu siç ka ndodhur, ka ardhur gjithnjë në rritje. Ky interesim ka qenë një shtysë e fortë për ne historianët për të dhënë ndihmesën tonë të specializuar në debatin publik televiziv apo të shkruar sa herë ka lindur nevoja. Një varg subjektesh të LDB, të cilat deri në fund të viteve ’80 konsideroheshin ‘tabu’, sot nuk janë më të tilla. Historianët shqiptarë kanë analizuar dhe tërhequr një varg konkluzionesh për ngjarje dhe procese të rëndësishme si: Përse dështoi marrëveshja e Mukjes; çfarë solli dështimi i saj; a kishte luftë civile në Shqipëri; cili ishte raporti ndërmjet pavarësisë së Shqipërisë – Komandës gjermane – Rezistencës kundër pushtuesit nazist; a ka ndërthurje midis luftës çlirimtare dhe luftës për pushtet; a ishin të lirë shqiptarët të vendosnin për fatin e tyre, dhe, në ç’shkallë ndikoi faktori ndërkombëtar në statusin e tyre të ardhshëm politik? Për këto çështje dhe të tjera, historianët shqiptarë po kryejnë studime të thelluara dhe në plan krahasues edhe me kolegët e tyre në shtete të ndryshme. Edhe ky proces ka ridimensionuar një varg tezash të historiografisë shqiptare.

Në përpjekje për të dhënë kontribut mbi këto tematika, do të organizohen katër tryeza shkencore, secila nga të cilat do të ketë dy referate kryesore, të shoqëruara nga diskutime dhe debate.

Tematikat për tryezat shkencore do të jenë si më poshtë:

A. Rezistenca e shqiptarëve dhe karakteri i saj (do të organizohet më 20 shtator 2019):

Rezistenca e shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe kontributi i forcave politike e ushtarake që e zhvilluan atë është shndërruar në një nga temat më interesante dhe më të nxehta në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Tryeza do të fokusojë debatin mbi disa çështje të ndjeshme për historiografinë dhe publikun shqiptar, të tilla si:

  • Karakteri i rezistencës së shqiptarëve dhe qëllimet e forcave politike që e drejtuan atë, platformat, qëllimet, organizimi dhe marrëdhëniet ndërmjet tyre;
  • A ishte lufta e shqiptarëve nacionalçlirimtare apo thjesht çlirimtare, a ishte luftë civile apo çlirimtare apo të dyja bashkë;
  • Cili ishte roli i vërtetë i Ballit Kombëtar dhe i Legalitetit në luftën e popullit shqiptar dhe çfarë raportesh kishin ata me pushtuesin dhe qeveritë e tyre kukull;
  • A ishte qëndrimi i forcave politike ndaj çështjes kombëtare shqiptare shkaku për përplasjen mes tyre, apo ishte thirrja drejt pushtetit që nxiti armiqësitë ndërmjet tyre?
  • Çfarë ka të përbashkët dhe të veçantë rezistenca e popullit shqiptar me atë të popujve jugosllavë e grekë?
  • Çfarë vendi zë rezistenca e shqiptarëve në rezistencën e popujve ballkanikë e më gjerë?

B. Marrëdhëniet me Aleatët e Mëdhenj (Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Sovjetik) (do të organizohet më 4 tetor 2019)

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, si asnjëherë tjetër në historinë moderne, shqiptarët patën mbështetjen materiale e morale të Aleatëve të  Mëdhenj, në veçanti të Britanisë së Madhe dhe   të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Roli i Britanisë së Madhe ishte më evident për shkak të interesave të saj të veçanta në Ballkan. Ajo  u angazhua direkt në Shqipëri përmes misioneve, ndihmave dhe furnizimeve me karakter ushtarak. Gjithsesi ka ende vend për të diskutuar mbi qëndrimin e Aleatëve të Mëdhenj ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore duke u përpjekur t’i japim përgjigje tematikave të tilla si:

  • Cili ishte qëndrimi i Aleatëve të Mëdhenj ndaj statusit, pavarësisë dhe kufijve të shtetit shqiptar;
  • Cilat ishin arsyet që ata nuk pranuan të mbështetnin dhe njihnin një qeveri shqiptare në mërgim; pse nuk i njohën qeveritë e Frontit Nacionalçlirimtar, të dala nga Kongresi i Përmetit apo Mbledhja e Beratit;
  • Pse shqiptarët nuk u njohën juridikisht si vend anëtar i Koalicionit të Kombeve të Bashkuara;
  • Cila ishte pesha reale e ndihmave britanike për lëvizjen e rezistencës në Shqipëri;
  • A i favorizuan britanikët forcat e Lëvizjes Nacionalçlirimtare gjatë luftës dhe, a ndikuan në fitoren e tyre në mbarim të luftës?
  • Si dhe sa ndikoi ideja e zbarkimit të Aleatëve në Shqipëri mbi forcat e rezistencës në Shqipëri?

C. Statusi juridiko-kushtetues i shtetit shqiptar gjatë pushtimit italian e gjerman dhe roli i elitës politike në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore (do të organizohet më 17 tetor 2019)

Një numër jo i pakët i politikanëve shqiptarë me një histori të spikatur në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare dhe në artin, kulturën dhe arsimin kombëtar shqiptar, gjatë Luftës së Dytë Botërore pranuan bashkëpunimin me pushtuesit italianë dhe gjermanë. Tryeza do të nxisë debatin mbi tematika të tilla si:

  • Cili është kuptimi mbi kolaboracionizmin;
  • A ishin “tradhtarë të atdheut” të gjithë politikanët shqiptarë që pranuan poste në administratën e pushtimit;
  • Cili është raporti midis ideologjisë dhe pragmatizmit të këtyre figurave?
  • Si duhet të trajtohen këto figura politikanësh në historiografinë e sotme shqiptare?
  • Si ndikuan veçoritë e politikave të pushtuesve italianë dhe gjermanë në sjelljen e elitave politike shqiptare?

Në këtë tryezë do të nxiten diskutimet për veçoritë e pushtimit gjerman në Shqipëri, duke e krahasuar atë me pushtimin italian dhe me disa vende të tjera të Ballkanit e të Evropës.

D. Shoqëria shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore (do të organizohet më 31 tetor 2019)

Krahas politikës, rezistencës dhe diplomacisë, Lufta e Dytë Botërore solli ndryshime në shoqërinë shqiptare. Pushtuesit italianë dhe gjermanë natyrshëm u përpoqën të ndikonin në jetën e përditshme të shqiptarëve dhe të infiltronin në të jo vetëm ideologjitë, por edhe kulturën e vendeve të tyre. Rezistenca e shqiptarëve ndikoi në ndryshime thelbësore në mentalitetin e shoqërisë shqiptare. Ishte një nga rastet e rralla në historinë e shqiptarëve që vajzat e gratë u larguan nga shtëpitë dhe u përfshinë në rezistencën e armatosur. Jeta partizane krijoi kushte për një tjetër qasje ndaj marrëdhënieve njerëzore, por edhe artit dhe kulturës. Në këtë tryezë parashikohet të diskutohen çështje të tilla:

  • A ndikuan politikat e pushtuesve në jetën shoqërore në Shqipëri?
  • A ishte Lufta e Dytë Botërore një premisë për emancipimin e gruas shqiptare?
  • A ishin këngët partizane një mjet për indoktrinimin komunist të partizanëve shqiptarë, apo nxitje për ndjenjat patriotike të tyre?

Ju ftojmë të paraqisni propozimet tuaja për të referuar në tryezat shkencore që do të organizohen midis muajve shtator-nëntor 2019 mbi disa nga çështjet më të debatueshme e të nxehta të historisë politike, ushtarake, diplomatike e sociale të shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke pasur parasysh kërkimet më të fundit të studiuesve shqiptarë e të huaj.

Studiuesi që propozon të marrë pjesë me referat duhet të saktësojë tryezën përkatëse. Propozimi duhet të përmbajë një abstrakt (jo më shumë se 350 fjalë) dhe një bio të shkurtër të studiuesit.

Propozimet duhet të paraqiten deri më 30 qershor 2019 në adresën e e-mail: gjon.borici@qsa.edu.al  

Referuesit fitues do të lajmërohen më 20 korrik 2019.

Referimet e përfunduara është e domosdoshme të dorëzohen 10 ditë para zhvillimit të tryezës shkencore, në mënyrë që pjesëmarrësit në diskutime të njihen me tezat mbi të cilat do të diskutohet.

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL