Në datën 21 shkurt, në sallën e bibliotekës së qytetit, nën kujdesin e Presidentit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi u organizua Akademia Përkujtimore kushtuar heroit të rezistencës popullore Shaban Polluzhës. Në këtë veprimtari akad. prof. dr. Marenglen Verli mbajti referatin me temë “Shaban Polluzha dhe revolta e Drenicës”.
Pas një pune dy vjeçare dolën nga shtypi tre vëllime me dokumente dhe materiale për Syrja dhe Eqrem bej Vlorën.
Në këto vëllime përfshihen dokumente austro-hungareze, italiane, angleze dhe shqiptare, të cilat hedhin dritë jo vetëm mbi kontributin e këtyre personaliteteve për krijimin dhe konsolidimin e shtetit shqiptar, por edhe për shumë zhvillime politike duke nisur nga viti 1890 deri në vitet 50 të shek. XX.
Në vëllimin e tretë përfshihen studime të pabotuara më parë dhe publicistika e Eqrem bej Vlorës.
Këto vëllime u përgatitën nga Drejtori i Institutit të Historisë, akademik Beqir META dhe studiuesi i këtij instituti dr. Hasan BELLO.
Në sallën e “Librit Akademik”, pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, u promovua gjatë ditës së sotme, libri me titull: “Dokumente diplomatike italiane për historinë e shqiptarëve (1912)”.
Dokumentet diplomatike italiane për historinë e shqiptarëve Dr. Paulin Marku i ka hulumtuar në Arkivin Historik Diplomatik të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë. Në vëllimin e parë (janar-qershor 1912) janë përzgjedhur, përkthyer dhe përgatitur për botim, telegrame, relacione dhe informacione të ndryshme të diplomatëve italianë, në të cilat evidentohet qartë këndvështrimi dhe roli që pati Italia në çështjen shqiptare gjatë vitit 1912. Këto dokumente hedhin dritë mbi një nga periudhat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, atë të pragut të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Autori i librit, Dr. Paulin Marku, falënderoi përzemërsisht gjithë të pranishmit në këtë aktivitet. Ai theksoi gjithashtu se ka pasur shumë vështirësi në hulumtimin e këtij dokumentacioni, por si për çdo historian, kjo transformohet në kënaqësi.
Akademia e Studimeve Albanologjike dhe Muzeu Historik Kombëtar, më 18 dhjetor 2019, ora 11:00, organizojnë promovimin e librit “Dokumente diplomatike italiane për historinë e shqiptarëve (1912) të studiuesit Paulin Marku. Dokumentet diplomatike italiane për historinë e shqiptarëve Dr. Paulin Marku i ka hulumtuar në Arkivin Historik Diplomatik të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë. Në vëllimin e parë (janar-qershor 1912) janë përzgjedhur, përkthyer dhe përgatitur për botim, telegrame, relacione dhe informacione të ndryshme të diplomatëve italianë, në të cilat evidentohet qartë këndvështrimi dhe roli që pati Italia në çështjen shqiptare gjatë vitit 1912. Këto dokumente hedhin dritë mbi një nga periudhat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, atë të pragut të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Ju mirëpresim nesër, datë 18 Dhjetor, ora 11:00, pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë!
Më datën 1 dhjetor 2019, dr. Ardian Muhaj, kërkues shkencor në Institutin e Historisë, pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike promovoi në Londër librin studimor: “Nga Ballkani në Mesdhe. Shqiptarët prej Mesjetës në agimin e Kohës së re”. Promovimi u organizua nga “Qendra Shqiptare” me seli në Britaninë e Madhe. Në këtë aktivitet morën pjesë aktivistë të çështjes shqiptare në Londër, studiues, intelektualë dhe lexues të interesuar.
Instituti i Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Evropiane si dhe me mbështetjen e Ambasadave të Republikave Çeke e Sllovake në Tiranë, organizojnë tryezën e debatit me titull “30 vjet pas: Ndryshimet politike në Çeki, Sllovaki dhe Shqipëri, dallime dhe të përbashkëta”.
Tryeza do të zhvillohet, më datë 21 nëntor 2019, ora 10.00, në mjediset e Librit Akademik Tema e debatit me ekspertë shqiptarë të tranzicionit dhe të studimeve të periudhës së luftës së ftohtë do jenë ndryshimet politike të viteve 1989-1991, përvoja e vendeve të tyre dhe Shqipëria, tipare të përbashkëta e dallime.
Mё datё 15 nёntor 2019, dr. Gjon Boriçi, kёrkues shkencor nё Institutin e Historisё, mori pjesё nё konferencёn shkencore me temë: “Kultet e komunizmit”, tё organizuar nga Departamenti i Shkencave Politike tё Fakultetit tё Shkencave Sociale, Universteti i Tiranёs, me kumtesёn; “Ndёrtesat dhe monumentet e komunizmit – utopia konkrete e kultit tё Realizmit Socialist nё vendet ish komuniste tё Evropёs qendrore dhe lindore”.
Në datën 15 nëntor dr. Ardian Muhaj, kërkues shkencor i Institutit të Historisë, pranë Akademisë së Studimeve Albaonologjike, mori pjesë në Konferencën e tretë të Muzeut të Bankës së Shqipërisë me tematikë: “Muzetë dhe edukimi në të ardhmen”, mbajtur në në ambientet e Bankës së Shqipërisë. Në këtë konferencë ishin pjesëmarrës punonjës muzeumesh, ekspertë, kërkues në fushën e muzeologjisë dhe edukimit, për të prezantuar e diskutuar gjetjet e studimeve apo përvojat e tyre në këtë fushë, duke u fokusuar në rolin që muzetë dhe edukimi do të kenë në të ardhmen, në kulturën dhe mirëqenien e vendit. Punimet e Konferencës III të Muzeut të Bankës së Shqipërisë u përshëndetën nga Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, zj. Luljeta Minxhozi dhe nga Ministrja e Kulturës zj. Elva Margariti.
Në sesionin e parë të punimeve të Konferencës, dr. Ardian Muhaj mbajti kumtesën: “Historia ekonomike përmes trashëgimisë muzeale”, ku theksoi faktin që studimet e historisë ekonomike në Shqipëri kanë qenë të rralla dhe zakonisht të përfshira në historinë e përgjithshme me karakter dhe përqëndrim në historinë politike. Pasuria muzeale dhe në veçanti muzetë e specializuar, siç është Muzeu Historik Kombëtar, Muzeu i Bankës së Shqipërisë, Muzeu Arkeologjik apo edhe muzetë lokalë përmbajnë një trashëgimi muzeale e cila është thelbësore për njohjen e zhvillimit ekonomik përgjatë historisë. Një nga aspektet më të rëndësishme të pikëtakimit mes historisë ekonomike dhe trashëgimisë muzeale është fakti se trashëgimia muzeale shërben si alternativa më e mirë ndaj historisë së shkruar nga fitimtarët. Gjithashtu theksoi rëndësinë që ka numizmatika në historinë eknomike, pasi elementë të ndryshëm të monedhave siç është përmbajtja e metaleve dhe evoluimi i raportit të asaj përmbajtjeje janë dëshmi të inflacionit për një periudhë të caktuar. Të gjitha këto e shumë të tjera e bëjnë pasurinë muzeale një nga elementët më të rëndësishëm në hulumtimet e historisë ekonomike, por edhe në studimin dhe edukimin historik.
Më datë 14 nëntor 2019, u organizua në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “Shqiptarët dhe koalicioni antifashist në Luftën e Dytë Botërore”. Fjala hapëse e konferencës u mbajt nga kryetari i Akademisë së Shkencave z. Skënder Gjinushi, i cili falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në këtë konferencë të rëndësishme shkencore, e cila u organizua me rastin e kremtimeve shtetërore-kombëtare në nderim të 75-vjetorit të çlirimit prej pushtuesve nazi-fashistë, më 29 nëntor 1944. Gjithashtu, gjatë fjalës së tij z. Gjinushi falënderoi të gjithë institucionet që punuan së bashku me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë për suksesin e kësaj konference: Akademinë e Studimeve Albanologjike, Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Institutin e Historisë në Prishtinë, Institutin e Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Në këtë konferencë referuan studiues shkencorë të ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Britania e Madhe, nga Italia dhe Zvicra. Studiuesit e Akademisë së Studimeve Albanologjike u paraqitën me kumtesat e mëposhtme: Prof. dr. Hamit Kaba, paraqiti kumtesën me titull:”Aleatët anglo-amerikanë dhe Fronti Nacionalçlirimtar: fati i kërkesës për njohje politike”,
Akad. prof. dr. Marenglen Verli, paraqiti kumtesën me titull: “Përkrah koalicionit antifashist – alternativa e perspektivës për kombin shqiptar”,
Akad. prof. dr. Beqir Meta, paraqiti kumtesën me titull “Interesat kombëtare dhe forcat politike dhe ushtarake gjatë Luftës së Dytë Botërore”,
Prof. dr. Ana Lalaj, paraqiti kumtesën me titull ““Revanshi” kundër Luftës”,
Prof. asoc. dr. Sonila Boçi, paraqiti kumtesën me titull: “Nga rivalë politikë në armiq: metamorfoza e marrëdhënieve ndërmjet PKSH/Frontit Nacionalçlirimtar dhe Ballit Kombëtar (1942-1944)”.
Mё datё 7-8 nëntor 2019, në Paris (Francë), SFERES (Société française pour les études russes et est-européennes en sciences sociales), CERCEC (Centre d’études des mondes russe, caucasien et centre-européen), ISP (Institut des sciences sociales du politique) në bashkëpunim me Universitetin Nanterre, Paris, dhe me mbështetje të Ministrisë së Arsimit të Lartë në Francë, organizuan konferencën shkencore ndërkombëtare: “1989 in the east: Between order and subversion”.
Pjesëmarrës dhe referues në këtë konferencë ishte edhe kërkuesi shkencor i Institutit të Historisë, prof. asoc. Afrim Krasniqi, me temën: “Importing models from abroad and social pressure from inside: Albania’s case”. Tema kishte të bënte me specifikat e proceseve historike dhe politike 1989-1991 në Shqipëri, rolin e faktorëve ndërkombëtarë dhe elementët e përbashkët e dallues me proceset e tjera demokratike që ndodhen në Europën Lindore.