Më datë 14 nëntor 2019, u organizua në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “Shqiptarët dhe koalicioni antifashist në Luftën e Dytë Botërore”. Fjala hapëse e konferencës u mbajt nga kryetari i Akademisë së Shkencave z. Skënder Gjinushi, i cili falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në këtë konferencë të rëndësishme shkencore, e cila u organizua me rastin e kremtimeve shtetërore-kombëtare në nderim të 75-vjetorit të çlirimit prej pushtuesve nazi-fashistë, më 29 nëntor 1944. Gjithashtu, gjatë fjalës së tij z. Gjinushi falënderoi të gjithë institucionet që punuan së bashku me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë për suksesin e kësaj konference: Akademinë e Studimeve Albanologjike, Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Institutin e Historisë në Prishtinë, Institutin e Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Në këtë konferencë referuan studiues shkencorë të ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Britania e Madhe, nga Italia dhe Zvicra. Studiuesit e Akademisë së Studimeve Albanologjike u paraqitën me kumtesat e mëposhtme:
Prof. dr. Hamit Kaba, paraqiti kumtesën me titull:”Aleatët anglo-amerikanë dhe Fronti Nacionalçlirimtar: fati i kërkesës për njohje politike”,
Akad. prof. dr. Marenglen Verli, paraqiti kumtesën me titull: “Përkrah koalicionit antifashist – alternativa e perspektivës për kombin shqiptar”,
Akad. prof. dr. Beqir Meta, paraqiti kumtesën me titull “Interesat kombëtare dhe forcat politike dhe ushtarake gjatë Luftës së Dytë Botërore”,
Prof. dr. Ana Lalaj, paraqiti kumtesën me titull ““Revanshi” kundër Luftës”,
Prof. asoc. dr. Sonila Boçi, paraqiti kumtesën me titull: “Nga rivalë politikë në armiq: metamorfoza e marrëdhënieve ndërmjet PKSH/Frontit Nacionalçlirimtar dhe Ballit Kombëtar (1942-1944)”.