Njoftime

Veprimtari shkencore në Fushë Arrëz

20 Maj, 2019 Njoftime

Më datë 18 maj 2019, në qytetin e Fushë Arrëzit u organizua ceremonia e përurimit të një memoriali dhe një veprimtari shkencore kushtuar krijimit të qeverisë provizore të Kimzës (Mirditë), ngjarje e cila daton më 27 prill 1911, ku morën pjesë autoritete të vendit.  

Akademia e Studimeve Albanologjike u përfaqësua nga Rektori i ASA, akademik prof. dr. Marenglen Verli dhe drejtori i Institutit të Historisë, akademik prof. dr. Beqir Meta.  

Konferenca Ndërkombëtare Shkencore: “FYTYRA E ‘ARMIKUT TË POPULLIT’ GJATË DIKTATURËS SË PROLETARIATIT NË SHQIPËRI 1944-1990”

18 Maj, 2019 Njoftime

Autoriteti për Informimin mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit në bashkëpunim me Institutin e Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, Institutin për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Institutin e Integrimit të ish-të Përndjekurve Politikë dhe Muzeun Historik Kombëtar organizuan Konferencën Ndërkombëtare Shkencore: “FYTYRA E ‘ARMIKUT TË POPULLIT’ GJATË DIKTATURËS SË PROLETARIATIT NË SHQIPËRI 1944-1990”.

Fjalimet përshëndetëse në hapjen e konferencës u mbajtën nga. znj. Gentiana Sula, Kryetare e AIDSSH; z Marenglen Verli, Rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike;

znj. Elva Margariti, Ministre e Kulturës; z. Bernd Borchardt, Ambasador i OSBE-së në Shqipëri; z. Johann Sattler, Ambasador i Republikës së Austrisë në Shqipëri; z. Alberto Cutillo, Ambasador i Republikës Italiane në Shqipëri; z. Karol Bachura, Ambasador i Republikës Polake në Shqipëri; znj. Lymia Eltayeb, Përfaqësuese e përhershme e UNDP në Shqipëri; znj. Monika Bylaite, Drejtuese për çështjet Politiko-Ekonomike, Delegacioni Europian në Shqipëri; z. Agron Tufa, Drejtor i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit; z. Bilal Kola, Drejtor i Institutit të Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë; z. Petro Koçi, Deputet i Kuvendit të Shqipërisë:
Studiuesit e Institutit të Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike u paraqitën në këtë konferencë me kumtesat e mëposhtme:
Prof. asoc. dr. Sonila Boçi paraqiti kumtesën me titull: “Disidentë pa disidencë: përsjatje mbi veçoritë e totalitarizmit në Shqipëri”;


Prof. dr. Ana Lalaj paraqiti kumtesën me titull: “Disidenca në Shqipëri”;
Dr. Gjon Boriçi paraqiti kumtesën me titull: “Kleri katolik shqiptar si imazh e simbol i perceptimit të armikut të popullit nga diktatura komuniste në Shqipëri”;


Prof. dr. Hamit Kaba paraqiti kumtesën me titull: “Iperializmi amerikan-armik i përhershëm i reagimit komunist në Shqipëri”;
Prof. asoc. dr. Afrim Krasniqi paraqiti kumtesën me titull: “Koncepti i “armikut” në aktet politike në fundin e vitit 1990 dhe fillimet e vitit 1991”.

Konferenca Ndërkombëtare Shkencore: “FYTYRA E ‘ARMIKUT TË POPULLIT’ GJATË DIKTATURËS SË PROLETARIATIT NË SHQIPËRI 1944-1990”

14 Maj, 2019 Njoftime

Më datë 17 maj 2019, Autoriteti për Informimin mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit në bashkëpunim me Institutin e Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, Institutin për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Institutin e Integrimit të ish-të Përndjekurve Politikë dhe Muzeun Historik Kombëtar organizojnë Konferencën Ndërkombëtare Shkencore: “FYTYRA E ‘ARMIKUT TË POPULLIT’ GJATË DIKTATURËS SË PROLETARIATIT NË SHQIPËRI 1944-1990”. 
Konferenca do të zhvillohet pranë Muzeut Historik Kombëtar, duke filluar nga ora 09:30. 
Më poshtë gjeni programin e konferencës.

Programi i konferencës.

Jeni të mirëpritur!

Konferenca shkencore me temë: “Të integrojmë Shoqëritë përmes Harmonisë Fetare dhe Bashkëjetesës. Modeli Shqiptar”

9 Maj, 2019 Njoftime

Më datë 8 maj 2019, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, u mbajt konferenca shkencore me temë: “Të integrojmë Shoqëritë përmes Harmonisë Fetare dhe Bashkëjetesës. Modeli Shqiptar”, e organizuar nga Instituti i Bashkëpunimit për Integrimin dhe Zhvillimin, Muzeu Historik Kombëtar, Komunitetet Fetare të Shqipërisë, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Institucionet Ndërkombëtare dhe Shqiptare të Arsimit të Lartë. Në këtë konferencë morën pjesë prof. dr. Pëllumb Xhufi dhe dr. Ardian Muhaj, studiues të Institutit të Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike.

Prof. dr. Pëllumb Xhufi paraqiti kumtesën me titull: “Arsyet e bashkëekszistencës fetare të shqiptarëve” ndërsa,

dr. Ardian Muhaj paraqiti kumtesën me titull: “Harmonia e civilizimit ose civilizim i harmonizuar si një vlerë e trashëguar e shoqërisë shqiptare”.

Thirrje për pjesëmarrje në Konferencën shkencore:  “SHQIPTARËT DHE NDËRKOMBËTARËT (1912-1926)” 

7 Maj, 2019 Njoftime

Me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912 dhe krijimin e shtetit të pavarur shqiptar, marrëdhëniet e shqiptarëve me Fuqitë e Mëdha morën dimensione të reja. Ashtu sikurse kishte ndodhur edhe më herët me shtetet rishtare në Ballkan, Fuqitë e Mëdha ushtruan ndikimin e tyre të drejtpërdrejtë në krijimin dhe më tej, në ecurinë e shtetit të pavarur shqiptar. Gjeopolitika dhe gjeostrategjia e Fuqive të Mëdha ishte një faktor i rëndësishëm, që dukshëm shënjoi marrëdhëniet e shqiptarëve me ndërkombëtarët. Këto marrëdhënie rezultuan intensive dhe përcaktuese për çështjen kombëtare shqiptare dhe procesin e shtetformimit dhe shtetndërtimit.  

Si shtet ballkanik i krijuar më vonë se të tjerët, Shqipëria u përball me presionet, ndërhyrjet politike dhe ushtarake të shteteve fqinjë, çka hera-herës e bëri mbijetesën të vështirë, madje edhe të pasigurt. Në të tillë situatë, roli i faktorit ndërkombëtar rezultoi të ishte vendimtar në “paqësimin” e shqiptarëve me fqinjët.

Nga ana tjetër, rruga e mbijetesës dhe e konsolidimit të shtetit shqiptar kaloi përmes sfidave dhe dilemave të shumta me vetveten. Zhvillimet e brendshme shpeshherë turbulluese dhe me ndikim negativ në procesin e shtetndërtimit, e bënë gjithashtu të nevojshëm bashkëveprimin me ndërkombëtarët. 

Konferenca Shkencore “Shteti shqiptar dhe ndërkombëtarët në fillesat e tij”, që merr shkas nga përvjetori i krijimit të Principatës Shqiptare të Vilhelm Vidit (1914) dhe 100 -vjetorit të fillimit të punimeve të Konferencës së Paqes në Paris (1919), synon arritjen e objektivave të mëposhtme:

Së pari, nxitjen e studiuesve për të analizuar në mënyrë objektive procesin e ndërtimit të shtetit kombëtar, duke u fokusuar në aspektet historike, politike e diplomatike të tij;

Së dyti, analizimin e ndikimit të faktorit ndërkombëtar në ecurinë e çështjes kombëtare dhe të shtetit të pavarur shqiptar;

Së treti, nxitjen e debatit shkencor, lidhur me arsyet e pranisë aktive të faktorit të jashtëm, në çështjet e brendshme të politikës dhe emancipimit të shqiptarëve.

Historiografia shqiptare dhe studiues të huaj, kanë shënuar kontribute të rëndësishme, për sa i përket trajtimit të marrëdhënieve të Shqipërisë me Fuqitë e Mëdha dhe ndërkombëtarët, në përgjithësi. Por historishkrimi është një proces i vazhdueshëm dhe asnjëherë fundor. Në këtë aspekt, organizimi i konferencës krijon mundësi për të sjellë kontribute të rëndësishme shkencore, për të bërë analiza, për të ngritur teza dhe hipoteza të reja, duke pasuruar trajtimet e mëparshme, por edhe mbajtur qëndrim kritik ndaj tyre.

Instituti i Historisë (Akademia e Studimeve Albanologjike) dhe Instituti i Historisë “Ali Hadri”- Prishtinë ju ftojnë të aplikoni për pjesëmarrje në Konferencën Shkencore “Shqiptarët dhe ndërkombëtarët (1912-1926)”.

Konferenca do të mbahet në Tiranë, më 25 tetor 2019. Abstrakti duhet të përmbajë 250-300 fjalë dhe të paraqitet deri më 26 maj 2019, në adresën: institutihistorise@gmail.com. Pjesëmarrësit njoftohen për përzgjedhjen jo më vonë se data 8 qershor 2019.

Aktet e konferencës do të botohen gjatë vitit 2020.

Tematika orientuese e Konferencës:

  • Pavarësia e Shqipërisë dhe Fuqitë e Mëdha;
  • Çështja shqiptare në Konferencat Ndërkombëtare (1912-1921): sfida dhe zgjidhje;
  • Përcaktimi i kufijve shtetërorë dhe Fuqitë e Mëdha: Komisionet Ndërkombëtare të Kufijve (1913-1926)
  • Procesi i shtetndërtimit në Shqipëri dhe bashkëveprimi me Fuqitë e Mëdha;
  • Principata e Vilhelm Vidit: Fuqitë e Mëdha dhe shqiptarët;
  • Shteti shqiptar në projektet e ndërkombëtarëve: vizioni dhe realiteti;
  • Zhvillimet e brendshme në Shqipëri, qëndrimi dhe roli i Fuqive të Mëdha;
  • Elita politike shqiptare dhe marrëdhëniet me Fuqitë e Mëdha;
  • Stabiliteti në Ballkan, Shqipëria dhe ndërkombëtarët;
  • Marrëdhëniet e Shqipërisë me fqinjët ballkanikë dhe ndikimi i Fuqive të Mëdha;
  • Bashkimi kombëtar i shqiptarëve dhe qëndrimi i Fuqive të Mëdha;
  • Shqiptarët në Ballkan, shteti amë dhe ndërkombëtarët;
  • Njohja e shtetit të pavarur shqiptar dhe procesi i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike;
  • Shoqëritë dhe personalitetet e huaja për çështjen kombëtare shqiptare: kontribute dhe arritje;
  • Shqipëria dhe shqiptarët në perceptimin e të huajve.

Komiteti Organizativ:

Akad. prof. dr. Beqir Meta

Prof. asoc. dr. Sabit Syla

Prof. asoc. dr. Ledia Dushku

Dr. Sali Kadria

Konferenca me temë: “Personalitete të Rilindjes Kombëtare dhe veprimtaria e tyre në Manastir”

2 Maj, 2019 Njoftime

Më 27 prill 2019, Akademia e Studimeve Albanologjike në bashkëpunim me Shoqatën Joqeveritare për Promovimin e Bashkëpunimit Regjional “22 Nëntori”, organizuan në Manastir konferencën me temë: “Personalitete të Rilindjes Kombëtare dhe veprimtaria e tyre në Manastir”.

Në këtë aktivitet u paraqitën me kumtesa akad. prof. dr. Marenglen Verli, akad. prof. dr. Beqir Meta dhe Blerina Kuqi.

Gjithashtu gjatë këtij aktiviteti u promovuan edhe disa nga botimet e Institutit të Historisë pranë ASA-së, si: Historia e Shqiptarëve gjatë shekullit XX, Vëll I dhe Kolana me botime kushtuar Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Kumtesat e studiuesve të ASA-së dhe promovimi i librave, u pritën me interes nga të pranishmit.

Konferenca e 4-ët ndërkombëtare me titull: “Turbulent times in Europe: instability, insecurity and inequality”

17 Prill, 2019 Njoftime

Në datat 15-17 prill 2019, prof. asoc. dr. Afrim Krasniqi, studiues i Institutit të Historisë, pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, mori pjesë në konferencën e 4-ët ndërkombëtare me titull: “Turbulent times in Europe: instability, insecurity and inequality” të organizuar nga European Social Survey, Leibniz Institute for the Social Sciences dhe Universiteti Manheim ne Gjermani. Prof. asoc. dr. Krasniqi u paraqit në këtë konferencë me kumtesën me titull: “Stability versus democracy: Crisis of representation and citizen engagement in western Balkan” si dhe me punimin tjetër me bashkautor “Electoral behavior curbes and impacts in political system: The case of Albania and Kosovo 2004-2017”.

Konferenca ndërkombëtare “The Western Balkans at the crossroads of European integration”

1 Prill, 2019 Njoftime

Më 28 mars 2019, prof. asoc. dr. Afrim Krasniqi, studiues i Institutit të Historisë, pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, mori pjesë në konferencën ndërkombëtare “The Western Balkans at the crossroads of European integration” të organizuar nga Universiteti i Liège (Belgjikë).

Prof. asoc. dr. Krasniqi u paraqit në këtë konferencë me kumtesën me titull: “Zgjerimi i (pa)mundur drejt BE dhe roli i aktorëve të tjerë në Ballkanin Perëndimor”.

THIRRJE PËR PJESËMARRJE NË KONFERENCËN SHKENCORE NDËRKOMBËTARE  “ISMAIL QEMAL VLORA DHE ELITA POLITIKE SHQIPTARE NË PROCESIN E SHTETNDËRTIMIT”

19 Mars, 2019 Njoftime

Pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, rruga e mbijetesës dhe e konsolidimit të shtetit shqiptar kaloi përmes sfidave dhe dilemave të shumta. Shteti shqiptar ishte vazhdimisht në sfidë me vetveten dhe tjerët. Ai u përball me vështirësi të vazhdueshme që vinin sa nga gjeopolitika e Fuqive të Mëdha, aq edhe nga çarjet e brendshme politike, nga mungesa e strukturave solide shoqërore, si edhe nga domosdoshmëria për të zhvilluar e konsoliduar ndërgjegjen dhe institucionet e tij kombëtare.

Në këtë proces të gjatë e të vështirë të përcaktuar nga sociologu Ferdinand Braudel “si punë e vetes për veten”, roli i elitës përcaktohet vendimtar. Ismail Qemal Vlora ishte dhe mbetet përfaqësuesi i zëshëm i elitës shqiptare të fillimshekullit XX, veprimtaria e tij shënjoi procesin e shtetformimit dhe shtetndërtimit në Shqipëri. 

Qëllimi i kësaj konference shkencore ndërkombëtare është të analizojë figurën e Ismail Qemal Vlorës si intelektual e politikan; rrethanat historike në të cilat ai veproi; marrëdhëniet e tij me elitën politike të kohës; kontributin e tij dhe të elitës politike në funksion të çështjes kombëtare dhe shtetformimit. Konferenca synon të trajtojë edhe trashëgiminë mentale osmane të një pjese të konsiderueshme të elitës politike shqiptare, mendësinë e kësaj të fundit për shtetin kombëtar dhe procesin e përballjes me shtetformimin dhe shtetndërtimin. 

Historiografia shqiptare, por edhe studiues të huaj, kanë shënuar kontribute të rëndësishme, për sa i përket trajtimit të figurës së Ismail Qemal Vlorës, por edhe aspekteve të ndryshme që lidhen me ndërveprimin e elitës politike shqiptare. Konferenca Shkencore Ndërkombëtare që do të zhvillohet me rastin e 175-vjetorit të lindjes dhe 100-vjetorit të kalimit në amshim të Ismail Qemal Vlorës, ka një bazë të gjerë, ku do të mbështetet trajtimi i problematikës së saj. Nga ana tjetër, historishkrimi është një proces i vazhdueshëm dhe asnjëherë fundor. Në këtë aspekt, organizimi i konferencës krijon mundësi për të sjellë kontribute të reja të rëndësishme shkencore, për të bërë analiza të reja, për të sjellë argumente, për të paraqitur teza dhe hipoteza të reja, duke pasuruar edhe qëndrimet kritike ndaj trajtimeve të mëparshme. Vëmendje të veçantë, konferenca pritet t’i kushtojë procesit të ndërveprimit të elitës politike shqiptare dhe marrëdhënies së saj me procesin e ndërtimit të shtetit kombëtar. 

Instituti i Historisë (Akademia e Studimeve Albanologjike) dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë ju ftojnë të aplikoni për pjesëmarrje në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Ismail Qemal Vlora dhe elita politike shqiptare në procesin e shtetndërtimit”, konferencë që do të mbahet në Tiranë, më 27 shtator 2019. Abstrakti duhet të përmbajë 250-300 fjalë dhe të paraqitet deri më 30 prill 2019 në adresën: institutihistorise@gmail.com

Pjesëmarrësit njoftohen për përzgjedhjen jo më vonë se data 20 maj 2019.

Aktet e konferencës do të botohen gjatë vitit 2020.

Tematika orientuese e Konferencës

  • Diskutim teorik mbi konceptin elitë kombëtare. Tipologjia e saj;
  • Elita politike shqiptare si pjesë e elitës politike osmane: të përbashkëta dhe dallime;
  • Shteti kombëtar dhe perceptimi i elitës për të;
  • Ismail Qemal Vlora: njeriu, diplomati, politikani;
  • Ismail Qemal Vlora dhe elita politike shqiptare për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë;
  • Marrëdhëniet me Fuqitë e Mëdha dhe shtetet ballkanike në këndvështrimin e Ismail Qemal Vlorës dhe elitës politike shqiptare;
  • Marrëdhëniet e Ismail Qemal Vlorës me elitën politike shqiptare;
  • Ismail Qemal Vlora dhe elita politike shqiptare në përballje me shtetformimin dhe emancipimin e shoqërisë shqiptare;
  • Shteti kombëtar dhe perceptimi i elitës për të;
  • Ismail Qemal Vlora, elita politike shqiptare: konceptet e tyre për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare.
  • Ismail Qemal Vlora dhe elita politike në diasporë;
  • Elita politike në diasporë dhe procesi i shtetndërtimit të shqiptarëve.

Komiteti Organizativ:

Akademik Marenglen Verli

Akademik Floresha Dado

Akademik Beqir Meta

Akademik Shaban Sinani

Prof. asoc. dr. Ledia Dushku

Simpoziumi i IV Ndërkombëtar i Historisë së Qarkut të Kocaelisë

11 Mars, 2019 Njoftime

Në datat 8-10 mars 2019, dr. Ardian Muhaj, studiues i Institutit të Historisë, pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike mori pjesë në Simpoziumin e IV Ndërkombëtar të Historisë së Qarkut të Kocaelisë që u zhvillua në Izmit, Turqi.

Dr. Ardian Muhaj u paraqit në këtë simpozium me kumtesën me titull: “Marrëdhëniet shqiptaro-turke në fundin e periudhës osmane”.

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL